FOTO LAJM/ AK: Ja zyrtari i Berishës, që punon hapur për Agimin e Artë

0
83

TemA, 18 Shkurt 2013

Aleanca Kuq e Zi ka vazhduar të denoncojë rastin e këshilltarit të ministrit të Punës, që është edhe një nga drejtuesit e organizatave që punojnë për aneksimin e jugut të Shqipërisë.

“Aleanca Kuq e Zi denoncon sërish përfshirjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë së shtetasit Sali Berisha në festimet e 99- vjetorit të të ashtuquajturit “Vorio Epir”, festime të cilat u mbajtën në Athinë më 17 shkurt dhe ku pjesëmarrës ka qenë këshilltari i Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, pjesëtari i “Agimit të Artë”, Theofan Kaliviotis.

Në foton që Aleanca Kuq e Zi po ju dërgon, në rreshtin e parë të festuesve të 99- vjetorit të pavarësisë së “Vorio Epirit” në qendër të Athinës, ndodhet i pari në rresht Theofan Kaliviotis, këshilltari i Spiro Kserës, për të cilin Aleanca Kuq e Zi ka depozituar në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla kallëzimin penal pak ditë më parë,” thuhet në një deklaratë të AK.

“Këto akte të ulëta dhe tendencioze të Spiro Kserës dhe këshilltarëve të tij të “Agimit të Artë” meritojnë vëmendjen e të gjithë opinionit publik shqiptar dhe institucioneve zyrtare të hetimit për t’i dhënë dënimin e merituar këtyre shtetasve antishqiptarë, të cilët shkelin Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, integritetin territorial të Shqipërisë dhe dinjitetin e shqiptarëve.

Aleanca Kuq e Zi premton se çdo formë e mosveprimit në kohë të institucioneve shqiptare do të sjellë pasoja të mëvonshme të cilat do të reflektohen në stabilitetin e rajonit, burimi i të cilave do të jenë pikërisht këta shtetas si Spiro Ksera dhe Theofan Kaliviotis, të cilët në sipërfaqe paguhen nga qeveria e shtetasit Sali Berisha dhe nën llogore punojnë për interesat e “Agimit të Artë” duke shkaktuar dëme të paimagjinueshme në imazhin e Shqipërisë dhe krijuar një situatë të panevojshme për stabilitetin e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit.”