Nga Kiço Blushi
Pas shembjes së shtatoreve të Enverit, pasi u pa që komunizmit i ranë dhembët e patkonjtë, shumëkush u hakat të shtirej publikisht sikur kishte pas qenë antikomunist i thekur, i përbetuar, i bindur, i fshehur, i papajtueshëm, i shumëvuajtur, dmth një kundërshtar i heshtur e i vendosur për ta përmbysur një sahat e më parë atë regjim të urryer. Në mbarë Lindjen nuk besoj të ketë pasur më shumë disidentë të vetëshpallur sa tek ne!
Ëndrra e tyre paskësh qenë jo vetëm demokracia perëndimore e sidomos ajo amerikane, por edhe si të gjendeshin përballë Enverit apo Mehmetit që t’u tregonin vendin e pse jo, edhe t’ua vishnin me shpullë! Përditë dalin në media antikomunistë të orës së vonë, ndaj sot duket e natyrshme pyetja: pas njëzet vjetësh nga shembja e diktaturës, përse lipset, dhe sa kushton e sa vlen sot pasaporta e një “antikomunisti pas pilafit”?
Nëse në krye të shtetit nuk do të kishim një ishkomunist-antikomunist, si Berisha, i cili, mesa duket është i detyruar, për hir të kompleksit të së kaluarës, meqë ka pas qenë sekretar partie në spital e mjek i besuar në Bllok, të japë përditë prova se përnjëmend ka pas qenë një demokrat i thekur, një antikomunist i vendosur, me siguri një certifikatë e tillë “pastërtie” nuk do të kishte sot asnjë vlerë!
Tash nuk habitet njeri kur dëgjon e shikon se si antikomunistë të egër e të pamposhtur janë shfaqur edhe ata që patën jetuar e shërbyer në Bllok, ata që kishin qenë spiunë, sigurimsa, sejmenë, sekretarë, hetues, instruktorë, oborrtarë, anëtarë të KQ-së, me një fjalë ish-komunistët më fanatikë, ata sahanlëpirës të cilët kur vdiq diktatori këngëzonin nëpër vargje “le të më pritet krahu me shiritin e zi”, ndërsa nëpër lagje, organizata e kafenera kumtonin hapur e me zë të lartë se jo vetëm jeta e tyre, por edhe e Shqipërisë, tash e tutje, meqë nuk ishte gjallë diktatori, do të ishte pa kuptim, në udhëkryq, në rrezik…
Nuk di të them sa dhe si është tjetërsuar e shkërbërë moralisht shoqëria shqiptare në këto njëzet vjet, por gjithsesi morali, kufiri mes nderit dhe poshtërsisë ka pësuar çarje tejetej, aq sa njeriu për njeriun nuk është vetëm ujk (babai vret djalin, djali vret babanë, i panjohuri akuzon të panjohurin…), por edhe viktimë e së kaluarës, e luftës së klasave, e “zgjedhjes” dhe emërimit të derrave, si në “Fermën” e Orwellit, në krye të shoqërisë…
Aq sa kryeministri i vendit, në ditën që na mohohet statusi i vendit kandidat, nga salla e Kuvendit nuk mënon të fajësojë opozitën si “bij ideologjikë të etërve komunistë”, e për këtë “shkak” nuk ngurron t’i kërcënojë edhe me vdekje, duke deklaruar, si një talebanë shembullor komunist se armiqve të tij ai “do t’ua bëjë fytyrën më të zezë se këpuca!”. Kjo është gjuha e përditshme e ishkomunisto-antikomunistëve tanë! Ja përse Evropa na mbylli derën për herë të dytë!
