“Emra që reflektojnë dritë” – Një vepër me vlera të larta humane

0
69

Tomë Mrijaj

Një ndër virtytet më të larta humane të çdo individi, është kujtimi me respekt dhe nderimi i thellë ndaj mësuesve tonë të parë; ndaj atyre që na mësuan ABC-në shkrim e këndim; që na hapen portat e diturisë dhe na ushqyen shpirtin me ndjenjat më fisnike të atdhedashurisë, të zhvillimit dhe përparimit mbarëshoqëror.

Shprehje e një virtyti të tillë është edhe libri i sapodalë në qarkullim, që përmban në vetvete dhjetë portrete të paharruara mësuesish të shquar, që u ndanë nga jeta, por që mbetën thellë në kujtesën e historisë së banorëve, mbasi ata sëbashku përhapën gjithnjë dije dhe reflektuan dritë në trevën kulturdashëse të Lugut të Drinit.

Unë si bashkëvendas dhe pjesëtar i pandarë i këtij vendi edhe pse larg vendlindjes fizikisht, me këto figura arsimdashëse me lidhë fëmijëria dhe rinia. Kështu disa prej tyre i kam pasur shokë klase dhe banke dhe kemi ndarë gëzimet dhe hidherimet sëbashku. Tek lexon me endje esencën e jetës dhe veprës së tyre, mua menjëherë më lindin kujtime të shkuara, të cilat me nostalgji i ruaj të freskët edhe sot.

Mbresa dhe kujtime të paharruara më vijnë nder mend sot për mësuesit e paharruar Zef Cub Pernoken (1902-1963) dhe të tjerët deri tek Mirosh Veseli (1951-2010), ndërsa më të riun mësuesin Anton Frrokaj (1978-2004) nuk e njoha, mbasi në vitin 1978 kur ai u lind, unë mora rrugën e mërgimit.

Skalitja në kujtesën time për mesuesin a palodhur Zef Cub Përnokën

Më kujtohet si sot, kur fliste mësuesi veteran Zef Cub Përnoka, në odat e njohura të Lugut të Drinit, ku njerëzit në qetësi e dëgjonin me shumë vemendje. Një qetësi e madhe kishte pushtuar oden e burrave të njohur të trevës tonë, tek ai ligjëronte kujtime dhe përshkruante histori të krahinës, takimet e shpeshta që kishte pasur me franceskanin e shquar At Shtjefen Gjeçovin dhe të tjerë, që asokohe u bënë krah mbështetës për hapjen e shkollës në gjuhën shqipe, që banorët tanë të merrnin dritë dhe kulturë kombëtare përparimtare.

Një rast në një odë burrash, një përfaqsues i partisë komuniste asokohe i bëri një pyetje provokuese, duke i thënë: “Ju lugdrinasit e patët idhull atë fratin (është fjala për At Shtjefen Gjeçovin), që ua hapi shkollën në kishën e Zllakuqanit… Sot partia e hapi shkollën e saj me mësuesin tjetër (fjala ishte për Boro Millatoviq).” Ndërsa bashkëvendasi dhe mësuesi veteran Zef Përnoka iu përgjigj shkurtimisht: “Emëri i idhullit (At Shtjefen Gjeçovit) mbahet në zemër, ndersa ky tjetri (Boro Millatoviq) mbahet vetëm në murë…”

Tashmë kushdo e kupton sesa të vështirë e ka pasur mësuesi veteran Pernoka nga sistemi tepër i politizuar asokohe, por që asnjëherë ai nuk iu gjunjëzua komunizmit në Kosovë. Sot me kënaqsi u realizua ëndrra e mësuesit Zef, se emri i idhullit të popullit tonë patriotit, fokloristit, mësuesit dhe atdhedashësit të madh At Shtjefen Gjeçovit u bë realitet, duke u përjetësua përgjithmonë në shtetin më të ri në botë.

* * *

Në historikun e krahinës dhe arsimit shqip në Dardani dhe në veçanti në Lugun e Drinit (Zllakuqan), do të zënë një vend nderi dhe respekti plejada e mësuesve pasionantë të arsimit dhe kulturës kombëtare shqiptare, të tillë, sikurse ishin: Zef Cub Përnoka, Lekë Përlaska, Lekë Laska, Gjrgj Rrapi, Tomë Përlaska, Marie Bekaj – Augustini, Prend Marku, Pal Përgjoka, Mirosh Veseli, Anton Frrokaj etj.

