TemA Online, 19 Tetor 2011
Në një kohë me zhvillime të rëndësishme politike, si mosmarrja e statusit të vendit kandidat për në BE, por edhe me sherre të pafundme midis palëve gjithnjë në konflikt, me një gjendje të acaruar në Veriun e Kosovës etj., etj., mendimi i Akademikut Rexhep Qosja, një prej mendjeve më të ndritura të këtij kombi, merr një rëndësi të veçantë. E quajnë kritikues, e konsiderojnë të ashpër në qëndrimet që mban shpesh ndaj klasës politike në Shqipëri e Kosovë, por më të shumtët mendojnë se ai kritikon dhe është i rreptë ngaqë e do përparimin e këtij kombi si rrallëkush tjetër.
I hapur, i drejtpërdrejt, kurajoz dhe largpamës paraqitet ai edhe në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”. I pakënaqur nga qeverisja dhe drejtimi i kësaj klase politike, i pyetur për një debat të mundshëm publik midis Ramës dhe Berishës, Prof. Qosja e përmbledh mendimin e tij me këto fjalë tepër domethënëse: Në vend që të humbja kohën duke e shikuar dhe dëgjuar atë debat, unë do të lexoja, në të vërtetë do të rilexoja, romanin e Balzakut, “Shkëlqimi dhe mjerimi i lavireve”. Më tej në këtë intervistë, Prof. Qosja flet për çështjen e regjistrimit të popullsisë, për garën në Shqipëri për President, duke bërë dhe një portretizim të kandidatëve të mundshëm. Gjithsesi, ai ndihet optimist në të ardhmen europiane të shqiptarëve.
Pavarësisht se në dukje kemi një zbutje të klimës politike në vend, tensioni vazhdon dhe në të vërtetë nuk është shënuar asnjë hap përpara në bashkëpunimin midis dy forcave më të mëdha politike, PD dhe PS. Si e konsideroni ju këtë gjendje?
– Jo, mjerisht, nuk ka zbutje në klimën politike, nuk ka bashkëpunim midis dy forcave më të mëdha politike, nuk ka ndryshime në mendimet dhe në sjelljet e prijësve të këtyre dy forcave politike. Dhe, siç duken punët, sot për sot nuk mund të këtë aq ndryshim në mendimet dhe në sjelljet e tyre, as bashkëpunim midis tyre! Këto forca politike përfaqësojnë koncepte kryesisht të ndryshme të salduara me mosdurim të ndërsjellë politik; ato përfaqësojnë konceptin liberal- njëra dhe konceptin autoritar – tjetra. Me Sali Berishën në krye të PD-së, Shqipëria do të vazhdojë të vuajë krizë të rëndë të përgjithshme: politike, parlamentare, shoqërore, morale, sepse demokracia rurale e arnuar me kokën e duart e tij është e sunduar në mënyrë autokratike!
– Duket se në themel të kësaj krize, apo ngërçi, siç thonë ndërkombëtarët, qëndrojnë problemet me dy zgjedhjet e fundit, ku Shqipëria nuk ka shënuar progres në lidhje me standardet. Kë bëni përgjegjës për këtë krizë dhe pse?
– Kam shkruar në pranverë në Gazetën shqiptare dhe po e përsëris: gjendjen e sotme në Shqipëri e konsideroj gjendje krize të vazhdueshme: gjendje të krizës politike, parlamentare, shoqërore, morale. Fjala “ngërç” në të vërtetë është eufemizëm që kanë futur në përdorim demagogët – kryesit e punëve të pista të kryeministrit dhe e kanë futur për ta bërë të shpërfillshme krizën që sundon Shqipërinë sot. Fjala “ngërç” është fjalë e anatomisë, plotësisht banale për të shënuar me të gjendjen politike. Shikojeni Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe? Shikojini fjalorët terminologjikë të politikës a sociologjisë: ngërçet nuk përdoren për të karakterizuar kundërshtitë politike, ekonomike, financiare, shoqërore, morale në një shtet e në një shoqëri.
Ato janë nocione të mashtruesve dhe diletantëve politikë. Kundërshtitë politike dhe ekonomike në Shqipëri janë aq të ashpërsuara saqë gjendjen e saj mund ta quajmë jo vetëm krizë, po edhe krizë e rëndë. Në themelet e kësaj krize të rendë, të përgjithshme, nuk qëndrojnë vetëm dy zgjedhjet e fundit, në të cilat Shqipëria nuk ka përmbushur standardet demokratike. Në themelet e kësaj krize të rëndë, të vazhdueshme, qëndrojnë kundërshti të ashpra, pothuaj të papajtueshme sot, politike, ekonomike, shoqërore. Keqpërdorimi i vullnetit zgjedhor të popullit, parregullsitë në zgjedhje, përdorimi i policisë dhe i administratës nga ana e Sali Berishës për të siguruar fitore në zgjedhjet, falsifikimet e dokumenteve vetjake, votimet e të vdekurve, votimet e ngadisahershme të të njëjtit njeri, shantazhimet, kërcënimet – dhuna, numërimi dhunues i fletëvotimeve jo për herë të parë sivjet dhe jo vetëm në Tiranë – të gjitha këto janë vetëm mbulesa e dukshme e kundërthënieve të brendshme që karakterizojnë shoqërinë shqiptare sot.
