Varrimi në Kaninë i Ismail Qemalit: fakte interesante

0
21

ResPublica.al, 11 janar 2012

Tri të përditshme, Shekulli, Shqip e Gazeta Shqiptare, kishin publikuar sot të njëjtin material mbi flamurin, me të cilin është përcjellë gjatë funeralit trupi i Ismail Qemalit. Është një material, ku pohohen fakte interesante (veçse s’kuptohet pse duhej publikuar në tri gazeta). Ja disa fakte, një pjesë e të cilave merren vesh për herë të parë:

-Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në hotelin “Brufani”, më 26 janar të vitit 1919, (por ky është një moment i njohur. Re.Pu.).

-Në darkën e 10 shkurtit 1919, luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës arkivolin me trupin e pa jetë të tij. Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian.

-U vendos që Ismail Qemali të varrosej në Kaninë, në varrezën familiare të familjes Vlora, me që në qytet nuk kishte mundësi urbanistike.

-Komanda italiane, që u trembej problemeve me rendin publik, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Por këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar; pas kësaj, komanda italiane ra dakord dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë.

-Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars të vitit 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë. Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora.

-Ceremonia e varrimit u bë më 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë.

-U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora dhjetë.

-Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.
-Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga “Djelmoshat e Vlorës”, të shoqërisë me po këtë emër.

-Pas ecte banda ushtarake qe luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh.

-Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemt e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritet ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë.

Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në “Sheshin e Flamurit” me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.

Re.Pu.