Ismail Qemali, 30.12.2009
Në pjesën e dytë të rrëfimeve të burrit të shtetit, Ismail Qemali, marrë nga vëllimi “Kujtime” të hedhur dy ditë më parë në treg nga shtëpia botuese “Toena” dhe përkthyer nga anglishtja prej Abdurrahim Myftiut, vijnë historitë e vitit 1908, kur Turqia ishte në një situatë kaotike. Ismail Qemali tregon për lëvizjet e tij nëpër shumë vende të Mesdheut dhe të Europës, duke takuar shtetarë të huaj, shqiptarë të mërguar, apo komunitetet e shqiptarëve.
Një vend të veçantë zënë marrëdhëniet e tij me Sulltanin, I cili nga armiqësia me të, kalon te konsultimi për të ardhmen e perandorisë. Ismail Qemali nuk kursehet të japë këshilla, duke qenë I bindur se fati I Turqisë, është në interes të paqes.
Ndërsa disa ishin për përdorimin e forcës dhe ngritjen në revolucion, të tjerë ishin për hapa më të matura e më të ngadalshme, Ismail Qemali thotë se ishte për ndërmarrjen e një aksioni, që do të shkaktonte alarm në Evropë dhe do të tërhiqte vëmendjen e saj, çka do të bënte që Sulltani të detyrohej të binte në ujdi pa tronditje tepër të mëdha në vend.
Por plani i tij për të shtënë në dorë ndonjë pikë mbizotëruese, si Selaniku, për shembull, ose Bolajiri, i cili është çelësi i Dardaneleve, me një forcë të armatosur, dhe prej andej t’i diktoheshin kushtet Sulltanit, dështoi.
Libri “Kujtime” u botua për herë të parë në 1920, një vit pas vdekjes së themeluesit të shtetit shqiptar, nga bashkëpunëtori I tij William Morton Fullerton dhe ai ka mbetur, siç thotë anglezi, cung, si vetë shteti të cilit I shërbeu.
WILLIAM MORTON FULLERTON
Kur shpërtheu Lufta me Gjermaninë, Ismail Qemal Beu, tashmë shtatëdhjetë vjeç e kusur, pa në atë kataklizmë mbi të gjitha një mundësi për ta mbyllur jetën siç e kërkonte arsyeja, duke i bërë nder Shqipërisë.
Ai vendosi, në frymën e Liberalizmit të tij të një gjysmë shekulli më parë, por me disa iluzione për suksesin e aventurës së tij, të shfrytëzonte, deri në cakun e mundësive të Atdheut të shtrenjtë, të gjitha parimet doktrinare, që ishin hedhur pa hesap nga Ëashington-i, si nga dora e shkathtë e një prestidigjitatori. Ai erdhi në Paris për të mbrojtur çështjen e “Shqipërisë” para Konferencës së Paqes.
Mirëpo dilte pyetja: “Çështjen e cilës Shqipëri?” Plaku i gjorë ishte simbol i zhgënjimit, që i priste ata pesëdhjetë popuj të ardhur me vrap në Paris sikur po vinin në një Mekë.
Çka ia shtonte patosin atij spektakli ishte se, për hir të vendit që ai dëshironte ta shihte të pavarur, Ismail Qemal Beu qe i shtrënguar njëfarësoj të ulte kryet, të bëhej baltë e t’u qepej prapa me përulësi Mbretërive e Fuqive, mes të cilëve, për shkak të interesave të kundërta të tyre, ngjyra e kulluar e përkushtimit të tij patriotik merrte hije kameleonike sipas rastit.
Kjo është e pashmangshme, sikundër qe e pashmangshme edhe që krerët, fiset dhe interesat e tjera shqiptare të kërkonin të shtynin më tej ambiciet e veta duke marrë nëpër gojë motivet e rivalëve. Në të vërtetë, një traktat i fshehtë ndërmjet Italisë dhe Aleatëve në fakt i kishte prerë të gjitha shpresat për një “vetëvendosje” reale për Shqipërinë. Mirëpo Ismail Qemal Beu ushqente shpresa të kota, dhe shpresën e mbante tek Amerika.
