Zarfi i pahapur i kryeministrit tonë

0
64

Mero Baze

Nga Mero Baze

Në fund të muajit prill të këtij viti, kryeministri ynë udhëtoi drejt Pragës me një zarf nën sqetull, edhe pse gjithë zyrtarët evropianë e paralajmëruan të mos e bënte atë udhëtim. I vendosur ta përdorte deri në fund për fushatë elektorale “aplikimin” e Shqipërisë për anëtare të Bashkimit Evropian, kryeministri, Sali Berisha, bëri sikur nuk dëgjoi askënd. As komisionarin Olli Rehn që e këshilloi të aplikonte pas zgjedhjeve, as diplomatët e tjerë perëndimorë, që konsumuan gjithë metaforat e mundshme për t’i thënë që nuk je i mirëpritur.

Me një vendosmëri donkishoteske, duke u përpjekur ta çajë rrugën drejt Evropës me pazare personale, ai vendosi t’i shkonte deri në fund vendimit të tij. Shkoi në Francë dhe i premtoi Sarkozisë tenderin e helikopterëve që ushtria jonë do të blejë në kuadrin e futjes në NATO dhe ai ia mbështeti dëshirën për të çuar kërkesën me zarf në dorë në Pragë. Tani që helikopterët duhen blerë diku, i ka dërguar Arben Imamit Fazlliçin për sekser.

Thirri në Tiranë kryeministrin Karamanlis dhe i firmosi gjithë kërkesat që ai i vuri përpara, përfshi dhe marrëveshjen skandaloze për kufirin ujor me Greqinë. Tani që Karamanlisi ka ikur dhe këtu ka plasur skandali, thirri në ndihmë Berluskonin dhe Frattinin të shuanin zërat kundër tij në Bruksel dhe ata bënë sa mundën, por tashmë Berluskoni ka probleme me ligjin në shtetin e vet dhe s’e ka mendjen njeri tek halli që ka kryeministri ynë. Pjesa tjetër e Evropës as ishte dakord atëherë, as është dakord tani me atë gjest politik elektoral që Berisha ka bërë në fund të prillit.

Por, pavarësisht kësaj, pranimi i kërkesës është një gjest shumë teknik. Edhe Mali i Zi, që është ende i padëshiruar në BE, e bëri kërkesën pa pyetur Evropën, por ata ia morën në shqyrtim. D.m.th., e hapën zarfin e Gjukanoviçit dhe protokolluan kërkesat.

Me ne po ndodh gjëja më e rëndë e mundshme. Zarfi i Sali Berishës ka mbetur në një sirtar në Bruksel dhe nuk e hap askush. Shkaku që ata i kërkuan Berishës të mos nxitohej para zgjedhjeve, nuk kishte të bënte vetëm me keqpërdorimin elektoral që do t’i bënte dhe që i bëri Berisha, por dhe me faktin se ata duhet të shikonin se si do t’i zhvillonte Berisha zgjedhjet parlamentare. Përfundimi problematik i zgjedhjeve me një opozitë në rrugë që kërkon rinumërim dhe nuk i jepet, ekzistenca e një qeverie pa një plan për të zgjidhur krizën me opozitën, e ka rritur aq shumë distancën e Berishës me Brukselin, sa po e trajtojnë si rast të veçantë duke e poshtëruar deri në atë shkallë sa të mos t’i hapin as zarfin që u ka çuar që në prill.

Pra ne nuk kemi humbur asgjë nga mosshqyrtimi i kërkesës. Ne kemi humbur nga vendimi për të mos e shqyrtuar, pasi po kuptojmë se jemi në pozita shumë poshtëruese në raport me këdo që ka aplikuar për t’u anëtarësuar në BE.

Zarfi i pahapur i kryeministrit Berisha, që po rri sirtarëve të Brukselit, nuk na vonon në rrugën tonë drejt Evropës, pasi ajo rrugë ka detyrime konkrete dhe ne jemi shumë larg atyre. Ai zarf ishte një përpjekje për ta çarë rrugën drejt Evropës me truke elektorale dhe pazare dypalëshe, gjë që nuk funksionon në një Evropë të Bashkuar.

Mos-hapja e zarfit të Sali Berishës nuk duhet të na fyejë si shoqëri dhe as si komb, pasi ai nuk përfaqësoi vullnetin tonë ditën që shkoi si i marrë pa pyetur askënd në Pragë, madje në kundërshtim me këshillat e miqve tanë perëndimorë. Ai shkoi atje për të na gënjyer dhe për të keqpërdorur Shqipërinë, pasuritë e saj dhe fuqinë e pushtetit të tij, në funksion të zgjedhjeve që ishin përpara. Kjo gjë u kuptua qartë në Bruksel dhe qëndrimi politik ndaj zarfit të pahapur të tij është një sinjal se udhëtimi pas tij nuk na çon askund.

E ritheksoj se hapja e zarfit dhe protokollimi i kërkesës nuk përbën asnjë hap përpara për Shqipërinë në rrugën drejt BE, edhe sikur të ishte bërë. Ai është thjesht një sinjal për qëndrimin politik që BE ka ndaj Sali Berishës. Edhe sikur ta hapnin atë zarf që javën që Berisha e çoi në Pragë, dhe sikur të hapnin që ditën e parë që u rimblodh Komisioni në Bruksel pas pushimeve, dhe sikur ta hapnin dhe ta miratonin dje, nuk ishte ndonjë fitore e madhe, ishte thjesht procedurë.

Mos-hapja është skandal dhe është shuplakë politike ndaj kryeministrit Berisha për t’i treguar se keqpërdorimi që ai po përpiqet t’i bëjë rrugës evropiane të Shqipërisë, refuzohet në Bruksel.