Faik Konica: Diplomati beqar në Uashington dhe historia me striptisten

0
52

OLIVERTA LILA, 28 korrik 2011

I njohur për penën, për karakterin e tij rebel, Konica kishte edhe jetën private. Në fakt, nuk u martua kurrë. E ruante me fanatizëm jetën personale, fliste pak për gratë, por nuk arriti t’i shmanget tërësisht skandaleve të faqeve të gazetave. Ilir Ikonomi, gazetari i “Zërit të Amerikës” sjell në librin e tij, “Faik Konica, jeta në Uashington”, botuar pak kohë më parë nga “Onufri”, edhe detaje të jetës private të këtij personaliteti.

 Faik Konica në New York me tri motrat e Mbretit Zog, Ruhije, Mexhide dhe Myzejen,
28 shkurt, 1938 (Marrë nga Gazeta Shqip)

Kërkimi në arkiva e bëri Ilir Ikonomin të besonte se për Faik Konicën ka shumë për të thënë. I njohur për penën, për karakterin e tij rebel, Konica kishte edhe jetën private. Në fakt, nuk u martua kurrë. E ruante me fanatizëm jetën personale, fliste pak për gratë, por nuk arriti t’i shmanget tërësisht skandaleve të faqeve të gazetave. Në një rast, ato e “kapën” Faikun duke pirë çaj me një kërcimtare të famshme të striptit, të quajtur Ann Corio. U fol shumë për një martesë të tij me 29-vjeçaren që u pasua me një reagim të ashpër të Konicës. Ikonomi, gazetari i “Zërit të Amerikës” në librin e botuar pak kohë më parë, “Faik Konica, jeta në Uashington”, botuar nga “Onufri” edhe detaje të jetës private të këtij personaliteti. Beqari Konica na shfaqet si një diplomat plot sqimë që e kishte mjaft kujdes imazhin e tij në shoqërinë e lartë të Uashingtonit. Ai dinte të hante dhe të vishej mirë, argëtohej me kulturë, por e ruante me xhelozi privatësinë e tij. Në një intervistë për “Shqip”, Ikonomi na rrëfen se sa ka mundur të depërtojë në jetën private të Faikut gjatë kërkimeve për këtë libër.

Për herë të parë ju sillni hollësi të shumta në libër mbi jetën personale të Konicës. Si do ta karakterizonit personazhin tuaj në këtë aspekt?
Faik Konica kishte krijuar pa dyshim imazhin e një personazhi dinjitoz në botën diplomatike të Uashingtonit. Një gazetë e cilëson atë si “dapper”, siç quhen në Amerikë njerëzit për të cilët pamja e jashtme ka rëndësi të dorës së parë. Nuk ua tregonte kurrë të tjerëve moshën. E kishte mjaft kujdes dukjen, rrinte kurdoherë i hekurosur, me kostum e me borsalinë dhe këmishët i puthiteshin mirë. Pikërisht ky njeri që e kishte në gjak polemikën me penën që shpesh i villte vrer, nuk e ngrinte kurrë zërin në shoqëri. Të folurit e tij ishte aq i butë dhe elegant, sa që në qarqet e diplomatëve ai njihej si “ministri xhentil i Shqipërisë”. Një nga hobet e tij ishte gatimi.

Njihte mirë verërat, por pohonte se nuk e kishte zakon të pinte para mbrëmjes. Faiku ishte mjeshtër në qerasjen e mikut dhe i çudiste mysafirët kur u përgatiste kafen, të cilën e bluante vetë me mulli. Ishte një shijues i rrallë i muzikës dhe i pikturës dhe kishte një kujtesë të jashtëzakonshme për veprat e artit dhe autorët e tyre. Nga vitet e tij të Uashingtonit kanë kaluar 7-8 dekada dhe zakonisht dëshmitë e jetës personale nuk i rezistojnë dot një kohe kaq të gjatë. Për fat të mirë, Konica ishte njeri mjaft i ditur, i njohur dhe interesant, prandaj nuk i shpëtonte syrit të gazetarëve, të cilët herë pas here shkruanin për të. Shumica e hollësive mbi jetën e tij personale i kam nxjerrë nga qëmtimi i gazetave të kohës.

