Ridënimi i Zhani Cikos, lartësimi i Eliza Dushkut

0
50

Nga Kiço Blushi

Këto ditët e fundit është njoftuar se Bashkia e Patosit, më saktë këshilli i ri bashkiak i këtij qyteti paska vendosur t’i heqë emrin e Zhani Cikos një shkolle meqë ky, sipas një letre të familjarëve të këngëtarit të shquar, Llukë Kaçaj, ka marrë pjesë në gjyqin politik kundër tij. Ndërkohë në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak të kryeqytetit është paraqitur propozimi që aktores amerikane Eliza Dushku t’i miratohet emërimi “Ambasadore e qytetit të Tiranës”. Të dy këto emra i bashkon jo vetëm arti dhe origjina korçare, por edhe politika e mbrapshtë e natës sonë të gjatë në këtë lloj tranzicioni, i cili, ose të dënon e të harron, ose të jep merita, lavd e tituj, ashtu si të bën me prona pa qenë pronar…

Sigurisht në vartësi të përkushtimit e të rreshtimit politik. Ndërsa Zhani Ciko ka kontribute të çmuara, gjysmë shekullore, në kulturën kombëtare, për Eliza Dushkun nuk mund të thuhet se ka ndonjë lidhje me kulturën shqiptare, madje as me atë amerikane, jo vetëm se ende është një çupëlinë në hapat e parë, por edhe se deri tani ka luajtur disa role në dy apo tri telenovela mes mijërave të tilla që xhirohen në botë dhe Amerikë…

Të dy këta artistë janë të dënuar nga mediokriteti që ka pushtuar nivelet më të larta të pushtetit të sotëm. Njëri poshtërohet, tjetri nderohet për faj të politikës. Në të dy rastet “sebepçiu” është Lul Basha, sepse Zhani u bashkua me forumin e intelektualëve, kurse Eliza erdhi kasten nga SHBA-ja dhe shkoi drejt e në Bashki për të pozuar, uruar e lavdëruar kryetarin e ri….Pra, në se Bashkinë e Tiranës nuk do të ishte emëruar Basha, pa asnjë dyshim Dushku nuk do të bëhej kurrë “ambasadore” e Tiranës, ashtu si po ta kishte fituar shumicën e këshillit në Patos PD-ja, nuk do t’i hiqej Cikos emri nga shkolla…

A ka burrë që e kupton këtë “kandar”?

Kaq mjafton, besoj, për të kuptuar absurdin e peshores së vlerave! Qëndrimi poshtërues që po mbahet nga një qytezë e provincës ndaj maestros Zhani Ciko dhe lartësimi në shkallën e një ambasadoreje nga kryeqyteti për aktoren amerikane Eliza Dushku shpjegon më së miri se sa përkeqëzisht është degraduar tek ne sistemi i vlerësimit të figurave, sigurisht jo vetëm në art e kulturë, por në të gjithë hierarkinë kombëtare, shkencore, intelektuale, akademike, e, mbi të gjitha, në atë politike.

(Shikoni p.sh, përfaqësimin e shumicës së deputetëve në Kuvend!). Janë përçudnuar jo vetëm tekstet e shkollave, emrat e rrugëve, por edhe titujt ‘Mjeshtër i Madh’ apo ‘Nder i Kombit’, të cilat i jep çdo javë Presidenti i Republikës, pa xhevap e pa hesap…Po kështu po veprohet nga kryeministri aktual me pensionet “speciale” që akordohen për “trafik influence” aq bujarisht vetëm për militantët dhe për altoparlantët vetjakë, të partisë private që është në pushtet…Pas këtyre shembujve të përditshëm kanë hyrë tashmë në lojë edhe kryetarët e bashkive e të komunave e këshillat e bashkive për dhënien e titujve ‘Qytetar, apo ‘Katundar Nderi’ për të çfarëdoshmit që “janë me ne”…

Nuk është çudi që edhe komunat e kalasë së Dodës dhe të Skraparit, së shpejti, të emërojnë e të zbulojnë “ambasadorë” në të katër cepat e zgëqet e vendit të cilët, me gjasë do të “na promovojnë” e do të bëjnë namin me spote, deklarata e reklama rrëzëllitëse nëpër botë… Janë bërë si këmbët e dhisë të gjitha ofiqet, titujt, janë bërë si këmbët e dhisë të gjitha ofiqet, titujt, çmimet, gradat, postet, nderet, medaljet…Sot në vend që të të thonë xhaxho, apo xhajë, të thonë Presor, edhe pse nuk di shkrim e këndim!

