NJË AKT I VËRTETË PRESIDENCIAL

0
37

Nga Blendi Kajsiu*

Vendimi i Presidentit Bamir Topi për të mos dekretuar ligjin mbi trajtimin dhe menaxhimin e mbetjeve, që në publik është njohur si “ligji për importin e plehrave”, përbën një akt të vërtetë presidencial. Me refuzimin për të dekretuar “ligjin për importin e plehrave” Presidenti ka artikuluar një shqetësim të gjerë të shoqërisë shqiptare me të cilën vendimmarrja politike ka humbur pothuajse çdo lidhje. Ndaj, mosdekretimi përbën një nga ato akte gjithnjë e më të rralla në politikën shqiptare, ku interesi publik fiton mbi interesin e ngushtë privat apo klanor.

Ligji për mbetjet që u kthye nga Presidenti Topi përbën një nga aktet më të rrezikshme të miratuara nga Parlamenti shqiptar. Ai krijon një hapësirë për importin e plehrave, me të cilën mund të abuzohet lehtësisht, sidomos po të kemi parasysh kapacitetet tona të mangëta administrative dhe faktin se biznesi i plehrave në vendet fqinje si Italia ndodhet në duart e mafies lokale. Në këto kushte, lejimi i importit të plehrave, pavarësisht kufizimeve që parashtrohen në ligj, rrezikon të prodhojë futjen në masë të mbetjeve të rrezikshme nëpërmjet kapjes së administratës dhe vendimmarrjes sonë politike nga biznese të dyshimta.

Për të kuptuar këtë, mjafton të shohim se si ka ndodhur diçka e tillë në qytetet e vendeve fqinje, si Napoli, të cilat janë mbytur dhe kontaminuar nga importi i plehrave nga Veriu i Italisë. Kemi të bëjmë, pra, me një problem që nuk përballohet dot edhe nga vende më të zhvilluara se ne, siç është Italia. Pra, nëse biznesi i pistë i plehrave ka kapur administratën dhe politikën italiane, pa dyshim që diçka e tillë do të ndodhë edhe me administratën dhe politikën shqiptare.

Për pasojë, Shqipëria jo vetëm që nuk do të ishte e aftë të trajtonte plehrat e saj, por do të mbytej edhe nga plehrat e fqinjëve. Shumë lehtë Shqipëria do të përfundonte në një kosh të madh ku fqinjët do të hiqnin qafe përkundrejt një çmimi të lirë plehrat që ata i prodhojnë pa fund. Natyrisht, disa këndej dhe andej detit do të përfitonin nga biznesi i plehrave. Ama, shumica e shqiptarëve dhe ambienti i tyre do të vuanin pasojat.

Në këto kushte, pyetja që lind natyrshëm është: Përse u kalua ligji në Parlament? Dikush me të drejtë mund të mendojë se kapja së cilës i frikësohemi ka ndodhur tashmë. Përndryshe, është e pashpjegueshme se si qeveria aktuale synon të kalojë një ligj kundër të cilit ajo vetë dhe shoqëria ka reaguar negativisht prej kohësh (kujtoni protestat në vitin 2004 kundër vendimit të qeverisë “Nano” për të ndërtuar një fabrikë për plehra që do të importoheshin nga Italia në Kashar).

Personalisht mendoj se më shumë sesa pasojë e kapjes, ky ligj buron nga dëshpërimi buxhetor i qeverisë aktuale. Në kushtet kur të ardhurat në buxhet bien vazhdimisht, kur borxhi i brendshëm dhe i jashtëm rriten, kur mbijetesa financiare është në pikëpyetje, qeveria për të mbetur në pushtet fillon dhe kërkon të nxjerrë para ku të mundet dhe me çdo çmim, deri në zgjedhjet e ardhshme. Në fund të fundit, ajo që rrezikon realisht pushtetin është mungesa e parave me të cilat ushqehen një mori interesash që e mbajnë atë në këmbë.

Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe ligji që i hap rrugë importit të plehrave. Ai është një nga aktet më të dëshpëruara për një dorë para nga qeveria dhe individë rreth saj. Pikërisht për këtë arsye, vendimi i Presidentit për mos ta dekretuar këtë ligj është një nga aktet më fisnike të ndërmarra nga Presidenca. Ama, interesi ynë i përbashkët nuk mbrohet gjatë vetëm me akte presidenciale, ai ka nevojë edhe për reagim qytetar. Ndaj, akti i Presidentit duhet parë edhe si një ftesë drejtuar aktorëve dhe faktorëve socialë për të reaguar fuqishëm në mbrojtje të interesit publik.

Një referendum për plehrat

Ka kohë që në skenën tonë publike injorohet vendimi i qeverisë për t’i hapur rrugën importit të plehrave. Me përjashtim të gazetës “Shekulli”, që e ka ngritur në vazhdimësi këtë problem, aktorët dhe faktorët e tjerë socialë e injorojnë në mënyrë pothuajse të rregullt këtë çështje. Është një injorim sa shqetësues, aq dhe i habitshëm.

Është e habitshme heshtja në lidhje me çështjen e importit të plehrave kur shikon zhurmën që bëhet për një sërë çështjesh krejt të parëndësishme. Gazetat, televizionet dhe emisionet televizive buçasin në lidhje me dhjetë pikat e Ramës, tri përgjigjet e Berishës dhe dy komentet e Metës. Vazhdojnë të njëjtat debate bajate Rama-Berisha, bëhen pothuajse të njëjtat muhabete në lidhje me Kodin Zgjedhor. Diskutohet gjerë e gjatë Avokati i Popullit dhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, a thua se fati i vendit varet nga këto emërime që thjesht ofrojnë ca vende pune më shumë a më pak.

Por, më shumë se i habitshëm, injorimi i çështjes së plehrave është shqetësues. Duhet të jesh krejt i pandjeshëm, mos të trembesh thjesht nga ideja se ne do të importojmë plehra, ndërkohë që nuk po menaxhojmë dot plehrat që prodhojmë vetë. Aq më tepër kur dihen kapacitetet tona administrative për të kontrolluar dhe për t’u korruptuar. Aq më tepër kur plehrat dhe mafia në Jugun e fqinjit tonë perëndimor janë tashmë sinonim. Dhe së fundi, aq më tepër kur pasojat e importit të plehrave mund të jenë katastrofike, jo thjesht për ambientin, por edhe për vetë shqiptarët, edhe për brezat që vijnë.

E megjithatë, ndoshta qeveria ka të drejtë, ndoshta ata që ngrenë alarmin e plehrave ia fusin kot. Ama, nëse është vërtet kështu, atëherë ata që janë në pushtet nuk duhet të hezitojnë që një vendim të tillë kaq delikat dhe që prek kaq shumë dhe kaq thellë jetën dhe ambientin tonë, ta hedhin në referendum. Ky është një detyrim minimal, moral i qeverisë sot, po të kemi parasysh sa delikat është vendimi për importimin e plehrave.

Një referendum mbi çështjen e plehrave do të kishte minimalisht tri pasoja pozitive. Së pari, përballë publikut çështja e plehrave do të diskutohej më në detaj dhe në mënyrë më transparente. Së dyti, një vendim kaq i rëndësishëm do të merrej nga vetë elektorati publikisht dhe jo nga disa individë që takohen në mënyrë private, qoftë në shtëpinë e ambasadorit amerikan, italian apo europian. Së treti, nëpërmjet referendumit shoqëria do të përfshihej në procesin politik, duke dalë nga roli i spektatorit ku tashmë e kanë degdisur partitë politike.

Natyrisht, mirë do të ishte që për referendum në lidhje me këtë çështje kaq delikate të shprehej edhe opozita, madje edhe Presidenti i Republikës, që ka mundësinë ta ndalojë këtë vendim që minimalisht nuk është debatuar mjaftueshëm në publik. Le të shpresojmë që as njëra, opozita, dhe as tjetri, Presidenti, nuk janë shumë të zënë me punët e tyre.

*panorama.com.al