 Faik Konica dhe striptizja Ann Carlo

Konica jetonte në “Mayflower”, hoteli më i mirë i Uashingtonit. Përse ai zgjodhi pikërisht këtë hotel?
Konica erdhi në Uashington nga Bostoni në korrik 1926, plot 85 vjet më parë, dhe qëndroi aty deri sa vdiq, në dhjetor 1942. Në pjesën më të madhe të kësaj periudhe, pra për më shumë se 13 vjet, ai banoi në këtë hotel të famshëm, që ishte adresa e dytë më e njohur e kryeqytetit pas Shtëpisë së Bardhë. Faiku e konsideronte veten një bej për nga rangu shoqëror dhe nuk mund të jetonte në një banesë dosido. Por, po t’i besosh fjalëve të tij, ai e zgjodhi këtë hotel si banesë dhe njëkohësisht si legatë, për ta përfaqësuar sa më denjësisht Shqipërinë, imazhi i së cilës jashtë ishte ai që ishte, një vend i varfër dhe i dobët. Ministria e Jashtme e kishte të vështirë të përballonte një legatë kaq të shtrenjtë dhe fondet për Faikun shpesh vononin. Në një letër për Ministrinë e Jashtme në Tiranë, Konica shkruan se përfaqësuesi zyrtar i një vendi nuk duhet të bjerë në “ngushtica”.

“Jam i vetmi ministër në Uashington pa automobil”, – i ankohej ai në një rast ministrisë. Megjithëkëtë, shtonte, “jam munduar dhe, besoj, kam arritur ta mbaj prestigjin e Shqipërisë”. Në një rast tjetër, kur ministria po i vononte fondet, Faiku i shkruante Tiranës me tone imponuese: “Pyes vetëm, në ç’mënyrë do t’u bëjë ballë harxheve legata? Konkluzioni logjik është që duhet suprimuar fare kjo legatë dhe s’kam asnjë ankesë në qoftë se suprimohet”. Roli i Faikut si diplomat ishte kryesisht reklama që ai i bënte Shqipërisë përmes kontakteve që mbante me botën e Uashingtonit dhe hoteli “Mayflower” ishte vendi ideal për ta bërë këtë. Sa kohë ishte përfaqësues i Zogut në Uashington, Faiku nuk u largua kurrë nga ky hotel, me gjithë presionet që i bëheshin herë pas here nga Tirana për t’u zhvendosur në një banesë më të lirë.

Në libër ju keni një kapitull më vete për vizitën e tri prej motrave të Zogut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mars 1938, vizitë për të cilën shtypi amerikan foli shumë. Çfarë cilësish personale shfaqi Konica gjatë shoqërimit të tyre?
Motrat e Mbretit Zog erdhën në Amerikë kur marrëdhëniet e Faikut me Zogun nuk duket të ishin dhe aq të mira. Megjithatë, ai i priti ato me dinjitet. Faiku ishte njeri që kishte respekt të sinqertë për gratë dhe e mbronte figurën e gruas përballë fyerjes apo poshtërimit. Por në disa raste e kalonte cakun. Ditën që motrat e mbretit arritën në Nju Jork, kur gazetarët amerikanë pyetën nëse ato kishin ardhur në Amerikë për të kërkuar burra, Faiku u nxeh dhe u tha: “Mendova se do të bënit pyetje dinjitoze”. Kur një gazetar protestoi, ai ia ktheu: “Përse nuk rritesh edhe ca”. Faiku u nervozua sidomos kur turmat e gazetarëve me fleshet në duar “sulmuan” princeshat që sapo kishin arritur për një vizitë në Uashington. Ai komentoi ashpër për “paturpësinë” e gazetarëve, që me dritat e tyre “u prishën sytë princeshave”. Në Uashington, Faiku, gjithnjë në stilin e tij grandioz, kishte rezervuar për motrat suitën mbretërore të hotelit “Mayflower”.

Ai kishte porositur edhe një automobil luksoz për t’i shëtitur. Princeshat nuk e morën vesh kurrë se makina ishte marrë me qira, ato kujtonin se ajo ishte personale e Faikut. Më 13 mars, nën shoqërinë e tij, princeshat shkuan në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, ku morën bekimin e Fan Nolit, dikur armik i Zogut, duke i sjellë peshkopit të falat e të vëllait. Ishte meritë e personalitetit të Faikut, që në Boston u realizua me sukses një skenë madhështore pajtimi mes armiqve të dikurshëm, Nolit dhe Zogut. Edhe këtu, Faiku na shfaqet si një xhentëlmen i vërtetë, i veshur mirë dhe me stil, në kontroll të plotë të situatës. Si “zëdhënës” i princeshave, ai komentoi rreth kësaj ngjarjeje për agjencitë amerikane të lajmeve dhe fjalët e tij u shtypën në disa gazeta.

