10 pikat, Berisha dhe 21 janari

0
42

Nga Preç Zogaj

Dhjetë pikat e paktit të propozuar nga shefi i opozitës, Edi Rama, janë një reflektim dhe interpretim i trefishtë i ndjeshmërive opozitare në vend, i mundësive të shumicës për t’i pranuar pa humbur nderin dhe gjë tjetër, i premisave reale për zhbllokimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Europë. T’i marrim me radhë.

* * *

Ndjeshmëritë opozitare në PS, në Opozitën e Bashkuar dhe në opinionin publik rrokin një spektër të gjerë pozicionesh, pikëpamjesh, qëndrimesh, kundërshtish, kundërvëniesh e dikotomish me qeverinë. Në shtrirjen horizontale të këtij spektri do të gjesh ata që duan një opozitë të moderuar, si rruga më e mirë, sipas tyre, për t’i marrë terren qeverisë. Në krahun tjetër do të gjesh ata që kanë si kriter bazë të opozitarizmit vrasjet e pazbardhura dhe të pandëshkuara të 21 janarit, manipulimin e zbardhur, por të pandëshkuar të zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë, degradimin e përditshëm të shtetit ligjor në xhungël. Gjithë ky diversitet që zhvillohet në suazën e legjitimitetit vjen i reflektuar dhe i balancuar me kujdes në paketën e Ramës. Lidershipi i një opozitë plurale e ka për detyrë t’u japë zë gjithë zërave brenda saj në linjën politike që ndjek dhe në sjelljen me qeverinë. Natyrisht, pa rënë në provokime dhe pa shtruar propozime bllokuese, që dihet se nuk do të pranohen nga pala tjetër.

Në listën e 10 pikave, e vetmja që tingëllon disi provokuese për Berishën në pamje të parë është ajo me numër nëntë, në të cilin Rama propozon që kryetarët e partive parlamentare dhe deputetët e Kuvendit t’i drejtohen me një letër Prokurores së Përgjithshme të Republikës, ku ta inkurajojnë, t’i japin mbështetje dhe t’i ofrojnë bashkëpunimin e tyre për dy çështje madhore: së pari, për zbardhjen e plotë të 21 janarit; së dyti, për sqarimin dhe hetimin e të dhënave për korrupsion dhe përfshirje në botën e krimit të disa politikanëve, zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë shqiptar që përmenden në kabllogramet e ambasadës amerikane në Tiranë të publikuara nga Wikileaks.

Ky propozim stonon vërtet me praktikat normale të funksionimit të shtetit ligjor, ku çdo institucion presupozohet se bën e duhet të bëjë punën e vet. Por nuk stonon aspak me praktikat e funksionimit të shtetit politik në Shqipërinë e sotme ku bajraktarizmi, urdhri politik dhe voluntarizmi i patriarkëve partiakë të shumicës qëndrojnë mbi ligjin. Në këto kushte, kjo që propozon Rama është ndoshta e vetmja zgjidhje e periudhës për të luftuar kulturën e pandëshkueshmërisë së krimit në Shqipëri. Propozimi në fjalë përligjet dhe merr kuptim prej faktit se subjekt i hetimit të dy çështjeve në fjalë janë para së gjithash politikanët, ata që kanë bllokuar e degraduar me fuqinë, me pushtetin, me paranë dhe me aferat e tyre korruptive vetë drejtësinë.

Rastet janë shumë. Më flagranti është ai i vrasjeve të 21 janarit. Tutja e prokurorisë për t’i shkuar në fund vrasjes së katër protestuesve nga Garda e Republikës ka pasur e ka një kontekst konkret pengesash, presionesh e shantazhesh të mirënjohura tashmë për publikun e gjerë. Qeveria “Berisha” ia ka arritur ta frikësojë, ta kompleksojë, ta komprometojë, madje edhe ta kontrollojë e komandojë sistemin e drejtësisë. Qeveria në fakt e “ka fituar” betejën me prokurorinë dhe gjykatat, në kuptimin që aferat korruptive dhe kriminale me autorësi apo mbështetje politike hetohen me frikë, me vështirësi ose nuk hetohen e nuk gjykohen më. Krimi ka marrë statusin e pandëshkueshmërisë për këtë shkak. Ministrat e Berishës dalin të pafajshëm edhe kur kapen me presh në dorë me zë dhe me figurë.

