Në këtë portret të titulluar “Për lindjen e politikanit Bamir Topi”, ish-këshilltari i Berishës, Mero Baze dëshmon mes të tjerash për një skenë të korrikut 2007, kur zhvilloheshin tratativa për zgjedhjen e Presidentit të ri. “Edi Rama ishte tallur dhe i kishte kërkuar Blendi Klosit t’i thoshte Astrit Patozit që Berisha t’i dilte në chat në MSN që të flisnin. Ishte një skenë që nuk e harroj kurrë. Berisha ishte xhindosur jo vetëm nga nënvleftësimi që Rama po i bënte negociatave për të gjetur dikë që nuk i prishte punë Berishës, por dhe nga ajo që ai e quante teknikë nënvleftësuese kontakti. – Ai qenka palaço, tha. Unë i bëra nder atij, unë eliminova Bamir Topin nga gara, çfarë do më shumë nga unë ai?”
Dy netë më parë në një intervistë televizive, Topi tha se pas 21 janarit Berisha është një person i dalë jashtë kontrollit, të cilin ai e mëshiron. President konfirmoi gjithashtu mundësinë e krijimit të një partie të re të djathtë.
Mero Baze
Në historinë e politikës shqiptare, rasti i Bamir Topit deri më sot ka qenë përjashtim. Ai nuk i ka ngjarë askujt në karrierën e tij politike dhe shtetërore. Nuk i ka ngjarë askujt as nga ritmi i karrierës, as nga cilësia e saj dhe as nga investimi që ka bërë për të marrë atë që ka sot. Ai hyri në qeverinë e Aleksandër Meksit në vitin 1996 si një i ri shkolluar në Perëndim me lidhje të forta me kryeqytetin, duke zëvendësuar një ministër që e zinte avioni. Në vitin 1997 ai nuk ishte as tek besnikët dhe as tek tradhtarët e Sali Berishës. Ndryshe nga shumë njerëz që rrahin gjoksin, ai ka qenë politikani i fundit i PD që ka qenë në Vlorë në ato muaj, i parrezikuar nga qytetarët.
Pas daljes së Berishës në opozitë, kur shumica e ish ministrave të tij e braktisën, Bamir Topi qëndroi aty pa folur dhe pa miratuar asgjë nga ato që ndodhnin. Berisha e angazhoi në kryesinë e PD-së, dhe kur fraksioni Pollo u largua nga PD-ja duke marrë me vete një numër të madh emrash të njohur të PD-së, Topi përfundoi nënkryetar i PD-së në vend të Jemin Gjanës. Përveç atyre që njihnin nga afër Berishën dhe Topin, gjithkush mendonte se ai ishte “dashuria” e re e Berishës. Me një investim personal Berisha shmangu zgjedhjen e tij kryetar të PD-së së Tiranës duke thuajse emëruar aty Vili Minarollin.
Kjo krijoi distancën e parë publike mes tij dhe Topit që lexohej në heshtje sidomos nga elektorati i Tiranës. Në përpjekje për të gjetur një kandidaturë për Bashkinë e Tiranës në vitin 2000, Berisha shmangu sërish Topin, duke zgjedhur nga “baza” e partisë Besnik Mustafajn. Në zgjedhjet e vitit 2001, Topi u rrezikua të hynte në Kuvend duke shkuar në balotazh. Ai mbajti një konferencë nervoze shtypi, ku la të kuptohej se kishte një pakt kundër tij nga të dy palët. Të dielën e balotazhit fitoi.
Karriera e tij e re si nënkryetar i PD dhe kryetar i grupit parlamentar i mbartte të gjitha nuancat e luftës së ftohtë që kishte me Berishën. Në vitin 2003 Berisha ia ofroi me bujari postin e kandidatit për Bashkinë e Tiranës, por tashmë gota ishte thyer. Nuk e pranoi. Berisha vazhdoi të sillej me kujdes për të mos ekspozuar ftohtësinë ndaj tij, por brenda PD-së gjithkush që ishte i pakënaqur nga Berisha filloi të ishte mik i tij. Një investim politik pasiv, që vilte vetëm frytet e anti-berishizmit.
