Moikom Zeqo: Ju rrëfej takimin tim me Tomas Transtromer

0
37

BalkanWeb, 07 Tetor 2011

TIRANE – Vera e nxehtë qe marra mendëse, megjithatë në brigjet e Strugës nuk ndihej kaq rëndë dhe në mënyrë rraskapitëse. Struga në një farë mënyrë është kthyer në një pikë poetike, ku prezantohet poezia botërore dhe ku kanë ardhur poetë të shkëlqyer nga i gjithë planeti. Dikur, kjo veprimtari bëhej akoma më e bujshme dhe në një farë mënyre edhe më e kushtueshme. Vit për vit jepet kurora e poetit më të mirë të netëve poetike të Strugës. Për vitin 2003 kurora ju dha poetit të madh suedez Tomas Transtromer.

Prej shumë vitesh e kam përcjellë krijimtarinë e këtij poeti të çuditshëm. Duke qenë shpeshherë nopran e tekanjoz në shijet e mia shpesh kam menduar se dhe poetët mitizohen ashtu siç mitizohet çdo gjë, falë dhe funksionimit të kudogjendshëm të mediave elektronike si dhe të perandorisë së shtëpive botuese, të reklamave të tregut të librit në krejt planetin.

Nga që e njoh mirë krijimtarinë e Tomas Transtromerit pata një kuriozitet shumë të madh që ta takoja personalisht këtë krijues të jashtëzakonshëm.

Takimi
Në hotelin e madh të Strugës po rrija në kolltukët e hollit kur u shfaq Tomas Transtromer. Kisha dëgjuar para shumë vitesh, më saktë para 12 vjetësh, që poeti kishte pësuar një paralizë. Prej saj kishte pasur pasoja të rënda, i kishte ikur e folura, i qe bërë e palëvizshme dora e djathtë dhe kishte vështirësi të mëdha në të ecur.

Gjithsesi nuk mendoja që shëndeti i tij mos qe përmirësuar dhe ai mos të qe restauruar trupërisht. Kur e pashë që po lëvizte i ulur në një karrocë me rrota të invalidit, që e shtynte gruaja e tij e bukur dhe serioze, Monika, ndjeva një tronditje shpirtërore. E takova menjëherë dhe e përqafova. Por detyrimisht fola në anglisht me Monikën, e cila në këtë dyshe bashkëshortore qe e vetmja që përgjigjej.

I thashë se jam një poet nga Shqipëria dhe vlerësoj jashtëzakonisht lart poezinë e Tomasit. Gjatë ditëve të qëndrimit në Strugë u takuam disa herë së bashku, qëndruam dhe diskutuam me njëri-tjetrin. Epiqendra e gjithë bisedave dhe dialogëve tanë qe shprehimisht dhe substancialisht Tomas Transtromer. Personaliteti i figurës së tij qe rrezëllitëse, zotërues, i shumëfishtë, i padiskutueshëm. Bëmë disa fotografi me Tomasin dhe me Monikën. Morëm pjesë në konferencën e shtypit që u bë me këtë rast.

Komunikimi midis tij dhe Monikës qe i çuditshëm. Tomasi i dëgjonte pyetjet pasi ia përkthente ato në suedisht Monika. Tomasi e ka ditur shkëlqyeshëm anglishten, por si pasojë e paralizës ai ruante në kujtesë vetëm gjuhën amtare, suedishten. Të dëgjuarit e Tomasit qe gjithçka. Ai reagonte ndaj përcjelljes së pyetjeve prej së shoqes dhe në këtë mënyrë qe krijuar një kod gjestesh dhe të disa fjalëve të rralla për të dhënë karakterin pohues apo mohues të përgjigjeve që bëhej tashmë prej Monikës, bazuar dhe në njohjen shumë të thellë dhe intime të jetës dhe të krijimtarisë së të shoqit.

Ky komunikim tepër i çuditshëm dhe i brishtë kishte krijuar një perfeksion, ku bënte që tek dëgjuesit të ringjallej një komunikim apo dialogim “sui generis”. Vetëkuptohet që Monika mund ta përfaqësonte konvencionalisht poetin e papërsëritshëm Tomas Transtromer. Por në thelb ajo e pasqyronte të vërtetën, që harmonizonte pyetjet me përgjigjet. Unë bëra disa biseda me Monikën, e cila tregoi një interes të jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Ky poet i madh qe si ato personazhet e mëdhenj të filmave pa zë.

Dihet se filmat pa zë bënë një epokë të papërsëritshme, por Tomasi nuk qe as konvencionalisht pa zë. Zëri i komunikimit me anë të gruas buronte nga qenia e tij. Ajo më e çuditshmja dhe më tronditësja qe se ai shkruan me dorën e majtë ndonëse me vështirësi dhe se mendja e tij ishte e fuqishme dhe se ai kishte krijuar gjatë viteve të fundit libra të rinj poetikë. Dora e majtë bënte çudira te Tomasi, vetëkuptohet që çudirat qenë të vetë Tomasit.

