Kultura e të pavërtetave ndaj Kadaresë në «Modelin Lubonja»

0
69

Nga Minella Aleksi, 3 October 2011

Fenomeni i shpifjes dhe dizinformimit në mjediset e intelektualëve ka qenë një ndër më të njohurit në epokën e komunizmit. Mund të thuhet se ishte një nga shtyllat ku mbështetej shtypja dhe terrori shtetëror në gjithë perandorinë komuniste. Shqipëria, e cila shpesh dallohej si kampione e së keqes, hynte në vendet ku shpifja lulëzonte, sidomos kundër intelektualëve të njohur, ku shkrimtarët zinin një vend të parë. Shpifjet dhe forma e tyre më e përhapur, dizinformimi ose thjesht spiunimi, ishin kthyer në një tipar të kohës. Ato ishin dy llojesh: të hapura- në shtyp dhe të fshehta- pas krahëve. Sa më i njohur të ishte shkrimtari, aq më të shumta ishin shpifjet. Janë botuar disa libra me denoncime dhe dokumente kundër I.Kadarese, në shqip dhe në gjuhë të huaja. Të tjera priten, sipas premtimit të autorëve.

Pas rënies së komunizmit fenomeni ka vazhduar. Interneti dhe përdorimi i pseudonimeve, ka ndihmuar shumë për gjallërimin e këtij «biznesi» të shëmtuar. Ndryshimi është se tani denoncimet dhe spiunimet nuk shkojnë më në zyrat e Sigurimit, por në zyrat e tjera: gazeta, institucione europiane, ambasada, Bruksel etj. Shkrimtari I.Kadare është prapë një ndër shënjestrat kryesore. Dje në komunizëm akuzohej si antishqiptar, antisocialist, sot, si nacionalist (pra tepër shqiptar!), bile si racist, etj.

Në këtë shkrim, në mënyrë konkrete, do të përqdndrohem te dizinformimet që ky publicist ka shpërndarë kundër shkrimtarit Ismail Kadare. Duke qenë se duam apo s’duam ky shkrimtar është një nga përfaqësuesit e letërsisë dhe kulturës shqiptare, shpifjet e rënda, si ato për racizëm, i kalojnë gjithë kulturës sonë.

Kohët e fundit në mënyrën e saj ciklike për shkak të afrimit të Nobelit, na vjen e ripërsëritur shpifja që bën Fatos Lubonja ndaj shkrimtarit Kadare duke e cilësuar atë nacionalist. Bile jepet të kuptohet si kreu i nacionalizmit në kulturën shqiptare. Shpifjet, për të qenë sa më efikase, bëhen nga një anë në shtypin shqiptar, nga ana tjetër «pas krahëve», në shtypin zviceran, italian, serb, rumun etj. Në mënyrë gjoja objektive lajmi shpërndahet nga vetë Lubonja dhe A.Kodra, M.Rukaj, P.Kola e të tjerë, si një debat që vjen nga Shqipëria.

Kultura europiane veçanërisht është shumë e ndjeshme, madje tepër kritike ndaj disa nocioneve që lidhen me eksperienca shumë të hidhura të historisë së saj në shekuj. T’u thuash europianëve se një shkrimtar i njohur është mbartës i ideve nacionaliste e raciste është njësoj si t’u risjellësh atyre para syve historitë e tmerrit me gjakderdhje.

Shpifja e F.Lubonjës për Kadarenë është po aq e neveritshme. Ai shkruan se Kadare është kaq racist sa që «ka krahasuar gjuhën shqipe me zonjë të rëndë, në krahasim me të cilën serbishtja ngjan si jevgë».

I marrim leje lexuesit për të analizuar në mënyrë të hollësishme këtë shëmti, në mënyrë që të kemi të drejtën morale t’i themi Lubonjës: ju jeni një shpifës, që çdo vend europian do ta dënonte pa asnjë hezitim.