Edhe kontrolli i pamëshirshëm, i egër, i gjyqësorit nga ana e kryeministrit; edhe përpjekjet e kryeministrit për të vënë nën kontroll SHIK-un; edhe kontrolli i pandërprerë i kryeministrit ndaj hetimeve të tragjedisë së Gërdecit, në të cilën janë të përzier edhe i biri i tij, edhe trumbetuesi i tij medial, edhe ish-ministri i tij i Mbrojtjes; edhe fyerjet banale, primitive, që kryeministri ia drejton Kryeprokurores së Shqipërisë; edhe kthimi i disa televizioneve e i disa gazetave në televizione e në gazeta shërbyese të tij, duke u krijuar privilegje a duke i blerë me financat e tajkunëve besnikë dhe, ashtu, duke i privuar prej çdo morali të gazetarisë – të gjitha këto janë të zezat e “vogla” me të cilat vetëm sa mbulohen kundërshtitë e brendshme shoqërore! Edhe nxitja e mospajtimeve me gjuhën e njësuar letrare kombëtare, domethënë me gjuhën standarde, janë tjetër e keqe e “vogël” me të cilën mbulohen ato kundërshtitë e ashpra shoqërore. Cilat janë këto kundërshti?
Këto janë kundërshtitë e egra ndërmjet klasës së lartë politike dhe tajkunëve, bashkërisht, në bashkëpunim, të pasuruar me vjedhje, me korrupsion, me plaçkë në procesin e tranzicionit, në njërën anë, dhe të pjesës së varfër të popullit të sunduar, të përçmuar, të përulur, të shtrënguar që të shpërngulet a të durojë papunë, varfëri, mashtrim, në anën tjetër. Këto janë kundërshti të papajtueshme midis atyre që kanë rrëmbyer qëllimin, mjetet dhe financat, në njërën anë dhe atyre që, të manipuluar a të dëshpëruar, e shikojnë këtë rrëmbim pa qenë në gjendje të bëjnë gjë! Prej gjithë kësaj që thashë përgjegjës për këtë krizë është: qeveria e sotme e Shqipërisë me kryeministër Sali Berishën. Më në fund, më qartë e më bindshëm se unë për gjithë këto flasin kabllogramet e ish-ambasadorit amerikan, Uidhers. Ata që më sulmonin mua apo që vazhdojnë të më sulmojnë mua se shkruaj gjoja me “inat” për Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, le të lexojnë e rilexojnë kabllogramet e këtij ambasadori të çmuar e të pakorruptueshëm.
Ai thotë me gjuhën e tij diplomatike po ato që kam shkruar unë me gjuhën time publicistike. Është e qartë se Kryeministri Sali Berisha me gënjeshtrat e tij ka arritur të mposhtë energjinë, të mos thuhet edhe vetëdijen e rinisë, të studentëve dhe të punëtorëve – të dy shtresave më të cenuara në Shqipëri. Por mund të besohet se manipulimit të tij do t’i vijë fundi. Në qoftë se të varfrit, të indinjuarit, të cenuarit, të shpërfillurit e Spanjës, të Uoll Stritit, në përgjithësi të Amerikës, të Italisë janë çuar në këmbë kundër atyre dy a tre a katër për qind të pasanikëve që kontrollojnë gjithë pasurinë kombëtare, janë çuar në këmbë dhe kërkojnë ndarje të drejtë të kësaj pasurie, mund të shpresohet që edhe rinia, studentët dhe punëtorët shqiptarë do të çohen kundër klikës politike dhe tajkunëve, bashkërisht të pasuruar me korrupsion, me vjedhje e plaçkë në procesin e tranzicionit. Mund të shpresohet. Ndoshta populli shqiptar nuk ka mbetur pa rininë e vetëdijshme për interesat kombëtare që gjithmonë e gjithkund sjell ndryshimet që e ndryshojnë gjendjen e krizave, që e përparojnë dhe e nderojnë popullin.
– Shqipëria nuk e mori statusin e vendit kandidat për në BE më 12 tetor. A e quani Ju këtë një disfatë të radhës të politikës shqiptare?