Retorika e ashpër e Berishës ndaj korrupsionit dhe sidomos ndaj Klanit të Zemunit ishte sërish një rast për të bërë diferencën. Topi, ndryshe nga shumë drejtues të sotëm të PD-së, që nuk guxojnë as të përshëndeten me njerëz që sulmon Berisha, shkonte hante drekë me Agron Dukën sapo Berisha mbaronte fjalimin në parlament kundër “Klanit të Zemunit”. Ky ishte një emancipim që i jepte vlerë personalitetit politik në PD. E krahasuar me sot, ku askush nga PD-ja nuk shkon as në një promovim libri nëse ai nuk i ka pëlqyer Berishës, gjestet e Topit ishin një diferencë e fortë që trembte realisht Berishën.
Pas rikthimit të Berishës në pushtet, Topi nuk vrapoi për poste. Qëndroi në pasivitet dhe jashtë pazareve për pushtetin e ri. Nuk pranoi një post të rëndomtë ministri, por preferoi të ishte në krye të grupit parlamentar. Berisha e shikonte me makth heshtjen e tij dhe përpiqej ta kompensonte duke tentuar ta përfshinte në debatet brenda grupit parlamentar. Topi ishte gjithnjë e më pasiv. As në mbledhjet e grupit, ku siç e ka zakon i pari dhe i fundit flet Berisha, nuk merrte më pjesë, një refuzim ky elegant i përpjekjes për ta nënvleftësuar postin e tij.
E vetmja gjë që ai kërkoi zyrtarisht nga partia, ishte posti i presidentit në vitin 2007. Berisha ia pranoi formalisht kërkesën duke nënqeshur, por nuk kishte asnjë dëshirë t’ia plotësonte. Ai ndërtoi një strategji bisedimesh me Edi Ramën që linte jashtë ndërtesës së presidentit Bamir Topin. Bisedimet u përqendruan tek një figurë jopolitike, konsensuale. Topi dhe Nano ishin dy emrat politikë, që edhe pse i përkisnin të majtës dhe të djathtës, nuk i donte as kreu i së majtës, as kreu i së djathtës.
Një ditë më 4 korrik, kur Astrit Patozi dhe Blendi Klosi rrekeshin të takonin njëri Sali Berishën dhe tjetri Edi Ramën, për të kuptuar ç’do bënin me presidentin, Sali Berisha humbi durimin. Edi Rama ishte tallur dhe i kishte kërkuar Blendi Klosit t’i thoshte Astrit Patozit që Berisha t’i dilte në chat në MSN që të flisnin. Ishte një skenë që nuk e harroj kurrë. Berisha ishte xhindosur jo vetëm nga nënvleftësimi që Rama po i bënte negociatave për të gjetur dikë që nuk i prishte punë Berishës, por dhe nga ajo që ai e quante teknikë nënvleftësuese kontakti.
– Ai qenka palaço, tha. Unë i bëra nder atij, unë eliminova Bamir Topin nga gara, çfarë do më shumë nga unë ai?
Ky ishte një shkulm që i doli nga zemra. Më shumë se sa kush do të zgjidhej president, Berisha ishte i qartë se kush nuk duhej të zgjidhej. Por situata pas kësaj i doli jashtë kontrollit. Topi e kuptoi thikën pas shpine dhe pas një mbledhje kryesie të PD-së doli para gazetarëve duke akuzuar PD për punizëm. Një grup i madh deputetësh mbështetës të tij, që kishin demonstruar mbështetje publike, kërcënuan nën zë se nëse ai nuk zgjidhej, në vjedhtë dokishqeveri të re ose zgjedhje të reja. Berisha u fut në panik. Pas kësaj Topi nuk u investua më. Skema e re e Berishës ishte të hiqte qafe Bamir Topin me “ngritje në detyrë”. Ai udhëhoqi një operacion tejet të vështirë duke punuar me deputetë të Fatos Nanos duke premtuar biznese kompensuese për ta dhe shefin e tyre, dhe më në fund duke përdorur dhe naivitetin e përzierë me ego të Neritan Cekës ja doli ta hiqte qafe djalin plangprishës.