Fraza e mësipërme, e nxjerr krejtësisht jashtë kontekstit, është shkëputur në mënyrë abuzive nga kreu i IX i librit të Kadaresë «Ftesë në studio». Në këtë kapitull flitet për librin e ish kryeministrit serb V.Gjeorgjeviçit, ku shkruhet haptas se «shqiptarët nuk meritojnë të jetojnë si komb dhe, si përfundim, Shqipëria duhet të zhduket nga faqja e dheut» («Ftesë në studio», faqe 268, botimi i parë shqip 1990)

Më poshtë Kadare shkruan se përgjigjja shqiptare «ishte pa dyshim e tmerrshme, por Gjeorgjeviçi kishte fyer disa gjëra për të cilat shqiptarët s’të falnin kurrë: racën, virtytet dhe gjuhën e tyre». («Ftesë në studio»fq.268).

Kadare shpjegon më poshtë: «Një valë mallëngjimi e përshkoi mbarë kombin për të (gjuhën )…. Ashtu siç pritej , gjuha e moçme shqipe u krahasua me një zonjë të rëndë, përbri së cilës, serbishtja s’qe veç një shërbëtore jevgë». («Ftesë në studio». Po aty). Dhe më poshtë: «Pasi u duk se i lanë përjetë llogaritë me serbishten, gazetarët e poetët iu kthyen prapë gjuhës shqipe, si ata që kërkojnë të qetësojnë zonjë e madhe të fyer keq. Asaj iu bënë lavde e lajkatime të reja, duke e quajtur më të bukurën, më të mençurën e më parajsoren mbi dhé. E krahasuan me zërin e bilbilit, me shushurimën e flatrave të engjëjve, me puhizën e buzëmbrëmjes etj., krahasime jo fort të besueshme për një gjuhë e aq më pak për shqipen e rreptë. Ndërsa u bashkuan në korin himnizues të gjuhës së tyre personalitetet e shquara shqiptare, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk morën pjesë në sulmet kundër gjuhës, kulturës dhe kombit serb».

Siç shihet fare qartë, mburrjet për gjuhën shqipe dhe gjithë skenën e sherrit Kadare i ka trajtuar me një sens humori, bile me një farë ironie që tërheq vëmendjen për qëndrim realist, me gjykim shumë të matur në këtë rast. Në radhët e fundit të cituara duket prapë qartë se autori, sikurse personalitetet e shquara shqiptare, janë distancuar nga kjo grindje.

«Ftesë në studio» e Kadaresë është një libër shumë i njohur. Përkthyer në disa gjuhë. Si është e mundur që Lubonja të jetë kaq i verbuar nga urrejtja sa që te bëjë një falsifikim të tillë.

Si është e mundur që një gjuhëtar si A.Vehbiu të citojë Lubonjën, pa shënuar se ka një dizinformim, së paku në këtë akuzë për racizëm ndaj gjuhës serbe? Pasi A.Vehbiu nuk ka se si të mos e ketë lexuar librin «Ftesë në studio». Po ashtu s’ka si të mos e dijë, si gjuhëtar që është, se fjala «kinezëri», për të cilën u bë zhurmë disa javë më parë, si një fjalë raciste e Kadaresë, është përdorur në frëngjisht qysh në vitin 1839 ndërsa zuri vend si fjalë në fjalorët bazë enciklopedikë europianë në vitin 1883. Në një artikull me titull «Shqipëria imagjinare» para 2 ditësh A. Vehbiu bën një shpjegim kryekëput të gabuar me qëllim, lidhur me atë nëse otomanët turq pushtuan atë që quhej Arbni apo erdhën dhe sollën kulturën osmane e progresin. Devijon me një qëllim shumë të mbrapshtë argumentin në një naivitet fëmijësh. Na lind e drejta të pyesim: Me çfarë të kanë shpërblyer për të shkruajtur një marrëzi të tillë, për të përhapur një dizinformim të tillë paçavure !? ë