Nuk më del nga mendja kënaqësia e tij, kur më solli – diku nga shkurti i vitit 1918 – një copë letër të ardhur nga një Kuvend i “Partisë Kombëtare të Shqipërisë”, i cili kishte qenë mbajtur para dy muajsh në Ëorcester, Massachusetts, me anë të së cilës ai merrte kredencialet për të përfaqësuar koloninë shqiptare të Amerikës, me misionin “për të siguruar dhe garantuar pavarësinë e plotë politike dhe ekonomike të Shqipërisë”, dhe “për të siguruar ndryshime të tilla në kufijtë e Shqipërisë, që të përfshinin brenda saj ato treva, ose krahina, të populluara thuajse tërësisht prej shqiptarësh, dhe që pa shkak e pa të drejtë i qenë shkëputur prej Konferencës së Ambasadorëve të Londrës më 1912 e 1913 dhe u qenë dhënë Greqisë, Serbisë e Malit të Zi.”
Si mund t’i shkonte mendja Ismail Qemal Beut, pasi pranoi këtë mandat, si dhe shumën shoqëruese, se do të shembte shpresat e bashkatdhetarëve të tij bujarë, duke ua bërë të njohur karakterin pa dyshim të ndërlikuar të detyrës dhe barrës, që po i vinin mbi shpatulla – të ndërlikuar për shkak se bashkimi kombëtar dhe tërësia territoriale e Shqipërisë kishin qenë vënë në rrezik, jo vetëm prej “Konferencës së Ambasadorëve” të 1912-ës dhe 1913-ës, por edhe, madje më shumë, prej garancive sekrete të dhëna Italisë më 1915 për ta pasur realisht si protektorat atë vend?
Shtetari i moshuar u largua nga Parisi, duke lënë në duart e z. Story “Kujtimet” e tij të papërfunduara. Ato kanë mbetur cung, ashtu sikundër mbeti i cunguar shteti të cilit i shërbeu. Ismail Qemal Beu ndërroi jetë në Itali, dhe plani i tij mbeti i papërmbushur.
Mirëpo, edhe pse jeta e tij, nga pikëpamja e së bukurës, nuk ia doli, dhe ishte jetë plot trishtim, ai na ka lënë trashëgim, në këto “Kujtime”, një tablo të veçantë e të rrallë dhe – tani që heqja dorë e Amerikës, së bashku me ringjalljen e Rusisë e me përpjekjen pansllaviste bashkë me të, po përcakton në Stamboll politikën e shëndoshë të ruajtjes së tërësisë territoriale të pjesës më me vlerë të Perandorisë Osmane – një tablo sugjestive, e madje të çmueshme, të një bote të shuar, për të cilën disa prej nesh prej shumë kohësh kanë filluar të ndiejnë keqardhje.
Rrëfimi i themeluesit të shtetit shqiptar për shpërbërjen e perandorisë turke dhe çështjen shqiptare
Këshillat që i dhashë Sulltanit për të shpëtuar Turqinë
(Vijon nga numri i kaluar)
Në Egjipt gjithmonë ka pasur një koloni shumë të madhe me shqiptarë, myslimanë e të krishterë dhe tani komiteti i kësaj kolonie më njoftoi se kishte kënaqësinë t’u shkoja në Egjipt. Që herët kisha pasur dëshirë ta vizitoja këtë vend, prandaj dhe ftesa e ngrohtë e tyre më bëri të merrja rrugën për atje.
Në Kajro u prita nga Kedivi dhe këmbeva vizita me Lordin Cromer (i cili pati mirësinë të më shprehte konsideratë të veçantë për komitetin shqiptar) dhe me komisarin e Lartë për Turqinë, Gazi Muhtar Pasha. Ndërkohë që po i gëzohesha mikpritjes së bashkatdhetarëve të mi e të qarqeve politike në Kajro, filluan intriga për Shqipërinë, dhe më i habitshmi nga të tjerat ishte akti i Mehmet Ali Pashës, vëllait të Kedivit.
Megjithëse nuk e njihja personalisht, ai e informoi Sulltanin me telegram se unë i paskësha ofruar fronin e Shqipërisë, të cilin thoshte se e kishte hedhur poshtë meqë binte në kundërshtim me ndjenjën e besnikërisë ndaj Kalifit.