Kjo sigurisht nuk është fitore. Ky është shkatërrim. Në këtë kontekst pika nëntë e paketës së Ramës është një propozim drejtuar gjithë klasës politike për t’u tërhequr nga një betejë që nuk duhej bërë e nuk duhet bërë – nga beteja me ligjin dhe drejtësinë; është një propozim për të ndryshuar kryekëput qasjen ndaj gjithë problematikës që gjeneron lidhja e politikës me krimin, duke dhënë liderët dhe deputetët shembullin personal të bashkëpunimit me drejtësinë për çdo çështje dhe akuzë. Ky është imperativi i Shqipërisë së sotme. Përndryshe, do të vazhdojmë të zhytemi gjithnjë e më thellë në xhungël. Nuk do të ketë kurrë drejtësi me prokurorë e gjykatës të kërcënuar orë e çast deri me bukën e fëmijëve. Drejtësia nuk mund të fitojë duke luftuar me politikën që e pengon, por vetëm duke u mbështetur prej saj.

Është shumë libreske dhe padyshim demagogjike ajo që thotë Berisha se drejtësia ka përpara ligjet për të vepruar. Shprehja tingëllon e pabesueshme në gojën e një njeriu që e ka treguar shumë shpesh mungesën e respektit për ligjin. Por edhe po të ishte një pedant i ligjit zoti Berisha, koncepti se drejtësisë i mjaftojnë ligjet është i njëanshëm, i mangët. Në fund të fundit pse partitë dhe krerët e tyre i premtojnë popullit drejtësi kur i kërkojnë votën? Pse të premtohet drejtësia në fushatë elektorale kur atë e garantuakan ligjet? Premtohet, sepse drejtësia nuk bie nga qielli, por merr jetë ose jo nga subjektet dhe përfaqësuesit politikë të populli. Kriza e drejtësisë në Shqipëri është në thelb krizë e qeverisë, si shprehje e braktisjes dhe shkeljes prej saj të premtimeve elektorale.

Propozimi për t’ju drejtuar me letër kryeprokurores duket provokativ, duke pasur parasysh çfarë ka nxjerrë nga goja zoti Berisha për zonjën Ina Rama të nesërmen e vrasjeve të 21 janarit, si dhe angazhimin e tij të drejtpërdrejtë për të mos lejuar arrestimin dhe hetimin e gardistëve të akuzuar si autorë apo pjesëmarrës në vrasjen dhe plagosjen me armë zjarri të qytetarëve. Mirëpo po ta shohim si është parashtruar dhe sidomos po ta shohim nga distanca e kohës që ka kaluar, do të kuptojmë se nuk ka në këtë propozim kurrfarë provokimi dhe paragjykimi.

Ka vetëm një shqetësim: zbardhjen e tragjedisë. Rama ofrohet i pari për t’u hetuar. Pas tij gjithë drejtuesit e tjerë të opozitës. Për organizimin e demonstratës dhe për gjithë çfarë i ka qarë apo i qan mendja Sali Berishës dhe qeverisë së tij rreth asaj demonstrate. Duke iu hapur hetimit për organizimin e demonstratës, shefi i opozitës kërkon që qeveria të mbështesë publikisht hetimet për vrasjet e protestuesve. Kjo është pika e takimit ku qeveria nuk mund të mungojë. Për të ruajtur dinjitetin e partnershipit, nëse shtrohet problemi, letrën në emër të PD-së mund ta nënshkruajë dikush tjetër, pra jo kryeministri Berisha.