Lidhur me akuzën e Lubonjës për nacionalizëm e racizëm te vepra e Kadaresë prisja të gjeja ndonjë aludim fillestar të kësaj akuze te vepra kritike e intelektualit Arshi Pipa. Po të ekzistonte realisht një gjë e tillë, këtë e prisja për shkak të nivelit intelektual më shumë se të zakonshëm të shkrimtarit Pipa, i cili do e kishte pikasur dhe evidentuar në shkrimet e tij kritike, gjë që nuk ka ndodhur. Me atë mendje të hapur që ka pasur intelektuali Pipa nuk do hezitonte që të mbante qëndrim dënues ndaj një argumenti të tillë, nuk do ia falte nëse vërtetë do ekzistonte në veprën e shkrimtarit Kadare .

Përse vallë prodhon mendimi shqiptar dhe i ka për zemër shpifje të tilla që e ushqejnë shqiptarin e të huajin me etiketime të pavërteta ndaj figurës së shkrimtarit Kadare!?

Shpifësit janë të inkurajuar në Shqipëri sepse është bërë zakon të mos dënohen. Nuk është herë e parë që F.Lubonja bën shpifje të rënda kundër Kadaresë në artikujt e tij, por sidomos «prapa krahëve», siç është akuzuar në forume ku i qëllon të marrë pjesë, në gazeta, ku dërgon informacionet e tij, si në rastin e gazetës polake «Wyborcza» ose në blogjet ku debatohet për çmimet ndërkombëtare, si në rastin e çmimit britanik «Booker Prize» etj.

Me rastin e dhënies së këtij çmimi Kadaresë, ishte vetëm një autor me banim në Amerikë, Stephen Suleyman Schvartz, i cili me këtë rast mbajti një qëndrim shumë të ashpër ndaj kreytarit të Jurisë së çmimit. Shkrimtari Schvartz me bindje të krahut të majtë ishte gazetar gjatë luftës në Kroaci, në Bosnjë Hercegovinë dhe së fundi vizitor i angazhuar për një kohë relativisht të gjatë në Kosovë. Sigurisht respektoj pa asnjë rezervë bindjet politike e fetare të kujtdo bazuar në një respekt të palëkundur për të vërtetën. Platforma neootomane turke sot e ka përcaktuar si më të lehtë depërtimin mes shqiptarëve nëpërmjet penetrimit së pari në Prishtinë. Në këto dy dekada jeta tregoi se depërtimi e familjarizimi proturk atje është më shpejt absorbues e reflektues prej shqiptarëve atje, i pasuar nga hapa të sigurtë edhe në Tiranë. Në këto zhvillime proturke është afërmendsh se bërthama e intelektualëve akademikë proturq në Prishtinë e ka mëkuar dhe injektuar mirë te autori Schvartz helmin e argumentave e të mendësisë antikadare. Schvartz i përkthyer në Shqipëri me librin « Dy fytyrat e islamit », në dekadën e fundit është shprehur me artikuj të veçantë për disa nga romanet e Kadaresë, gjithmonë duke i përfunduar artikujt e tij me faktin se shkrimtari Kadare ka qenë nënkryetar i Frontit Demokratik. Gjë që kur ua thua shqiptarëve me gjykim objektiv u shkakton një ngërdheshje nënçmuese për atë që e shkruan mbasi dihet mirë sesa rol vendim marrës luante realisht një organizatë e tillë e barabartë me organizatën e Bashkimeve Profesionale.

Kadare është shkrimtar i sulmuar nga drejtime të ndryshme: sigurimsit e djeshëm, fondamentalistët e të gjitha ngjyrave, e sidomos antieuropianistët. Kadare është shkrimtar me një frymë të theksuar euro-atlantike të dalluar qartë dhe kjo shpjegon shumë gjëra në Shqipëri.

