135 m2 tapete mëndafshi dhe mobilje me dru lisi për vilat qeveritare

0
44

Nga Emirjon Senja

Mobilimi i vilave qeveritare në Vlorë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit një shumë të konsiderueshme parash. Agjencia e Prokurimit Publik ka shpallur kompaninë fituese që do të bëjë mobilimin më shumë se 40 ambienteve, si holle, dhoma gjumi, dhoma pritje, veranda, tualete, dhoma pritje etj., kundrejt një shumë prej rreth 46.5 milionë lekë, e njëvlefshme me rreth 450 mijë dollarë. I gjithë ky shpenzim do të bëhet për blerjen e orendive, të cilat fillojnë nga pikturat, karriget, dhomat gjumit, telezivorët me ekran të sheshtë, tavolinat e shkrimit e deri tek tapetet e mëndafshit. Madje, për këto të fundit, është vënë kusht që të jenë ose persiane ose pakistaneze. Një vend tjetër nga do të vijnë tapetet për mobilimin e vilave qeveritare është Pakistani.

Në dokumentacionin e tenderit, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka parashtruar kërkesat për secilën pajisje duke parashikuar ngjyrën, cilësinë, madje edhe prejardhjen e materialeve. Kështu përshembull, dhomat e gjumit ku do të flenë qeveritarët e lartë shtetërore, do të jenë të mobiluara me mobilje ngjyrë bezhë e hapur me dru lisi.

Me të njëjtën ngjyrë do të jenë edhe mbulesat e krevateve, madje edhe jorganët. Sipas dokumentacionit, jorganët duhet të jenë katër stinët. Luksi rritet edhe më tepër kur kalojmë të tapetet. Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, ka menduar që qeveritarët tanë por edhe delegacionet e huaja që do të vizitojnë vendin të shkelin të tapete persiane, të lahen në pishina dhe të shlodhen duke parë filma me sistem “Home Cinema”. Kolltuqet do të jenë të stilit “chester”, “capitone” apo “agora”. Madje, vila ofron edhe një argëtim tjetër në katin e nëndheshëm. Pranë pishinës dhe barit, ndodhet një tavolinë bilardo, e cila gjithashtu do të blihet me këtë tender.

Pasqyrat në dhomën e ndenjes do të jenë të veshura me lëkurë. Edhe më cilësore do të jetë lëkura që mbështjell kokat e krevateve dopio të dhomave të gjumit. Çarçafët do të jenë të madhësisë “king size”, muret të veshura dhe kryesisht në dhomat e ndenjes dhe në holl do të ketë zbukurime me reliev.

Holli nga ana tjetër do të ketë si zbukurim skulptura qeramike, piktura, mbajtëse qirinjsh, etj.

Vilat qeveritare shërbejnë për pritje-përcjelljet e delegacioneve të huaja dhe janë kryesisht në shërbim të Kuvendit, Këshillit të Ministrave dhe ministrive. Ndërkohë, në pjesën më të madhe të vitit, vilat qeveritare përdoren nga vetë funksionarët e lartë shtetërore, siç është Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, ministrat, etj. këta të fundit i frekuentojnë ato kryesisht gjatë fundjavave apo ditëve të pushimeve zyrtare. Për të mos përjashtuar edhe pushimet e verës, të cilat zyrtarët tanë të lartë preferojnë t’i kalojnë në bregdetin e jugut.

135

Metër katror tapete mëndafshi do të blejë qeveria për mobilimin e vilave qeveritare. Gjithashtu parashikohet edhe blerja e 90 metrave katror tapet leshi nga Pakistani

460

mijë dollarë është kostoja që do të përballojë buxheti i shtetit për mobilimin e vilave qeveritare në Vlorë. Dhomat do të kenë orendi luksoze, siç janë tapetet persiane apo kolltuqet “chester”

40

Polësh është një ndër televizorët me ekran të sheshtë që do të vendoset në dhomën pritjeve. Krahas tij, parashikohet blerja e më shumë se 10 televizorëve të tjerë me ekran të sheshtë me madhësi të ndryshme

Disa nga orenditë*

Kolltuk “chester”, “capitone”, “agora”

Jorgan katër stinët

Tapet persian

Tapet leshi (Iran ose Pakistan)

Bilardo

Perde mëndafshi

Krevat dopio me kokë me veshje lëkure

Piktura

Skulptura

Vazo qelqi/qeramikë

TV ekran të sheshtë

Sistem “Home Cinema”

*Për t’u mobiluar janë më shumë se 40 ambiente si dhoma gjumi, holle, dhoma ndenje, sallë pritje, etj.