“Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan” një eveniment i rëndësishëm që po rritet nga viti në vit

0
39


(Vallë, a do mundemi dot ndonjëherë t’ua shpërblejmë atë, që ata bëjnë për ne, për mbarë komunitetin, për Letërsinë tonë Shqipe…?)

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Ja tetori erdhi përsëri/ mozaik ngjyrash derdhur mbi Michigan/ vjeshta flokartë vellon ka hedhur/ vatra KUVENDI derën hapur mban/ erdha prap në Michigan/ me mall, siç vjen tek prindi fëmija/ zjarrin e dashurisë ndezur e mbajmë/…

Me këto vargje e vazhdova përshëndetjen time në aktivitetin më të rendësishëm kulturor letrar artistik në diasporën shqiptare “Ditët e Letërsisë Shqipe” zhvilluar në Michigan nga organizatorët e Revistës KUVENDI, aktivitet i rëndësishëm i vitit sa edhe Festivali Folklorik Kombëtar në Diasporën Shqiptare në Amerikë, organizuar nga Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” Nju Jork.

Të shkosh në Michigan për të marë pjesë në “Ditët e Letërsisë Shqipe”, jo vetëm mahnitesh me bukuritë, me mënyrën e organizimit të atij aktiviteti të madh, që për vite me radhë të mbetet në kujtesë, sa që nuk të vjen të largohesh nga ata njerëz të mirë e bujarë, mikpritësa, të dashur, nga ata njerëz të penës dhe të artit… por edhe mikpritja, dashuria që të ofrojnë vëllezërit dhe motrat bashkëkombas. E ndjen veten pjesëtar të asaj familje të madhe të Kuvendit, anëtarë të komunitetit shqiptar në Michigan.

Dhe ja, tetori 2011 erdhi përsësëri… dhe në këtë tetor, është edhe ditëlindja e 10-të KUVENDI-t në Michigan, që korespondon edhe me një ngjarje të rëndësishme, një datë që kurrë s’harrohet, 140-të vjetori i lindjes së poetit At Gjergj Fishta.

Njoftimi për të gjithë ata që dëshironin të dërgonin krijimet e tyre letrare dhe për të marrë pjesë në festën e madhe të Letërsisë Shqipe në Michigan ishte dhënë muaj më parë nga i nderuari, inicuesi dhe themeluesi dhe organizatori i Revistës KUVENDI, zoti Pjetër Jaku.

E shtunë, 22 tetor, 2011

Avioni i nisur nga Aeroporti La Guardia, Nju Jork, mbërin në Detroid në mesditë.
Duke qenë personalisht pjesëmarës për të disatën herë në atë aktivitet edhe aeroporti i Detroid-it pothuajse është bërë pjesë i imi.

Zbres shkallët e terminalit dhe shoh miqtë që kishin dalë për të na pritur. E dalloj menjëherë artistin grafik, të mirënjohurin shkodran, Paulin Palushi, dekoruar nga presidenti i republikës me Urdhërin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë.

Duke qenë se numri i të ardhurve nga shtete të ndryshme të Sh. B. A-së ishte i madh dhe se orari i linjave ajrore ishte i ndryshëm, zoti Pjetër Jaku, sapo kishte marrë grupin e parë të të ardhurve nga shtete të ndryshme të Amerikës dhe ishte nisur drejt hotelit për të ardhur përsëri në aeroport.
I telefonoj Pjetrit, i them të mos mundohet se jam me Paulinin.

Paulin Palushi është artist i lindur, jo vetëm në profesionin e tij në artin grafik, por edhe artist në shpirt dhe me humor. Të jetosh me humorin e Paulinit, dua ta përkufizoj me shprehjen popullore “të shtohet jeta…”

Është fat i madh të kesh një mik, një shok, një shoqërues si Paulini, që me humorin e tij të këndshëm të bën të mos e njdesh as lodhjen, as udhëtimin, sado i gjatë të jetë ai.