– Nuk do ta quaj këtë – mosmarrjen e statusit të vendit kandidat për në BE vetëm disfatë të radhës të politikës shqiptare; do ta quaj këtë një fyerje për traditën politike dhe për identitetin shtetëror të Shqipërisë, një fyerje që Shqipërisë së krijuar prej mendjeve të ndritura kombëtare siç ishin Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Jani Vreto, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, ia shkaktojnë horrat e sotëm politikë, të cilët në vend se bashkëpunim për të mirën e Shqipërisë prodhojnë urrejtje në jetën shqiptare, të cilët në vend se për të mirën e gjithë qytetarëve shqiptarë mendojnë si të shtojnë pronat e tyre tokësore afër detit dhe larg detit, si të bëjnë pallate sa më të mëdha, si të kenë firma, restorante, si të kenë llogari shumëshifrore në banka jashtë Shqipërisë e në Shqipëri, natyrisht në emra të tjetërkujt. Mosmarrja e statusit të vendit kandidat për në BE është dhurata e zezë që politika e Sali Berishës ia dhuron Shqipërisë. Dhe, kjo dhuratë e zezë ka çmim të lartë edhe financiar.
– Opozita është kthyer në Parlament dhe është gati të bashkëpunojë me maxhorancën për të votuar ligjet që kërkojnë votën e saj për integrimin e vendit, pavarësisht kontestimeve që ka lidhur me problemet që u evidentuan në zgjedhjet e 8 Majit. Si ju duket kjo sjellje e saj?
– Më duket sjellje pak a shumë kundërshtimore; sjellje pak a shumë dyfytyrëshe; sjellje pak a shumë e qulltë – sjellje e një politike të pasigurt, që nuk e ndryshon dhe nuk e çon përpara gjendjen. Është kjo sjellje tipike e jona: e vockël!
– Sidoqoftë, raporti i OSBE / ODIHR- it për zgjedhjet e 8 Majit ishte shumë i rreptë, sidomos sa i përket parregullsive, ndërkohë që i bënte thirrje opozitës për bashkëpunim. A nuk ju duket se ka një qëndrim kontradiktor në këtë mes?
– Me qëndrimet e paparimshme, jo vetëm OSBE/ODIHR-i, po edhe institucione të BE-së, edhe ambasadori i tanishëm amerikan, Arvizu, janë bërë pjesë organike e krizës së përgjithshme politike, parlamentare etj. në Shqipëri. Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 Majit ishte i rreptë, por, megjithatë, nuk e prekte thelbin e çështjes, e thelbi i çështjes ishte ky: në ato zgjedhje, më të turpshmet gjatë njëzet viteve pas komunizmit legal në Shqipëri, Partia Demokratike e kandidoi për Kryetar të Tiranës një vrasës të katër qytetarëve të pafajshëm që morën pjesë në demonstratën e 21 janarit 2011. Për mendjen time, për ndërgjegjen time, më shumë se hajnitë, dallaveret, poshtërsitë, numërimet e falsifikuara të votave, shakatë e kryetarit të KQZ-së me mendjen dhe dinjitetin e shqiptarëve, tragjik ishte kandidimi i Lulëzim Bashës, i cili ishte ministër i Rendit publik ditën e vrasjes së katër qytetarëve.
Kandidimi i tij ishte cenim i egër i parimeve dhe i vlerave të demokracisë; provokim i hapët i familjarëve të të vrarëve; ky ishte provokim i ndërgjegjes së shqiptarëve, ky ishte cenim i rëndë i zakoneve etike të shqiptarëve. Pavarësisht pse Lulëzim Basha sot e ushtron detyrën e kryetarit të Tiranës, unë them: në qoftë se Shqipëria një ditë bëhet shtet i së drejtës; në qoftë se Shqipëria një ditë bëhet shtet në të cilën do të sundojnë Kushtetuta e ligji; në qoftë se Shqipëria një ditë do të ketë kryeprokuror të lirë e të pavarur; në qoftë se një ditë Shqipëria do të bëhet shtet demokratik; në qoftë se Shqipëria shërohet prej sëmundjes me të cilën e ka sëmurë politika blegtorale e Sali Berishës, Lulëzim Basha do të nxirret në gjyq për vrasjen e atyre katër qytetarëve, të cilët, si çdo qytetar tjetër të Shqipërisë, i ka lindur nëna e me të si bashkëfajtor apo dëshmitar në Gjyq do të nxirret edhe Sali Berisha. Ky është borxhi për të cilin ata pashmangshëm do të japin llogari: sipas ligjeve të shtetit demokratik apo sipas ligjeve të Kanunit të Lekës!
– Një nga problemet më të mprehta si në Shqipëri dhe në Kosovë mbetet niveli i lartë i korrupsionit të pushtetarëve, i konstatuar edhe nga ndërkombëtarët. Cili është perceptimi juaj për ketë problem?
– Nuk do ta quaja korrupsionin në jetën politike shqiptare sot as dukuri, as problem. Korrupsioni si në Shqipërinë shtetërore ashtu edhe në Kosovë në të vërtetë është sistem. Jo pak trajta të korrupsionit politik dhe financiar janë plotësisht të legalizuara. Korrupsion janë edhe privilegjet e ndryshme, që mund të mbulohen vetëm me nocionin luks, të pushtetarëve në krahasim me gjendjen e përgjithshme të popullit. Nuk ka mendje me pak etikë, e cila në kushtet sociale shqiptare mund t’i arsyetojë marrjet e deputetëve e ministrave në trajta të rrogave, të mëditjeve, të pagesave për punë në këshilla, në komisione, mbikomisione e nënkomisioneve në administratë, në firma të ndryshme publike e private, në universitete të ndryshme!
