Nga Mero Baze, 24 Tetor 2011
Mu kujtua Berisha tri vjet më parë. Ndërsa po mbyllej një seancë e rëndomtë në parlament, Berisha e mori fjalën si rastësisht nga fundi për të nxjerrë diçka që e mundonte. Ben Blushi kishte botuar romanin e tij të parë, i cili u bë shumë popullor dhe ai nuk mund ta pranonte.
-Sa për romanin e atij zotërisë, tha- ju siguroj se ja ka vjedhur gjyshit. Po, po, e di unë shumë mirë, e ka pasë gjyshi dorëshkrim dhe ai ja ka vjedhur. E di unë, e ka pasur vjedhjen ves ai që fëmijë… lëre mos më thuaj mua ti, kupton apo jo..”
Ndërhyrja thuajse banale, pak duke qeshur e pak duke bërë lolon, është e freskët për gjithë ata që e kanë parë në atë seancë parlamenti dhe që e kanë rikujtuar më vonë. Mu kujtua ky gjest sot, kur foli për një libër ende të pabotuar të Edi Ramës. Atëherë Ben Blushi i dukej armik dhe duhej quajtur hajdut, tashmë i duket më i afërt dhe i dashur dhe quhet i talentuar.
Në të vërtetë Blushi është ai që ka qenë dhe librat e tij kanë të njëjtin standard, çka minimalisht trego se ai i shkruan vetë dhe i shkruan mirë. Gjyshi i tij, për hir të së vërtetës ka qenë shkrimtar shumë mediokër, për të mos thënë më mediokri i letërsisë së realizmit socialist, dhe nëse do t’i ngjante atij Blushi, do të ishte afërsisht në nivelin e Berishës sa i përket fantazisë dhe artikulimit.
Por, Berisha u pa sërish i shqetësuar nga një libër. Një libër i Edi Ramës, kundërshtar i tij. Në kulturën politike të shqiptarëve, bërja e një libri nga një politikan është një standard i ri, natyrisht i përqafuar nga përvojat perëndimore. Politikanët më në zë të Perëndimit kanë hyrë në politikë përmes librave dhe shpesh kanë ndriçuar identitetin e tyre përmes librave. Obama është një rast i freskët për të gjithë. Në Shqipëri kjo traditë për hir të se vërtetës ka ithtarë në opozitë.
Edi Rama ka botuar disa libra deri më sot, por ky është një libër për politikën e tij dhe përvojën si politikan. Është një njeri që guxon të shikojë çka bërë dhe ta ndajë atë me ne. Është një vlerë që e kanë politikanët e hapur, ata që nuk kanë frikë të kthejnë kokën pas të shikojnë çka ndodhur në rrugëtimin e tyre.
E kam thënë disa javë më parë, ndërsa shkruajta diçka për librin e Spartak Ngjelës. Sali Berisha është i vetmi politikan shqiptar që nuk shkruan dot një libër për veten e tij. E do shumë atë libër, i shfaqet në gjumë, e dëshiron, e prek dhe e shfleton në vizionet e tij apokaliptike, para krizave të persiatjeve për atë që ka bërë, por nuk e shkruan dot. Nuk guxon as ta përfytyrojë të shkruar. Si çdo njeri që e ka ngritur jetën mbi errësirë dhe krime, ai tmerrohet nga një biografi e tij sa të jetë gjallë. Por, nuk tërhiqet kurrë.
Çdo ditë, çdo muaj, çdo vit, çdo përvjetor të ngjarjeve politike në Shqipëri, ai hedh nga një tullë, shkruan nga një faqe duke e shtrembëruar historinë e tij, fsheh faktin si u bë komunist dhe sekretar partie, pastaj fsheh faktin si iku në Francë, pastaj fsheh faktin si ka udhëtuar në Beograd nga Franca, pastaj fsheh faktin si e ka përdorur Sigurimi i Shtetit për ekspertizën e Fiqret Shehut, pastaj fsheh faktin si ka internuar një familje mjekësh në Rrogozhinë, pastaj fsheh faktin si ka masakruar një disident të vetmuar që shpërndante trakte, pastaj fsheh faktin si e ka takuar Ramiz Alinë dhe si e ka dërguar tek studentët, pastaj fsheh faktin si e mori nën kontroll PD-në, si e shpalli Azem Hajdarin bashkëpunëtor sigurimi dhe bashkëpunëtor UDB-je, si e ndoqi atë tetë vitet e tij në lirinë që solli vetë në Shqipëri, si e bëri kurban në vend të tij para PD-së dhe më tej akoma si e çoi vendin në luftë civile, si i mbijetoi i poshtëruar opozitës dhe në ç’mënyrë arriti të fusë Shqipërinë nën thundrën e familjes së tij përmes renegatëve të së majtës.
Kur e mendon gjithë këtë errësirë që shoqëron jetën e tij, e ke të pamundur ta mendosh të njëjtin personazh duke e rrëfyer atë.