Meraku i organizatorëve, Pjetër Jaku, Pishtarit të Demokracisë Shqiptare Alfons Grishaj etj. bënë që zilja e telefonit të Paulinit të binte disa herë. – Po po, e kam merak vetë unë atë punë – dëgjoja përgjigjen e Paulinit. Ata i rikujtonin porosinë që nuk duhet të shkonim drejt e në hotel pa shkuar më parë në restorant për të drekuar.

Me ç’gjellë tjetër mund të ngopet më shumë miku, shoku, kur mëson merakun që kanë ata njerëz të mirë për miqtë e ardhur? Kjo ndodh me miqtë që jetojnë në Michigan, ata që organizojnë aktivitete të tilla të rënësishme, ata, që dijnë të presin mikun, shokun, kolegun… ata, që dijnë të mbajnë përherë derën dhe zemrën hapur, ata, që dijnë të mbajnë gjallë “KUVENDIN” , i cili këtë vit festoi 10-të vjetorin e tij.

E dija, që me linjën ajrore para meje kishte mbërritur në Detroid edhe shkrimtari Naum Prifti bashkë me vajzën e tij, Emanuela Kondi si dhe shkrimtari Fatos Kongoli dhe bashkëshortja e tij Lili.

Pasi drekojmë sistemohemi në hotelin luksoz “Quality Inn” për të pushuar pak orë. Dëgjoj zilen e telefonit; ishte Pjetër Jaku, më njoftonte orën pasdite për të ardhur e për të na marë me makina ne, miqtë e ardhur për të darkuar në mbrëmjen e të shtunës.

Sa emocione ndjen njeriu në raste të tilla! Ai zë, më është bërë i njohur dhe i dashur, i ngrohtë, atëror, si zëri i prindit që tregon dashurinë, kujdesin për fëmijtë e tij. Mirënjohje, respekt, vlerësim… ke i dashur Pjetër Jaku.

Në orën e caktuar, në hollin e hotelit, takohemi me miqtë e tjerë: Prifti, Kongoli, Kondi. Jemi bërë si të shtëpisë, si një familje dhe, pavarësisht punëve që kemi dhe pamundësinë për ta parë nga afër njëri tjetrin edhe pse jetojmë në të njëjtin qytet shtet, shkëmbejmë shpesh biseda telefonike. Por edhe takimet nga afër kanë bukurinë, kënaqësinë e tyre. Kështu u takuam dhe u përqafuam si vëllezër e motra.

Edhe tani që po shkruaj këto radhë më dalin përpara syve dhe nuk më hiqet nga mendja fytyrat e qeshura dhe të gëzuara të Pjetër Jaku-t, Pishtarit të Demokracisë Shqiptare Alfons Grishaj-t, Pal Rakaj-t, Edond Rakaj-t kur erdhën në hotel për të na marrë me makina.

Ishin ato fytyra të qeshura që e tregonin më së miri gëzimin dhe kënaqësinë që po ndjenin në ato çaste takimi. Me krahë hapur takohemi si vëllezër e motra, përqafohemi me mall sipas traditës shqiptare.

Ç’farë mund t’i themi njëri tjetrit pas një vit takimi? Shume gjëra; botime librash, reçensione… por ajo që na nxiste më tepër ishte prania ndaj njëri tjetrit, shmallja me vëllezërit e një gjaku.
Makinat njëra pas tjetrës ndalojnë përpara “The Wellington Pub”, 1129 E.Long Lake Rd – Troy, MI” me pronar, bashkatdhetarin Gjeto Ivezaj. Prisnim miqtë e tjerë të vinin në atë darkë.

Kryetarja e degës së Vatrës në Washington DC, znj. Merita Mc Cormcak njofton se kishte mbërritur në hotel dhe se po vinte ne restorant nga organizatorët.

Takohemi me dashuri me miqtë e tjerë: Elinda Marku, Juljan Çefa, Monela Jaku, Lulash Palushaj, Novruz Nazarko, Rush Dragu, Ilir Kadiu, Gjovalin Lumaj, Pal Rakaj, Studjuesi dhe poeti Gëzim Basha, Ago Basha të ardhur nga Wiscont, këngëtarja Ermira Babaliu.

Zumë vend në tavolina si pjesëtarë të një familjeje të madhe shqiptare.