Në të vërtetë ne sot kemi të bëjmë me një klikë e cila nuk lë gjë pa bërë për të uzurpuar sa më shumë pushtet – për çka nuk pyet Kushtetutë as ligje; sa më shumë pozita – për çka s’mund ta pengojë kush dhe sa më shumë kapital – për çka habitet shumë kush! Të gjitha këto përvetësime të saj sendërtohen me sjellje çuditërisht shumë të vrazhda, figurë shënuese e të cilave mbetet ajo sjellja e deputetes së Partisë Demokratike të Shqipërisë në Doganën e Qafë Morinit, e cila u mbeti në qafë policëve të Kosovës sepse donte të hynte në Kosovë pa treguar se kush ishte – si “princeshë” që s’njeh Kushtetutë as ligj! Njerëz që kanë hyrë në politikë me çorapë dhe me brekë të shqyera tani kanë pallate familjare, vila të mëdha në det, në bjeshkë apo në brigje të lumenjve e liqeneve, pompa të benzinës, restorante, “kafiqa”, firma të ndryshme, shkolla a universitete private, kurse ndonjëri prej tyre, duke qenë pushtetar i lartë, ka mbërritur të bëhet edhe anëtar i Akademisë së Shkencave e të Arteve!
Pozitat e këtilla politike dhe kapitaliste e pezmatojnë shumëkënd në Shqipëri e në Kosovë! Politikat kuadrovike të këtyre pushtetarëve e pasanikëve, siç është politika kuadrovike e Sali Berishës, e pezmatojnë shumë kënd qoftë edhe pse me atë politikë kur e kur sillen në pushtet, si deputetë, ministra, zëvendësministra, njerëz servilë, njerëz të paintegritet, njerëz të pamerita për Shqipërinë a për Kosovën, madje, edhe njerëz të pavlera! A mund të demokratizohen Shqipëria e Kosova në të cilat ndodh një korrupsion i tillë? Jo. Kurrsesi! A mund të demokratizohen Shqipëria e Kosova ku korrupsioni është sistem politik dhe shtetëror? Jo. Kurrsesi!
– Ndërkaq, opozita ka hequr dorë nga protestat dhe Edi Rama shkruan editoriale me kushte dhe kërkesa për Berishën. A mund të quhet ky një aksion i ri opozitar për ta larguar Berishën nga pushteti?
-Shaka politike janë këto! Nuk largohet Sali Berisha prej pushtetit me editoriale. Editorialet nuk përbëjnë aksion politik. Ato, editorialet, janë zëvendësim i aksioneve demokratike, që përfaqësojnë protestat, demonstratat, grevat, me retorikë boshe; ato janë lutje si lutjet biblike a kuranore, por pa patosin e tyre etik.
– Profesor, ndërkaq, Edi Rama i ka drejtuar ditët e fundit një ftesë për debat publik Sali Berishës. Pas një mërie dhe konflikti më se dyvjeçar, sa interesant dhe produktiv e shihni këtë ballafaqim midis këtyre dy liderëve të politikës shqiptare?
– Ky debat politik, që ju me të drejtë e quani ballafaqim, midis Edi Ramës dhe Sali Berishës, në asnjë pikëpamje nuk mund të jetë produktiv. Gjuha e tyre politike është plotësisht e harxhuar dhe e papërfillshme për opinionin, sepse ajo nuk ka për bazë bindshmëri morale politike. Debati midis tyre, midis një intelektuali dinakërisht të përmbajtur, siç është Edi Rama dhe një populisti të hallakatur, për të cilin gënjeshtrat janë Bibël e Kuran, siç është Sali Berisha, do të ishte vetëm një ndryshor i zbehtë, qesharak, në të vërtetë tragjikomik i dramave që shfaqen në teatrot amatore. Në vend se të humbja kohën duke e shikuar dhe dëgjuar atë debat, unë do të lexoja, në të vërtetë do të rilexoja, romanin e Balzakut, “Shkëlqimi dhe mjerimi i lavireve”.
– Në Shqipëri ka nisur regjistrimi i popullsisë, ku pavarësisht kundërshtimit që ka hasur ky regjistrim në opinionin e gjerë dhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, kërkohet deklarimi i etnisë dhe i fesë. Sa i drejtë apo normal ju duket ky regjistrim?