Në një drekë lamtumire në vilën e tij në Durrës, Berisha dhe Topi falenderuan njëri-tjetrin për mbështetje me një ftohtësi prej të vdekuri.
Sapo Topi u bë president, Berisha mori frymë i lehtësuar dhe nisi punën për pastrimin e grupit të tij. Egërsia e tij ndaj deputetëve që mbështetën Topin ishte ekstreme. Shumica e tyre u detyruan të kthehen në ushtarë të pështirë të Berishës ose humbën çdo lidhje me pushtetin. Në zgjedhjet e vitit 2009 ata nuk ekzistonin më. Gazmend Oketa i mbetur aty me një fije shprese se do reflektonte, po e pëson ende prej mbështetjes së tij për Topin. Urrejtja e Berishës ndaj tij u bë gati institucionale. Ai u investua në një luftë të vazhdueshme politike për t’i dëshmuar partisë së tij dhe sidomos simpatizantëve të Topit në Tiranë se Bamir Topi ‘kishtradhtuar” PD dhe të djathtën dhe ishte bërë aleat me Edi Ramën. Herë duke përdorur Topallin, herë duke marrë vetë flamurin e kësaj lufte, ai në të vërtetë ja arriti të shkonte deri tek manipulimi ekstrem me votën e tij më 8 maj.Ai e sulmoi atë egër më 21 janar duke e quajtur koka e puçit dhe horr bulevardi.
Qëllimi është t’i mbyllin derën për tu kthyer nga e djathta pas vitit 2012. Bamir Topi i ka pritur me qetësi dhe pasivitet këto sulme. Nuk ka folur kurrë, nuk ka aplikuar kurrë dhe as u ka kushtuar rëndësi. Parmbrëmë në emisionin Top Story, ai la mënjanë karrigen e presidentit dhe veshi kostumin e politikanit. Ju përgjigj Berishës pikë më pikë, bile në disa detaje që bëjnë diferencë të madhe mes tij dhe Berishës. Përgjigja më e hidhur e Topit për 21 Janarin nuk ishte se Berisha është bërë për t’u mishëruar, por shpjegimi gati befasues që ai i bëri konceptit të bulevardit për kryeqytetin. Me stofin e një çuni bulevardi, që urrehej prej sekretarëve të partisë në kohën e komunizmit, ai e risolli Berishën e vjetër sekretar partie më 21 Janar.
Raporti i sekretarëve të partisë me djemtë e bulevardit u ringjall me një ish- sekretar partie kryeministër me qytetarët e vrarë të bulevardit. Topi ishte po ashtu sfidues në ambiciet e tij politike, në diferencën që bën me Berishën në qytetari dhe kulturë komunikimi, dhe mbi të gjitha me shansin që i jep koha, e cila nuk punon më për Berishën. Ai ikën nga Presidenca kur Shqipëria hyn në vit elektoral, kur e djathta do të hiqet zvarrë pas një plaku të rrënuar mendërisht dhe politikisht, me një tren të tërë skandalesh financiare dhe korruptive të familjes së tij, me vagona të tërë mbushur me arkivole, dhe fatkeqësira në emër të mbajtjes së pushtetit. Ai rikthehet për Berishën në kohën më të keqe, në vendin më të keq dhe me objektivin më të keq të mundshëm për të: Të kërkojë të rimarrë hipotekën e potencialit të tij politik tek e djathta, anti-berishizmin e përdhunuar nga pushteti i Familjes. Kjo është prona reale e vjetër e Bamir Topit tek e djathta shqiptare.
CV e shkurtër e Bamir Topit
Bamir Topi (51 vjeç), i diplomuar për biologji në Institutin e Studimeve Veterinare në Tiranë në vitin 1984. I laureuar për doktoraturë në Itali, drejtoi institutin në vitet (1992-1996). Deputet prej vitit 1996, ministër bujqësie deri në mars 1997. Ishte nën kryetar i PD-së, dy herë si anëtar i parlamentit dhe shërbeu si kryetar i grupit parlamentar të partisë.