T’i biesh kambanës së alarmit sot për rrezikun e nacionalizmit shqiptar dhe të racizmit shqiptar, në kohën kur shqiptaret janë bërë objekt i një fushate raciste të pashembullt kudo, është me të vërtet një gjë që s’kapërdihet. Të ngrihesh gjoja në mbrojtje të gjuhës serbe, të cilës gjoja po i bije më qafë shkrimtari shqiptar Kadare, në kohën kur nga ndalimi i shkollave shqipe në Kosovë prej Millosheviçit nuk ka kaluar veçse pak kohë, është krejtësisht e pamoralshme. Ta quash Kadarenë monument të urrejtjes së racizmit shqiptar në kulturë , do të thotë të fyesh krejt kulturën shqiptare.

Shpifësit e kësaj natyre, me te drejtë cilësohen si «spiunë». Këta më kujtojnë një artikull të Faik Konicës me titull: «Mendime të vogla» ku flet për muhaxhirët e letrave e të kulturës shqiptare që hedhin baltë mbi vendin tonë, që spiunojnë padrejtësisht shqiptarët, të gatshëm për të shitur vlerat e kombit shqiptar, që Shqipërinë e shesin për një pesëshe.

***

Kur lexuesit u njohën me librin «Mosmarrëveshja» të Kadaresë, sigurisht që pritej një debat i madh në mes intelektualëve dhe opinionistëve shqiptarë për shkak të temës që trajtonte, raportet e Shqipërisë me vetveten.

Çuditërisht asnjë emision i veçantë televiziv as në emisionin Opinion të TV Klan, emision që është kthyer si «Klubi i Selanikut» ku gumëzhijnë gjithfarë lloj opinionistësh e analistësh, bile intelektual që nuk lenë tema pa diskutuar si specialistë për gjithçka, ndërsa «Mosmarrëveshjen e shqiptarëve me veten» atë më thelbësoren, atë më jetiken, që ka të bëj me probleme ekzistenciale të mbijetesës, të moralit e të demokracisë absolutisht jo. Heshtje absolute. Heshtje edhe nga Lubonja e të tjerë që janë nënkuptuar qartë në libër për qëndrimet e tyre kundër interesit të zhvillimeve pozitive shqiptare. Ndërsa duhej të kishim disa emisione opinion me këtë temë sepse kjo është temë që shërben e emancipon mendimin shoqëror, politik e kulturor shqiptar, e kundërta ndodhi. Si për ironi të fatit edhe një herë heshtje bllokuese ndaj librit «Mosmarrëveshja» sepse e ka shkruar shkrimtari Kadare, i cili me këtë libër na vë në telash sepse duhet të luftojmë me veten, na duhet të tregojmë e të pastrojmë mentalitetet e qëndrimet antishqiptare ashtu si hiqen e pastrohen të brendshmet e ndotura për të mos u qelbur, duhet të ngrihemi mbi veten në shërbim të një shoqërie e një jete më të mirë. Vallë janë të pazotë që ta bëjnë një debat të tillë në nivel intelektual e diplomatik për platformën që parashtron!? Është e kundërta, heshtin të shiturit letrarë e akademikë, diplomat e politikanë, sipas një skeme të urdhëruar për të mos trazuar ndërgjegjen shqiptare që u leverdis të jetë e fjetur, e mjegullt, në letargji, mbasi kështu shpërbëhen më lehtë!

E njëjta gjë me librin tjetër «Mbi krimin në Ballkan» në të cilin Kadare trajton problemet madhore të kombit shqiptar sot në shek.XXI.

Edhe në këtë rast grupi Lubonja nuk ka merak për të vërtetën e krimeve në Ballkan: vrasjet, shpërnguljet, doktrinat për shfarosjen e shqiptarëve, përdhunimet e mijëra grave dhe vajzave shqiptare në Kosovë. Në libër Kadare nuk flet për revansh, por që e vërteta të sqarohet. Na duhet të dihet nga ne dhe bota e vërteta sepse nga ajo varet e ardhmja e shqiptarëve në Ballkan.