Ai rrinte me orë të tëra mbi tastat e një pianoje dhe u binte tingujve me gishtat e dorës së majtë. Kishte krijuar dhe vetë melodi, por dhe disa miq të tij, kompozitorë të famshëm evropianë i kishin dërguar partitura të veçanta, të paracaktuara, që ai t’u binte melodive vetëm me një dorë. Në këtë mënyrë Tomasi kishte krijuar një rekord vetjak dhe se ai mund të ishte sot intelektuali i vetëm që sintetizonte në të njëjtën dorë edhe poezinë dhe muzikën. Vullneti i tij është kështu i pamposhtur dhe një dëshmi e plotfuqishme e racës njerëzore.

Nuk ndihej tek Tomasi jeshillëku i njelmët i depresionit, kufizimi i lëvizjes së gjymtyrëve të trupit që ndoshta një shaka e zymtë, por lëvizja e pashtershme e trurit dhe talentit të tij arrinin kështu në një akord madhështor, të paharruar, mësimdhënës për të gjithë ne vdekatarët e zakonshëm, ankimtarë e të mërzitshëm për gjërat më të vogla dhe mediokre. Në këtë kuptim Tomas Transtromer është një hero i pasionit dhe i mbijetesës, i grishjes poetike dhe papajtueshmërisë me plogështinë dhe banalitetin.

Poeti

Nuk ndihej tek Tomasi jeshillëku i njelmët i depresionit, kufizimi i lëvizjes së gjymtyrëve të trupit që ndoshta një shaka e zymtë, por lëvizja e pashtershme e trurit dhe talentit të tij arrinin kështu në një akord madhështor, të paharruar, mësimdhënës për të gjithë ne vdekatarët e zakonshëm, ankimtarë të mërzitshëm për gjërat më të vogla dhe mediokre.

Në këtë kuptim Tomas Transtromer është një hero i pasionit dhe i mbijetesës, i grishjes poetike dhe papajtueshmërisë me plogështinë dhe banalitetin. Tomas Transtromer është mjeshtër i lartë dhe posedues dhe rikrijues i virtytit të thellë. Ai nuk fton që të jetë një mësim morali, ai e tejkalon vetveten, pavarësisht nga të papriturat dhe fatkeqësisë. Është tepër krenar për t’u përshtatur, është tepër rebel për t’u tërhequr.

Kjo këmbëngulje e tij titanike është në raport të drejtë me talentin e tij të madh. Kur u bë ceremonia për mbjelljen e pemës për nder të tij ai u ngrit nga karroca me rrota dhe me dorën e majtë gjithsesi e kapi lopatën dhe hodhi pak dhe mbi gropën ku u mboll pema. Pikërisht ky moment kur ai e mbolli vetë pemën mendoj se krijon metaforën më të bukur të tij dhe se pema qe e denjë për poetin, kurse poeti qe i denjë për të gjitha pemët e botës, pa harruar këtu në asnjë mënyrë kryepemën e tij shpirtërore, të shkrimit, të rrënjëve dhe të degëve poetike në kohë dhe në hapësirë.

* * *

Unë e kam njohur krijimtarinë e tij gjatë viteve dhe kur mora vesh se ai do të vinte në Strugë, u nisa dhe unë në Strugë me motivin e vetëm për ta takuar atë. Për mendimin tim krijimtaria poetike e Transtromerit përbën majën më të lartë të poezisë evropiane të sotme.

Palimpseset e Transtromerit: “Horizont i pafund, diçka duan të thonë të vdekurit që s’hanë, që s’marrin frymë, por ende kanë zë, katedralja është si Hëna që bën batica, të zgjohesh është si të hidhesh me parashutë prej ëndrrës, një udhëtar vjen që nga thelbi i mëngjesit…” Bëra disa biseda me Monikën dhe i thashë se dëshiroja që të vinin në Shqipëri dhe se Shqipëria mund ta gjallëronte poetin e madh. Monika iu përgjigj pozitivisht kësaj kërkese. Në çastin e ceremonisë së dhënies së kurorës brenda katedrales së Shën Sofisë në Ohër, ku ka qenë dhe Onufri ynë si funksionar i lartë i Patriarkanës së Ohrit në shekullin XVI, të gjithë prisnin se çdo të bënte poeti madhështor Tomas.

Brenda katedrales kishin vendosur një piano. Tomasi u ul në piano dhe me dorën e majtë i ra si magjistar dy melodive të jashtëzakonshme. Tingujt në këtë mënyrë artikulonin zërin e tij të humbur. Këta tinguj falënderonin, ndërsa në realitet falënderuesit ishim ne të tjerët. Muzika kështu shpaloste tërë qenien e poetit Tomas Transtromer, duke e shpërndarë në kozmos dhe në brendësinë e qenieve tona.

Nga libri “Anima mundi” i Moikom Zeqos, “Ombra 2011”(Shkrimi u botua sot ne Gazeta Shqiptare)
(s.g/balkanWeb)