Debati me Shehun në ’72: Jo pasardhës i stafetës suaj

0
28

Spartak Ngjela, 27 shtator 2011

Ngjela në dasmën e Vladimir Shehut  

Unë, jo pasardhës i stafetës suaj

Si e përzuri ish-kryeministri nga darka: Merreni, ky është i dehur

Gazeta vijon sot botimin e pjesës së dytë nga libri i ri i Spartak Ngjelës, “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”. Çfarë ndodhi në darkën e dasmës së djalit të ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Batutat e Ngjelës me Shehun për poezitë erotike, zhvillimet ekonomike dhe ato të drejtësisë. Refuzimi i Ngjelës për të qenë pasaardhës i stafetës së komunistëve të asaj kohe dhe përplasjet për ekonominë dhe drejtësinë sociale. Si pranoi kryeministri komunist se vlerat individuale nuk po vlerësoheshin nga regjimi, deri te batuta finale “kryengritëse” kundër vazhdimësisë: “Jo, jo atë stafetë. Unë, kurrë!”. Gazeta boton sot pjesë të një rrëfimi historik për ngjarje dhe personazhe, që sillen ashtu siç askush nuk e ka përfytyruar.

… Ky ishte pozicioni i Mehmet Shehut në atë darkë dasme në shtëpin e vet: kishte përpara një të ri që nuk e pranonte regjimin e tij, por edhe djalin e një bashkëpunëtori dhe miku të vjetër e në të njëjtën kohë edhe në një situatë politike që nuk dihej se nga do t’ia mbante. Ngjarjet në Kinë ende nuk dihej nëse do të rridhnin pro apo kundër kryeministrit shqiptar, por kryeministri shqiptar e dinte që Enver Hoxha po kërkonte të ndërronte kurs, sepse nuk kishte mundësi të mbijetonte pa një ndihmë financiare të ardhur së jashtmi. Do të ishin francezët apo do të ishte ndonjë shtet tjetër? Ja, kjo ishte pikëpyetja e kohës sepse për afrimin e Enver Hoxhës me amerikanët as që bëhej fjalë, por edhe afrimi me sovjetikët ishte krejt i pamundur për të dhe Shehu këtë e dinte mirë. Unë e shihja me vëmendje për të kuptuar se çfarë mendonte; a kishte ndonjë brengë të brendshme që mund t’ia shkaktonte mendimi se Hoxha po ndërronte kurs?

Sot, në Universitetin Europian të Tiranës, do të promovohet libri i ri i Spartak Ngjelës, “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, botuar nga UET Press. Botimi është një rrëfim dhe refleksion për jetën e një ndër personazheve më karizmatike të politikës dhe shoqërisë shqiptare. Botimi i parë përmbledh refleksione dhe ngjarje të ndodhura në vitet 1957-1975, deri në burgosjen e Ngjelës.

Por e kisha të pamundur. Ai donte të vinte në qejf dhe kërkonte alegri, ndoshta për të harruar atë që e shqetësonte së brendshmi me pyetjen se çfarë do të ndodhte në Shqipëri pas ftohjes me Pekinin? Por në dasmë ende nuk po fliste politikisht. Ai merrej vetëm me çiftin, citoi njëherë diçka nga kujtimet e Zheni Marksit për Marksin, e mandej filloi sërish që të krijonte përshtypjen e një dasme popullore. Dikur, pas një ore, m’u drejtua sërish mua e më tha që të bëhesha “dollibash” e të detyroja njërëzit që të pinin alkool sepse nuk kishte alegri. Dhe kështu u bë.

Unë që i drejtoja të ftuarit të pinin nga një gotë raki e të këndonin. Kisha përpara të vetmin komunist real të regjimit të Tiranës dhe, të them të drejtën, ende nuk e di nëse kjo më revoltonte edhe më shumë kundër tij apo ma zbuste qëndrimin nga mendimi që ka shpesh njeriu për respektin ndaj bindjes së tjetrit, kur ajo është vërtet bindje. Pastaj, befas, Fiqreti, pasi vendosi njëfarë qetësie, duke i rënë me pirun pjatës së vet, kërkoi që unë të recitoja diçka për të qeshur nga poeti nomad K.Th.Spiri.

