Allalla o Saleh allalla!

0
17

Naser Aliu, Shekulli

Në kryeqytetin e Jemenit, diktatori arsyeton vrasjen e njerëzve të vet, sepse me ato vrasje mbrohet karrigia e despotit. Në kryeqytetin e Egjiptit Mubarak përligj vrasjen e qindra njerëzve dhe lëndimin e mijëra vetave, sepse ato vrasje ishin të mira dhe i shërbenin ruajtjes së pozitës.
Në kryeqytetin shqiptar arsyetohen vrasjet. Ato ishin të mira për ta mbrojtur demokracinë. Shpërblehen vrasësit, dekorohen dhe u rriten rrogat. Tre vende, dy kontinente, tre rende shoqërore, një justifikim! Një diagnozë: Autokraci, kleptokraci, idiokraci, despotizëm!
Despotët që këtyre ditëve zemërojnë popullin janë: Jemen, Ali Abdullah Saleh 32 vjet në pushtet. Protestat i organizon opozita, ai ishte duke përgatitur djalin për t’ ia falur shtetin dhe pushtetin si dhuratë, Egjipt: Husni Mubarak 30 vjet në pushtet, protestat i organizon opozita. Ai është duke stërvitur djalin për t’ ia dorëzuar shtetin, Shqipëri: Saleh Ram Berisha mbi 20 vite dominon skenën politike shqiptare dhe si “një njeri parti”, nuk largohet pa termet nacional, si edhe sivëllezërit e tij të Konferencës. Edhe ky e ka ndërmend të sundojë, jo qeverisë, nja tridhjetë vjet. Nuk është duke stërvitur njeri për t’ i dorëzuar si dhuratë shtetin dhe prognoza është kjo: Partia Demokratike pas despotit do të copëtohet në shumë fragmente, si LDK-ja në Kosovë. Njëri nga dy Salehet mendon se është demokrat, është anëtar i NATO-s dhe dëshiron t’ i bashkëngjitet BE, mirëpo flet, gjykon, përligj dhe vret si dy kolegë e Afrikës veriore. Allalla o Saleh allalla!

Në kryeqytetin shqiptar nuk përmenden të vrarët fare nga Kryeministri, por jetohet në panik se grusht shteti po bëhet sepse demonstruesit kishin ngritur grushtet në ajër edhe atë drejt Kryeministrit. Nëse ngrit shuplakën drejt Kryeministrisë, atëherë quhet shuplakë shtet. Nëse ngrit këmbën, atëherë quhet shqelm shtet dhe të gjitha këto së bashku, pra grushti, shuplaka dhe shqelmi në Partinë Demokratike quhen: PUÇ! Në terapinë psikiatrike quhet: Paranojë! Pacienti ndjehet i përndjekur, në rrezik dhe shumë i kërcënuar…

Kryeministrit u zu nga profesor Myslim Pasha duke i shitur detin shqiptar Greqisë. Shitjen e ndaloi Gjykata Kushtetuese. Ky synim do të kishte mjaftuar ta rrëzonte një politikan kudo në Europë, te ne jo, madje nga ithtarët e tij konsiderohet akt patriotik!
Në Shqipëri tri familje janë në zi dhe qajnë për të dashurit e tyre. Kryeministri i tyre shfaqet në televizor me gjeneral e pa ta dhe shan kryeprokuroren, kryetarin e shtetit dhe tregon veten si viktimë permanente: ai dinë për stërvitjet e puçistëve, për armatimin e tyre, për çka nuk dinte gjë policia e tij, as kryeprokurorja, por i din kryeprokurori që është edhe Kryeministër.
Tani mund të pritet ndryshimi i ligjit dhe të ndalohen stilolapsat në xhepat e shqiptarëve sepse ka rrezik se me to të behet puç. Duhet ndaluar edhe shtrëngimin e grushtit, sepse të traumatizuarit mund t’ i shkaktojë dëme post traumatike. Allalla o Saleh allalla!

