Mjeshtrja Merkel

0
24

Nga Beqë Cufaj, 1 nëntor 2011

Ku ta fillojmë? Te suksesi i Saj i sërishëm apo te 55 miliardë euro të “gjetura” të “Hypo Real Estate”… dhe atë vetëm tre ditë pasi Samiti maratonik i Brukselit përfundoi, ku jo vetëm që u shpëtua euro, por edhe u mor vendimi që Greqisë t’i shlyhet gjysma e borxhit, kurse në çdo skenar të mundshëm – Gjermania, shteti me përgjegjësinë më të madhe në krizën tashmë 18-muajshe të euros, del me pak, fare pak harxhime. Sepse do të jenë bankat ato që do ta heqin haraçin grek…

Angela Merkel, kjo mjeshtre e madhe e politikës gjermane, me profesion fizikane, në kohën e përmendores politike, Helmut Kohlit, si ministre perfierie e njohur edhe si “vajza” e tij (“Mein Mädchen”) edhe këtë radhë dëshmoi që jo vetëm se ka sensin për të bërë politikë, por për çdo legjendë e mit përhapur për të, duket ka diçka.

Nga ajo se si me një letër që pat shkruar dhe botuar në “Frankfurter Allgemeine” me të cilën e rrëzoi “babanë” e saj Kohl përmes përplasjes për fytyrë të parashikimeve të “ujqërve të rinj” të CDU-së që nuk do të mund t’i rrëzonte Schröderin e Fischerin, gjë të cilën jo vetëm e bëri, por po ata, princër që prisnin të merrnin postin e saj, filluar nga Stoiber, März, Koch, Müller, zu Guthenberg… të cilëve ua përgatiti terrenin të shkonin nga politika dhe të kalonin në “ekonomi”… deri tek Christian Wulf- të preferuarin e saj, të cilit papritmas i dha postin e Presidentit të Republikës…

Merkel, kjo politikane gjithmonë e nënçmuar, por për këtë më tepër se efektive sidomos nga java e kaluar u katapultua në një lidere të përmasave planetare. Dhe për këtë janë të vetëdijshëm jo vetëm shefat e 17 shteteve pjesë e monedhës euro.

Jo më kot, thuhet e shkruhet që të portretohet Angela Merkel është pothuajse e pamundshme. Jo pse ajo bën politikë (edhe, apo sidomos) me SMS, as pse në dhomën e saj të punës në “Kanzleramt’, pos tryezës dhe karrigeve janë tri figura të mëdha shahu, për të cilat thuhet të jenë inspirimi i saj kryesor në lëvizjet politike, por më së tepërmi për shkakun që rrethi i saj i bërjes së politikës është i ngushtë, tepër i ngushtë për të zënë dikë tjetër…

Të jesh kancelar(e) gjerman nuk duhet vizion “tjetër”, sepse ky vizion është i shkruar në tapitë e arta të ringjalljes së këtij kombi në Bundesrepublikën e re. Nga Kondrad Adenauer (CDU) përmes Ludwig Erhard (CDU) e Willy Brandt (SPD) e deri tek Helmut Schmidt (SPD) e Helmut Kohl (CDU). Për Merkelin del të jetë ajo që tashmë edhe dihet: stratege e zonja, e cila pret çastin e duhur për të lëvizur (një nga ato figurat e mëdha të shahut në zyrën e saj?).

Java që shkoi ka shpëtuar tash për tash Evropën dhe euron, falë strategjisë së saj. Por problemet janë aty: me grekët, të cilët do të vazhdojnë të mundohen ta shlyejnë atë gjysmë borxhi, por edhe me portugezët e spanjollët në njërën anë dhe italianët në anën tjetër.

Fakti se si Merkel në tërë këta muaj të gjitha aksionet i zhvillonte në koordinim të plotë me Sarkon, nuk do të thotë që e bënte vetëm sa për sy e faqe. Ose siç cinikët (britanikë sidomos) e thoshin: Merkel vepron e Sarkozy ua thotë gazetarëve. Jo. Është në shpirtin dhe natyrën e politikës gjermane ajo që quhet dhe njihet si boshti gjermano-francez. Asgjë pa francezët, çdo gjë për francezët! Edhe kjo – pjesë e politikës dhe me këtë edhe mjeshtërisë së Merkelit…

Shikuar nga prizmi ynë, ai ballkanik, nëse nuk e lëmë anash porosinë që Merkel ia dha Tadiqit dhe serbëve në Beograd (katër kushtet për Kosovën), del që edhe euro ka pasur, ka dhe do të ketë rëndësi – për Kosovën e Malin e Zi sidomos, pasi që ato e përdorin atë. Por shikuar nga aspekti ekonomik, sado dëshpëruese të tingëllojë, del që shqiptarët janë larg, tepër larg të qenit pjesë e tregut gjerman apo edhe prioriteteve ekonomike gjermane, sidomos kur bëhet fjalë për investimet.

Vazhdoj të besoj që shqiptarët – e Kosovës dhe të Shqipërisë, për Qeverinë e Berlinit dhe ato të landeve vazhdojnë të jenë punë e GIZ-it. Asaj organizate pra që na ndihmon për ujësjellës dhe furnizim me drita. Kjo, s’ka dyshim që është më tepër se për keqardhje.

Por pa u përmirësuar dhe pastruar politika nga korrupcioni e krimi – të mos presë kush që gjermanët “do t’ia mësyejnë” nënqiellit të bijve e bijave të shqipeve. E për ta vërtetuar këtë fakt dëshmon ajo që Boris Tadiqi, po javën e kaluar, ua thoshte në Sthutgart të Gjermanisë investitorëve e politikanëve gjermanë: Serbia nuk mund të zhvillohet pa Gjermaninë! Ne duhet të pyetemi: po shqiptarët – mendojnë ndonjëherë kështu?

Zëri