Zeni i Thaçit, jo Zeni i Doktorit

0
35

Nga Bledi Mane Public Enemy, 12 Janar 2012
facebook.com/bledi.mane

Zeni Ballazhi quhet piktori shqiptaro-maqedonas që u shpall fitues me logon e tij për festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë. Ministri Aldo Bumçi me krenari deklaroi sot se konkursi mbarëkombëtar me pjesëmarrjen e 24 artistëve lokalë më në fund kishte zgjedhur idenë dhe logon fituese që do të mbushë Shqipërinë anembanë deri në nëntor.

Intuita e profesionit më çoi te Google të kërkoja ndonjë info rreth piktorit Ballazhi, ndërsa Google më çoi te ueb-faqja zyrtare e piktorit. Kushdo mund të lundrojë në këtë adresë, por mos pretendoni të shikoni e të shtangeni nga kryevepra apo instalacione mahnitëse.

Më duhej të kërkoja më tepër rreth artistit dhe ndryshe nga çfarë thotë Aldo apo Doku (doktori), Zeni (jo i doktorit) por Ballazhi nuk është artist kosovar, por një shqiptar i Maqedonisë i diplomuar në Tiranë dhe i masterizuar në Prishtinë. Keq më vjen për paratë që harxhova, por e telefonova në numrin e tij në Kosovë.

Pretendoi se unë isha i pari që i dhashë lajmin dhe deri më tani (ora lokale e Tiranës 19:57 pm) nuk e ka njoftuar askush as zyrtarisht, as privatisht.

Në intervistën telefonike Zeni thotë që e ideoi dhe e grafosi vetë logon e festës së 100 të pavarësisë dhe kulminacionet e karrierës së tij artistike 14 vjeçare janë: të qenurit student i artistit dhe akademikut Adi Hila dhe puna me citatin e së ndjerës Nënë Tereza (mbahu Gonxhe mbahu) shkruar me bojë të zezë mbi një lëkurë deleje (Si për ilustrim po ua sjellim me foto kryeveprën e Ballazhit).

Zeni pretendon se nuk ka asnjë lidhje politike as këtej e as andej tunelit, pretendon se ka zbatuar rregullat strikte të konkursit të Aldos, ka respektuar ngjyrat kuq e zi në logon e fantazuar dhe se dykrerëshen shqiponjë tonën e ka përshtatur artistikisht për të simbolizuar shqiptarizmën dhe pavarësitë e cunguara.

Ndryshe nga vende të tjera apo institucione përgjegjëse që organizojnë apo dizajnojnë në raste jubilare a përvjetorësh historikë, ministria e Kulturës thjesht njoftoi çeljen e konkursit dhe kurrë nuk bëri një debat publik. Nuk pyeti as specialistë e historianë, as komunitet artistësh e as narratorë e kuratorë. Zeni pretendon se është zgjedhur falë idesë dhe punës me meritë, por ndryshe nga transparenca e nevojshme ministria e Aldos dhe Aldo i Doktorit nuk na i shfaqën fare 24 idetë dhe punët e 24 artistëve të tjerë konkurrues.

Zeni Ballazhi pretendon se nuk njeh as Berishë e as Thaç, por sot si për koincidencë Thaçi andej tunelit shante kuqezinjtë dhe 21 janarin, Berisha këtej tunelit shpallte logon e një shqiponje gjysëm të rrjepur emblemën e indipendencës.

Mbaj mend debatin që plasi në Britani kundër logos së Lojërave Olimpike Londër 2012. U mblodhën 50 mijë firma për peticion e media u çel për opinione specialistësh dhe komunitetin. Debati publik ishte fantastik dhe agjenxia e famshme e dizajnit Wolf Olins nuk vuri veto siç vë kryeministri. Mirë do të ishte që edhe këtu kremtimi i festës sonë të përbashkët të fillonte me një tavolinë rrumbullake debatesh në Vlorë-Tiranë-Tetovë-Prishtinë e pasi të pyeteshin specialistë a mendje të bukura të dilte më në fund doktori të valëviste logon fituese para kamerave.

Zeni Ballazhi pretendon se u përzgjodh krejt rastësisht. Pretendon se u vlerësua më i miri prej punës së tij, por unë ia thashë edhe në telefon edhe tani në opinion që deri tani më duket shumë mediokër ai si artist dhe vetë logoja që prodhoi.

Askund nuk gjeni punime mahnitëse pikture nga Zeni e as kritika e artit vendas nuk e njeh për emër.

Në ministrinë e Kulturës qeshin duke thënë se Aldo Bumçi e selektoi vetë fituesin ngaqë emri Zeni e tremb pa masë. Ndërsa ne të tjerëve që nuk na tremb dot Zeni, po na tremb kjo shqiponjë që valëviste Doku (doktori) para syve të Gencërve, Medinjve, Majlindërve, Petritërve.

Harrova tu them të mos e besoni Berishën edhe kësaj rradhe.

Në hapjen e fjalës së tij në mbledhjen e djeshme të grupit të punës, theksoi se “monumenti që do të përkujtojë 100-vjetorin duhet të ngrihet, ndërsa Ministria ka shpallur konkursin për të përzgjedhur projektin fitues”. Të ideosh, allçizosh dhe derdhësh në bronz një monument gjigant heronjsh pavarësie pavarësisht euforisë bjeshkërore gjenetike nuk mjaftojnë 10 muaj që kanë mbetur.

Berisha e hap thesin çdo fillim muaji e çdo fillim viti, mbaj mend vjet kur premtonte për stadium të ri dhe parlament të ri.

E tmerrshme kur e dëgjon tek ia fut pordhës dhe më e keqja është se pas moshës 60 vjeçe qenia humane të kutërbon me aromat e mykura që fërshëllen nga anusi. E tmerrshme kur e dëgjon tek ia fut pordhës kot dhe ne taksa paguesit rrimë e dëgjojmë krejt indiferentë. E tmerrshme është kur ia fut pordhës kot, po na e ndyn edhe një shekull pavarësi!