Kjo është urrejtje! Grekët ndezin luftën me Gjermaninë

0
49

TemA, 7 Tetor 2011

Është vështirë të kalojë një ditë në median gjermane pa një shkrim kundër grekëve. Por edhe këta të fundit nuk kanë të ndaluar. Gjermanët i quajnë grekët dështakë, mosmirënjohës, të korruptuar e të papërgjegjshëm. Kurse grekët u përgjigjen duke u kujtuar nazizmin.

Një fotomontazh ku duket Hitleri me kancelaren Angela Merkel është bërë lajtmotivi i protestës së grekëve përpara ambasadës gjermane, në prag të vizitës së zëvendëskancelarit Filip Rosler. Kancelaria mban vëthë me kryqin nazist ndërsa përqafon Hitlerin. Por nuk ndalet me kaq.

Në televizionin Mega, Rosler është fyer në emisionin e mëngjesit. “Çfarë do ky gjermano- japonez në Greqi? Gjermania e Japonia janë aksi i Luftës së Dytë Botërore, këta janë nazistët”, deklaroi moderatori.

Në gazetën “To Vima” shkruhet: “Nëse Gjermania do na kishte paguar reparacionet nga Lufta e Dytë Botërore, Greqia nuk do kishte probleme kaq të mëdha me borxhet”.

Kurse gazeta “Ethnos” duke publikuar një foto të Oktoberfest, shkruan: “Gjermanët dehen në kurriz të të tjerëve. Ata pinë për shëndetin e BE- ne vuajmë nën urdhrat e tyre. Duket se e kanë si zanat këtë”.

Në një spot radiofonik të sindikatave thuhet: “Anëtarësohuni në sindikatë. Nazistët po vijnë, ne do ju mbrojmë”.

Ndërsa zëvendëskryeministri Theodors Pangalos në një intervistë tha: “Gjermanët na kanë vjedhur arin e paratë në Luftën e Dytë Botërore. Ata janë racistë dhe moralizues”.