– Mund të jetë që jo në të gjitha vendet evropiane në regjistrimin e popullsisë bëhet edhe deklarimi i etnisë dhe i fesë. Por, mendoj se në një numër të tyre kjo ndodh. E drejta e deklarimit të etnisë në këto vende trajtohet si një e drejtë themelore e njeriut. Në regjistrimin e sivjetmë të popullsisë në Kosovë u regjistrua edhe përkatësia etnike edhe besimi fetar. Feja është përkatësi private e njeriut dhe nuk e quaj të nevojshme të regjistrohet. Por deklarimi i etnisë në vendet shumëtnike është me shumë rëndësi. Në qoftë se, nuk do të lejohej deklarimi i etnisë në ish-Jugosllavinë, si do të dinte bota se çështja shqiptare – çështja e Kosovës është çështje e madhe kombëtare, sepse numri i shqiptarëve ishte i madh. Në qoftë se nuk do të lejohej deklarimi i etnisë, fjala vjen, në Mal të Zi, në Maqedoni dhe në Serbi sot, shqiptarët atje, në shtetet shumetnike të Malit të Zi, të Maqedonisë, të Serbisë, do të quheshin të paqenë.
Si, në bazë të çkajes do të kërkonin ata, shqiptarët, të drejta kombëtare derisa ”nuk do të ekzistonin” në regjistrimin e popullsisë?! Sa i kam përcjellë debatet dhe deklarimet rreth regjistrimit të tashëm të popullsisë në Shqipëri, Shqipëria e ka një hall mjaft të veçantë, ndaj të cilit me të drejtë po reagon organizata shumë premtuese për shpëtimin e Shqipërisë prej tregtisë politike të Sali Berishës me interesat kombëtare, Aleanca Kuq e Zi: qytetarë të saj me etni shqiptare po deklarohen grekë. Plagë e vjetër kjo në jetën e shqiptarëve. Plagë e vjetër, por e përtashme, rishtazi, në shekullin Njëzet e Një. Kush është fajtor për këtë vdekje të vetëdijes kombëtare në kokat e disa qytetarëve shqiptarë? Kush? Them: në radhë të parë politika dëshpëruese, shfrytëzuese, mafioze, politika në të cilën është ngritur shumë bërllok njerëzor, në të cilën në vend se për Shqipërinë sot dhe për ardhmërinë e saj ata mendojnë për xhepat e vet, të djemve, të bijave, të nipave, të mbesave, të farefisit të vet! Udhëheqjes dhe anëtarëve të Aleancës Kuq e Zi do t’ua rekomandoja një ngushëllim: shqiptarët që vetëdijen kombëtare e shesin për 200 a 300 a 3000 a 30 000 euro ata nuk i duhen gjë Kombit. Le të regjistrohen si të duan, por kjo tradhti të mos u harrohet kurrë!
– Duket se të njëjtat probleme vërehen edhe për shqiptarët e Maqedonisë dhe të Serbisë nga ky regjistrim, ku thuhet se ky regjistrim bëhet me qëllim për të tkurrur popullsinë shqiptare dhe ndikimin e saj në rajon, apo jo?
– Më e rëndësishme se çka për këtë çështje mendojnë të tjerët është çka bëjmë ne vetë dhe për veten. E di se mendimet në Evropë, në SHBA, në botë në përgjithësi për ne shqiptarët mund t’i përmirësojmë apo mund t’i keqësojmë në masë të madhe edhe me qëndrimin tonë ndaj të tjerëve me të cilët jetojmë në të njëjtin vend, sidomos ndaj atyre që janë në pakicë etnike, fetare, racore, politike, e të tjera: në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë, në Maqedoni, apo kudo qoftë tjetër. Racizmi dhe shovinizmi, që nuk njeh tradita shqiptare, janë ndjenja dhe mendime të shkallës së ulët. Aty ku paraqiten duhet të ngremë zërin kundër tyre: të ngremë zërin qoftë kur jemi viktima të atyre ndjenjave e qëndrimeve, qoftë kur jemi bartës të tyre! Në lidhje me këtë problematikë do të shtoj edhe disa fjalë.
Shqiptarët në Kosovë dhe në përgjithësi në Jugosllavinë tashmë të mosqenë, kanë shumë përvojë tragjike në këtë pikëpamje. Ishin gjatë të përndjekur prej racizmit dhe shovinizmit fetar serb, por edhe malazias e maqedonas. Ne po shohim se ky racizëm dhe shovinizëm fetar kohë pas kohe, edhe tani, sado në kushte të tjera historike, po shprehen në Serbi e në Maqedoni. E shprehin edhe zyrtarë të lartë si ministri serb i policisë, Daçiq. Çuditërisht këtyre racistëve fetarë u ndihmojnë edhe disa shqiptarë në Kosovë, në Shqipëri e në diasporë – në Evropë! Ndaj disa sjelljeve, a disa kërkesave të papranuara të një pjese të pjesëtarëve të besimit islam, të cilave ua dha përgjigjen përkatëse, kushtetutare Kuvendi i Kosovës, këta shqiptarë, të konvertuar a të pakonvertuar në Kosovë, në Shqipëri a në Evropë, me kushtrime, me shkrime, me nënshkrime përgjigjen me fyerje raciste, pothuaj të padëgjuara prej të tjerëve, me islamofobi patologjike, tani të frymëzuar e të stimuluar edhe prej forcave të djathta ekstremiste në Evropë, të cilat edhe e frymëzuan atë tragjedinë e madhe në Norvegji në korrik të këtij viti, kur një i ri, në emër të ruajtjes së pastërtisë së qytetërimit të krishterë evropian prej emigrantëve myslimanë vrau 76 të rinj e të reja. Dhe, kështu leverdia materiale, madje, edhe tregtare, e quajtur fyerje e fesë dhe e qytetërimit islam, e quajtur islamofobi, vazhdon të frymëzojë mendimin, sjelljen, gjuhën, “kushtrimet” përbuzëse, fyese, kërcënuese të një numri të pjesëtarëve tonë të nënshkruar si gazetarë, piktorë, publicistë, por pa qenë asgjë në asnjërin prej këtyre profesioneve.