Përtej kësaj, gjithçka është etike, jetike, e domosdoshme. Asnjë qeveri demokratike nuk mund të pajtohet me mos’hetimin e një krimi ku kanë humbur jetën njerëz të pafajshëm. Edhe kur krimi është kryer me instrumentet e qeverisë apo për llogari të saj. Merret me mend sa mund të pajtohet me një krim të tillë opozita që i ka ftuar njerëzit në demonstratë.

Një opozitë e vrarë nuk mund të jetë kurrë në paqe me qeverinë pa dalë në dritë e vërteta. Opozita nuk mund të luajë, nuk mund të harrojë apo të bëjë sikur po harron për shkak të koniunkturave dhe erërave politike. Vetë publiku, madje edhe vete qeveria duhet të alarmohen nëse opozita luan, harron apo bën sikur harron. Sepse një opozitë e tillë do të urdhëroje vrasje të ngjashme kur të vije nesër në pushtet.

Ma merr mendja se me 21 janar nuk do të ishin vrarë njerëz, nëse PD dhe Berisha do të kishin treguar konsekuencë në akuzat e tyre për vrasjen politike të Azem Hajdarit dhe këto të akuza do të kishin dalë para drejtësisë. Qëllon që për interesat e ndërsjella të pushtetit politikanët lajnë njollat e gjakut nga duart e njëri tjetrit. Kjo nuk duhet të ndodhë në Shqipëri. Prandaj ka vlerë të madhe propozimi për mbështetjen politike të hetimeve për 21 janarin.

Në të njëjtën pikë është përfshirë edhe sqarimi dhe hetimi i akuzave në dritën e publikimit të kabllogrameve të ambasadës amerikane në Tiranë ku përmenden emra zyrtarësh dhe deputetësh. Po të mos kishin dalë kabllogramet, politika amerikane me siguri do të kishte gjetur rrugë të tjera për të adresuar e ndihmuar përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit me autorësi apo prapavijë politike. Por kabllogramet kanë dalë dhe Tirana nuk mund të bëjë strucin. Mbajtja e diskrecionit është qëndrimi i Uashingtonit, por nuk ka arsye të jetë edhe i Tiranës në kuptimin që Tirana të injorojë disa fakte dhe indicie domethënëse, të domosdoshme për t’u sqaruar apo edhe për t’u hetuar po të jetë nevoja. Me këtë propozim Rama ka marrë një risk, sepse në kabllograme përmenden edhe deputetë të partisë së tij. Kush nuk ka bërë gjë, kush është përmendur gabim apo padrejtësisht nuk ka pse të shqetësohet, madje duhet të jetë i interesuar për të bërë transparencë.

Ndërkaq, fakti që ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, është cituar të këtë përmendur në ambasadë emrin e djalit të kryeministrit për aferën e Gërdecit, nuk mund të përdoret nga kryeministri dhe kushdo tjetër në vend të tij për të bërë të paqenë gjithçka që është shkruar në ato kabllograme. Berisha i ka “amnistuar” të gjithë të përmendurit ngaqë përmendet një Berishë.

Por “të amnistuarit” nuk e kanë në favor këtë gjë, pavarësisht se mund t’u interesojë për momentin. Publiku nuk e ka e nuk e ka në favor. Në qoftë se vret keq përulja kolektive e deputetëve para kabllogrameve, mund të gjendet një zgjidhje tjetër: hetimi i disa fakteve kriminale skandaloze që referohen me hollësi nga burimet e brendshme të Ambasadës amerikane. Si për shembull, lirimi i paligjshëm i disa të burgosurve për krime të rënda në prag të zgjedhjeve të 29 qershorit 2009. Ka gjithnjë hapësirë për t’u marrë vesh për të mirën e përgjithshme. Mjafton ta duam dhe të duam.

* * *

Pikat e tjera të propozuara nga opozita nuk e venë në vështirësi dhe nuk e cenojnë në asgjë qeverinë. Përkundrazi… (Vijon në numrin e nesërm)