Për një kaç(ë) më shumë

0
22

Nga Sokol Balla, 11 Nëntor 2011

Ja ku mbaroi dhe kongresi! Pas disa ditësh numërimi – PD u ankua, por sipas Harasanit “më mirë të numërohen ngadalë sesa me gabime – doli edhe lista e “Komitetit qendror”. Shokante! Me dhjetëra të rikthyer rishtas, nga ta të lënë jashtë pa meritë dhe nga ata të lënë jashtë për meritë. Kishte të rikthyer të mëdhenj, si Ndre Legisi, shumë “nanoistë”, por edhe emra të njohur nga biznesi (Guga, Ago), shoqëria civile dhe media (Hila, Luarasi), por edhe juristë (Salianji, Bele apo edhe Theodhori Sollaku).

Ndër të rikthyerit ka edhe nga ata që u lanë jashtë listës në vitin 2009, si edhe ndonjë që në maj 2011 o stërviste komisionerët e LSI-së, o mblidhte (1500) vota, për Lulin ose Hysniun. Skandaloze? Deri diku. Sepse brenda shtëpisë rozë rryma radikale e luajalistëve me zor po bashkëjetonte para Kongresit, me ndonjë Jago të shkurtër që rrinte ditën e zgjedhjeve e pinte kafe live me Saliun në ‘Rogner’, ndërsa të tjerët përlesheshin me bandat elektorale të të gjitha kampeve dhe ngjyrave. Por duket ky ishte Kongres i surprizave. Aq sa, larmia e Mendimit Ndryshe, ishte kaq në koherencë me mainstream-in e punimeve, sa Kaçi, meqë nuk kishte me kë të zihej, filloi t’u bërtiste gazetarëve. Bile edhe atyre të ABC Njuz (ndjesë se nuk më bën në këtë rast zemra dhe s’më lejon ndërgjegjja, t’ia shkruaj emrin në anglisht): “Po Xhepin, Xhepin pse e shanë?”.

Dëgjova një nga ato mbrëmje Luan Hajdaragën, po tek ABC-ja. Sesi i dha përgjigje të qetë edhe kësaj pyetjeje. “Secili ka të drejtë të mos jetë dakord me tjetrin. Edhe Rama me Meidanin, edhe Meidani me Ramën”.

Bile të nesërmen e kongresit, edhe Meidani nuk ishte më dakord me Meidanin e Panoramës. Sipas tij, media e kishte përkthyer keq sensin e shkrimit të tij. Ka shumë mundësi, megjithëse nuk mund t’u vësh faj redaktorëve që nuk arrijnë më dot të lexojnë deri në fund shkrimet e tij paksa të gjata. I vetmi i mërzitur i këtij Kongresi ishte Jago. Atë as nuk e rrahën (gati i kishte rojet e Gardës jashtë), as nuk e shanë (ABC -gjithmonë gati!-ishte live), as nuk e ngacmuan (përjashto romuzet e Finos, i cili nuk kursen askënd. As nënën e intrigave, babën e budallallëkut apo birin e kurvës). Për fatin e tij të keq – deri diku edhe timin – Jagos nuk ia fishkëlleu njeri.

Dy ditë pas kongresit ishin të gjithë aty, në një tryezë. Një gjendje e pazakontë, por tashmë normale. Malaj, Harasani, Blushi, Bello. Rama duket se më në fund gjeti koherencën mes veprimeve dhe gabimeve. Siç tha dhe Blushi (jo pa helm) te Topi: “PS ka filluar tani të mendojë”. Por më e rëndësishme, alternativa e vetme (e vetmja rrugë me gjasë), përballë Saliut, tani ka një program. Jo përtej të majtës, por një program të majtë. Rama më në fund hoqi dorë nga nostalgjia e tij për PD-në, të cilën – sipas Kurban-it – ia vodhi Saliu dhe iu rikthye partisë që në këto dy vjet sakrifikoi për të, shumë më tepër se Dashin e Lulit. U largua nga sistemi, nga Parlamenti, u shtri në rrugë, ngeli pa rroga, “dogji goma – Blushi”, e së fundi u detyrua të durojë live dhe “në mënyrë transparente”, përdhunimin që iu bë në Tiranë kryetarit të saj. Si personi që i shpëton vdekjes pas një infarkti akut, mesa duket edhe kreut socialist i janë hapur sytë, “pasi pa vdekjen me sy” (Ose “…pasi shkoi në ferr e u kthye prapë”, do thoshte do kohë më parë Tan Hoxha i ‘Panoramës’).