– Çka duhet bërë në këto rrethana?
– Kushtetuta e Shqipërisë, në mos autorësi, ka asistencë të ekspertëve ndërkombëtarë. Duhet zbatuar Kushtetuta; duhen zbatuar parimet e shtetit të së drejtës; duhet qenë tolerantë; duhet qenë demokratë. Të kundërtat e këtyre pashmangshëm një ditë hakmerren.
– Profesor, ndërkohë në Shqipëri thuajse ka filluar gara për presidentin e ardhshëm të Shqipërisë. Midis emrave që lakohen për këtë post janë Sali Berisha, Fatos Nano, Servet Pëllumbi, Jozefina Topalli, Ismail Kadare e të tjerë. Ju, si mendoni, cila do të ishte figura më e përshtatshme për kryetar të Shtetit dhe cilës forcë politike do të duhej t’i përkiste ai?
– Po ta përdorja si më lirisht togfjalëshin Tuaj “emra që lakohen”, do të thosha: të gjithë këta emra që përmendet, të propozuar prej miqve a, madje, prej përfolësve të pamëshirshëm të disave prej tyre, vërtet lakohen dhe lakohen sepse asnjëri prej tyre nuk mund të qëndrojë vertikalisht. Drejt! Të gjithë ata kanë një të kaluar shumë të lakuar. Propozimi a vetëm lakimi i këtyre emrave për kryetar të Shqipërisë tregon qartë se Shqipëria kurrsesi nuk është në gjendje të krijojë qëndrim të ri, demokratik, evropian, ndaj të kaluarës së vet totalitare. Të dhënat për këtë pohim janë tragjikisht të shumta. T’i theksoj pak prej tyre.
Sali Berisha. Shqipëria, açik vendeve të tjera ish komuniste në Ballkan, por ngjashëm Rusisë dhe Bjellorusisë, vazhdon të kryeministrohet jo prej një ish-komunisti, por prej një ish-anëtari të nomenklaturës komuniste! Llukashenkoja i ynë është ish-sekretar i Partisë së Punës në Fakultetin e Mjekësisë, në të vërtetë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Dhe, ky sekretar partie, që vendoste për fatin e studentëve dhe profesorëve të këtij Universiteti, ishte mik shtëpie i Enver Hoxhës, që bënte çmos të shfrytëzonte lidhjet me të bijtë e tij për të krijuar karrierë sa më të fortë staliniste.
Ky njeri, ky ish sekretar partie, pas komunizmit ishte njëherë kryetar i Shqipërisë, që e çoi Shqipërinë në luftë qytetare në vitin 1997 dhe u përmbys pas një revolucioni demokratik. Çdo qytetar i Shqipërisë me mendje jo vetëm demokratike, po normale, do të çuditet kur të dëgjojë se për kryetar të ardhshëm të Shqipërisë mund të propozohet ky njeri, i cili përpos peshës politike tepër komprometuese në një vend normal demokratik, që rëndon në jetëshkrimin e tij, është sot kryeministër që nuk flet me kryetarin e shtetit, që e ka bërë vetë kryetar, që nuk flet me Kryeprokuroren e shtetit, që e ka bërë vetë Kryeprokurore, që nuk flet me Shefin e SHIK-ut, që e ka bërë vetë shef të SHIK-ut, që nuk flet me kryetarin e Opozitës, as kur deputeti gjerman bën çmos që t’ia japin dorën njëri tjetrit! Si e duron Shqipëria autokracinë blegtorale të Sali Berishës? Si mund të lejojë ajo që të flitet që ky njeri të mbetet edhe më tej në pushtet? Madje të supozohet për së dyti kryetar i shtetit! Absurd! Përmbysje e ndërgjegjes, madje e logjikës, madje e etikës elementare qytetare!
Ismail Kadare. Edhe lakimi i emrit të tij për kryetar të Shqipërisë, emri i tij për së tepërmi i lakuar në diktaturë dhe tash në autokracinë e Sali Berishës, dëshmon se Shqipëria kurrsesi nuk po mund të krijojë qëndrim të ri, demokratik, evropian ndaj të kaluarës së vet komuniste. Po si mund të lakohet për kryetar të shtetit demokratik emri i shkrimtarit, i cili çdo qëndrimi të ri politik të Partisë së Punës e të Enver Hoxhës, qoftë në politikën e brendshme, qoftë në politikën e jashtme, i është përgjigjur me romane politike shërbyese, me vjersha, me shkrime publicistike, me intervista shërbyese.