U zgjodh president në vend të Alfred Moisiut më 24 korrik 2007, pas tre tentativave të dështuara, kur në raundin e katërt më 20 korrik mori votat e 85 nga 91 depututët që merrin pjesë gjatë seancës së votimit, duke përfshirë disa anëtarë të partisë opozitare socialiste. Topi premtoi se do të punojë për integrimin e vendit të tij në BE dhe NATO. “Çdo gjë ka nevojë të ndryshohet pasi ne përballemi me sfida të reja historike të dëshiruara nga populli shqiptar,” –kishte deklaruar presidenti i ri në fillimin e mandatit të tij pesëvjeçar. Por pak muaj pas marrjes së detyrës nisën fërkimet e para me kryeministrin Berisha, ndërsa sot është përfundimisht armik i PD-së. Pas masakrës së 21 janarit mbi protestuesit antiqeveritarë u shpall pjesëtar i “puçit” kundër qeverisë së Berishës.
Topi, 6 opsione për hapin e ardhshëm në politikë
Fati i Presidentit të Republikës Bamir Topi, ish-nënkryetar i Partisë Demokratike dhe tani në armiqësi me kreun e saj, Sali Berishën, ka qenë një prej më të diskutuarve dhe do të bëhet edhe më shumë i tillë me afrimin e datës së zgjedhjes së kryetarit të ri të shtetit. Ç’lëvizje do të bëjë Topi? pyetet gjithandej në qarqe politike e mediatike, por edhe në shoqëri. Përgjigja është dhënë parmbrëmë në intervistën televizive me një frazë të cilën Presidenti e ka etiketuar si të preferuarën e tij: Kurrë mos thuaj kurrë! Ja atëherë një listim i alternativave që shtrihen para Topit, por edhe që janë diskutuar më media:
1-Topi merr mbështetjen e PD për një mandat të dytë.
2-Topi merr mbështetjen e PS për një mandat të dytë.
3-Topi lë presidencën formon parti të re duke tërhequr nga PD-ja mbështetësit e tij, të pakënaqurit e larguar dhe ata që janë ende në PD.
4-Topi merr drejtimin e LZHK-së duke formuar një pol të ri të së djathtës me Ngjelën, Ndokën, Shehin, Ngjelën, Mustafajn, Oketën, Meksin e të tjerë për të patur kështu njëfarë LSI-ie djathtas.
5-Topi merr kryesimin e Aleancës Kuq e Zi duke e shndërruar dhe regjistruar atë si parti politike.
6-Topi kthehet në PD si pjesë e një pakti paraelektoral me Berishën pjesë e të cilit janë oferta ministrore për të dhe disa prej mbështetësve të tij.
CV e shkurtër e Sali Berishës
Sali Berisha (67 vjeç), me profesion kardiolog. Ish-sekretari i PPSH u anëtarësua në këtë parti në 1968 dhe gjatë rregjimit komunist punoi asistent/profesor mjekësie në universitetin e Tiranës dhe mjek kardiolog në Spitalin e Përgjithshëm. Në 1978 dërgohet nga rregjimi për trajnim në Paris. Në 1989 merr titullin Profesor në Universitetin e Tiranës. Në 4 gusht 1990 në një takim të intelektualëve me ish-Presidentin Ramiz Alia, u shfaq kundër pluralizmit në Shqipëri. Në 9 dhjetor 1990 dërgohet nga Alia për të ndërmjetësuar me studentët e Tiranës. U bë pas kësaj drejtuesi i partisë së parë opozitare dhe zyrtarisht ishte kryetar i saj në shkurt 1991. Pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, PD fitoi 62% të votave popullore dhe 92 nga 140 vende në Kuvendin Popullor dhe në 8 prill 1992 u zgjodh Presidenti. U rrëzua nga protestat popullore të pranverës 1997 pas rrënimit të shtetit dhe mbajti kreun e PD-së. Me 3 korrik 2005, rikthehet kryeministër, pasi koalicioni i i tij fitoi 74 deputetë. Në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 rimerr një mandat tjetër në aleancë me LSI-në.