Kadare flet në libër për mospendimin e Serbisë. Për përkëdheljet që i bëhen asaj. Për përpjekjet që bën Serbia për transferimin e krimit te shqiptarët.

Lubonja dhe grupi i tij shfaq pak a shumë të njëjtin merak, por në drejtim të kundërt. Grupi i tij, duke e quajtur Kadarenë monument te urrejtjes raciste shqiptare, bën thirrje që askush të mos besojë në ato që shkruan ai.

Ata bëhen merak se mos gjuha serbe është fyer! Dhe shpikin kështu përrallën e «shqipes-zonjë dhe serbishtes-jevgë». Dhe e shpërndajnë këtë shpifje ngado.

Kadare ka shkruar për përpjekjet e tyre për të deformuar të vërtetën historike të shqiptarëve.

Sipas këtyre të vetëshpallur çmitizues, rendi komunist shqiptar u ngrit mbi bazën e mësimeve të Rilindjes kombëtare shqiptare.

Kadare shkruan se, sipas një teze të tillë, krimet e komunizmit i kalojnë Rilindjes dhe drita e saj i kalon rendit komunist.

Sipas Kadaresë ky është lajkatimi më i madh që i është bërë ndonjëherë komunizmit shqiptar, dhe balta më e madhe që është hedhur mbi kulturën shqiptare, mbi aspiratat e Rilindasve.

Është hera e para që në këto 100 vjet është shpifur kështu kundër Rilindasve, Skënderbeut, gjuhës shqipe.

Ky qëndrim i Kadaresë shpallet prej tyre si nacionalizëm, qëndrim shqiptaro-centrist, etj. Me këtë qëndrim Kadare është bezdisës për të gjitha drejtimet dhe forcat antishqiptare. Eshtë shqetësues për krimet e mbuluara, që presin të zbulohen. Për politikanët pa atdhe si në Shqipëri si në Kosovë. Për fondamentalistët e të gjitha ngjyrave.

Në dy librat e tij të fundit Kadare si një euro-atllantist ka afirmuar më fort se kurrë aspiratën shqiptare për integrim europian. Për fatin e pazgjidhshem te Shqiperise me familjen e popujve europiane.

Në repekt të së vërtetës dua të nënvizoj një fakt që më bën përshtypje në sjelljen e Fatos Lubonjës. Në forume apo intervista jashtë vendit e prezantojnë si një ish të burgosur politik për 17 vjet nga regjimi i Enver Hoxhës. Kam lexuar librin e tij «Ridënimi». Në fund të leximit pyet veten, përse është dënuar ky njeri, çfarë aktiviteti apo çfarë artikulli kundër regjimit ka shkruar, mbasi ajo tjetra, arsyeja e ridënimit del qartë në libër. Nuk gjen në libër asnjë fjalë për arsyen e dënimit fillestar. Këtë e them sepse i mësuar me shtrembërimin e së vërtetës e paraqet veten si shkrimtar i dënuar për vepra letrare!!. Dhimbje e keqardhje për vitet e tij të burgut të vuajtur ndiejnë të dy palët, si ata që nuk e dinë këtë shtrembërim të dënimit fillestar ashtu edhe ata që e dijnë. Por shqiptarët me gjithë keqardhjen, e kanë mirë të qartë se dënimi i parë i Fatos Lubonjë ka ndodhur sipas zakonit monstruoz shqiptar gjatë regjimit diktatorial, për shkak tê babait të tij, ish anëtar i K.Q. Dhe jo si autor veprash letrare kundër regjimit.