Kjo akuzë, e cila bëri të shpërblehej me gradën dhe titullin e Vezirit, duhet t’ia ketë vrarë ndërgjegjen, sepse, me rastin e vizitës sime të dytë në Egjipt, ai erdhi tek unë me iniciativën e vet për të ma shpjeguar e përligjur veprimin, i cili, sipas tij, kishte ardhur nga zelli i tepruar.
Pasi u ktheva në Romë, ambasadori erdhi e më takoi dhe më dëfteu një telegram nga Sulltani, në të cilin Madhëria e Tij e udhëzonte ambasadorin të më qortonte mua, sepse i kisha pas premtuar, kur u largova – veçanërisht të dërguarit të tij, Iliaz Beut – se nuk do të kisha të bëja më me politikën, dhe se, megjithatë, kisha shkuar në Egjipt, kisha bërë me dije se do të krijoja principatën e Shqipërisë dhe se fronin ia kisha ofruar vëllait të Kedivit.
Ai shtonte se, në rast se nuk i mohoja këto gjëra, ai do të më shpinte në gjyq. Në përgjigjen time i thashë se Sulltani e kishte gabim – unë nuk kisha premtuar se nuk do të kisha të bëja më me politikën. Kisha premtuar se nuk do ta sulmoja Madhërinë e Tij personalisht – premtim që e kisha mbajtur dhe kisha ndër mend ta mbaja.
Sa për Shqipërinë, unë nuk mund të ofroja fronin e një shteti që nuk ekzistonte, dhe, edhe sikur ta kisha bërë këtë, nuk kisha arsye, madje përkundrazi, që të parapëlqeja një princ egjiptian. Me gjithë mohimin, Sulltani bëri që të gjykohem për tradhti të lartë në gjykatën e Stambollit dhe si përfundim më dënuan me vdekje në mungesë, me humbjen e të drejtave civile, gradës, meritave, dekoratave dhe pronave.
Punët në Turqi po shkonin keq e më keq dhe rreziku i një katastrofe po bëhej më i pashmangshëm. Gjithë mendjen e kishim si të dilej nga situata. Pikëpamjet tona për këtë ndaheshin, sepse, ndërsa disa ishin për përdorimin e forcës dhe ngritjen në revolucion, të tjerë ishin për hapa më të matura e më të ngadalshme, që nuk mund të jepnin rezultate të menjëhershme.
Unë për vete isha për ndërmarrjen e një aksioni, që do të shkaktonte alarm në Evropë dhe do të tërhiqte vëmendjen e saj, çka do të bënte që Sulltani të detyrohej të binte në ujdi pa tronditje tepër të mëdha në vend.
Për këtë aksion ishte e nevojshme të merrej në dorë ndonjë pikë mbizotëruese, si Selaniku, për shembull, ose Bolajiri, i cili është çelësi i Dardaneleve, me një forcë të armatosur, dhe prej andej t’i diktoheshin kushtet Sulltanit. Mareshali Rexhep Pasha, komandanti i Armatës në Tripolitani, dukej tamam njeriu i duhur për këtë hap.
I pajisur me guxim të denjë për një shqiptar, sikundër ishte, ai njihej edhe për ndjenjë të fuqishme atdhetarie. Nëse e merrte Selanikun me një pjesë të ushtrisë, ai do të tërhiqte në anën e tij të gjithë bashkëkombësit shqiptarë; kurse, po të zbarkonte në Bolajir nga Gjiri i Sarosit, duke shfrytëzuar autoritetin që gëzonte në ushtrinë turke, ai do të bëhej zot i pikës më të fortë ushtarake që kishte Turqia.
Me anë të një korrespondence në mirëbesim, që pata me të, mora garanci se, po të siguroheshin mjetet e transportit, Mareshali do të ishte gati ta vinte në jetë këtë plan.
Hapi tjetër ishte të siguronim mjetet materiale për suksesin e punës që po ndërmerrnim, si dhe të garantonim qysh më përpara mbështetjen e Fuqive të interesuara për mbarëvajtjen e Turqisë, sidomos të Britanisë së Madhe.