Duke shfletuar faqet e historisë në librin e publicistit Gojani, të bie në sy jeta e shkurtër për fat të keq e gjithsecilit prej tyre. Çdo njeri prej tyre u nda nga jeta dhe shoqëria pa i kaluar të 60-tat. Shumë nga mësuesit prej presionit të madh, që rregjimi sllvo-komunist i ish Jugosllavisë Komuniste asokohe u bënte çdo ditë me keqardhje u detyruan të marrin rrugën e mërgimit dhe me mall të zhuritur për vendlindjen, shkollën dhe nxënësit e tyre nuk mundën të ktheheshin më dhe sot prehen në dherat e huaja…

Sërisht ajo që bie në sy në këtë vepër që po lexojmë, është se armatës së mësuesve në Zllakuqan, i bashkohet qysh herët edhe mësuesja vendase Marie Bekaj – Augustini, e cila dha një ndihmesë të madhe në edukimin e disa gjeneratave të nxënësve në këtë shkollë, që më pas do të vijoi më mësuese të tjera.

Fatbardhësisht shkolla në fjalë, ka sot për nder të ketë një drejtoreshë vendase, duke treguar edhe një herë shkallën e lartë të emancipimit të femrës mes njerëzve të kësaj treve.

Me këtë qëllim fisnik punoi si hulumtues për një kohë të gjatë publicisti dhe studiuesi i ditëve tona Mikel Gojani, i cili, me dashuri dhe respekt hartoi dhe botoi veprën: “Emra që reflektojnë dritë” (Prishtinë, 2011), që sot e kemi në duart tona.

Ky është një përkushtim dinjitoz ndaj mësuesve të mëparshëm të mësonjëtores së Zllakuqanit në Lug të Drinit; një libër i rrallë ky në llojin dhe misionin e tij e, ndoshta i pari në të gjitha trojet shqiptare.

Me një përkushtim dhe nderim të veçantë, autori përkujton ngjarjet me kryesore të kësaj shkolle 115-vjeçare të Zllakuqanit, që lane gjurmë të pashlyeshme në formimin dhe edukimin e brezave të rinj, duke filluar qysh me mësuesin e parë, patriotin, dijetarin dhe françeskanin e madh At Shtjefen Gjeçovi (1874-1929), që ishte në të njejtën kohë edhe autori i hapjes së kësaj shkolle, për të vijuar deri ne ditët tona me mësuesit me të shquar në përhapjen e dritës së arsimit shqip jo vetëm në Zllakuqan, por edhe më gjërë.

Ky libër na njeh me një plejade të tërë mësuesish të nderuar, fetare e laike, katolikë dhe myslimanë, që pa marrë parasysh asnjë sakrificë e vazhduan panderprerje veprën e themeluesit të shkollës së Zllakuqanit, e cila me të drejtë mban emrin e përkushtuesit të saj: “At Shtjefen Gjeçovi”.

Nga kjo shkollë kanë dalë kohë mbas kohe një numër i konsiderueshëm nxënësish të mirë – përgatitur (një ndër mësuesit e së cilës ka qenë edhe autori i këtij libri), që më vonë, mbas përfundimit të studimeve të larta, janë shquar në fusha të ndryshme të dijës dhe janë përkushtuar ndershmërisht në shërbim të Atdheut, në punë për përhapjen e arsimit shqip dhe në luftë me armë në dorë për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi shekullor serb.

Ky libër i studiuesit pasionant Mikel Gojanit, nuk duhet të mbetet as i vetmi e i fundit, por duhet të shndrrohet në një traditë të vazhdueshme dhe të pasurohet herë mbas herë me libra të tjerë në të ardhmen jo vetëm për plejadën e mësuesve të shkollës “At Shtjefen Gjeçovi” të Zllakuqanit, por edhe e të gjithë shkollave të mbarë Kosovës, Shqipërisë dhe të gjithë trojeve shqiptare, në nderim të atyre mësuesve, që me përkushtim dhanë një kontribut me plot vlera në përhapjen, zhvillimin dhe përparimin e arsimit shqip mbarëkombetar.

Atdheu ynë, kurrë nuk do t’i harroj sakrificat dhe përkushtimin e vijueshëm të punëtorëve të arsimit, kur regjimi serbo-komunist, që nga viti 1981 ushtroi presion dhe dhunë të paparë mbi kuadrot e arsimit tonë.

Po sikurse e dimë të gjithë nga nëna histori, në vitin 1991 klika e pushtuesit shumëshekullorë mbylli arbitrarisht dyert e shkollave dhe auditoreve në të gjithë territorin e Kosovës.
Por sërisht arsimtarët si kudo edhe në Lugun e Drinit vijuan panderprerje misionin fisnik të edukimit të fëmijëve dhe rinisë me arsimin shqip, në gjendje presioni, survejimi, arrestimesh, burgosjesh, pa kushte dhe mbështetje financiare e material nga shteti serb asokohe…

I shprehi mirënjohjen time të pakufishme Profesor Mikel Gojanit, për këtë nisëm qëllimmirë me vlera kaq të mëdha morale dhe humane!