Sfidat e vitit 2010

0
40

Afrim Krasniqi

Afrim Krasniqi. 05.01.2010

Ndarja me një vit kalendarik dhe hyrja në një vit tjetër kalendarik tradicionalisht është një rast i ballafaqimit me gjendjen, bilancin e arritjeve dhe problemeve, si dhe në varësi nga situata e pritjet, rast i planifikimit të axhendës politike për 12 muajt e ardhshëm.

Në fjalimin e tij vjetor, Presidenti Obama theksoi problemet e sigurisë në politikën e jashtme dhe brenda vendit, me sfidën e reformave të nisura sociale.

Në Gjermani, kancelarja Merkel në mesazhin e saj vjetor paralajmëroi kohë të vështira për shkak të situatës ekonomike dhe premtoi angazhim maksimal të kabinetit në funksion të programit reformator qeverisës.

Në Itali, Presidenti Napolitano i kushtoi vëmendje të madhe nevojës për forcimin e institucionit të familjes, politikave sociale dhe integrimit kulturor. Në Shqipëri, si një vend ende në tranzicion mendimi demokratik, mesazhet e krerëve të shtetit dhe të politikës ishin më formale, kryesisht urime të rastit dhe përsëritje të arritjeve të vitit 2009-të. Dikush premtoi viza, dikush protesta, dikush bëri thirrje për bashkëpunim, dikush për fundin e bojkotit dhe ca të tjerë për përshkallëzimin e aksionit politik bojkotues.

Në formë e përmbajtje mesazhi i liderëve perëndimorë për shtetasit e tyre ishte ecja përpara, vullneti për reforma konkrete, mësimi nga gabimet e 2009-ës dhe vullnet politik për një politikë më transparente, frutdhënëse dhe të prekshme për 2010-ën.

Në formë dhe përmbajtje, mesazhi i liderëve politikë të Tiranës zyrtare ishte i kundërt, evokimi i ngjarjeve të vitit 2009-të, ritheksimi i pozicioneve politike në raport me krizën politike dhe gatishmëria për të mos lëshuar terren politik për rivalët politikë. Pra, politika shqiptare nuk premtoi një 2010-të ndryshe, një reflektim personal e institucional, një vullnet politik për të parë tej gardhit partiak dhe kordonit të makinave zyrtare të tyre.

Askush nuk apeloi dhe nuk ofroi një zgjidhje qoftë edhe formale për krizën politike që krijuam në vjeshtën e 2009-ës për të vijuar më 2010-të, askush nuk i dha përgjigje pyetjes sesi ekonomia do të dalë nga rrethi vicioz i falimentimeve dhe mbylljes së tregut konkurrues, sesi do të veprohet me procesin e negociatave teknike e politike me BE-në dhe në një plan më të thjeshtë, sesi do të duhet të veprohet për t’i dhënë një përgjigje afatgjatë ciklit periodik të përmbytjeve masive të shtëpive, njësive të prodhimit, pronës private dhe publike të disa rretheve në veri e në jug.

Parë me këtë sy, viti 2010-të vjen në Shqipëri jo si një vit i ri, por si një shtojcë e vitit 2009-të, me një axhendë politike të trashëguar prej tij, pa një projekt dhe identitet të vetin, dhe për rrjedhojë, i destinuar që politika të prishë ose të ndreqë atë që krijoi vetë më 2009-të. Kështu, janari 2010-të trashëgon krizën politike dhe premton brenda 1-2 muajsh paralizën e një sërë institucionesh kushtetuese e politike.

Me bojkotin parlamentar të opozitës është i lidhur jo vetëm prezenca ose jo formale e opozitës në parlament, debati ligjor mbi mandatet parlamentare, por edhe procesi i zgjedhjeve të reja në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Lartë, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në institucionin e Avokatit të Popullit, në krye të TVSH dhe në një sërë institucionesh të tjera kushtetuese e publike.

