Banorët: Shteti po na mbyt, e lëshoi ujin të gjithë njëherësh

0
50

Anila Dushi

Anila Dushi, 04.01.2010

DAJC – Mes frikës së përmbytjes dhe dhimbjes së madhe të humbjes së shtëpisë e bagëtive. Kështu gjenden banorët e zonës së Dajçit, të cilët ndonëse të terrorizuar
nga uji që i ka përfshirë banesat nuk duan të lëvizin prej andej.

“Shteti po na mbyt se na lëshon ujin gjithë njëherësh dhe jo pjesë-pjesë”- thotë Njac Zadrima, nga fshati Shirq. Sipas tij, në kushte të tilla është e nevojshme një fadromë që të hapë asfaltin, në mënyrë që uji të kalojë në anën tjetër. “Ne nuk kemi pasur ujë, por është hapur argjinatura dhe ne jemi përmbytur. Uji i hidrocentralit duhet të ishte lëshuar nga pak prej dy javësh dhe ne të mos ishim përmbytur, tani lëshohet i gjithi dhe ne na merr banesat, bagëtitë e gjithçka”- thotë ai.

Në zonën e Dajçit , janë të përmbtura rreth 30 banesa në fshatin Shirq, ndërsa rrezikun e kanë afër fshtrat Samësisht i Vjetër dhe Sanërisht i Ri, Mushan etj. Sipas kryetarit të komunës së Dajçit Arben Gjuraj, janë 60 familje që janë evakuuar gjatë ditës së sotme, por ka një rezistencë nga banorët që nuk pranojnë të lëshojnë shtëpitë e tyre. Argjinatuara e lumit Buna në zonën e Dajçit ka qenë e dëmtuar nga vetë banorët në disa vende, pasi në stinën e verës ato kanë hapur kalime për të shkuar më lehtë tek toka bujqësore. Forcat e ushtrisë kanë ndërhyrë dhe kanë bërë izolimin e këtyre çarjeve në rreth 70 m linear, në vende të ndryshme.

Në Samërisht të Vjetër, uji ka arritur vetëm 30 cm pa kaluar argjinaturën. Janë vendosur nga ushtria, policia dhe pushteti vendor thasë me rërë për ta ngritur këtë argjinaturë në zonat ku paraqiten pika kritike.

Kryetari i këtij fshati, Kin Mhillaj shprehet se bëhet roje në të gjitha pikat, nga dy vetë në 12 orë që janë në gatishmëri për të dhënë alarmin nëse uji afrohet në dalje të argjinaturës . “Po kapërceu uji argjinaturën gjithë banesat që janë poshtë saj me rreth 600 frymë përmbyten, pasi është tokë ranishte dhe uji e merr njëherësh, ndërsa shtëpitë janë të ulta. Nuk pranojnë të evakuohen, pasi kanë pasurinë e tyre këtu dhe kanë frikë se e humbasin”- thotë ai.

Topalli: Situata në Dajc, kritike. PS: Të veprojë shteti

Në zonën e Dajçit kanë qenë sot kryeparlamentarja Jozefina Topalli, deputetë të PD-së dhe deputetët të PS-së. Të dy palët kanë pranuar situatën kritike, por ndërsa demokratët kanë deklaruar gatishmërinë e madhe të shtetit për ndihmë, socialistët kanë kujtuar se masat duhet të ishin marrë me kohë për të evituar katastrofat.

Topalli: Banorët të evakuohen
“Baticat kanë penguar daljen e Bunës në det dhe kjo ka sjellë që niveli i ujit të mbledhur të rritet. I kemi kërkuar dhe vazhdojmë t’i kërkojmë banorëve të mos rrezikojnë duke qëndruar në banesa por të evakuohen. Shteti ka marrë të gjitha masat për akomodimin e tyre. Kërkohet bashkëpunim me forcat e ushtrisë, të policisë që janë në dispozicion dhe të rreshtuara në çdo lagje e çdo fshat ku paraqitet rrezik, me qëllim për të mbështetur banorët”- ka thënë ajo. Sipas saj, banorët po hezitojnë të evakuohen, por nuk i dihet situatës meteorologjike dhe për këtë nuk duhet rrezikuar asnjë jetë njeriu. Ajo ka kujtuar se si asnjëherë tjetër shteti është i pranishëm për t’i paraprirë çdo situate dhe për ta menaxhuar atë. “Jo si në 2004 ku shkarkoheshin 2400 metër kub ujë në sekondë pa lajmëruar asnjë familje. Duhet që banorët të bashkëpunojnë me shtetin”- tha Topalli.

Dokle: Qeveria të lërë ëndrrat holandeze, të zgjidhë situatën
Të pranishëm në Shkodër kanë qenë dhe deputetët e PS-së, Namik Dokle, Tom Doshi, Astrit Beci, Saimir Tahiri, Gjokë Jaku etj. Ato kanë komunikuar me banorët dhe kanë parë nga afër situatën në vendet më kritike. Sipas Dokles, deputetë të majtë e të djathtë janë këtu për të shprehur solidaritetin me banorët e përmbytur. Ai ka përsëritur shqetësimin e banorëve për hapjen e menjëhershme të portave dhe shkarkimin e ujit. “Në këtë drejtim nuk duhet punuar me voluntarizëm e partizanllëk, por me llogaritje shkencore. Shqipëria ka një komision të digave që i di të gjitha rregullat si dhe mënyrat kur duhen hapur portat, që të mos dëmtohen banorët. Në qoftë se qeveria do merrte masa paraprake situata do të ishte e zgjidhshme ose më e lehtë. Qeveria, në vend që të merret me ëndrrat hollandeze, të merret me masa konkrete për zgjidhjen e situatës dhe hallet e njerëzve që kanë të përmbytura shtëpitë, pasuritë e tyre dhe që presin zgjidhje e shpëtim jo vetëm nga perëndia, por dhe nga qeveria”- tha ai.