I “zoti” i shtëpisë Pjetër Jaku, me gotën me verë në dorë pasi na uron mirëseardhjen vjen e na uron me radhë. Trokasim gotat e urimit me njëri tjetrin.

Pronari i lokalit, zoti Gjeto Ivezaj, kishte “merakun” e tij. Herë pas here vinte e na pyeste, nëse na duhej diçka…

Fjalën e hapjes e mbajti poeti dhe historiani Lulash Palushaj:

” … Nëpër malet e Malësisë, kanë qenë shpirti i bashkimit të Kuvendit të Gremçës me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, dhe këto po i reflektoj këtu, vetëm se për ç’do penë të njeriut që ka letër, shpirt, zemër fjalë kujtesë, Malësia e madhe, po e kthej që nga Çamëria dhe deri në majë të maleve Shalë ishte pendë e Ilirisë dhe do të mbetet shpirt, zemër shqiptarie, atdhetari të përbashkët. Një letërsi që neve na obligon, na detyron për brezat e rinj t’u sqarojmë gjuhën e pastër, gjakun e pastër, etnosin e pastër…

Duke përfunduar, i lumi ai njeri që i lën pasardhësit të vet, që nga familja e përgjithshme shqiptare nji detyrë të madhe: shqiptarë dhe shqiptari’ shqiptarë jemi që duam njeri tjetrin për hir të gjakut, flamurit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, kushtuar natës së At Gjergj Fishtës, Naim Frashërit, Faik Konicës Pjetër Budit, Pjetër Bogdani, etj. që janë relikat, perlat, fytyrat më të rendësishme që kanë vënë shtyllat e urave më të forta që shqiptaria kurrë nuk shembet…” tha midis të tjerash historiani Lulash Palushaj.

Historiani Palushaj përmendi gjithashtu edhe aktivitetin dhe ndihmën e madhe që jep Shkolla Shqipe në Michigan, për të mësuar, ruajtur dhe trashëguar brezave të ardhshëm gjuhën shqipe, numri i nxënësve është afro njëqint.
Pastaj të gjithë me radhë ne folëm dhe prezantuam punën dhe krijimtarinë tonë letrare…

E diel, 23 tetor, 2011

Herët në mëngjes zbresim në hollin e hotelit për kafenë e mëngjesit. Sipas programit, të “zotët e shtëpisë” do vinin me makina për vazhdimin e aktivitetit, vizita dhe argëtim në vende të ndryshme të Michigan-it.

E papritura e radhës ishte, kur mësuam se një mbrëmje më parë po në të njëjtin hotel kishte mbëritur për aktivitetin edhe zv, Ambasadori i Republikjës së Kosovës, zoti Jetish Jashari me familjen e tij, bashkëshorten dhe dy djemtë. Pas pak i shohim të dalin nga ashensori. Takohemi si të ishim të njohur prej kohësh. Inteligjent, i çiltër, i thjeshtë… ishte përshtypja që na krijoi i nderuari zv. ambasadori Jashari.

Nuk vonoi dhe, makinat erdhën njëra pas tjetrës: Pjetër Jaku, Alfons Grishaj, Pal Rakaj, Paulin Palushi, Mondi Rakaj.

Organizatorët e kishin menduar, që kësaj here të shkonim e të vizitonim qytezën Frankenmuth, një Gjermani e vogël me ndërtesa të tipit bavarian.

Udhëtojmë nëpër autostradat e Michiganit për të mbëritur në Frankenmuth.
Vërtet një mrekulli e madhe. Koha e bukur si pranverë me diell të ngrohtë, një qiell blu i kthjellët, i pastër, siç është vetë shpirti i organizatorëve mikpritësa, na ndihmoi që të ecnim në këmbë të shëtisnim e të vizitonim Frankemuth-in e bukur e të magjishëm, të bisedonim me njëri tjetrin, të shkëmbenim mendime të ndryshme.