Kur flitet për Konicën gjithnjë përmenden gratë. Çfarë faktesh dihen për marrëdhëniet e tij me gratë?
Për këtë temë është folur shpesh, por gjëra të dokumentuara ka pak. Faiku erdhi në Uashington kur sapo kishte hyrë në të pesëdhjetat. Normalisht, një beqar si ai, i ditur dhe me një emër të mirë në qarqet diplomatike, nuk duhet ta kishte problem të martohej. Një gazetare shkroi me entuziazëm për ardhjen e tij në Uashington, ku kërkesa për beqarë të tillë, sipas saj, ishte e madhe. Por Faiku nuk u martua. Më vonë, i pyetur nga gazetarët se përse nuk martohej, Faiku jepte si arsye kryesore faktin që ishte i dhënë pas shkrimeve dhe leximeve, duke lënë të kuptohet se një grua nuk do të mund ta duronte dot një burrë të tillë.

Gazetat e Uashingtonit nuk rrinin pa komentuar për beqarinë e Konicës. Dhe, në një rast ato e “kapën” Faikun duke pirë çaj me një kërcimtare të famshme të striptit, të quajtur Ann Corio. Sipas thashethemeve që botonin gazetat, artistes i vardiseshin edhe diplomatë të tjerë, por disa gazetarë shkruan se Faiku kishte ndërmend të martohej me 29-vjeçaren Corio. Kështu, ai i dërgoi shtypit një deklaratë që do të mbahej mend për shumë vite. Me stilin tij therës prej Faiku, ai shkruante se, e argëtonte cektësia e këtyre gazetarëve, se Ann Corio ishte “shumë e martuar” dhe se ligji shqiptar ua ndalonte diplomatëve të vet të martoheshin me shtetase të huaja.

Gazetat e “kapën” Faikun duke pirë çaj me një kërcimtare të famshme të striptit, të quajtur Ann Corio. Sipas thashethemeve që botonin gazetat, artistes i vardiseshin edhe diplomatë të tjerë, por disa gazetarë shkruan se Faiku kishte ndërmend të martohej me 29-vjeçaren Corio. Kështu, ai i dërgoi shtypit një deklaratë që do të mbahej mend për shumë vite. Me stilin tij therës “prej Faiku”, ai shkruante se, e argëtonte cektësia e këtyre gazetarëve, se Ann Corio ishte “shumë e martuar” dhe se ligji shqiptar ua ndalonte diplomatëve të vet të martoheshin me shtetase të huaja.

A dihet gjë rreth vlerësimit të Konicës për gratë në përgjithësi?
Fare pak. Kur arriti në Uashington, Faiku u tha gazetarëve se Amerika ka një përqindje më të madhe grash të bukura se në cilindo qytet të botës, me përjashtim të Vjenës. Sipas gazetares Mabelle Jennings, që e intervistoi në vitin 1934, për Faikun, pamja e jashtme e femrës duhet të vijë pas personalitetit të saj. Ai vlerësonte tek ato inteligjencën dhe rrinte larg grave me temperament tepër të gjallë e që flisnin shumë. Thoshte se i pëlqente thjeshtësia e grave amerikane, por me kusht që ato të mos mbanin taka të larta.

Me sa kuptojmë, Konica nuk fliste shumë për jetën e tij personale. Përse i ruhej ai kaq shumë kësaj teme?
Kam përshtypjen se Faiku ishte një person mjaft privat. Ai nuk e mohonte se kishte një natyrë të rezervuar, pavarësisht se ishte mjaft elokuent dhe i palodhur kur fliste përpara audiencave. Mendoj se ai e shihte me përgjegjshmëri statusin e tij si përfaqësues i Shqipërisë në Uashington, për më tepër si udhëheqës i shqiptarëve të Amerikës, prandaj ishte i kujdesshëm në ruajtjen e imazhit të vet. Kështu shpjegohet zemërimi i tij në fillim të vitit 1931, kur gazeta amerikane ‘Boston Post’ botoi një shkrim që përshkruante një ziafet të zhurmshëm në legatën shqiptare, pas të cilit, sipas gazetës, Faiku ishte gjetur i dehur. Artikulli u përkthye nga kundërshtarët e Konicës dhe u ribotua në gazetën e Nolit, ‘Republika’ nën titullin: “Njeriu i natës dhe i turpit”. Zemërimi i Faikut ishte aq i madh, saqë ai shkoi në Departamentin e Shtetit dhe u kërkoi zyrtarëve që ta ndalonin Nolin të hynte në Shtetet e Bashkuara, duke e akuzuar si komunist. Faiku nuk mund të lejonte kurrsesi të nëpërkëmbej nga njerëz që përpiqeshin ta diskreditonin në jetën e tij personale.

(Gazeta SHQIP, 27 korrik, 2011)