Nëse mazhoranca e lexon këtë si një privilegj për të zgjedhur formalisht të preferuarit e saj, atëherë produkti nuk do të jetë edhe aq pozitiv. Opozita do të ndjehet e parespektuar, e lënë jashtë procesit, tradita konsultative e konsensuale e këtyre zgjedhjeve do të marrë fund dhe kështu, praktika e këtyre zgjedhjeve do të kthehet rreth 10 – 12 vjet pas.

Kriza politike mund të përshkallëzohet, nëse mazhoranca refuzon ofertën dhe bisedimet serioze me opozitën dhe nëse për pasojë, opozita përshkallëzon protestat e saj.

Deklaratat e shumta të zyrtarëve të BE dhe ambasadorëve perëndimorë në Tiranë mbi “mungesën e maturisë politike” për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të kësaj politike, mund të jenë ndëshkuese për vetë Shqipërinë dhe aspiratat e saj integruese.

Debati politik rreth krizës, institucioneve, përfaqësimit dhe funksionimit normal të demokracisë ecën paralelisht me atë të çështjeve administrative e teknike, siç është ai i liberalizimit të vizave.

Në korrik 2010-të ose në janar 2011-të, nuk ka rëndësi data, natyrisht që vizat do të liberalizohen, sepse BE nuk mund t’ia lejojë vetes të krijojë një ishull të vetmuar shqiptar në familjen e madhe të shteteve evropiane.

Kjo është një sfidë, një fushë veprimi, por nuk është gjithçka dhe nuk është më kryesorja. Më thelbësor mbetet funksionimi normal i demokracisë, jo i fjalimeve populiste me fraza demokracie, por i shtetit me institucione e norma sjelljeve demokratike.

2010-ta do të jetë një vit prove për të dëshmuar sesa Shqipëria është e aftë të menaxhojë vetveten, nëse arrin të prodhojë stabilitet e besueshmëri, nëse ka hequr dorë nga periudha e vjetër e konflikteve personave e verbale, nëse shteti shqiptar ka tejkaluar periudhën parademokratike të shtetit partiak, nëse sistemi gjyqësor shqiptar është në gjendje të japë përgjigje ligjore për dosjet e mëdha, sidomos për tragjedinë e Gërdecit dhe disa dhjetëra zyrtarë e politikanë të identifikuar për abuzime financiare dhe korrupsion aktiv.

Viti 2010-të do të duhet të provojë nëse politika në Shqipëri do të vijojë të jetë politikë e kostumeve moderne, por me mendësi të vjetra komuniste apo politikë e politikanëve modestë me mendësi demokratike.

Në një aspekt më të gjerë, 2010-ta pritet të jetë vit formal i jetësimit edhe në politikën globale dhe në institucionet ndërkombëtare i shtetit të Kosovës, ngushtimi i numrit të shteteve që ende nuk e kanë njohur atë dhe në këtë kuadër, zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë, me pritshmëri, risjellja e vëmendjes së faktorit perëndimor mbi faktorin shqiptar në rajon.

Pa e nisur ende, 2010-ta mund të jetë një vit i humbur, por edhe një vit i fituar. Përcaktues nuk janë qytetarët, as media, as faktori ndërkombëtar, por vetë klasa politike vendimmarrëse, e cila ka rastin dhe shansin, që me veprimet ose mosveprimet e saj, ta shndërrojë atë në një vit krize ose në një vit konsensusi, në një vit konflikti politik ose dialogu e bashkëpunimi në dobi të reformave themelore.

Natyrisht që nuk pritet as nuk shpresohet mrekullia, por në çdo rast kemi të drejtë të presim dhe të shpresojmë që të paktën, politika dhe shoqëria të mos harxhojë energjitë e saj pozitive për vrapim vendnumëro, që politika e shoqëria të sillen as më pak e as më shumë se vetë qytetaria normale shqiptare, ku respektohet fjala, mendimi, tjetri, vlerat, parimet, ku punohet për një të ardhme larg modeleve fatkeqe të mitit të Rozafës.