Zv. Ambasadori i Kosovës në bisedë të lirë i mrekulluar nga mikpritja dhe organizimi i aktivitetit vlerësoi organizatorët dhe shprehu mendimin e tij se aktivitete të tilla të rëndësishme duhet të zhvillohen edhe në shtete të tjera të Amerikës për të promovuar sa më mirë vlerat e letërsisë shqipe.

Pas vizitës disa orëshe nëpër Frankenmuth, organizatorët e kishin menduar që të drekonim po në “Gjermani” në një restorant gjerman.

Meqenëse numri ynë ishte i mjaftueshëm, Pishtari i Demokraisë Shqiptare Alfons Grishaj, kishte merakun e tij. Shkon më parë në restorant dhe bën rezervimin e tavolinave.

Përsëri si pjesëtarët e të njëjtës familje u shtruam të drekonim në restorantin “Zehnders of Frankemuth. Ushqim i bollshëm dhe me shije. (Të gjitha shpenzimet për miqtë e ardhur u bënë nga miqtë pritës organizatorë)

Pasi drekuam, duhet të shkonim në hotel për të pushuar, sepse na priste mbrëmja e madhe e letërsisë, por edhe koha e pushimit ishte e kufizuar, sepse Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” me qendër në Nju Jork, Dr. Gjon Buçaj ardhur nga Nju Jorku dhe kryetarja e degës së Vatrës në Washingtonit, znj. Merita McCormack kishin takim me komunitetin shqiptar të Michiganit në Kishën e Shën Palit për themelimin e degës së Vatrës në atë shtet.

Mbasditja e së dielës do të na gjente përsëri në hollin e hotelit, sipas orarit që na kishin njoftuar miqtë për të na marrë për mbrëmbjen e madhe.

Përsëri një e papritur e këndshme; atje takojmë Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Sh.B.A., zotin Gilbert Galanxi, Sekretarin e Parë të Ambasadës, zotin Arjan Spasse, aktivistin e njohur i ardhur posaçërisht për aktivitetin nga Ohio, zoti Sako Satka…


Ambasadori Albert Galanxhi dhe Pierre-Pandeli Simsia

Z. Arjan Spasse, z. Gilbert Galanxhi dhe Pierre-Pandeli Simsia

E diel, 23 tetor, 2011 mbrëmja e madhe e Letërsisë Shqipe në Mihigan

Salla e madhe e restorantit luksoz “Imperial House” ishte zbukuruar si për festë. Një skenë e improvizuar, tavolina për anëtarët e jurisë, një tavolinë ku ishin ekspozuar libra të ndryshëm të autorëve dhe tavolionat e tjera të zbukuruar këndshëm.

Hyjmë në sallë e takohemi me kolegë e miq pas një viti: Nexhip Ejupi, Rakib Babqorri, Aida Dismondy, Ndiçim Legisi, Rubin Jaku, Luigj Gjokaj, aktori i humorit Arben Dervishi, Rafael Floqi, Mensur Spahiu…

Hyjnë në sallë, përshëndeten dhe takohen me të pranishmit Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Sh. B. A, zoti Gilbert Galanxhi zv. Ambasadori i Republikës së Kosovës në Sh.B.A. zoti Jetish Jashari, Sekretari i parë i Ambasadës së Shqipërisë në Sh.B.A, zoti Arjan Spasse, Konsulli i nderit, zoti Eqerem Bardha, klerikët në Michigan, Dom Fran Kola, Famulltar i Kishës së Shën Palit, Detroid, Dervishi i Teqes Bektashiane ” Baba Rexhepi”, Elidon Pashai, Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Dr. Gjon Buçaj, shkrimtarët Naum Prifti, Fatos Kongoli, etj.

Prezantues të programit ishin Rafaela Kondi ardhur nga Nju Jorku dhe aktivisti i mirënjohur, anëtar i bordit të Kuvendit, zoti Novruz Nazarko, të cilët me një zë të pastër dhe me diksion prezantuan programin në mënyrë profesionale.

