Të vërtetat që po kalbin Berishën

0
87

Nga Mero Baze, 5 Tetor 2011

Ish- ambasadori i SHBA në Tiranë, John Withers konfirmoi me kthjelltësi dhe përgjegjshmërinë e ish diplomatit raportimet e tij serioze nga ambasada e Tiranës drejt Uashingtonit, duke shprehur pikëllimin e tij që puna e vet ka vënë në siklet dhe ka krijuar rrethana të vështira për politikanë dhe njerëz publik në Tiranë. Reagimi i tij, në formën e një letre publike përmes Top Channel, na risolli dhe një herë në kujtesë klasin e tij prej diplomati dhe aftësinë e tij të papërsëritshme për të vizatuar realitetin tonë, më mirë se secili prej nesh. Por mbi të gjitha reagimi i tij ishte një përgjigje e hidhur për fushatën denigruese të Sali Berishës dhe medies së tij ndaj veprimtarisë së ambasadës amerikane në Tiranë.

Letra publike e ambasadorit Withers tashmë rihap probleme të reja serioze për Berishën, por mbi të gjitha i jep një fuqi të veçantë pikës më të sulmuar të paktit të ofruar nga opozita për integrimin evropian të Shqipërisë. Në pikën nr. 9 të atij pakti thuhej se duhet mbështetur prokuroria të hetojë politikanët dhe zyrtarët nën dritën e fakteve që kanë dalë nga kabllogramet e ambasadës së SHBA në Tiranë, rrjedhur prej Wikileaks. Berisha e sulmoi i pari këtë pikë të paktit dhe më pas gjithë njerëzit e tij në kor, duke e konsideruar kërkesën si antiamerikane dhe e bazuar në një gënjeshtër. Tashmë njeriu që i ka shkruar ato raporte jo vetëm që i mbron, por konfirmon se ka marrë dhe vlerësime pozitive për to nga Uashingtoni.

Kjo do të thotë që të gjitha njollat e zeza të Sali Berishës, të përshkruara në një dosje gjigante prej ardhjes së tij në pushtet dhe në vazhdim, kanë një skaner real në Uashington. Tanimë nuk ka rëndësi nëse Berisha e pranon në rrugë, në zyrë apo në studion e Klanit që i biri i tij ishte pronar i Fabrikës së Gërdecit dhe ka shtyrë para me arrogancë atë biznes vdekjeprurës. Njeriu që ka raportuar nga Tirana, e konfirmon vërtetësinë e atyre që ai ka shkruar. Pas kësaj Sali Berisha ka vetëm një rrugë për të qenë dinjitoz, të shoqërojë të birin e tij në prokurori dhe ta rihapë çështjen e Gërdecit duke e filluar me hetimin e djalit të tij.

Më tej akoma mbeten të hidhura vlerësimet për politikanët e lidhur me krimin apo vlerësimet për Ilir Metën, Fatmir Mediun, Lulzim Bashën, vjedhjen e zgjedhjeve dhe mbi të gjitha portretet frojdiste që i ka bërë Berishës, me gjithë dilemat që shoqërojnë biografinë dhe personalitetin e tij. Për fatin e keq të tij, John Withers nuk mund të futet në “celulën antiamerikane” të Tiranës, edhe sikur Zheji të marrë përsëri porosi për një shkrim të tillë, edhe sikur Frangaj të urdhërojë qoftë dhe më të mirin e tij, kolegun Bejte, për t’u kundërpërgjigjur. Berisha është përpjekur boll për t’i zhvlerësuar përshkrimet e tij, dhe po ashtu është përpjekur boll ta klasifikojë atë si armik personal të tij, duke dërguar dhe çanta me qindra- mijëra dollarë në Uashington për ta ndërruar.

Asgjë e tillë nuk funksionoi. Ambasadori Withers dëshmoi ato të vërteta që i kemi parë të gjithë dhe bëri diferencën mes një vendi demokratik dhe një regjimi, të vërtetat që rrënojnë dita- ditës fuqinë e Sali Berishës për t’i rezistuar historisë së tij. Një vend demokratik, një diplomaci perëndimore si ajo e SHBA, thotë të vërtetën. Një regjim si i yni ka mision ta fabrikojë të vërtetën, ta mbysë, ta ndëshkojë dhe në fund të shpallë gënjeshtrat e veta si të vërteta.

Letra e ambasadorit Withers nuk tregon vetëm diferencat e tij me Berishën, por diferencat e shoqërive të lira me shoqëritë e korruptuara nga regjimet si kjo e jona. Reagimi i tij dhe mënyra si ai mbron atë që bën Amerika, bie në kontrast me reagimin e pushtetit në Tiranë dhe mënyra si mbulon ky regjim të vërtetat e hidhura të qeverisjes së tij.

Por, efekti më mbresëlënës i kësaj letre do t’i përkasë sërish Sali Berishës. Pavarësisht se ç’ka thënë publikisht dhe pavarësisht se si tërbohet nëpër zyra dhe tavolina kundër ambasadorit Withers, ai di dhe pranon me veten e tij një gjë që e trondit përditë e më shume, ai pranon në heshtjen e vet, në vetminë e vet në zyrë, në krevat apo kolltukun e shtëpisë, se atje në Uashington dosja e tij është shumë e zezë. Kjo e vërtetë e kalb çdo ditë. Kjo letër ia bën dhe më të rëndë këtë pohim. Kjo është gjëja që ai nuk e zhbën dot më. Pavarësisht se si do reagojë, si do sulmojë apo përbaltë ata që ndjehen të lehtësuar nga kjo letër, kur të vijnë orët apo minutat e vetmisë dhe qetësisë së tij, ai sërish mendon për të vërtetën përvëluese.

Kjo ka bërë që qysh sa kanë dalë kabllogramet, ai të humbasë qetësinë dhe integritetin psikik në prani të ambasadorit të SHBA. Të gjithë e mbajmë mend se si më 11 Shtator, ai foli në krah të ambasadorit amerikan dhe ngatërroi tërësisht tekstin, duke ngatërruar 11 Shtatorin me 21 Janarin, pastaj me shkurtin dhe pastaj sërish 11 Shtatorin. Dje sërish ishte hera e dytë që dilte në krah të ambasadorit amerikan dhe e humbi fare, duke ngatërruar atë me Bamir Topin, pastaj zonjën Topalli me zotin Topalli dhe pastaj prapë ambasadorin me Presidentin. Mjafton prania e shtetit amerikan apo e një zyrtari krah të tij, dhe ai humbet qetësinë por dhe integritetin psikik.

Thjesht del nga shinat, harron çfarë thotë, për kë flet dhe ku është. Dhe s’ka faj po të mendosh gjithë ato të zeza që flenë në dosjen e tij në Uashington, shkruar nga paraardhësit e këtij ambasadori. I vetmi lehtësim për të është që në këto skena degraduese mungon mes të tjerash shkrimtari i talentuar Withers, i cili mund ta vizatonte këtë skenë në një kabllogram të veçantë në rubrikën “Postcard from Tirana”. Ambasadori Arvizu mund të jetë diplomat po aq i mirë sa zoti Withers, por Berisha ka fat që nuk është shkrimtar aq i zoti sa paraardhësi i vet, pasi do kishte përveç dosjes dhe një vepër letrare më shumë për të.