Nga Tema, Faktori Plus
Katastrofa nuk është natyrore, por shtetërore dhe duhet hetuar si krim ndaj sigurisë kombëtare për qëllime korruptive
Tashmë as ndërprerja e shiut, as dielli dhe as bora nuk e shpëtojnë zonën e Shkodrës nga përmbytjet, që në ditët në vijim do jenë më të mëdha. Dalja e diellit do shkrinte borën, e cila ka rënë pothuajse gjatë gjithë ditës së djeshme në zonat malore, vazhdimi i shiut do sillte të njëjtin skenar. E vetmja gjë që duhet bërë është që të mendohet për largimin e banorëve. Në orët e mbrëmjes ushtria ka nisur zhvendosjen e tyre dhe me forcë, duke parë situatën e rëndë.
Qeveria ka vijuar dje të bëjë shfaqjen e saj, ndërsa ministri i Energjitikës ka pranuar se situata e rënduar është dhe për faj të tyre, që kanë lejuar që niveli në Fierzë të jetë mbi kuotën e lejuar. Prifti ka dalë në një konferencë për të thënë që po shesin shumë energji, por ka deklaruar me gojën e tij se kanë shkelur rregulloret e sigurisë. Për më tepër ai ka shtuar se portat e shkarkimit kanë probleme.
***
Ndërkohë, me qindra banesa, mbi 3500 ha tokë dhe dhjetëra dyqane u përmbyten nga uji ditët e para të vitit 2010. Dita e dytë e vitit e gjeti vendin të mbuluar nga uji duke nisur nga veriu në Shkodër e duke zbritur deri në Krujë, Lezhë dhe Durrës.
Moti i keq duket se i kapi të papërgatitura autoritetet shtetërore, edhe pse sinoptikanët kishin ditë që parashikonin reshje të mëdha shiu. Situata më e rëndë ishte në zonat e nën-Shkodrës, por kjo në datën 3 janar, pasi një ditë më parë ishte Durrësi dhe Lezha ato që u mbuluan nga uji. Mbi 200 shtëpi në zonën e Plazhit në Durrës dhe dhjetëra dyqane u përmbytën nga reshjet e shiut. Banorët qëndruan për të paktën katër ditë të izoluar, ndërsa një pjesë braktisi shtëpitë për të jetuar tek të afërmit. Shkak për situatën u bë bllokimi i kolektorit dhe kanalizimet nuk përballuan dot fluksin e ujit që u përzje me ujërat e zeza.
Në Lezhë batica e detit përmbyti të paktën 120 shtëpi. Deti doli të paktën 200 metra duke marrë gjithçka përpara e dëmtuar banesat dhe orenditë e shtëpive të zonës.
Ndërsa në zonën e Fushë-Kuqes janë përmbytur 30 shtëpi. Këneta është mbuluar nga uji duke dëmtuar edhe 30 ha tokë bujqësore të mbjellë.
Banorëve të këtyre zonave përveç vështirësive nga përmbytjet u ka munguar edhe uji i pijshëm dhe energjia elektrike.
Madje dje banorët e një lagjeje në Lezhë kanë tentuar të pushtojnë bashkinë e drejtuar nga LSI, për shkak se vuajnë prej kohësh mungesën e ujit.
***
Vetëm pas kësaj situate kryeministri Berisha kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Sipas tij, faji i këtyre dukurive është ngrohja globale. Madje Berisha e krahasoi gjendjen me Vendet e Ulëta, duke mos veshur asnjë përgjegjësi për strukturat përkatëse.
Të pafuqishëm për t’i bërë ballë situatës, krerët e shtetit u bënin thirrje banorëve të braktisnin shtëpitë për të qëndruar në reparte ushtarake apo konvikte.
Por, duke vizituar zonat e përmbytura, një grup deputetësh të Partisë Socialiste fajësuan qeverinë që nuk arriti të përballojë këtë situatë të paralajmëruar.
3 janari mbuloi me ujë pothuajse të gjitha zonat e nën-Shkodrës, Obotin, Anën e Malit, Gurin e Zi, Bushatin, Dajçin dhe Bërdicën. Me dhjetëra banorë të Obotit u izoluan. Vetëm makinat e mëdha të ushtrisë dhe mjetet lundruese arrinin të hynin në zonë për të evakuuar banorët, pasi përveç motit të keq tashmë kërcënoheshin edhe nga një tjetër rrezik. Portat e hidrocentralit të Vaut të Dejës u hapën për të parandaluar vërshimin e pakontrolluar të ujit.
Nga 2 portat dhe tuneli i tij anësor shkarkoheshin 1500 metra kub ujë në sekondë. Kuotat e basenit ruheshin vetëm 1.5 metra nga niveli maksimal që do të ishte fatal për një pjesë të mirë të banorëve të zonës, që nuk pranonin të evakuoheshin.
Sipas KESH, hapja e portave të hidrocentraleve duket se do të vazhdojë për disa ditë, pasi prurjet e Komanit, Fierzës dhe Vaut të Dejës rrezikojnë të përmbytin kaskadën e Drinit.
***
Ndërsa emergjencat civile premtojnë për dëmshpërblim të banorëve, ata ende nuk kanë marrë asnjë kompensim. Ndërsa parashikimi i sinoptikanëve për ditët në vijim është edhe më i zymtë. Sipas tyre, në rrezik nuk është vetëm veriu i vendit, por gjeografia e përmbytjeve do të shtrihet deri në jug.
Por veriu i vendit nuk do të gjejë qetësi. Që dje ka nisur dëbora me temperatura të ulëta disa gradë nën zero, bllokime dhe ngrica.
Reshjet e vazhdueshme dhe shkrirja e borës në male nga temperaturat, që pritet të ngrihen gjatë fundjavës, paralajmërojnë, sipas kryeministrit, Sali Berisha, një situatë edhe më të vështirë.
***
Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe në vitin 1995. Ish-kryeministri i asaj kohe, Aleksandër Meksi, rrëfen se në atë kohë Komiteti Kombëtar i Digave ishte funksional. Sipas Meksit, një nga shkaktarët kryesorë të kësaj situate është edhe largimi nga puna i inxhinierëve me përvojë, të cilët do ta kishin paralajmëruar katastrofën dhe për pasojë çdo dëm do të ishte shmangur.
***
Edhe pas tri ditë përmbytjesh të mëdha, prokuroria ende nuk është vënë në lëvizje për të gjetur shkaktarët e vërtetë të kësaj përmbytjeje. Për pasojë askush nuk di, nëse kjo katastrofë ndodhi prej neglizhencës së Komitetit Kombëtar të Digave dhe mosparalajmërimit të saj apo prej mungesës së inxhinierëve të larguar pak vite më parë nga puna.