Gjergj Fishta
Vendlindja e Fishtës ka mbledhur gegë e toskë në 140-vjetorin e lindjes së Poetit të Kombit Atë Gjergj Fishta. Në Fishtë të Lezhës është organizuar një aktivitet i larmishëm për përvjetorin e Fishtës, ku morën pjesë zv.ministrja e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, deputetë të Lezhës dhe Shkodrës, autoritete lokale, përfaqësues të klerit katolik si edhe intelektualë dhe banorë të shumtë.
“Mblidhuni Toskë e mblidhuni Gegë, mblidhuni bashkë si kokrrat në shegë” , është ky mesazhi që u përcoll në këtë ditë të shënuar, duke bashkuar qytetarinë shqiptare pa dallim feje, krahine apo politike.
Zv.ministrja e Turizmit, Suzana Turku, theksoi se Fishta ishte i ndaluar para viteve ’90, por në demokraci zuri vendin që i takonte. Veprat e At Gjergj Fishtës janë një simfoni shqiptare.
“Fishta ishte kundër ndasive, ndaj kjo ditë le të shërbejë për bashkimin e të gjithëve”, theksoi prefekti i Qarkut të Lezhës, Pal Dajçi.
“Si fretër jemi të nderuar që mbajmë zhgunin, që mbante Pader Gjergji, dhe ne ashtu si Pader Gjergji duhet të çojmë para nderin e Shqipërisë”, theksoi përfaqësuesi i Kishës Franceskane, Frat Aurel Gjerkaj.
Nga vendlindja e Fishtës deputetët e Qarkut të Lezhës dhe Shkodrës përçuan mesazhin që vetë, Homeri Shqiptar i pari shqiptar që është kandiduar për çmimin “Nobel”, At Gjergj Fishta ka dhënë në veprat e tij për bashkim pa ndasi politike dhe fetare.
Aktiviteti është gërshetuar me këngë dhe poezi nga vepra e Fishtës, valle të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ndërkohë, nën kujdesin e mësuesit Lin Shtjefni, nxënëset prezantuan kostume tradicionale të zonës së Zadrimës, ku u zgjodh edhe “Më e bukura Zanë e Mrizit”
Lindita Kokaj