Kur Partia e Punës donte ta madhëronte sa më madhërueshëm fitoren e vet, Ismail Kadare shkruante romanin “Nëntori i një kryeqyteti”; kur Partia e Punës dhe Enver Hoxha u thoshin imperialistëve amerikanë dhe social-imperialistëve sovjetikë se Shqipëria është kështjellë në të cilën do të thyenin dhëmbët edhe ata edhe këta, Ismail Kadare shkruante “Kështjellën” – tashmë të ripunuar me themel; kur Partia e Punës dhe Enver Hoxha do të prishnin marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, duke e konsideruar politikën hrushoviane revizioniste, domethënë anti-staliniste, Ismail Kadare do të shkruajë “Dimrin e vetmisë së madhe” a “Dimrin e Madh” të korrigjuar, në të cilin lexuesve shqiptarë u dhuron mendime raciste për rusët; kur Partia e Punës dhe Enver Hoxha fillojnë të predikojnë parime të Revolucionit Kulturor Kinez, qëllimi i të cilit ishte zhdukja e traditës kulturore borgjeze, Ismail Kadare do të shkruajë romanin reportazh “Dasma”; kur Partia e Punës dhe Enver Hoxha u shqiptojnë fletërrufe anëtarëve të Byrosë Politike e të Komitetit Qendror për devijime “mikroborgjeze”, Ismail Kadare shkruan “Pashallarët e Kuq”; kur Partia e Punës dhe Enver Hoxha ndërpresin marrëdhënien me mikun e dytë të madh, Kinën, Ismail Kadare prapë shkruan roman politik, kësaj radhe kundërkinez, në të cilin nuk ngurron t’u krijojë përfytyrime raciste shqiptarëve për kinezët.
Dhe, kështu prej viti në vit e prej një Plenumi deri te Plenumi tjetër i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë! Tani të lakohet emri i këtij shkrimtari servis i diktaturës për kryetar të Shqipërisë “demokratike” – o çfarë ironie! O çfarë përçmimi i kujtesës historike të popullit shqiptar! O çfarë shakaje me etikën mendore dhe demokratike shqiptare! O çfarë shakaje me dinjitetin intelektual! Ndoshta të gjitha këto që thashë janë fjalë të harxhuara kot! Pse? Meqenëse Shqipëria ka kryeministër një gënjeshtar ontologjik siç është Sali Berisha, ndoshta e do rendi i absurdit shqiptar që për kryetar të ketë një intrigant ontologjik siç është Ismail Kadare.
Fatos Nano. Edhe emri i tij i lakuar për kryetar të sotëm të Shqipërisë ishte mjaft i lakuar në vitet e fundit të komunizmit dhe jo i lakuar edhe pas rënies së komunizmit. Megjithatë ky hazarder politik që pas keqësimit të marrëdhënieve me bashkëpartiakun dhe bashkëpunëtorin e vet, Ilir Meta, ia dhuroi pushtetin fatkeqësisë së Shqipërisë – Sali Berishës, di të tregohet burrë – çka s’mund të jenë dy ish – stalinistët e parë, Berisha e Kadare: e tregoi ditën e varrimit të Ramiz Alisë.
Servet Pëllumbi. Megjithëse edhe ky emër mjaft i lakuar në kohën e diktaturës si ideolog i saj, prapë është emër më i nderuar politikisht se emrat e të tjerëve. Natyra e tij, karakteri i tij paqësor, tolerant, mënyra e komunikimit me njerëzit, qëndrueshmëria e sotme intelektuale e politike e bëjnë atë të vetmen figure deri tash të përmendur për kryetar të mundshëm të Shqipërisë, të denjë për atë institucion shtetëror. E kaluara e tij, ndërkaq, edhe Servet Pëllumbin e bën emër që nuk do të duhej të lakohet për kryetar të Shqipërisë demokratike.
Jozefina Topalli. Do kujtuar gjuhën e saj në karrigen e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, sjelljet e saj, privatizimet e saj politike, uzurpimet e saj politike, fyerjet e saj ndaj opozitës, shprehjet e saj aq shpesh infantile, trashtinën e saj mendore për të mos i lejuar vetes të mendosh se edhe një personazh i tillë politik mund të propozohet për kryetare të Shqipërisë.
Ndihmoji, Zot Shqipërisë. Ku ke katandisur Shqipëria ime e dashur!
Çdo kohë ka njerëzit e vet. Njerëzit për të cilët fola janë njerëz të kaluar të një kohe të kaluar. Do shpëtuar Shqipëria shtetërore e politike prej tyre. Në krye të Shqipërisë do zgjedhur njeriu i kësaj kohe e të tillë Shqipëria ka shumë, shumë, shumë: të rinj të ngritur, të rinj të ditur, të rinj intelektualisht të pakorruptuar, të rinj moralisht të qëndruar.