Ndërkohë, nga miqtë e mi në Stamboll mora vesh se po organizohej një atentat tjetër kundër meje dhe se për këtë kishte ardhur në Belgjikë një person bashkë me nënkonsullin turk të Korfuzit, i cili më njihte dhe do të më kallëzonte te vrasësi.
Njoftova z. Delatour, shefin e policisë, i cili u tregua mjaft i sjellshëm e i kujdesshëm, kështu që unë ruhesha nga njerëz të policisë sa herë dilja nga shtëpia, sepse lidhesha në çdo kohë me një oficer policie.
Pak kohë pasi mora atë të dhënë të pakëndshme nga Turqia, vura re se po më bezdiste një burrë me pamje të huaji, i cili disa ditë radhë nuk bënte tjetër veçse ecejake nëpër Avenue Louise ndërmjet shtëpisë sime dhe sheshit Stéphanie. Një ditë, kur nuk po e duroja më, dola nga shtëpia dhe mora drejt tij, me një oficer policie nga prapa, të cilin e kisha pas njoftuar për dyshimet e mia.
Zotnia, kur pa se po i afrohesha, dredhoi rrugë e u bë erë dhe nuk e pashë më kurrë në atë vend.
Rrugës së kthimit nga Greqia në rastin e fundit, kalova disa ditë prapë në Napoli dhe pastaj vijova për në Zvicër, ku në Leysin djali im Xhevdet, i cili vuante nga tuberkulozi, po kalonte dimrin.
U ktheva në Paris, ku mora një apartament në Rue Mont-Thabor, dhe pikërisht kur ndodhesha këtu, Muhixhedin Beu, i ngarkuari me punë i Turqisë, më zgjoi në orën një të natës më 22 korrik për të më kënduar një telegram të ardhur nga Sulltani, me këtë përmbajtje:
“Po të më premtonte koha (thoshte telegrami) do ta kisha dërguar njeriun tim tepër të besueshëm, Iliaz Beun, tek Ismail Qemal Beu për t’u këshilluar me të, se ç’ishte më e mira që mund të bëhej në këtë çast kritik. Shko menjëherë tek ai dhe lutju të të japë një mendim me shkrim, të cilin pastaj ma përcill me anë të telegrafit”.
Kjo vinte si pasojë e masakrave që kishin ndodhur dhe e vendimit të Evropës për organizimin e Maqedonisë, çka shqiptarëve u dukej se vinte në rrezik unitetin e tyre kombëtar.
Dhjetë mijë shqiptarë të armatosur ishin mbledhur në Ferizoviq më 15 korrik 1908 dhe i kishin dërguar atë telegram të famshëm Sulltanit, i cili i kishte bërë përshtypje më të madhe se protestat e të gjithë turqve ose se të të gjithë përfaqësuesve të Evropës.
I dorëzova përfaqësuesit të Sulltanit përgjigjen time, me çka e këshilloja Madhërinë e Tij të mos vonohej asnjë minutë, por të shpallte Kushtetutën, sepse kjo ishte e vetmja masë e dobishme dhe e vetmja garanci, që popujt e Perandorisë të ishin bashkë rreth fronit të tij.
Dhe, duke e ditur tashmë mendësinë dhe moralshmërinë e Turqve të Rinj, si dhe motivet e tyre për vijën politike që po ndiqnin, gjithashtu i rekomandova Madhërisë së Tij të merrte të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar ndonjë veprim agresiv nga ana e aventurierëve në pushtet, dhe të tërhiqte vetë, pa ndërhyrjen e këtyre aventurierëve, besimin dhe ndihmën e shqiptarëve.
Dy ditë më pas Kushtetuta u shpall, dhe, në pajtim me një urdhër të ri të Sulltanit, një raport ku parashtrohej plani im, të cilin e kisha pas paraqitur te të ngarkuarit me punë, iu dërgua Sovranit nëpërmjet po atyre kanaleve.