Në fakt këtë gjë asaj ia kishte kërkuar nusja, Bardha, e cila e kishte biseduar më parë me mua. “Mos”, më tha Ladi tek pa që po ngrihesha nga vendi, por unë vijova: “Ai ka poezi të ndryshme; ka erotike, politike, shoqërore, cilat do të preferonit ju?”- pyeta për të fituar kohë, kur Shehu u përgjigj aty- për- aty: “Ndonjë nga ato erotiket”, tha me njëfarë qesëndie. Më erdhi për të qeshur, se e pashë që nuk e dinte se poezitë erotike të K.Th. Spirit ishin të gjitha për lirinë seksuale. “Poezitë e tij erotike janë shumë të hapura dhe nuk do t’i pranonte ambienti”, i thashë unë ndërkaq. Atëherë ai qeshi, duke më thënë me gjest që të bëja çfarë të doja, kurse unë fillova.

U recitova capak vargje që ishin për të qeshur, e mandej nisa ta ngre ngapak stekën drejt qëllimit tim. Recitova ngadalë vjershën për shpikjet e racionalizmit, të cilat u kishin ardhur në majë të hundës intelektualëvë shqiptarë dhe Shehu ndenji disi i hutuar kur dëgjoi këtë: “Nuk është fjala për zbulime / as për gjëra që s’janë thënë / por, ne, sot, morëm njoftim, me thën’ domethënë”. Të gjithë po qeshnin, kur ai ndërhyri: “Nuk janë shpikje”, tha, “por ne po i bëjmë për herë të parë në Shqipëri”. Mezi po e mbante edhe për vete të qeshurën.

Atëhërë unë e pashë që nuk do të ishte armiqësor kundër meje deri në fund, ndonëse kuptohej që më shihte me syrin e një kundërshtari që e ka pranuar në shtëpinë e vet dhe do ta respektojë. “Vazhdo, Spartak, vazhdo”, tha ndërkaq dhe unë vijova me ca të tjera që sërish godisnin regjimin, derisa erdha te ajo që vulosi gjithçka dhe që lidhej edhe me karakterin e tij e sidomos më formimin e tij intelektual. Por, pas kësaj që recitova, sikur ra një fashë shqetësimi në të gjithë tryezën, e unë po shihesha në sy me Kryeministrin shqiptar, kur i thashë se poeti K.Th. Spiri ka thënë: “Se këtu në vendin tim / edhe kungulli ka kuptim”.

Por ai nuk e mbajti më veten, u lëshua i tëri në karrige duke qeshur dhe pasi më tha: “Si, si?” e dëgjoi edhe njëhërë prej meje, po njëlloj, dhe, me një zë si prej të kënaquri tha: “Nuk qenka aq budalla sa ç’e bëjnë… bile s’është fare budalla ky K.Th. Spiri, poeti modern i Zagorisë”, dhe vijonte të qeshte, por e kuptova se nuk donte më që të vijoja ,sepse unë i kisha thënë kuintesencën e gjërave, që rëndonin Shqipërinë e asaj kohe: lufta kundër intelektualëve me anë të kungujve. Por, ndërkaq, unë nuk mund të rrija pa shtuar, duke i thënë teksa po e shihja në sy: “Ka edhe më, edhe dy vargje të tjera”. “Thuaje të gjithën”, më tha, “ta dëgjojmë deri në fund”. Atëherë unë vazhdova me zë më të lartë: “Kungull mos të mbiftë fara / ngado shkoj më del përpara”.

Nuk kishte më asnjë lloj kompromisi; Kryeministri shqiptar ishte vënë në provë në darkën e dasmës së të birit, të asaj dite të cilën ai, që në krye të herës e kishte quajtur si shumë të gëzuar, më të gëzuarën e jetës së vet. Por ai po dëgjonte tani, rreth një dukurie që e kishte bërë të vuante edhe atë vetë sepse, ndryshe nga Enver Hoxha, e të tjerët përreth tij, dihej botërisht se Mehmet Shehu kishte veneracion për të diturin dhe nuk mbante asnjë injorant pranë vetes. Kishte nisur si poet, madje i ishte botuar një poemë për Luftën e Spanjës e titulluar “Vullnetari” dhe gjithmonë studionte, prandaj, në këtë pikë ndiente kontradiktë me regjimin që përfaqësonte.


