Ambasadori danez: Nuk e pengoi ngërçi marrjen e statusit, por dështimi i qeverisë në çdo fushë.
TemA, 28 Tetor 2011
Ambasadori danez, Karsten Ankjaer Jensen, njihet si një njeri që flet pa dorashka. Në një leksion që ka mbajtur, i ftuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, ai flet për progres- raportin e BE, duke thënë se Shqipëria ka dështuar në çdo fushë, përveç asaj të politikës së jashtme. Sipas tij, nuk është kriza politike ajo që po mban peng Shqipërinë, të cilës më shumë se miratimi i ligjeve, i duhet zbatimi i tyre.
“Debati në media është fokusuar thuajse ekskluzivisht tek efektet e krizës politike në raportin e progresit. Në një farë mase, kjo është e kuptueshme. Megjithatë, ju që e keni lexuar vërtet raportin e gjatë e dini se ngërçi aktual politik është një porcion i vogël i numrit shumë të madh të çështjeve shqetësuese që janë ngritur në raport,” tha Jensen.
“Ju që nuk e keni lexuar raportin- dhe ju bëj thirrje ta lexoni atë- duhet të dini se ajo është një analizë e përpiktë, kapitull për kapitull, se si Shqipëria dhe institucionet e saj kanë funksionuar vitin që shkoi. A ka ndonjë progres në mënyrën se si policia zbaton ligjet? Si kanë përparuar shkollat? A kanë ministritë burimet dhe ekspertizën e nevojshme? A janë mbajtur premtimet? A ka avancuar sundimi i ligjit? A janë bërë procedurat parlamentare më demokratike? Dhe a janë sjellë pranë standardeve të BE fushat e politikave individuale? E kështu me radhë. Për fat të keq, raporti në shumë fusha tregon për një dështim ose një notë të ulët në krahasim me progresin e vitit që shkoi. Nëse kujtesa më shërben mirë, vetëm një fushë karakterizohet aktualisht nga raporti si në rrugën e duhur drejt BE dhe ajo është politika e jashtme.”
Ambasadori danez thotë se përgjegjëse për dështimet është qeveria. “Progres- raporti i është dorëzuar qeverisë sepse në analizën përfundimtare, qeveria është përgjegjëse për shumë nga ato gjëra që janë vlerësuar në raport. Ai është një raport për atë çfarë qeveria ka arritur në një vit,” tha ambasadori.
Ambasadori thotë më poshtë se në njëzet vite, qeveritë kanë përparuar shumë avash drejt BE. Ai thotë se nuk e kupton pse Shqipëria është në këtë gjendje, kur është bekuar kaq shumë.
“Unë jam danez dhe kur e konsideroj se me çfarë janë bekuar shqiptarët, nuk arrij vërtet ta kuptoj se si Shqipëria nuk është në ballë të BE. Kam dëgjuar që politikanët shqiptarë i referohen Danimarkës si shembull i shkëlqyer i asaj që mund të realizohet. Por nga perspektiva ime, është vështirë të kuptoj se përse Shqipëria nuk është përpara Danimarkës. Ju keni qenë me fat me natyrën, burimet, klimën, etj, në krahasim me ne. Dhe shqiptarët nuk janë më pak punëtorë dhe të zgjuar se danezët.
Mendoj se një shpjegim është se danezët mendojnë dhe veprojnë si një komb, si një popull. Shqiptarët veprojnë si individë ose si anëtarë të familjes. Gjatë historisë ne danezët kemi mësuar se duke vepruar si një komb mund të përfitojmë, duke ngritur standardin tonë kolektiv të jetesës, duke përmirësuar shanset e gjithkujt për sukses.”