Nga Taulant Kopliku, 18.10.2011
Nga dialektorja mund të përkthehet në: na morët fytyrën ose më shkurt: na koritët. Këtë fjali të shkurtër në fakt ma shprehu gjithë mllef një figurë e njohur e artit në Shkodër pasi po ndiqnim së bashku një edicion lajmesh në mediat lokale të Shkodrës. Aktivizimi si me buton i një grushti rrogëtarësh, militantësh, bjondesh dhe të matufepsurish ndaj personit që mban kreun e shtetit shqiptar tashmë ka marrë përmasat e një histerie kolektive të ngjashme me protestat e vullnetarëve të Enverit në shkurtin e 20 viteve më parë. U duk sikur dje u fashit disi gjuha e urrejtjes dhe gjërat u rikthyen në normalitet në qytetin hallemadh, por pasditja ka rezervuar të tjera surpriza për presidentin “tradhtar”, “bukëshkalë” dhe “antishkodran”.
Bamiri, (sic do t’i drejtohej kreut të shtetit një nga bjondet e shumta që “ligjërojnë” në këto ditë histerie), as do ta imagjinonte se Shkodra (më saktë bashkia) do të organizonte mbrëmjen e së martës dhe një koncert “festiv’ për inat të tij. Organizatorët ishin kujdesur që materiali i koncertit të ishte i gjithi në dialektin gegë ndërkohë që në hapje të tij dikush u kujtua të sqaronte se ky koncert është një përgjigje për Bamirin. ???
Më herët ishte rradha e ish të përndjekurve të bënin deklaratën e rradhës me akuza e fyerje të rradhitura me kujdes në adresë të kreut të shtetit. Diku në lajmet lokale u gjet vend dhe për një figurë të madhe të sportit shqiptar, Sabah Bizi, i cili deklaronte se ishte tradhtuar nga presidenti. Të njëjtën gjë kishin deklaruar dhe dy ikona të tjera të sportit, Paulin Ndoja dhe Zef Gjoni. Dikush do të thoshte që në nderin e tyre është t’i kthejnë titujt që morën nga një president tradhtar. T’i kthejnë dhe t’i lënë në mënyrë demonstrative përpara mediave tek dera e presidencës, ushtarit rojë atje. A do ta bëjnë se?
Debati brenda qytetit zien. “Vullnetarët” hakërrehen ndaj presidentit që fyeu Migjenin, Idromenon, Gurakuqin e Fishtën, ndërkohë që shumë nga ata ende nuk kanë mësuar se kjo bashki, me këtë administratë me bekimin e saj lejoi pak vite më parë të ndodhte ndoshta krimi më i madh arkitekturor që i ka ndodhur ndonjëherë Shkodrës, rrafshimin e shtëpisë së Luigj Gurakuqit. Pakkush e di se varri i Idromenos së madh po shkatërrohet dhe shumëkush nga “vullnetarët” që sot po e përdorin për të sulmuar presidentin as nuk ka idenë më të vogël se ku ndodhet.
Migjeni pati pak ditë më parë 100 vjetorin e lindjes. Shkodra zemërmadhe e përkujtoi më së miri poetin e madh, por gjithçka u bë nga individë që ia dinë vlerën dhe e kanë mbajtur dhunshëm të gjallë veprën e tij në këtë qytet edhe në ato vite kur e shpallën serb, kur i zhdukën pllakën e shtëpisë dhe kur disa herë u orvatën t’i heqin emrin teatrit. Ata që sot krenohen se flasin gjuhën e Migjenit e urrejnë atë dhe veprën e tij. Këtë Shkodra e di më mirë se kushdo.
Vite më parë, një grup shoqatash, sërish “na banen hor” teksa nisën një debat për përmendoren e Nënë Terezës. Ne, raportuesit e lajmit nga Shkodra, turpëroheshim me atë çfarë përcillnim. E njëjta gjë na ndodhi edhe me tritolin dhe sharrimin e kryqeve në Bushat, me konfliktin e kishës-xhami në kalanë e Shkodrës, me thirrjet “rroftë Berisha” të militantëve shtëpi-përmbytur në këtë fillim-viti. Ndjehemi vërtetë keq kur detyrohemi të raportojmë histori të tilla nga njerëz që tentojnë të na BAJN HOR. Por zoti e don Shkodrën dhe për fat të mire “vullnetarët” janë me pakice, edhe pse telekomanda vazhdon te funksionojë.