Para ca ditësh më rrëfyen se një kryetar komune shpalli “Katundar Nderi” një biznesmen, vetëm pse ky e kishte origjinën nga katundi në fjalë, por edhe pse pat premtuar të investonte në ndërtimin e një rruge rurale…Biznesmeni, gjatë ceremonisë, njëlloj si dikur “gjeneral” Xhaferi në Përmet, u mallëngjye aq shumë sa i tha kryetarit të komunës në se dëshironte ndonjë nder tjetër…

Dhe kryetari i komunës, meqë ishte nga natyra modest, pasi u mendua një hop, fërkoi pak kokën dhe zverkun e djersitur nga sikleti dhe i kërkoi…një diplomë për jurist si shpërblim! Nuk e di nëse biznesmeni e mbajti apo jo fjalën, por jam i bindur se blerja e një diplome do t’i kushtonte shumë më pak se hapja e një rrugë për fshatin, ashtu si diploma do të vlente për kryeplakun “arsimdashës” ku e ku më shumë se çelja e rrugës…

Pra, nuk mund të thuhet se ndër ne nuk ka kritere për vlerësimin e figurave. Sepse edhe “diploma”, edhe titulli “Qytetar Nderi”, apo ca më tepër një pension special, jepen me ca kritere përmbi kriteret, të panjohura më parë të pangjashme me botën…Në këtë kohë të neoliberalizmit berishian, ku si thotë një [poet mundtë martohet trëndafili me xhabën, nuk ka rëndësi se ç’je, se ç’merita ke, po ç’pasuri ke, në anë e kujt je; dhe pas kësaj, pra pasi të kesh zgjidhur e gjetur rrugën (personin me pushtet) e duhur, vjen halli: a ke tituj, si p.sh, DR,PR, akademik, Mjeshtër i Madh, Nder i Kombit… që të bësh karrierë e pastaj të hysh në histori?!

Kriterin e kësollojë nuk mund ta quash mirëfilli politik, si ndodhte në diktaturë, pasi “peshorja” e vlerësimit dhe e klasifikimit të figurave kombëtare tashmë është degraduar në atë farë feje, sa pa frikë mund ta cilësosh: kriter mediokratik, sipas thënies së famshme të Nolit: pyka shtyn pykën! Në të gjitha nivelet, jo vetëm nëpër emërime, tani nuk ka e nuk gjen mall më të lirë se blerja e titujve, e famës, e lavdisë, e postit, madje edhe e pavdekësisë!

Kështu, nëse një aktor estrade apo këngëtare tallavaje ka marrë pjesë në fushatë pranë një kandidati, dhe ky, nëse fiton zgjedhjet e pajis këngëtarin apo aktorin (çuditërisht si në diktaturë, edhe në këtë biçim demokracie aktorët dhe këngëtarët janë më të preferuarit!) jo vetëm me një titull të lartë, por e bën edhe deputet, edhe ambasador, edhe Nder a Mjeshtër të Madh, madje edhe anëtar të “Komitetit Qendror” të partisë përkatëse…Për ilustrim mund të sillen shumë emra, por besoj se nuk ja vlen…

Nuk besoj se gjen dot një tjetër vend në botë që brenda disa javësh të organizojë njëkohësisht festivale ndërkombëtare për filmin në Durrës, në Pogradec, në Shkodër, në Tiranë, në Prishtinë, në Fier (për aktrimin), në Elbasan…në një kohë që në Shqipërinë tonë, përherë “të vendeve të para”, nuk ka kinema, nuk ka prodhim filmi, nuk ka, përveç Tiranës, jetë teatrore e le më pastaj artistike…
Por ne, ama, bëjmë festivale ndërkombëtare të filmit, madje ja tek pranon të vijë në Durrës edhe regjisori amerikan Frensis Koppola, madje edhe aktorja Klaudia Kardinale!…

Afërmendsh, këto dy vizita turistike të spozorizuara nga Bashkia e Durrësit nuk kanë asnjë lidhje me zhvillimin e kulturës dhe të artit shqiptar, i cili ndodhet në pozitën më mjerane të mundshme për shkak të fondeve të vobekta, por edhe pse është shkatërruar qëllimisht sistemi i vlerave kombëtare… Pikërisht për këtë arsye, pra ngaqë si minjtë që ndjejnë tërmetet ata e nuhatin më lehtë se ne këtë rropamë, gjithë fqinjët tanë, grekët, turqit, maqedonasit, bullgarët, serbët, njëri pas tjetrit, në korr, si me urdhër po kërkojnë me ngulm rishikimin jo vetëm të historisë, po edhe të figurave kombëtare, deri te Skënderbeu, apo edhe te abetarja…!

Pikërisht prej kësaj amnezie të frikshme duket e natyrshme edhe përndjekja që i bëhet Xhani Cikos, a thua se ai e ka vënë vetë emrin e vet në shkollë…Bashkë me shpalljen e habitshme të Eliza Dushkut ambasadore e kryeqytetit, bashkë me gjithë ato festivale ndërkombëtarë të filmave në një vend pa kinema dhe pa prodhim kinematografik, edhe harresa e qëllimshme e 100-vjetorit të poetit më të madh të shekullit të kaluar, Migjenit, janë shembuj ndoshta tepër modestë, por ama tejet të trishtueshëm të katrahurës që ka ndodhur e po ndodh, pa e çarë kush kokën, në hierarkinë tonë të vlerave.