* * *
Hemingueji thotë diku se karakterin as nuk ta jep e as nuk ta ndryshon dot një sistem politik; sipas tij i poshtri dhe delenxhiu i tillë është edhe në diktaturë, edhe në demokraci, vetëm maska ndryshon. Vetëm se Hemingueji nuk e ka ditur fuqinë e tjetërsimit brenda natës, të kthesës 180 gradë në periudhën e tranzicionit, kur diktatura zëvendësohet me demokraci, kur duket e natyrshme, e drejtë dhe e moralshme që më faqezinjtë dhe më të pafytyrët e diktaturës të bëhen Vipa, të sundojnë ligjin e pronat, gjykatat dhe privatizimet, podiumet dhe ekranet, vetëm pse ata janë vetëshpallur, ashtu si Berisha, antikomunistë të vendosur, me parullën “rroftë mbreti, poshtë mbreti”, duke korrur, bash për këtë arsye, edhe sukses, edhe lavdi, edhe pushtet, edhe pasuri! Pse jo, edhe imunitet të pakufizuar: një ishkomunist-antikomunisti i lejohet të thotë e të bëjë si të dojë, me argumentin se “mjaft kemi vuajtur nën diktaturë, tani ka ardhur dita jonë!”…
Në këtë shakullimë morale gjindja detyrohet të gjykojë e të mendojë: hesht, bindu, mos fol, se është tejet e rrezikshme të ngatërrohesh me këta të tjetërsuar politikisht, prandaj mos u thuaj ç’kanë pas qenë dje e ç’janë realisht sot, pasi, derisa ata janë aq të paturpshëm sa e quajnë të moralshme e mençuri parullën “rroftë mbreti, poshtë mbreti!”, për të justifikuar mungesën e moralit e të cipës, atëherë a do të druhen ata të të bëjnë pis edhe ty që nuk ke asnjë faj? Kjo sjellje agresive, e trashëguar nga agjitpropi komunisto-fashist, në një demokraci normale do të dukej absurde, por ama, deri më sot, tek ne kjo yrryshnajë mediatike shpifsharrjesh ka dalë jo vetëm e justifikuar, or edhe rezultative, sepse:
1. Berisha kujton e beson se ka larë e shpëlarë kësisoj fytyrën e vet nga gjynahet e së kaluarës;
2. Se kësisoj bind militantët, të persekutuarit dhe të vuajturit e diktaturës se ai ka qenë dhe është vërtet një antikomunist i vendosur që i përfaqëson denjësisht;
3. Se kjo është mënyra më e mirë për të paralizuar dhe trembur kundërshtarët, rivalët dhe vartësit;
4. Se anashkalon problemet e ditës, ngërçin, vendin e fundit në procesin e integrimit, varfërinë, korrupsionin, etj;
5. Se kapërcen pa shumë kosto e mundim hendekun që ndan të majtin ekstrem nga i djathti ekstrem;
6. Më kryesorja: u hedh hi syve ndërkombëtarëve duke u shtirur si i vetmi antikomunist i vendosur në të gjithë klasën politike…
Kaq mjafton e tepron për të helmuar gjithë klimën shoqërore e politike në një vend të vogël e të varfër si Shqipëria. Zor të gjesh një shqiptar normal që nuk e kupton se gjuha e urrejtjes e ishkomunist-antikomunistëve tanë është gjuha më e ndyrë e më e pështirë, gjuhë që prej luftës së dytë botërore e tëhu po helmon e përçan tejembanë gjithë shoqërinë, pasi komunist-antikomunistët e dinë se vetëm kësisoj mund të llahtarisin e të detyrojnë të mbyllin gojën jo vetëm naivët, gazetarët, zgjedhësit, idealistët e mbetur e të pafajshmit, por edhe kundërshtarët politikë…
Është kjo “magji” që e bën Berishën të sundojë lehtësisht, mbi njëzet e kusur vjet, nëpërmjet agresionit, frikës, terrorit, poshtërimit, shpifjes, përbaltjes, eliminimit, duke u mburrur sikur, medemek, ka ardhur në pushtet “me vota të lira dhe demokratike”, paçka se “vota” shoqërohet më pas me dhunë të pasosur e të papërballueshme verbale. Diktatorët e mbjellin frikën me ndihmën e policisë sekrete dhe ligjeve diktatoriale, ndërsa vetë, kur dalin në publik, rrëfejnë paqe, mirësi e dashuri të pakufi për popullin, kurse në këtë gjasme demokraci, në mungesë të “sigurimit” apo të një SHIK-u gazidedas, këtë detyrë e kryen vetë shefi i madh me terror dhe agresivitet që ushtrohet përditë nëpër media….Kjo është arma ideologjike më efikase, e trashëguar nga diktatura, e ishkomunist-antikomunistëve të sotëm!
* * *
Sigurisht, njeriu që nuk ndryshon është gur, shoqëria që nuk ndryshon mbetet në vendnumëro e rrezikohet të jetë primitive, ndërsa kur një ish- komunist fanatik transformohet brenda natës në antikomunist fanatik, nuk është thjesht një kameleon, por një medalje e kthyer nga ana tjetër dhe e varur në xhaketën e një “disidenti” pa moral, pa turp e pa cipë! Në vitet e para të demokracisë nuk kishte kaq shumë ish-komunistë antikomunistë të vetëshpallur e të vendosur sa kemi sot. Të tillë po dalin madje edhe ish-kryeredaktorët e “ZP”-së, mjekët që kanë kuruar byroistët, ata që kanë punuar në aparatin e agjitpropit në selinë K.Q., hetuesit dhe prokurorët; të gjithë këta e paskan urryer diktaturën, madje paskan punuar për ta përmbysur e gërryer atë nga brenda!
Një ish-diplomat i asaj kohe e ka shprehur bukurfort anti-komunizmin e vet duke thënë se i persekutuar në të vërtetë ka pas qenë ai që ka qenë i detyruar të jetonte jashtë, në ambasadë dhe jo ne që jetonim këtu, sepse, sipas tij, nuk paska vuajtje më të madhe se të shikosh me sytë e tu se sa i lulëzuar dhe i begatë është kapitalizmi, ndërsa kur vinte këtu detyrohej të thosh se Perëndimi jetonte në mizërie e në skamje! Një ish-hetues në një bisedë me shokun e vet të fëmijërisë, ish i burgosur, i pat thënë me sinqeritet “antikomunist kam qenë unë, se unë kam futur në burg komunistë, kryetarë kooperativash, anëtarë të KQ-së, madje edhe të byrosë politike.
