Atifete Jahjaga, Presidente për shpëtim

0
54

Ish-gjeneralmajorja e Policisë së Kosovës, 36-vjeçarja Atifete Jahjaga, në prillin e vitit 2011 u zgjodh si Presidentja e parë në historinë e shkurtër të Kosovës si shtet i pavarur. Në kohën e grindjes politike ndërmjet partive kryesore politike në Kosovë, që kërcënonte të rrënonte strukturën qeverisëse edhe ashtu jostabile, një lider i dobët, me mungesë mbështetjeje dhe të afërsisë ndaj cilësdo partie politike, por që do të mund t’i sfidonte partitë politike në pushtet, ishte kompromisi i vetëm. Jahjaga përputhej në këtë përshkrim. Ndonëse pa asnjë përvojë të mëhershme politike, znj. Jahjaga, fjalëpërfjalshëm, brenda pak ditësh lëvizi nga errësira në dominancë, gjë që doli të jetë gjë e bekuar për të dhe për Kosovën.

Posti i Presidentit është një post ceremonial, dhe znj. Jahjaga pritet të mbetet në margjina deri në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, kur kryeministri aktual Hashim Thaçi, pritet të garojë për Zyrën e Presidencës. Megjithatë, znj. Jahjaga mund të vendosë të qëndrojë, meqenëse ajo gjatë një kohe të shkurtër dëshmoi sa posedon guximin dhe vizionin e nevojshëm për udhëheqës shteti, për të riparuar çarjet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, të cilat ishin përcaktuese për vendin.

Ndryshe nga shumica e kolegëve të saj në qeveri, të cilët që nga ardhja në pushtet u bënë milionerë, me vila dhe biznese të zgjeruara në gjithë Kosovën, znj. Jahjaga dhe burri i saj jetojnë në një banesë modeste në Prishtinë. Stili i saj i jetës e reflekton pagën e saj mujore, një gjë kjo e pazakontë për liderët kosovarë, por edhe një befasi e mirëpritur.

E çliruar nga skena “fshatare” politike e Kosovës, dhe nga stili “i ëmbël” i jetës së bashkëkohësve të saj, ajo me vete sjell shpesën për kulturën politike kosovare, se mund të ndryshojë nga ajo që, para së gjithash, kuptohet si lojalitet partiak, në atë që, para së gjithash, ka lojalitetin ndaj shtetit. Ajo udhëhiqet nga modeli i tejkalimit të vijave politike, me qëllim të rekrutimit të elitës kosovare të arsimuar në Perëndim, e cila për vite të tëra u pamundësua të shërbente në qeveri, për shkak të lidhjeve farefisnore. Kabineti i saj përbëhet nga kosovarë të diplomuar në universitete kulmore amerikane e europiane – si për shembull, në Yale, Oxford, The New School for Social Research – dhe me përvojë disavjeçare në politikë të jashtme.

Në skenën ndërkombëtare liderët botërorë e mirëpritën atë duarhapur. Gjatë udhëtimit të saj të fundit në New York, në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB, ajo ishte lideri i vetëm kosovar që u ftua të takonte presidentin Obama. Në Bruksel, liderët e lartë të BE-së e mirëpritën qasjen e saj të freskët, që kërkon zgjidhje dhe një koordinim më të mirë me përpjekjet e tyre në dhe jashtë Kosovës. Ky është mrekullueshëm krahasuar me kohën e jo para shumë javëve, kur takimet e tilla përdoreshin nga kosovarët për mbrojtjen e vetvetes nga shumë akuza të ngritura ndaj tyre nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Kosovës i duhen liderë politikë që mund të sjellin një mbështetje aq të nevojshme ndërkombëtare dhe njohje të reja për vendin. Në një mjedis aktual aq të trazuar ekonomik dhe politik në botë, një shtet i vogël si Kosova s’mund t’ia lejojë vetes bërjen e gabimeve politike apo sociale, të cilat mund të rezultojnë me humbjen e mundësisë për fitimin të mbështetjes së vendimmarrësve ndërkombëtarë.

Dikush mund të thotë se popullariteti i saj ka të bëjë fare pak me dijeninë e saj politike, e shumë më tepër me bashkësinë ndërkombëtare dhe me pakënaqësinë e publikut me liderët aktualë kosovarë. Cilado që të jetë arsyeja, të paktën tash për tash, në presidenten Jahjaga ata kanë një partner politik që takimet e veta me liderët botërorë i përdor për të prezantuar interesat e popullit të Kosovës, e jo sikurse shumë liderë të tjerë kosovarë, që mundësitë e tilla i përdorin për mbrojtjen e vetvetes dhe të anëtarëve të partive të tyre nga hetimet penale që zhvillohen kundër tyre.