Mehmet Shehu  

Ishte edhe i gëzuar për atë që sapo e dëgjoi të plotë, por edhe me merakun e kryeministrit që survejohej nga syri i madh ciklopik i Enver Hoxhës. Por sërish nuk u tërhoq, qeshte e qeshte dhe, mandej, ndërhyri me takt për të ndryshuar sensin e bisedës dhe të alegrisë së dasmës. Një grup lab, po këndonte polifoninë e vet, me këngë të vjetra, shumë të vjetra dhe ai e gjeti rastin e më tha: “Të kam lënë mëkëmbës, por do të të pushoj, se nuk po vë qetësi e nuk po ma jep fjalën mua” “Këta janë në pushtet”, i thashë duke treguar lebrit me dorë, e ai sërish qeshi me një gjest ironik në fytyrë.

Më ke lënë në qoshé”, tha pas pak, me një zë të rreptë dhe u ngrit; foli diçka për të qeshur në lidhje më ca grimca humoristike që kishte ruajtur nga jeta si kryeminsitër, ca gjëra për Hrushovin e për ndonjë tjetër, e mandej më kërkoi mua që t’i shkoja te tryeza e tij. Kur iu afrova, më tha me një zë që nuk e dëgjonte dot e gjithë tryeza e dasmës, por vetëm ata që ishin pranë tij: “Kunguj ka sa të duash këtu, por, as unë e as yt atë, nuk jemi kunguj; për këtë të siguroj, madje jemi më të mençur edhe se ti”.

Unë nuk i fola, por qëndroja i ulur përballë tij, e ai donte që t’i përgjigjesha. Ndërsa unë nuk fola. “Mbaji vath në vesh ato që të thashë, më tha, se unë nuk mbaj përgjegjësi për kungujt”. Po më habiste dhe desha t’i thosha se isha dakord edhe unë, kur ai u ngrit e më tha: “Ta pimë këtë gotë për idetë e Kiço Ngjelës”. Por unë nuk u ngrita nga vendi. “Ngrihu!”, tha ai dhe unë u ngrita. Unë i thashë ngadalë se nuk pija gotë alkooli për ide, por për shëndete sepse idetë mund të jenë të kundërta dhe janë personale.

Por ai ngulmoi, duke mos e bërë veten, a thua se nuk i kishte dëgjuar fare fjalët e mia. E piva atë shëndet duke qeshur, por ngaqë e ndieu se unë kisha shkuar shumë larg me kundërvënien time, m’u drejtua në frëngjisht: “Pour l’economi planifice!” me një frëngjishte të pastër. Kuptohej se e kishte fjalën për vete e për tim atë, domethënë për ekonominë socialiste. Shehu ishte pa dyshim i vetmi komunist i atij regjimi, por edhe më i iluminuari. Nuk kisha se çfarë të bëja. Unë gjithë ditën tallesha nëpër Tiranë me ekonominë e planifikuar si për një nonsens ineficient dhe, ja, tani, ai po më kërkonte atë që do të më bënte qesharak, të paktën përballë shokëvë të mi që ishin atje.

Pour l’economi planifice” tha sërish kryeministri shqiptar, e përsëri frëngjisht, në mënyrë që të mos e kuptonin realisht drejt ata që nuk dinin frëngjisht. Atëhërë unë u ngrita dhe i thashë po në frëngjisht: pour économie planifieé, avec justice sociale”. Dhe ai mbeti për disa sekonda si i ngrirë, buzëqeshi thellë dhe e piu gotën me fund, duke më thënë se ajo shprehje kishte të bënte më idetë e tij e të Kiço Ngjelës. “Nuk e pranoj pa atë të dytën”, i thashë ngadalë dhe ai më hoqi vështrimin, duke më dhënë të kuptuar se duhej të shkoja në vendin tim.

Justice sociale e kishte shqetësuar, si çdo kumunist tjetër të elitave të vendeve socialiste, që nga Moska e deri në Tiranë. Të gjithë këta hierarkë të komunizmit, i shqetësonte ajo shprehje: justice sociale. Në fakt i shqetësontë barazia në personalitet, ligji dhe zgjedhjet e lira, i kishte shqetësuar gjithmonë demokracia, prandaj ai heshti, kthehu kokën e nuk më dha më përgjigje edhe pse ia kërkova veçanërisht që të shprehej duke i thënë drejtpërsëdrejti “për atë të dytën”, domethënë, për drejtësinë shoqërore.