Besoj se Lubonja me mënyrat interpretative të gjërave çfaq një tendencë të përgjithshme për të tërhequr vëmendjen si intelektual interesant, i kulturuar e i ditur, prandaj për pasojë edhe me një liri të plotë sjelljeje. Mendoj se këtu, brenda botëkuptimit të tij qëndron një paqartësi me veten, mbasi nuk mund të jesh interesant kur e ndërton argumentin mbi bazën e një keqinterpretimi. Kjo mund të vlejë si mjet shpërblimi shumë i mirë për jetesë por jo si vlerë intelektuale e lartë pasi hierarkia e vlerave matet me tjetër peshore. Në respekt për të vërtetën më duhet të them se Lubonja bën pjesë në atë grupim që quhet «i zakonshëm» si vlerë intelektuale. Vlerë e jashtëzakonshme gjendet te vepra e shkrimtarit Kadare. Kështu ka dëshmuar kultura europiane e më gjerë. Që Lubonja të ngrihet në nivel të jashtëzakonshëm duhet të na japi produkt, vepër të jashtëzakonshme, sepse deri tani ka qënë mirë me një pjesë të shkrimeve mbi politikën e biznesin shqiptar, por këto prapëseprapë mbesin në nivel produkti intelektual të rëndomtë.

Në historinë e Shqipërisë me vendet fqinjë ka një fakt shumë domethënës, fakt që shpjegon shumë çështje të diskutuara në opinionet kulturore të këtyre vendeve. Dihet tashmë se në ish Jugosllavi fillimisht dhe Serbi në vazhdim, ka funksionuar një institucion në nivel akademik, me buxhet të majmë vjetor e personel të zgjedhur mirë, që punon 24 orë dhe 7 ditët e javës pa pushim në funksion të ndërtimit e zbatimit me sukses të platformës për interesat e Serbisë në Kosovë por sidomos, më me këmbëngulje e arrogancë për këto interesa serbe në Shqipëri. Ka qënë një synim i pandryshueshëm për Serbinë të paktën në dy shekujt e fundit që të arrinte të shpërbënte Shqipërinë, të fshinte nga harta e Ballkanit nocionin e gjeografiko-demografik shqiptar. Botimet në Beograd të akademikëve e personaliteteve më të lartë politikë në 100 vjeçarin e fundit e pasqyrojnë qartë, me detaje, platformën serbe në dëm të Kosovës e të Shqipërisë dhe duhet që të jesh miop e mendjeshkurtër për të mos e parë dhe kuptuar. Një gjë e tillë, me një nivel organizimi kaq të lartë dhe me buxhet vjetor e personel përkatës që nënshkruan rregullisht në bordero nuk ka funksionuar kaq sistematikisht në vendin tjetër fqinj, në Greqi.

Modeli i intelektualit Fatos Lubonja, i etur për protagonizëm dhe në kërkim të madhështisë, mungesën e së cilës e vuajnë thellë, kapin shprehje jashtë kontekstit në veprën e një autori të madh si Kadare dhe mbi bazën e tyre ndërtojnë argumentin me të cilin tërheqin vëmëndjen e medias. Konkretisht p.sh. mund të bësh bujë mediatike të qëllimshme në rast se thua që te shkrimtari Kadare ka nota racizmi e nacionalizmi, ndërsa nuk ngre peshë, s’ta vë veshin njeri po të thuash të njëjtën gjë për shkrimtare te tjere mesatare ose medioker.

Shkrimtari Kadare është autori më i ashpër, më kritikues, më dënues dhe më realist në dënimin e difekteve të shqiptarëve sipas një aksiome të njohur botërisht: «Vetëm kush është i vetëdijshëm për identitetin e tij kulturor e religjioz, mund të çmoj dhe të dojë identitetin e tjetrit». Në librat e intervistat e shkrimtarit Kadare gjen me shumicë opinione mospajtuese për mendësi të caktuara, vlerësime negative për gjëra të veçanta dhe qëndrime kritikuese ndaj sjelljeve si të grekëve ashtu e më shumë edhe të shqiptarëve. Natyrshëm nuk kanë munguar vlerësimet edhe për malazestë apo për maqedonasit, fqinjët me të cilët japim e marrim. Paradoksalisht nuk gjen as nga intelektual malazez, as nga ata maqedonas por në mënyrë të veçantë asnjëherë as nga autoritetet kulturore greke, ndonjë etiketim apo kritikë si racist ose nacionalist. Ështe interesant shëmbulli i një vendi fqinjë , Malit të Zi, i cili ndonëse gjuhën e vet ka serbishten, nuk është fyer aspak prej gjoja racizmit të Kadaresë. Në Mal të Zi, ku Kadare është mjaft i njohur, vepra e tij është pritur me shumë interes dhe dashamiresi, siç duket qartë nga intervista që një prej shkrimtarëve më të shquar malazes i ka marrë Kadaresë, me rastin e botimit të «Darkës së gabuar».

