Adrian Thano
Futni në Google togfjalëshin “Koalicioni i Integrimit”. Do t’ju dalin qindra deklarata të Berishës dhe Metës prej 2009-s e këtej. Ndoshta edhe vetë dy ngjizësit e kanë harruar tashmë, por koalicioni që na qeveris aktualisht quhet “Koalicion i Integrimit”.
Integrimi jo vetëm u prezantua si motorri i tij, por u servir si arsyeja e asaj “sakrifice” të madhe e të çuditshme ku vota të majta të marra me parullën “Berisha ik”, u bashkuan me vota të PD-së që Berisha të rrinte; ishte “nevoja për integrim” me të cilën ua shtuposën gojën atyre që kërkonin paksa logjikë, dhe respekt për logjikën e votës së pas zgjedhjeve të 2009. Iku.. U bë ajo qeveri që sot dy vite më pas rezulton një qeveri e skandaleve të jashtëzakonshme korruptive dhe krimeve penale. U bë diku me hir e diku me pahir, sepse… Integrimi!.
Ok. 48 orë më parë arsyeja për të cilën egziston kjo qeveri dhe ky koalizion ka rënë. Shqipëria u refuzua nga BE, integrimi është ndalur me krisje të madhe. Për të mos mbivendosur këtu që javët e fundit, analistë “të djathtë”, akademikë “të djathtë” e gjithfarë sharlatanësh të palodhur, (këta janë si ti duash të djathtë, të mëngjër, me yll në ballë a me damkë në… ) na kanë hedhur në publik edhe tezën e re që “çka po na duhet Europa”. (!)
Pyetja gjithsesi është kjo: A ka arsye politike për të egzistuar më një koalicion i tillë? Ka vetëm dy mundësi: Ose 1 – Koalicioni Berisha-Meta i pas 2009, e ka patur “integrimin” vetëm një justifikim për të na rimbuluar sytë me hi (ky talent është një nga arritjet e tyre më spektakolare në lëmin e transparences) Ose 2 – Ky koalicion i integrimit dështoi
Në të dyja rastet, nuk mundet më të egzistojë.
Sigurisht që e themi këtë duke e bazuar te logjika dhe sensi normal i gjërave. Po përjashtojmë të dalë nesër Berisha e të thotë që nuk kemi thënë “koalicion i integrimit” po kemi thënë “koalicion i shkapërdhimit” dhe pas tij me qindra “deputetë”, “ministra” e “intelektualë të lirë” do mbysin ekranet dhe gazetat dhe do thonë “Po, po ashtu e kanë thënë: koalicion i shkapërdhimit, por këto dy vjet janë montuar kasetat…”
Me ato që na kanë parë sytë e na kanë dëgjuar veshët në këtë vend, nuk është çudi që edhe kjo të ndodhë, por sic thamë, le të mbetemi në vijën logjike: arsyeja e ekzistencës politike të koalicionit Berishë-Metë ka rënë.
Berisha thotë se fajin për këtë e ka opozita. Nuk po merremi me pubertetin politik të 70 vjeçarit Berisha. Paaftësia e tij me gjasa psiqike, për të gjetur faj te vetja, e përzier me mburrjet pa vend e pa lidhje as me moshën e as me vitet e gjata në politikë, janë të njohura. Prej 97-s e këtej, historia e tij politike ka një listë të pafundme justifikimesh për dështimet; përherë dikush apo dicka tjetër ia ka fajin, që nga CIA e deri te eklipsi i hënës, e së fundmi opozita. E lëmë pra, mënjanë këtë, sepse njerëzit janë lodhur me këtë temë dhe është e tepërt t’i hysh spirales së shfajësimeve të këtij ‘burri shteti’ sepse të duket sikur merresh me një fëmijë 3 vjeçar që pasi ka shurrosur në gjumë dyshekun, të thotë që erdhi natën gogoli dhe bëri shurrën.
E ardhmja është e rëndësishme, – po thonë të gjithë, – përfshirë Berishën. E ardhme e çuditshme, kjo, pa ndëshkim për krimet. Por le të rrimë te ajo gjithsesi. Ky popull, kjo shoqëri e vogël në Ballkan ka bërë një kontratë me koalicionin që drejton Berisha: Kontrata është kjo: Premtove integrimin, more pushtetin. Nuk kishe as shumicën pas zgjedhjeve të 2009; e bëre shumicën me vota që ishin dhënë për të të hequr ty nga pushteti. E bërë këtë shumicë të pazakontë me qëllimin e “integrimit”. Nuk ia arrite qëllimit, dështove. A ke më arsye për të qenë njëra palë e kësaj kontrate?
Ah, po.. Dikush tjetër e paska fajin që kontrata nuk u përmbush!! Po kjo është njësoj si të shesësh shtëpinë të bësh kontratën për X vlerë dhe pala tjetër pas firmosjes të të thotë “shiko t’i shok se ne kështu e bëmë kontratën po unë nuk t’i jap dot ato lekët e shtëpisë se ashtu më pengon një gjë e më ka dalë një problem…” A thua ka ndonjë shqiptar, kinez apo brazilian që e pranon një gjë të tillë? Shembulli mund të duket i thjeshtëzuar por thelbi është i njëjtë në të dyja marrëdhëniet: nuk mundesh edhe të mos përmbushësh detyrimin që ke firmosur, arsyen për të cilin të është dhënë pushteti, dhe të vazhdosh të rrish në pushtet. Njëra përjashton tjetrën.
E megjithatë, të gjithë e dimë: Kjo qeveri e “integrimit” do vijojë të qeverisë, pavaresisht të gjitha krimeve, traumave dhe dëmeve afatgjata që i ka shkaktuar kësaj shoqërie. Së paku deri në 2013. Me këtë duket se kanë rënë dakord të gjithë, përfshirë opozitën. Kjo e fundit mes lëngatës së një shoqërie të kapur keq nga e liga – dhe mbylljes së syve, veshëve dhe zemrës të sugjeruar nga ambasadorët, zgjodhi të dytën. Kam një joshje të jashtëzakonshme të shkruaj çfarë do ndodhë me opozitën dhe rrjedhimisht me shoqërinë shqiptare pas kësaj. Më duket e qartë si drita çfarë do ndodhë. Por nuk po ia lejoj vetes spekullimet. Qofsha i gabuar. Kurrë në jetë nuk kam dëshiruar me kaq forcë të jem i gabuar. Do shohim si do vejë. Shpresojmë të jemi ende këtu.