Zonja Rafaela Kondi i njohu të pranishmit me emrat dhe personalitetet që e nderuan KUVENDIN me pjesëmarrjen e tyre. Novruz Nazarko prezantoi të gjithë krjuesit që ndodheshin në sallë. Gjithashtu Nazarko përshëndeti ata që ndihmuan sado pak në organizimin e këtij aktiviteti: Edmond Rakaj, Halim Lumani, Kujtim Qafa, Ndue Ftoni, Lulash Palushaj, Alfons Grishaj, Rush Dragu.
Fjalën e hapjes e mbajti Pishtari i Demokracisë Shqiptare, poeti Alfons Grishaj.

“… Mbrëmja e Letërsisë Shqipe në Michigan është shndëruar tashmë në një traditë të bukur. Meritën kryesore e ka revista KUVENDI, në veçanti themeluesi i saj, zoti Pjetër Jaku.
Misioni i kësaj mbrëmje me karakter të dyfishtë, duke patur parasysh se revista kuvendi ka mbushur 10-të vjetorin e saj. Mbrëmja e Letërsisë në Mihigan filloi si mbrëmje e thjeshtë letrare për të kujtuar At Gjergj Fishtën e madh. Inicuesi i asaj mbrëmje ishte zoti Pjetër Jaku, në bashkpunim me Dom Prek Kalën, Mërgim Korça, Luigj Gjoka…

Ata mbollën një filizë letrare që nëpër vite do të rritej e zbukurohej me emra të njohur të diasporës dhe në atdhe, me emra të penës dhe të artit, të politikës dhe historisë, të cilët ndihmuan revistën. Marëdhëniet midis këtyre personaliteteve të vendit kanë qenë reciproke.

Më lejoni, që me këtë rast të përmend disa emra, të ilët me shkrimet dhe praninë e tyre kontribuese i kanë dhënë jetë Revistës KUVENDI: Elinda Marku, Novruz Nazarko, Rush Dragu, Kreshnik Çollaku, Mërgim Korça, Julian Çefa, Gjekë Gjonleka, Naum prifti, Kolec Ndoja, Gjekë Marinaj, Mond Rakaj, Tomë Mrija, Gjovalin Ndreka, Ermira Babaliu, Toni Isufaj, Lulash Palushaj, Merita McCormack Bajraktari Zef Lleshi, Zef Përgega, Bardhyl Mezini, Nexhip Ejupi, Dalan Luzaj, Mhill Velaj, Mimoza Dajçi, Gjovalin Lumaj, Aida Dismondy, Kujtim Qafa, Tonin Çobani, Pierre-Pandeli Simsia, Agim Dëshnica, Gjeto Turmalaj, Franc Grishaj, Imam Ismaili, Prek Palaj, Padër Pashko Gojçaj, Imam Seit Gurguri, Merita Dolla, Marash Mali, Pal Rakaj, Klajd Kapinova, Merita Rustemi, Sami Milloshi, Pal Shkreli, Sako Satka, Abdullah fejzullahu, Pek Guri, Gjokë Martini, Betim Muço, Prekë Gjoka, Gjergj Ivezaj, Gjeto Ivezaj, Eqerem Bardha, Xhovalin Kaçori, Rakib Babqorri, Ndue Dedaj, Paulin Palushi, Ndue Gjeka, Zef Brozi, Luiza Dervishi, Ndue Ftoni, e shumë e shumë të tjerë” tha midis të tjerash Dëshmori i Demokracisë, poeti Alfons Grishaj.

Pastaj përshëndeti Dom Fran Kola Famulltar i Kishës së Shën Palit, Detroid

“Uroj dhjetë vjetorin e Kuvendit. Nëpërmjet urimit bëj thirrje shtresës intelektuale shqiptare në Sh.B.A. që të bashkojmë të gjitha forcat pozitive të mendjes që këtë popull që është këtu në Michigan, përmes shkrimeve tuaja, mendjes së mprehtë, të ruhet identiteti ynë kombëtar dhe dinjiteti i familjeve tona. Përmes juve intelektualë të dashur afrojani shtetit mik, Amerikës, të vërtetën e popullit, si pasardhës të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, Nënë Terza… Afrojani të vërtetën sepse e vërteta e liron një popull dhe të gjithë miqtë tanë kanë nevojë për të vërtetën tonë. Ju, intelektualë të nderuar po të thoni të vërtetën, po të shkruani të vërtetën, aq do të jemi të lirë..” tha në fjalën e tij Dom Fran Kolaj.

