Respublica.al, 28 tetor 2011
Pasi kryeparlamentarja Topalli i vërsuli Presidentit Topi gjithfarë kolektivash punonjëse shkodrane, në përgjigje të silurës së këtij të fundit rreth shqipes së saj jokorrekte, sot i erdhi edhe kundërpërgjigjia. Presidenti Topi dekoroi në ambientet e Presidencës, në një ceremoni të veçantë e solemne, të dënuarin nga diktatura, politikanin dhe parlamentarin, shkrimtarin dhe publicistin e shquar shkodran, Pjetër Arbnori, me Urdhrin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes).
Gjatë fjalimit të rastit Topi tha: “Në kontrast me modelet politike konfliktuale dhe ideologjike, me sjelljet politike joqytetare dhe penguese për vendin, Arbnori kujtohet nga të gjithë për qetësinë, argumentin dhe integritetin e lartë. I zgjedhur deputet në pesë legjislatura, një nga përfaqësuesit më të denjë të qytetarisë shkodrane, Arbnori krijoi edhe në demokraci modelin e politikanit evropian, – mbështetës i vendosur i dialogut politik dhe i shtetit të së drejtës, aktivist i palodhur i të drejtave të njeriut, politikan që vendos mbi gjithçka tjetër interesin publik e kombëtar….. Personalisht kam pasur kënaqësinë ta njoh nga afër si mik, si koleg në Parlament, si bashkudhëtar të ideve të njëjta, por edhe si lexues i rregullt i krijimtarisë së tij. Gjithçka ruaj e kujtoj nga jeta e gjatë miqësore e politike, është respekti e mirënjohja, të cilën sot, me cilësinë e Kryetarit të Shtetit po e shpreh publikisht, përmes një nderimi të merituar.”
Në këtë fjali, edhe pa e përmendur, Topi është munduar të nxjerrë në pah kontrastin e madh mes kryeparalmentarit të dikurshëm të PD-së me atë aktualen. Parë në një këndvështrim politik, ai duket se do t’i dërgojë një mesazh afrimi elektoratit të djathtë shkodran që identifikohet më lehtë me Arbnorin se sa me Topallin. Lufta për votuesit e djathtë shkodranë mes Topit e Topallit vazhdon.
E. Zaloshnja