Pra, kush e ka shkatërruar komunizmin më shumë, unë, apo ti që u fute në burg?” Nuk kanë të sosur vjershat e tregimet me disidencë të habitshme që botohen sot, pas tridhjetë e ca vjetësh, me data “në sirtar” nga koha e diktaturës, për të provuar se autorët e tyre kanë qenë “anti”, shumë kohë para pluralizmit… Ditare e kujtime pafund, përherë ama me dëshmitarë të vdekur, ministra e kryeministra, për të provuar “antin” e fshehur…Një disident i tillë i vonuar para ca ditësh rrëfeu në një intervistë se familja e tij pat vuajtur shumë nga diktatura se…se vëllezërit e tij i pat nisur jashtë, për studime…
Kurse atë vetë e patën emëruar në Zërin e Rinisë si gazetar, por ama nuk i dhanë fletë kampi për në jug, se Sigurimi dyshonte që ai mund të arratisej… E megjithatë ky “disident” i kamufluar ia pat treguar vendin diktaturës dhe Byrosë: kur kishte qenë në Shkollën e Bashkuar, pat ardhur për inspektim ish ministri i Mbrojtjes, Balluku, i cili kishte vënë re në rresht kadetin në fjalë që po qante pa zë….Pse po qan ky? – Kishte pyetur Balluku. Se nuk i pëlqen kjo shkollë…Atëherë hiqeni!…Kjo ishte, me nder jush, dhj….ja!
Mund të sillen pa fund shembuj të tillë disidence kur edhe “profesorët” që e patëm marrë këtë titull me vepra kundër artit dekadent e për këtë meritë bëheshin madje edhe ministra, sot shkruajnë libra për lartësimin e zbulimin e artit të mohuar “dekadent”, duke dhënë prova “kokëforta” me dëshmitarë të vdekur se ata ishin kundër, se e shanin në shtëpi diktaturën dhe Enverin dhe se…
Një “profesori” të tillë, Todi Lubonja i tha atë fjalinë lapidare, të cilën nuk e harroj, ndaj po e përsëris “Interesant, ne që e donim Enverin na futi në burg, ju që e shanit ju bëri ministra!”…Sa herë dëgjoj histori të tilla disidentësh të vetëshpallur, pyes veten: përse u lipset kjo “pasaportë” pleqërie, e cila ua nxin edhe më shumë fytyrën këtyre njerëzve pa dinjitet, pa din e pa iman? Kujt ia tregojnë këtë “pasaportë” false, të ndyrë e të panevojshme, Berishës, që ky t’i marrë me sy të mirë e t’u hedhë një kockë, një gradë, një pension special, një fjalë të mirë, një dekoratë, një kurorë pas vdekjes?…
E, tek e fundit, ç’do të fitojnë, përveç vetëleqendisjes të mëtutejshme morale?
Sistemi njëpartiak prandaj nuk kaloi natyrshëm në pluralizëm, por në një sistem shumëfytyrësh, më sak, të pafytyrësh. Prandaj antikomunizmi nuk erdhi si një platformë e re politike e të djathtës tradicionale. Prandaj në pushtet nuk erdhën ish të përndjekurit, ish të burgosurit politikë, disidentët e vërtetë, por ish-komunistët e konvertuar në antikomunistë brenda një nate, ata që djallëzisht shpallën të vetmen “platformë” të gjithë jemi edhe bashkëvuajtës, edhe bashkëfajtorë.
Sepse antikomunizmi i kësollojtë u bë një patentë e çmuar dhe dobiprurëse, patentë që mund të fitohej kollaj, pa bërë as kurs partie, pa qenë e nevojshme të jepen “prova” persekutimi, sakrificash e meritash, por vetëm duke ulëritur, brohoritur e ndjekur udhëheqësin e ri ishkomunisto-astantikomunist nëpër mitingje, shëmbëlltyrën e atij që u përmbys pas vdekjes, Enverit, të cilin, mesa duket ishkomunist-antikomunistët tanë nuk e lënë jo vetëm që të harrohet, por as edhe të vdesë…!
“Sa herë dëgjoj histori të tilla disidentësh të vetëshpallur, pyes veten: përse u lipset kjo “pasaportë” pleqërie, e cila ua nxin edhe më shumë fytyrën këtyre njerëzve pa dinjitet, pa din e pa iman?”
Pyetje ineresante e juaja, por nuk arrij qe te kuptoj perse ja beni pyetjen vetes?
Bejani pyetjen e atyre qe e perdorin, qe e perdorin kete “pasaporte” pleqerie dhe do te marresh pergjigjen:
– “Sepse d….., ky popull keshtu e do!”
Nuk eshte faji i tyre, faji duhet kerkuar tek ne, e meritojme kete qe po ndodh e qe po jetojme.
Comments are closed.