Për këtë arsye, pengu i madh i jetës së tij ka për të mbetur një libër. Ai nuk shkruan dot një libër për historinë e tij politike, e cila me dhunë dhe egërsi ka dominuar dhe politikën shqiptare këto 20 vite. Gjithkush që e bën këtë është armiku i tij dhe ai nuk rri dot pa turfulluar për këtë. Një njeri në dukje energjik, që ka përballuar me ligësi gjithë betejat në politikën shqiptare, është krejt i pafuqishëm para letrave të bardha, të cilat atij i ngjajnë si çarçafë të bardhë të paprekur në shtrat nga impotenca që e mundon. Ai ligështohet kur dikush arrin të ulet e të shkruajë dy fjalë bukur dhe shqip. E dërrmon ideja se ka njerëz të lirë që dinë të thonë ç’kanë bërë dhe ç’farë u kanë bërë të tjerët, e huton stili i kundërshtarëve, që intrigave të tij me miliarda euro dhe dhjetëra viktima për të rimarrë pushtetin, i përgjigjen me një libër ku e tregojnë këtë histori.
Në përfytyrimin e tij çdo e keqe dhe e ligë që ai ka bërë, duhet të ketë si kundërpërgjigje të keqen dhe të ligën dhe ndjehet i shastisur që një simbol i viktimizimit prej politikës së tij, përgjigjet me libër. Ai ndjehet shumë në makth që votat e vjedhura në Tiranë prej tij, nuk u përkthyen me një hordhi me urë zjarri në dorë kundër Lulzim Bashës dhe atë po e bren dyshimi se s’mund t’i bëjë një libër vjedhjes së votës. Ai ndjehet i frustruar nga ideja se ka vrarë katër burra dhe ka lënë dhjetë fëmijë jetimë, dhe njeriu që u ka marrë përsipër ‘gjakun’ këtyre katër familjeve, ‘pushkën” e parë që ka shtirë mbi të është një libër.
Ai ka një boshllëk brenda vetes se si nuk po ja marrin gjakun të vrarët, si nuk po i çojnë fjalë se jemi në gjak, si nuk po ja marrin peng djalin, vajzën apo mbesat, si nuk po ua djegin makinat, si nuk po ua vënë zjarrin vilave, si nuk po u vënë gjoba, thjesht si nuk po bëjnë siç bën Sali Berisha? E ka të vështirë ta kuptojë. Biles nuk ka më kohë ta kuptojë. Ai njeri nuk beson se ka përballë njerëz të ndryshëm. Ai është i bindur se ka njerëz si ai, por të pafuqishëm. E ka të pamundur ta kuptojë se si njerëzit që viktimizohen nga ligësitë e tij, shkruajnë libra dhe vazhdojnë të besojnë se e ardhmja e këtij vendi u përket atyre që lexojnë, që janë mendje të hapura, që s’kanë frikë të ballafaqohen me të vërtetën.
Thuajse gjithë kundërshtarët e tij politik brenda partisë dhe jashtë saj janë njerëz që shkruajnë libra. Spartak Ngjela shkruan libra, Besnik Mustafaj shkruan libra, Edi Rama shkruan libra, Ben Blushi shkruan libra, Preç Zogaj shkruan libra…. Kjo tregon se ai njeri e ka betejën me ata që guxojnë të shkruajnë dhe të thonë të vërtetën e këtij vendi. Ai është udhëheqësi i koalicionit të disa liderëve si Ilir Meta, Fatmir Mediu apo Shpëtim Idrizi, të cilët i zë libri dhe po ta prekin me dorë e jo më ta lexojnë, e aq më keq ta shkruajnë.
Beteja e tij me lidershipin e ri të Shqipërisë është beteja e një plaku të lig, xheloz, impotent, që është ndrydhur në errësirën e shpellës së vet si ciklopi duke mbajtur nën kontroll një kope injorantësh, që mbi gjithçka dallohen se e urrejnë librin. Aq shumë është thelluar kjo diferencë në Shqipëri, sa tani lirshëm mund të themi se në politikën shqiptare konkurrojnë njerëzit e letrave dhe librave me atë pjesë të Shqipërisë që në trazirën e parë që ndodh, shkojnë djegin bibliotekat dhe arkivat për të zhdukur burimin e dijes dhe gjurmët e krimeve të tyre.
Dhe këtë diferencë e bën të fortë vetë makthi dhe kërshëria e ligë me të cilën kryetari i kësaj turme injorantësh në pushtet ndjek njerëzit e librave, ata që kanë guximin të ulen para letrës së bardhë dhe tu tregojnë shqiptarëve të vërtetën. Këtë diferencë e bën shpërfytyrimi i Sali Berishës në fund të mbledhjes së grupit parlamentar, nga ideja se kundërshtari i tij paska marrë ‘gjakun’ e opozitës me libër, në vend që ta marrë me pushkë dhe gjak të vërtetë. Siç merr vetë ‘gjakun’ Sali Berisha.