Dhe pa se partia që ai përfaqëson, jo thjesht është ushtria më e madhe elektorale në vend, por se ka edhe asetet më cilësore sot, përballë alternativës së arrorëve dhe Shabanit. PS-ja sot ka luksin të lërë (vetëm) anëtare të Komitetit Mbikëqyrës të Bankës, një prej ekonomisteve më të mira në vend, që qëllon të jetë edhe ndër politikanet më të vjetra të tranzicionit. PD-ja sot për guvernator të Bankës nuk arrin të zgjedhë një më të mirë, sesa aktuali (një ex i majtë dhe ky). Por suksesi i këtij kongresi është padyshim Programi i Kafshatës, ose për hile fjale apo slang popullor, po e quaj Programi i Kaçës.

Jo se më 2009 nuk kishte program, por ato ditë më shumë media merrej me Meidanin që e prezantoi atë bllok të madh, me temperaturë 40 gradë dhe grip, për t’u shkelur me këmbë nga Rama pak ditë më pas (e lënë jashtë listës për deputet). Por kush nuk u mësua me gabimet e kryebashkiakut, që atëherë nuk e njihte akoma këtë parti për të vetën? Sot, duket më ndryshe dhe kjo kuptohet nga kundërshtarët jashtë gardhit. Reagimin e vetëm dhe të mekur të të cilëve ndaj kongresit, e lexoi personi (një djalë i shkolluar jashtë me paratë e “mbetura” nga qeverisja e PS-së, por i çuar dëm), gruaja e të cilit me gjasë, në të njëjtin moment, i çonte mesazh Ramës dhe e uronte për fjalimin.

Ah, pati edhe reagim të biznesmenëve, që u ndjenë të kërcënuar. Por harruan se kur lexuan fjalitë që ua kishte shkruar dikush tjetër, konfirmuan atë që ai program thoshte: se ky 5 përqindësh të privilegjuarish qenka i vërtetë. Ajo që nuk kuptuan biznesmenët e dhomës nga mesazhi i programit ishte se biznesi, i bërë bythë e brekë me qeverinë, tani duhet të kuptonte se pala tjetër u jepte kohë deri në vitin 2013 të ndryshonin qëndrim. Por dyshoj se e kuptuan. Edhe klasa e re e biznesit (me ndonjë përjashtim që i mbijetoi rotacionit), ajo që lindi pas vitit 2005, nuk shkon dot më larg sesa niveli i arrorëve. E dhimbshme, por duhet thënë: të majtët lanë një klasë biznesi, që kuptonte shumë më tepër sesa këta të tanishmit. Ashtu siç lanë një polici indiferente ndaj politikës dhe një korrupsion më të shpërndarë, por jo kaq tumoral, sa ky që shohim sot, nga çatia ku punon Sashenka, e deri te X5-at e tatimorëve devollitë.

Gjithsesi, ajo që kuptuan shumica ishte se po: PS dhe Rama e duan pushtetin, por përveçse kanë kuptuar si (ta marrin atë), ndoshta (e kjo për herë të parë) edhe sepse (u duhet ai nesër). Fjala Rilindje, ndoshta ishte e ekzagjeruar, por ama pa frikë mund të thuhet se socialistët pas këtij kongresi u rirreshtuan përballë. Jo Saliut, por qeverisjes së tij.

U bashkuan, jo për një Kaç, por për një kaçë më shumë. Dhe ky, do thoshte Tan Hoxha: “…është një lajm i mirë”. /Mapo/