– Në këto kushte, sa optimist ndihet Akademik Rexhep Qosja për të ardhmen evropiane të shqiptarëve?
– Natyrisht, jam optimist për të ardhmen evropiane të shqiptarëve. Punoj për të tani e pesëdhjetë vjet, domethënë prej ditës së parë që kam filluar të shkruaj e të botoj; punojnë për të shumë e shumë intelektualë, krijues, politikanë shqiptarë në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në diasporë. Shqipëria dhe Kosova (dhe Bosnja) pashmangshëm do të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Nuk mund të lejojë Bashkimi Evropian që jashtë përbërjes së tij të mbeten tri vende qoftë për shkak të prapangeljes së tyre zhvillimore, qoftë pse nuk i plotësojnë lehtë gjithë standardet e tij, qoftë pse janë me shumicë të popullsisë të besimit islam. Besoj: nuk do të kalojnë shumë vite që ne, edhe Kosova, edhe Shqipëria, do të pranohemi në Bashkimin Evropian, por, besoj: do të kalojnë shumë e shumë vite që ne, edhe Kosova, edhe Shqipëria, të bëhemi Evropë – Evropë me kulturën e mendimit; Evropë me kulturën e sjelljes; Evropë me vetëdijen demokratike; Evropë jo vetëm me procedurën por me marrëdhëniet ndërnjerëzore demokratike; Evropë me rendin politik shoqëror, kushtetutar juridik, që si i tillë zbatohet; Evropë me ndarjen e pushteteve ligjvënëse, zbatimore dhe gjyqësore; Evropë me gjuhën politike.
Domethënë: do të kalojnë shumë e shumë vite që ne të bëhemi Evropë me Identitetin tonë. Ne, edhe Kosova, edhe Shqipëria, do të pranohemi në Bashkimin Evropian, por Evropë do të bëhemi vështirë, shumë vështirë, me shumë e shumë përpjekje jo të njerëzve që luftojnë për sa më shumë pushtet, për sa më shumë pozita e sa më shumë kapital vetjak, por të njerëzve që luftojnë për rritën e përgjithshme shoqërore, kulturore, qytetëruese, morale të popullit. Do të hyjmë në Evropë, edhe Kosova, edhe Shqipëria, por nuk do të mund të bëhemi Evropë derisa jemi shoqëri në të cilën aq egër e luftojnë njëra – tjetrën dy partitë kryesore të Shqipërisë; derisa aq vrazhdë janë të antagonizuar intelektualët e partishëm e të papartishëm; derisa do të kemi kryeministra e kryetare të Kuvendit gjuhën e të cilëve e stolisin fjalët lavire, opinga, zhele me të cilat përbaltin fytyrat e opozitës e të zyrtarëve që nuk duan t’u servilizojnë, derisa klasa politike dhe klasa e tajkunëve, bashkërisht të pasuruar në procesin plaçkitjes së tranzicionit, uzurpojnë sovranitetin e të vetmit Sovran – të popullit; derisa korrupsioni politik, financiar e ekonomik dhe krimi i organizuar e mbisundojnë jetën tonë politike!
Do të hyjmë në Evropë, edhe Kosova, edhe Shqipëria, por nuk do të mund të bëhemi Evropë derisa në pushtet mbajmë ish- stalinistë në Shqipëri dhe ish kuadro politike të kohës së Millosheviçit në Kosovë. Do të hyjmë në Evropë, edhe Kosova, edhe Shqipëria, por Evropë nuk do të mund të bëhemi derisa për kryetar të ardhshëm të Shqipërisë lakojmë emrat e ish-anëtarëve të nomenklaturës së diktaturës komuniste në Shqipëri, në të vërtetë emrat e disa ish-stalinistëve, që aq shumë e shumë shërbimet ia kanë bërë me gojë e me shkrime asaj diktature kundër së cilës tani hallakaten edhe në institucionet shtetërore të Shqipërisë, edhe në tribunat politike e kulturore të Evropës! Atë ditë kur të pranohemi në Bashkimin Evropian, atë ditë, ndërkaq, ne, si komb, do të na shtrohet një problem i madh, ekzistencial, e ky është problemi: a do të mund ta ruajmë dhe a do të dimë ta ruajmë identitetin kombëtar shqiptar para nacionalizmave të vendeve të mëdha evropiane siç janë ai gjerman, anglez, francez, italian, spanjoll? Gjendja, në përgjithësi jeta e sotme shqiptare, në mënyrë të veçantë në Shqipëri prodhon shumë ligësi që e vështirësojnë, në të vërtetë e bëjnë gati se pesimiste përgjigjen në këtë pyetje të madhe. Le të mbetet përgjigjja ime në këtë pyetje për herën tjetër se është përgjigje që i nevojiten më shumë të dhëna dhe më shumë hapësirë.
TELEGRAFI