Standardi “moral”, një letër higjienike e përdorur

0
87

Nga Mero Baze, 4 Tetor 2011

Dje ju kushtua shumë rëndësi shkarkimit të Drejtorit të ALUIZNI-t të Tiranës, Ferdinand Shehu, për mungesë të “integritetit moral” siç thuhej në njoftimin zyrtar. Gjëja e parë që më shkoi në mendje ishte ndonjë skandal seksual, por sqarimi ishte shumë më poshtërues. Zotëria në fjalë në një copë letër që e ka paraqitur si CV të tij nuk paska shkruar se ka qenë ekspert në dispozicion të hetuesisë në fund të viteve 90-të dhe më pas ekspert kriminalistike në Ministri të Rendit Publik. Këtu serioziteti i kësaj qeverie merr fund.

Ky njeri ka 6 vite që punon si nëndrejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, një post shumë me rëndësi, i emëruar direkt nga Sali Berisha. Po ky njeri ka qenë kandidat për deputet i Partisë Demokratike në listën e vitit 2009. Si ka mundësi që ky person i ka mashtruar zyrtarisht edhe qeverinë, edhe Shaban Memin, edhe parlamentin dhe Komisionin e Verifikimit të Figurave për 6 vite me radhë? Dhe ç’është me e keqja i ka mashtruar për thuajse asgjë të keqe në jetën e tij, pasi ai nuk është oficer sigurimi, por një inxhinier i zakonshëm mekanik që ka punuar në hetuesi.

Nuk dua të mbroj figurën e zotit Shehu se për të kam dëgjuar gjëra shumë të rënda si nëndrejtor i ALUZNI-t, që e turpërojnë më shumë qeverinë e tij dhe atë vetë, por dua të theksoj faktin se sa e rastësishme dhe arbitrare është qeverisja e Sali Berishës. Unë nuk e kam njohur kurrë këtë njeri para vitit 2005, nuk e kam identifikuar kurrë para atij viti si ish- mbështetës të opozitës dhe fare papritur u gjend në një post kyç.

Dikujt nuk i shërbeu pas gjashtë vitesh dhe hiqet fare papritur, jo për gjëmat reale që mund të ketë bërë si Nëndrejtor i Përgjithshëm apo Drejtor i Tiranës, por për një gjë, për të cilën nuk duhet të ndëshkohet ai, por shefat e tij. Pra, e morën nga rruga për ta përdorur për interesa të tyre, dhe e flakën në rrugë duke shpikur një akuzë që nuk është as ligjore, as morale dhe as defekt i karrierës së tij.

Në të njëjtën kohë paralelisht me këtë histori, qeveria po dëgjon përditë nga disa media si Top Channel apo Tema historinë e skandalit të skrapit në Fier dhe nuk reagon. Prokuroria ka nisur hetimet për shkak se kompania turke Kurum Internacional ka fituar një tender në thyerje të ligjit dhe kam frikë se po shërben si pastruese e një skandali financiar, që ka të bëjë me grabitjen e pasurisë publike.

Një kompani nënkontraktore ka hyrë mes Ministrisë së Ekonomisë dhe firmës Kurum dhe është kthyer realisht në një pronare de facto e pasurisë sonë në ish- Uzinën e Azotikut dhe Uresë në Fier, duke mbledhur sipas të dhënave më shumë hekur se sa ka autorizim nga tenderi zyrtar dhe duke shërbyer kështu si kanal shkarkues i parave të zeza tek buxheti i atyre që e kanë favorizuar.

Nëse një gjë e tillë verifikohet nga prokuroria, atëherë ndëshkimi rrezikon jo vetëm sekserët, por dhe ata që po ua mundësojnë këtë pazar dhe që janë drejtuesit e Kurum. Në krye të këtij operacioni si ndërmjetës “me autoritetet” është Leonard Koka, një person i njohur i nëntokës politike në Shqipëri nga koha e Fatos Nanos, i dalë nga burgu pas akuzave për trafik cigaresh dhe lidhje me organizata kriminale në Durrës dhe që tani komandon makina me skrap dhe kërcënon gazetarë që shkruajnë për të.

Çfarë standardi moral ka Sali Berisha, kur ekonominë shqiptare sot e komandon Leonard Koka, dhe Nasip Naço, njëri sipas Berishës “pjesëtar i Klanit të Zemunit” dhe tjetri hetues zyrtar i diktaturës? Për çfarë standardi moral flet ky njeri dhe kjo qeverisje, kur ata që po plaçkitin Shqipërinë janë po ata për të cilët shqiptarët i besuan Berishës rikthimin në pushtet për t’i luftuar?

Sot biznesmenët më të mëdhenj aleatë të Sali Berishës dhe Familjes së tij janë Leonard Koka, Rezart Taçi, Mihal Delijorgji, Zamir Mane, Agim Zeqo, Armand Duka, etj të gjithë njerëz besnikë dhe pjesë të shpurës shëtitëse të Fatos Nanos, të cilët Sali Berisha i anatemonte para publikut. Një prej tyre bile e mbaj mend që ndryshoi tri herë ditën e dasmës se nuk gjendej Fatos Nano në Tiranë.

Ishte “guximi” i Sali Berishës që t’i dënonte me emra këta njerëz si pjesë e sistemit mafioz të Fatos Nanos, që bindi shumë shqiptar që ky e kishte seriozisht me luftën kundër korrupsionit. Mirë Ferdinand Shehu që nuk paska treguar ku ka punuar dy vjet, po Sali Berisha që na ka gënjyer se do t’i ndëshkojë këta biznesmenë që kanë përfituar miliona në kurriz të taksave të qytetareve shqiptarë pse duhet mbajtur në pushtet? Kush ua pastroi biografinë këtyre biznesmenëve, sipas Berishës të lidhur me strukturat mafioze të Fatos Nanos, pas vitit 2005?

Përgjigja e vetme është se ata e kanë blerë statusin e tyre të ri pranë Sali Berishës, kurse ky Ferdinandi kaq i ka pasur mundësitë dhe nuk i është dashur më njeriu. Standardi moral me të cilin ai u largua dje nga detyra, është një letër higjienike e bërë pis qysh muajin e parë të pushtetit nga Sali Berisha, i cili nuk doli dot nga WC-ja e pistë që i dorëzoi Fatos Nano.