Si në Tunizi, si në Jemen, si në Egjipt, po ashtu edhe në Shqipëri vrasja e qytetarëve konsiderohet e domosdoshme për ruajtjen e status quos. Si në Tunizi, Jemen, Egjipt e Shqipëri, vrasja e qytetarëve të vet konsiderohet masë preventive dhe shumë e pëlqyeshme.
Si në Tunizi, si në Jemen, si në Egjipt, po ashtu edhe në Shqipëri ka njerëz që mbrojnë interesat e veta, duke mbrojtur despotin: lidhjet fisnore horizontale dhe vertikale. Privilegjet e tyre.
Në ato vende të Afrikës prokuroria nuk mund të bëjë hetime kundër Qeverisë, sepse despoti i ka falur pozitën dhe ajo duhet të tregohet mirënjohëse pikërisht kur despoti vret popullin, ndryshe mund të pezullohet prokuroria dhe me hetime të merret Parlamenti: si në Shqipëri për shembull. Dhe, natyrisht komisioni hetimor nga partia në pushtet do t’ i përfundojë hetimet duke ripërsëritur dhe kopjuar fjalët e kryeministrit, sepse ai është organ që ngrit akuza dhe që merr vendime. Sepse ai është organ i akuzës dhe gjykatës njëkohësisht. Dëshmi tjera nuk lejohen. Kjo është demokracia që njeh dhe kupton Salehu jonë.

Para dy muajve Westerwelle lavdëroi Mubarakun për mençuri të madhe, tani e kritikon. Çka na mëson kjo? Perëndimi shikon interesat e veta dhe i duhen tregje të qeta dhe gjithmonë mbështesin atë që ka timonin në dorë dhe atë që posedon forcën reale: ushtrinë dhe policinë. Sapo ta shohin se populli mund ta marrë pushtetin, atëherë despotëve u bëjnë të ditur se nuk pajtohen me vrasje dhe se duhet respektuar të drejtat dhe liritë njeriut. Thua se deri dje ishin respektuar ato! Ky është Perëndimi. Ka frikë nga humbja e tregjeve dhe ka frikë nga vërshimi i refugjatëve, prandaj Westerwelle para dy muajve e quajti Mubarakun “ të urtë dhe vizionar”, sot ia tërheq vërejtjen!
Kështu do të sillen edhe me Salehun tonë. Si në Egjipt, ashtu edhe në Shqipëri nuk i kanë fajet vrasësit, por të vdekurit janë fajtorë pse vdiqën nga plumbat e qeverisë.
Salehu jonë, jo prokuroria, na njoftoi se opozita kishte armë të sofistikuara, në mes tyre edhe revole inteligjente, me plumb të mençur. Ato funksionojnë kështu: plumbi niset drejt Kryeministrisë dhe gjatë flurudhës i bie ndërmend të kthehet dhe diku pas 50 metrave ndryshon drejtimin dhe kthehet dhe vret protestues. Me një qëllim. Për ta diskredituar qeverinë më demokratike në Tokë!
T’ i lëmë anash vendet afrikane dhe t’ i kthehemi Shqipërisë. Si do të kishte reaguar Enver Hoxha nëse protestohej para selisë së tij? Si Salehu! Ja, përafërsisht kështu do të kishte ligjëruar: “armiqtë e popullit të përkrahur dhe armatosur nga revizionistë jugosllav, CIA, KGB, UDB-a dhe imperialistët, deshën ta rrëzojnë pushtetin e klasës punëtore dhe ta marrin me dhunë. Populli vigjilent din të përgjigjet dhe i vrau disa prej tyre duke u dhënë mësimin se si mbrohet pushteti i popullit nga reaksionarët, revizionistët dhe imperialistët. Sapo i telefonova Ministrit të Punëve të Brendshmet dhe ai do të njoftojë për armatimin e tyre dhe vendet ku ishin stërvitur për ta kryer puçin. I kemi dokumentet! Kur të shkojë policia tek ta, sigurisht do të kenë bërë vetëvrasje. Për këtë nuk ka dyshime! Sot do të mblidhet Komiteti Qendror sepse kemi prova se dy spiun kanë bashkëpunuar me puçistët! Si presidenti për shembull dhe prokurorja e përgjithshme! Allalla o Saleh, allalla…

Nga Salehu jonë të kërkohet të mendohet ndryshe, është gabim. E kotë. Ai nuk din ndryshe. Ashtu u mësua, atë shkollë mban dhe do të vrasë si Enveri për pushtet apo si sivëllezërit e tij në Afrikë. Zakonisht vrasjet që nuk zbardhen kurrë, bëhen nga profesionistë, sepse ka interesat e veta një patriark! Këtu mund të kuptohet se kush përfitonte nga vrasja e Azem Hajdarit.
Mirëpo, pse ndodhën këto vrasje në fakt? Këto vrasje u kryen për ta hedhur në harresë krimin e kapos Ilir Meta dhe tani në vend se të zbardhej kriminaliteti i organizuar, kemi detyra tjera më urgjente dhe do të ketë mjaft kohë për të shlyer gjurmët që inkriminojnë bosin!
Për ta kuptuar vitin ku gjendemi ne sot dhe shekullin, atëherë ju lutem lexoni Nolin: Marshi i Barabbajt…
30.01.11