Pastaj në podium u ngjit Dervishi i Teqes Bektashiane ” Baba Rexhepi”, Elidon Pashai

“Historia e Letërsisë Shqipe në përgjithësi po shikohet në aspektin e gjinive letrare shfaqet me vonesë dhe pikërisht të librave fetarë të përkthyer në gjuhën shqipe Kjo historia e vonesave dhe shfaqjeve tipike të dukurive letrare ka qenë e kushtëzuar nga zhvillimet historike, sociale, politike dhe kulturore nëpër të cilat ka kaluar Kombi Shqiptar, e cila në pjesën më të madhe të saj, ka qenë një histori tragjike… Naim Frashëri, si një ndër rilindasit më të mëdhenj hodhi themelet e lirikës epiko moderne në poezinë shqipe… Duke marrë mësim nga lirikët e letërsisë shqipe themi se ky manifestim i fjalës së bukur le të shërbejë si një stimulim për brezin e ri… Duke ju falenderuar që më ftuat dhe më pranuat në mesin tuaj, j’u uroj suksese. Zoti j’u ndihmoftë në hapat që hidhni në ndihmë të atdheut dhe mërgimtarëve…” tha midis të tjerash në fjalën e tij, Dervishi i Teqes Bektashiane ” Baba Rexhepi”, Elidon Pashai

Në përshëndetjen e tij, Ambasadori Gilbert Galanxhi, midis të tjerash tha:

“…Dua të falenderoj nga zemra organizatorët e kësaj ngjarje të bukur për ftesën që më bënë dhe mundësinë për të ardhur këtu. Dua t’ju falenderoj të gjithë juve që jeni të pranishëm këtu, pasi unë jam Ambasadori i Shqipërisë në Sh.B.A., por edhe secili prej jush është një ambasador në Sh.B.A. Dua të falenderoj zotin Pjetër Jaku si një rilindas i ri për vazhdimësinë e Kulturës Shqiptare në Sh.B.A. I uroj jetë të gjatë revistës KUVENDI dhe shumë suksese, sepse është një revistë që na shërben të gjithëve. Mbi të gjitha, i shërben unitetit mbarëshqiptar edhe pse është kaq larg atdheut. Është kënaqësi të dëgjosh një listë të gjatë të poetëve, shkrimtarëve, prozatorëve, të cilët bëjnë një sakrificë dhe i japin jetë revistës KUVENDI. Është kënaqësi, që këta krijojnë të lirë në një vend të lirë…”

Zv. Ambasadori i Kosovës, z. Jetish Jashari në përshëndetjen e tij, midis të tjerash tha:

“… Ju falenderoj me gjithë zemër që më mundësuat të marr pjesë sonte në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm, jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në Michigan, por të mbarë Komunitetit Shqiptar në mbarë Sh.B.A. Mënyra e shprehjes nëpërmjet kulturës është ajo, e cila është mënyra më e mirë për të paraqitur ato, vlerat tona që janë ruajtur me shekuj në të gjitha trojet shqiptare… mendoj se edhe Revista KUVENDI është ambasadorja më e mirë e prezantimit të vërtetë të vlerave tona si komb…

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Dr. Gjon Buçaj midis të tjerash tha:

“Të nderuar klerikë, të nderuar diplomatë shqiptarë, zoti Pjetër Jaku, Alfons Grishaj dhe gjithë ju, stafi i redaksisë së revistës KUVENDI, zonja dhe zotërinj. Kam kënaqësinë që ndodhem sonte këtu në këtë mbrëmje letrare, t’ju përshëndes dhe të shpreh vlerësimin e aktivitetit tuaj kulturor dhe patriotik. Uroj që ky aktivitet të jetë i vazhdueshëm, i pandërprerë…”

Në fjalën e tij, z. Rafael Floqi tha:

Tetori, jo më kot është muaji i Letërsisë. Aty përfshihen biografitë e Naimit, biografitë e Fishtës dhe 100 vjetori i Migjenit. Ndaj dhe një urim i vogël që i përkushtohet këtij poeti të madh synon ta nxjerrë atë në vërtetësi ashtu siç ishte poet, për të nxjerrë në pah të vërtetat e këtij poeti, që u quajt më së koti dhe qellimisht nga letërsia dhe kritika komuniste si pararendës i komunizmit. Dhe pikërisht, kjo kumtesë hedh dritë mbi ndikimet e një filozofi të madh siç ishte Niçja tek poezia e Migjenit…

Në fjalën e tij përshëndetëse, poeti dhe stdjuesi Gëzim Basha pasi uroi organizatorët e KUVENDI-T foli për jetën dhe veprimtarinë e At Gjergj Fishtës, të cilin e quajti shqiptari më i madh i shekullit të 20-të. Ai jetoi 70-të vjetë dhe si një prerje e artë janë mbushur 70-të vjetë nga vdekja e tij… Jeta e tyre pas vdekjes është jeta e tyre. Ka shkrimtarë që kanë vdekur 2500 vjet më parë, por vepra e tyre jeton akoma. Jeta e Fishtës 70-të vjet pas vdekjes ka sot vlerë më të madhe se kurrë dhe ka për të jetuar aq sa do jetojë gjuha shqipe…

Në fund, duke e mbyllur, studjuesi Basha tha: Ç’do familje shqiptare mban në shtëpitë e tyre Biblën dhe Kuranin. Unë them se, bashkë më këto dy libra të shenjtë, duhet të mbajmë edhe “Lahutën e Malcisë”

I çiltër, gazmor, duke i dhënë ngjyra humori, ishte edhe aktivisti i njohur Sako Satka ardhur nga Ohio për aktivitetin.

“Jemi në një kuvend… siç është edhe vetë emri për të cilin jemi mbledhur.I uroj KUVENDI-T Jetë të gjatë dhe përvjetorë të tjerë..”
Me gotën e verës në dorë, që nga podjumi, Zoti Satka bëri urime dhe ngriti dolli për organizatorët, pjesëmarrësit… të cilat u duartrokitën nga të pranishmit.

Përshëndeti gjithashtu edhe shkrimtari i mirënjohur Fatos Kongoli:

“U jam mirënjohës drejtuesve dhe organizatorëve të këtij aktiviteti, z. Pjetër Jaku dhe Alfons Grishaj që më ftuan për të dytin vit radhazi. Në mënyrë të veçantë, dua të falenderoj z. Alfons Grishaj për ngrohtësinë që na jep… Ndjehem i nderuar dhe i vlerësuar..”

Fjala poetike zinte një tjetër vend kryesor në atë aktivitet.

Ndue Gjekaj me ndjenjë recitoi poezinë “QELIA” të poetit Alfons Grishaj, siç janë shkruar me ndjenjë dhe dhimbje vargjet e saja. U elekrizuam të gjithë, kur dëgjonim interpretimin e atyre vargjeve, shkruar mjeshtërisht nga Pishtari i Demokracisë Grishaj, i cili e ka përjetuar vetë qelinë e ftohtë dhimbjen dhe vuajtjet e komunizmit hakmarrës gjakatar.

Aktori i mirënjohur humorit, ish aktori i “Portokallisë” Arben Dervishi nga Korça

recitoi një poezi nga poetja e talentuar, e mirënjohura Elinda Marku, shkruar mjeshtërisht. Gjithashtu, aktori Dervishi recitoi edhe një lirikë nga poeti Skënder Rusi.


Recituan gjithashtu edhe Fran Gjoka,

Nikoleta Gjekaj,

Luigj Sterbyçi.

Poeti dhe fabulisti Gjovalin Lumaj me vargjet e tij poetike cilësoi se, bukuria e kësaaj mbrëmjeje është se jemi mbledhur nga të gjitha trojet shqiptare…


Përshëndeti edhe aktivisti Vesel Ujkaj.