Munir Pasha, ambasadori në Paris, ndodhej në Kustenxhe me mision nga qeveria, kur mori vesh për revolucionin në Stamboll. Ai u kthye në Paris menjëherë dhe më njoftoi një kërkesë të Qamil Pashës, që unë të kthehesha në Stamboll. U përgjigja se nuk do të kthehesha pa m’u hequr dënimi dhe pa m’u kthyer të gjitha të drejtat civile.
Si shkova në Londër menjëherë më pas, mora një njoftim zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme, nëpërmjet ambasadorit, se dënimi kundër meje ishte hequr dhe më ishin kthyer e rivendosur të gjitha të drejtat. Rreth kësaj kohe gazeta Standard botoi një telegram nga Italia, që thoshte se rreth dy-tre mijë shqiptarë kishin ardhur në Bari për të më pritur mua e për të më shoqëruar deri në Vlorë.
Të nesërmen mora një telegram, të nënshkruar nga një numër personalitetesh shqiptare, me të cilin, në emër të të gjithë bashkatdhetarëve të mi, ata më ftonin të shkoja në Vlorë menjëherë dhe të pranoja detyrën si përfaqësues i tyre në parlamentin që do të mblidhej.
Ndër të ikurit nga Stambolli tani që Turqit e Rinj kishin hipur në fuqi ishte Izet Pasha, i cili kishte pas blerë një anije dhe ishte arratisur me të, nën flamurin anglez. Një ditë, kur po haja drekë në hotelin Cecil bashkë me një mikeshë franceze, Madame Muraur, për habinë time të madhe hyri Izet Pasha dhe zuri një tryezë ngjitur me timen.
Atëherë më njohu dhe të nesërmen u largua nga ai hotel; mirëpo, kur u interesova për të te drejtuesit e hotelit, më thanë se ishte regjistruar me pseudonim italian.
U mor vesh jashtë njëfarësoj se Izeti ndodhej në Londër dhe se unë e kisha njohur, kështu që të nesërmen, kur qëllova në Hastings, hoteli u rrethua nga gazetarë që më kërkonin mua. Si u ktheva në mbrëmje, më kërkuan të lidhesha me telefon me gazetën Daily Mail; ashtu bëra, dhe pikërisht me këtë rast u njoha për herë të parë me z. Ëilliam Maxëell, korrespondentin e asaj gazete.
Z. Maxëell kishte arritur ta gjente Izet Pashën në një hotel aty afër dhe më tha se Izeti donte të më takonte patjetër. U takuam dhe, në të vërtetë, gazetari dhe unë u sajdisëm me një drekë pas nja dy ditësh nga ky ish-favorit i Sulltanit.
U nisa për në Shqipëri, në pajtim me dëshirën e bashkatdhetarëve të mi, kurse në Athinë, ku qëndrova disa ditë en route, me mua erdhi kapedani i mirditorëve, Preng Dodë Pasha, dhe së bashku shkuam deri në Vlorë, nga ku ai u kthye në vendlindje, të cilën nuk e kishte parë me sy prej vitesh, sepse kishte qenë i detyruar në fillim të jetonte në Kastamunia dhe më pas të transferohej në Stamboll, me punë në Pallat, me gradën gjeneral i brigadës së rojave shqiptare të Sulltanit.
Në Korfuz më pritën e gjithë paria e vendlindjes dhe së bashku shkuam në Vlorë. Pas pak ditësh erdhën të tre djemtë e mi, që patën mbetur në Paris, si dhe djali më i madh, i cili kishte kaluar shtatë vjet syrgjyn në Bitlis, dhe kështu u bëmë të gjithë bashkë. Sa kohë qëndrova në Vlorë, ndodhën dy ngjarje politike me rëndësi, që e alarmuan mjaft publikun e Lindjes, sidomos në Shqipëri.
Austria shpalli aneksimin e plotë të Bosnjës dhe Hercegovinës, kurse Bullgaria deklaroi pavarësinë e saj. Vrisja mendjen cili do të ishte qëndrimi i oficerëve të ushtrisë turke, që përfaqësonin Komitetin për Bashkim e Përparim, përballë këtyre ngjarjeve.