Nuk kemi asnjë shkrimtar grek që të jetë ngritur me ndonjë akuzë për qëndrim racist apo nacionalist të shkrimtarit Kadare ndaj gjuhës greke, ndaj kulturës greke dhe ndaj popullit grek as edhe atëherë kur Kadare bojkotoi forumin grek për shkak të thirrjeve antishqiptare të ushtarëve grek në paradën ceremoniale.

Më 1996 shkrimtari Kadare u pranua në Akademinë prestigjioze të Shkencave Moral Politike në Francë, ku parimi moral është kryesori. Anëtarë të huaj të kësaj akademije janë ndër të tjerë Papa Benedikt XVI që kur ishte kardinal dhe mbreti Huan Karlos i Spanjës. Kurse bota ish komuniste përfaqësohet nga Haveli i Çekisë dhe Kadare i Shqiperise.

Përse ndodh kjo gjë ndryshe me serbët, fqinj të shqiptarëve si këta të tjerët? Ka një shpjegim të qartë e të thjeshtë. Këtu ndërhyn e vepron ai që thamë më sipër, «Katalizatori i institucionit shtetëror serb» i pajisur me një sistem funksionl shumëplanësh në të gjitha fushat e jetës. Aq më fuqishëm në fushën e letrave, (sepse e shkruara nuk zë ndryshk), me shkrime dhe intervista që, marrin një vlerë të shumfishtë kur akuzat vijnë nga shqiptarë, bashkëqytetarë të shkrimtarit Kadare.

Sistem që peshkon modelin e intelektualit Fatos Lubonja etj., dhe i shfrytëzon maksimalisht me një rezultat të suksesshëm që kënaq të dyja palët. E para qëllimet shpifëse, dizinformuese antikadare e antishqiptare kurorëzohen sipas interesit serb. E dyta modeli i intelektualit Lubonja, intelektualit mercenar, « muhaxhiri i kulturës shqiptare» të Faik Konicës ngrefoset me protagonizëm, ndërkohë që i vishet një intelektualizëm fallc, intelektualizëm që shkon në interes të kundërt me interesat e vendit, të shoqërisë e të kulturës së kombit. Shpifja që vjen nga njerëzit e tu është më e dëmshme në të keqen e saj, çorodit më shumë e më thellë të painformuarit, prandaj kërkohet nga përkrahësit e shpifjes me insistim dhe shpërblehet mirë. Për asnjeri nuk është sekret se kundër këtij shkrimtari, në mënyrë këmbëngulëse, cinike dhe të orkestruar vazhdon një dubël fushatë shpifjesh: në shtyp dhe pas krahëve.

Interesant është fakti se kritikat që ndaj Kadaresë drejton Lubonja e kompani nuk janë përmendur në asnjë rast nga studjues serioz francez të letërsisë e shkencave shoqërore të këtyre 40 viteve të fundit siç është rasti i Rene Girard, historian, kritik i letërsisë, filozof i shkencave shoqërore, studjues i njohur i letërsisë krahasimtare dhe anëtar i Akademisë franceze nga viti 2005. Nuk është e mundur që këto çfaqje nacionaliste apo raciste të shkrimtarit Kadare të supozuara e të keqinterpretuara qellimisht nga Lubonja t’i kenë shpëtuar atij në studimet e tij serioze të natyrës së kritikës letrare, filozofike, antropologjike, sociologjike e multikulturalizmin, nëse do kishte të tilla te vepra e Kadaresë.