Përshëndeti edhe i mirënjohuri Juljan Çefa

Juria e konkursit: Merita Mc Cormack, kryetare, Gjovalin Lumaj dhe Pierre-Pandeli Simsia, anëtarë, shpallën fituesit e konkursit për “Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan për vitin 2011


Poezi:

Çmim i parë: Poeti Ndrekë Gjini
Çmimi “Gjergj Fishta” Poeti Gjeto Turmalaj
Çmimi “Migjeni” Poetja Rozi Theohari

Prozë:

Çmim i parë: Krijuesja Inxhi Alicka
Çmimi “Petro Marko” Krijuesi Gazi Buxheli
Çmimi “Anton Pashku” Krijuesja Brunilda Liço Çmimin ia dorëzoi z.Ekrem Bardha

Publicistikë:

Çmim i parë: Pubilicisti i mirënjohur Gjekë Gjonkekaj
Çmimi “Faik Konica” Publicisti dhe gazetari i mirënjohur Beqir Sina
Ëmimi “Arshi Pipa” Krijuesit të njohur Ndue Dedaj

Çmimi Special i Revistës “Kuvendi” (Pllakatë) iu dha shkrimtarit Naum Prifti të cilin ia dorëzuan Alfons Grishaj dhe Pjetër Jaku

Çmimet e Këshillit Botues: iu dhanë:
Ndue Gjekaj (Interpretim). Çmimin ia dorëzoi Jetish Jashari, Zv ambasador i Kosovës në Sh.B.A.
Edmond Rakaj (Ndihmë). Çmimin ia dorëzoi z.Arjan Spasse, Sekretar i Parë i Ambasadës Shqiptare në Sh.B.A

Paulin Palushi (Çmimi Tefë Palushi ) Çmimin ia dorëzoi Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Dr. Gjon Buçaj

Pllakatë mirenjohjeje nga miqtë e Revistes ” Kuvendi ” iu dha z.Pjetër Jaku. Çmimin ia dorëzoi Ambasadori i Shqipërisë në Sh.B.A, z. Gilbert Galanxhi.

Nën tingujt e këngëve të zërit melodioz të këngëtares së mirënjohur Ermira Babaliu, e cila prezantoi edhe albumin e saj më të ri, duke kënduar dhe vallëzuar, u mbyll edhe për këtë vit, aktiviteti i rëndësishëm kulturor-letrar për vitin 2011 “Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan”

Shkrimtari Naum Prifti u shpreh: “Nga mbrëmja e sotme jam shumë i kënaur. Ishte një e papritur e këndshme për mua dhënie e çmimit special, jo për një vepër të caktuar, të themi, por për gjithë krijimtarinë time. Ishte një nder i vërtetë, sepse shikoj që ka njerëz që e çmojnë krijimtarinë time dhe, kur çmohet krijimtaria e artistëve është kënaqësia më e madhe…”

Dita e hënë, 24 tetor, 2011 kishte edhe ajo të veçantën e saj. Në hollin e hotelit, prisnim miqtë të vinin përsëri e të na merrnin me makinat e tyre për në aeroport.

U mësuam, jemi pjesëtare të një familjeje të madhe shqiptare, jemi pjesëtarë të familjes KUVENDI në Michigan ndaj dhe “nuk na erdhi mirë” kur pamë të vinin Pjetër Jaku, Alfons Grishaj.
Si do ndahemi me këta njerëz kaq të mrekullueshëm. Vallë, a do mundemi dot ndonjëherë t’ua shpërblejmë atë, që ata bëjnë për ne, për mbarë komunitetin, për Letërsinë tonë Shqipe…?
Zoti i bekoftë të gjithë dhe paçin përherë gëzime dhe lumturi në jetën e tyre, në familje e kudo.
Ju faleminderit dhe j’u jemi mirënjohës.

“Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan” janë një eveniment i rëndësishëm që po rritet nga viti në vit. Aktiviteti kulturor letrar artistik shte një nga mbrëmjet më të mira, pasuron jetën e Komunitetit Shqiptar, duke mbajtur gjallë traditat tona më të mira, duke e bërë edhe më të mirë jetën e komunitetit.
Aktiviteti u ndoq nga media dhe televizionet e Michiganit.

* Shumica e fotove janë mundësuar nga z. Rush Dragu