Vendi, i tronditur thellë, manifestonte zemërim të hapur kundër Austrisë, çka e dëshmoi me bojkotimin e plotë të tregtisë me atë vend. Mirëpo përfaqësuesit e Komitetit nuk bënë gjë tjetër, veçse njoftuan se nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme në këto ngjarje, të cilat qenë thjesht përmbushje e aspiratave të atyre popujve!
Esad Pasha, i cili ndodhej rrugës për Selanik për t’i shprehur bindjen dhe respektin e vet Komitetit Qendror të mbledhur atje, erdhi e më takoi, dhe unë i kërkova t’i përcillte pikëpamjet e mia personale për këto çështje Komitetit dhe t’u thoshte atyre, që po mburreshin me këtë ndryshim regjimi, se pasojat për të ardhmen e Perandorisë do të ishin shumë të rënda nëse pranoheshin këto ndryshime politike.
Pak ditë më pas Esad Pasha më shkroi një letër, ku më thoshte se Komiteti nuk kishte kurrfarë vullneti për të dalë kundër këtyre akteve. Pak më vonë mësova nga një burim i besueshëm cila ishte ideja nga udhëhiqej Komiteti dhe si ia kishin dalë të sillnin këtë ndryshim politik.
Synimi i tyre ishte të arrinin tre përfitime: të fitonin popullaritet për vete anembanë vendit; të diskreditonin shtetarët e mëparshëm, të cilët donin t’i hiqnin qafe me çdo çmim; dhe ta përdornin këtë likuidim politik si mjet për ta shpëtuar vendin nga ndikimi i huaj, në mënyrë që të ishin në gjendje të zbatonin politikën e tyre të bashkimit të racave me vrull sa më të madh.
Këto ngjarje u pasuan nga fushata zgjedhore, në të cilën pati një garë të gjallë ndërmjet dy kushërinjve, Omer Pashë Vrionit dhe Azis Pashë Vrionit, për kandidaturën e deputetit të dytë të Beratit, ndërkohë që unë isha zgjedhur njëzëri i pari.
Pak ditë para mbylljes së votimit, Sulejman Bej Sakrami erdhi e më takoi dhe më tha në vesh, se kishte ardhur në Vlorë bashkë me një oficer, i cili ishte dërguar nga Komiteti Qendror i Selanikut për të marrë të gjitha masat, që unë të mos zgjidhesha. M’u duk e pabesueshme dhe e kujtova për ndonjë manovër të vetë personit që erdhi tek unë, në mënyrë që si kandidat të pranohej i vëllai, Hajredin Beu, sepse ma kishte kërkuar ta merrja si koleg.
Mirëpo, kur më tregoi një kopje të porosive të dhëna, nuk më mbeti kurrfarë dyshimi, kurse, para se ai të ndahej me mua, oficeri në fjalë erdhi për të më takuar dhe e ripohoi atë fakt, duke më kërkuar falje.
Jo vetëm kjo, por edhe një mjeku ushtarak, i cili gjithashtu përfaqësonte Komitetin dhe kishte marrë po ato porosi, i kishin pas thënë se, nëse zgjedhja ime nuk mund të pengohej, duhet të zbulonte nga unë cili qe programi im politik.
Kur erdhi e foli për këtë me mua, iu përgjigja se pikëpamjet e mia politike ishin fare mirë të qarta nga ç’kisha bërë gjatë gjithë jetës, dhe se do të ishte më e udhës, që unë të pyesja cilat ishin pikëpamjet politike të atyre, që po më pyetnin mua.
U nisa nga Vlora për në Stamboll, por duke i rënë rrotull nga Roma, Venecia, Budapesti, Bukureshti dhe Konstanca. Rrugës nga Italia në Hungari, rast i këndshëm qe takimi im me zonjën tërheqëse Frankfurten, e shoqja e drejtorit amerikan të shoqërisë Austrian Lloyd Co., e cila më mori në shtëpinë e saj në Budapest për drekë, dhe me të cilën kalova një ditë duke parë pika të ndryshme të qytetit, kënaqësi jo më pak reale nga një arsye tjetër në mendjen e saj – të zgjonte interesin tim ndaj shoqërisë Austrian Lloyd, e cila po dëmtohej shumë nga bojkoti i Turqisë.