Një tjetër shkrimtar dhe filozof francez në zë i ditëve tona, autor referencë në kulturën e sotme franceze Pascal Bruckner, i njohur për debatet mbi multikulturalizmin, i vëmendshëm ndaj letërsisë së shkrimtarit Kadare, asnjëherë nuk ka folur për ndonjë nuancë nacionalizmi apo racizmi në veprën e tij voluminoze. Madje ai ka mbështetur dhe inkurajuar aktivisht kauzën e popullit kroat, atij boshnjak e kosovar kundër racizmit e agresionit serb të klikës së Millosheviçit.

Po përmend këta studjues të njohur francezë mbasi janë këta që janë njohur më së pari si lexues me veprën letrare të Kadaresë të përkthyer në frëngjisht fillimisht.

Marcel Reich-Ranicki, kritiku letrar bashkëkohor më me influenc në Gjermani, shpesh i quajtur “Papa i letërsisë” i njohur mirë me letërsinë e Kadaresë të përkthyer në gjermanisht, nuk besoj se do e kursente kritikën ndaj shkrimtarit tonë nëse do konstatonte te ai nuanca të racizmit apo nacionalizmit. Aq më tepër një kritikë gjerman që racizmin dhe nacionalizmin në letërsi i njeh dhe ia ka vuajtur thellësisht. Këta kritikë francezë e gjerman ishin në kulmin e aktivitetit të tyre profesional, kur shkrimtari kadare po përkthehej nga shtëpi botuese franceze e gjermane e ylli i tij letrar ishte në ngritje të shpejtë. Këta kritikë të huaj në zë nuk mund t’a kishin jashtë vëmëndjes së tyre shkrimtarin Kadare aq më tepër që vepra e tij përfaqësonte një letërsi krejt të panjohur të një vendit ë vogël.

Në rrjedhën e këtij arsyetimi nuk mund të lemë pa përmendur edhe një fakt tjetër, Juritë e çmimeve prestigjioze që kanë vlerësuar shkrimtarin Kadare. Motivacioni argumentues i këtyre Jurive nuk përputhet në asnjë moment me shpifjet e Lubonjës e kompani. Këta harrojnë me qëllim një gjë mjaft të rëndësishme, konceptin « kohë » si faktor përcaktues në terrenin vlerësues dhe filtrimin e vlerave. Këto çmime shkrimtarit Kadare iu akorduan jo në fillim të karierës, përkundrazi mbas 35 vitesh kur koha ishte e mjaftueshme për shoshitjen e vlerave të vërteta, kriterin moral dhe antitotalitarizmin e tyre i kishte konfirmuar ato në nivel europian e më gjerë. Shpifësit edhe në këtë rast janë jashtë kontekstit të së vërtetës.

Ka një episod që lidhet me vlerat e një kombi, episod ku në qëndër është ish kryeministria e Anglisë, Margaret Thatcher. Ambasadori i një vendi të vogël të pazhvilluar e larg vëmëndjes gjeo-strategjike shkon t’i kërkojë një këshillë se çfarë duhej të bënte vendi i tij që të tërhiqte vëmëndjen e vendeve më të mëdha.

Përgjigjja e Thatcherit ishte: “Si fillim nuk ju duhet të bëni shumë. Si hap i parë nxirrni një Gjeni. Pastaj hapat e tjerë hidhini sipas këshillave të gjeniut tuaj”.

Do s’do Lubonja dhe shpura e tij në mendimin kulturor dhe filozofik shqiptar është çimentuar tashmë një shtyllë solide që ka në strukturë veprën e shkrimtarit Kadare si referencë ku kultura e huaj depërton në botën e mendimit të kombit shqiptar.