Edhe unë ashtu bëra, u ktheva në vendin tim dhe nisa të flas me Ladin. “Shumë mirë”, më tha Bardha, e po kështu edhe Ladi, i cili vijoi duke më thënë, “Mjaft me kaq”. Por Shehu po na ndiqte me sy. E kisha vënë re që ishte në gjendje që të kontrollonte të gjithë tryezën, me ca sy të shndritshëm që ruanin shumë gjëra brenda vetes. Tani atë e shqetësontë pa dyshim ajo avec justice sociale, që i kisha thënë unë, për të cilën nuk më ishte përgjigjur, por e kuptoja se atë po bluante në mendje, pikërisht atë, dhe isha i bindur gjithashtu se do të vinte sërish një çast që do të më pyeste diçka për drejtësinë shoqërore, që i kisha përmendur, vetëm se ende nuk e kishte gjetur përgjigjen e vet, prandaj rrinte e na vështronte mua e Ladin dhe nuk bënte gjë tjetër.

Por, tek bisedoja me Bardhën e Ladin, vrisja mendjen realisht se çfarë po mendonte në këto çaste Kryeministri shqiptar: a ishte edhe ai koshient se në Shqipëri nuk kishte drejtësi shoqërore? E pranonte normalisht atë gjendje terrori që sundonte në Shqipëri? Dhe, më në fund, a e kishte menduar ndonjëherë veten edhe ai si një viktimë e këtij sistemi tiranik që drejtohej e sundohej vetëm nga një njeri? Të gjitha këtyre pyetjeve ishte e pamundur që t’u jepej përgjigje në atë ditë sepse koha sigurisht që ua dha më vonë dhe vetë kryeministri shqiptar e gjeti veten tamam një viktimë terrori. Por gjithsesi, koha nuk është statike dhe ne tani po flasim për një kohë të përcaktuar, kur ai ishte ende kryeministër dhe e ndiente veten si të ishte suksesori absolut i Enver Hoxhës.

Por, isha ende duke menduar kështu, kur ai ia behu pas pak te tryeza jonë. Erdhi aty, e na kërkoi të ngriheshim në vallëzim. Të gjithë u ngritëm si me sustë dhe, pak si të ngrirë, dolëm te holli i shtëpisë, ku gjëmonte muzika. U ngrita edhe unë me Ladin dhe po rrinim e shihnim ata që po kërcenin, në një zhurmë e në të qeshura që më në fund sikur dolën edhe ato befas nga gjokset e të ftuarve të asaj dasme. Po rrinim duke biseduar gjëra të zakonshme, kur, në çast, që të dy pamë njëherësh se na u afrua kryeministri. Erdhi e qëndroi në mesin tonë, por kuptohej se nuk dinte çfarë të thoshte. Pashë Ladin në sy dhe ai m’u duk i tronditur.

E kuptova se i druhej ndonjë përgjigjes time sarkastike. Shumë shpejt, me gjest më tha se duhej të heshtja dhe unë, menjëherë vendosa të mos flas. Kur ai m’u afrua e më tha me një frëngjishte korrekte në aksent: avec justice sociale dhe qeshi. Unë nuk fola, ndonëse përgjigjen e kisha në majë të gjuhës. “Borgjezia na akuzon se nuk kemi drejtësi shoqërore; ja, kjo është e gjitha”, tha ai, a thua se ishte në ndonjë konferencë nga ato të rëndomtat që bënin atëherë në Shqipëri.

Unë nuk ju akuzova, më duket”, i thashë unë, se m’u duk që ai po e kalonte bisedën në një lloj propagande që mua më bënte për të vjellë që prej vitesh. Por ai tani kishte marrë pozicionin e lartë të pushtetit dhe nuk donte t’ia dinte për asgjë. Po shihja nga afër por, dhe nga brenda sikur po më ngrihej një valë që kishte vite që desha ta zbrazja. Pashë nga Ladi dhe ai ishte bërë meit në fytyrë, gjë kjo që sërish më stepi, se, në të kundërt, kushedi se çfarë do t’i kisha thënë Kryeministrit.

Ishte çasti kur mund të ndodhte gjithçka: impulsiviteti im si kundërshtar dhe mospranues i gjendjes aktuale, mund të përplasej me impulsivitetin e atij që kishte thuajse gjysmën e pushtetit në Shqipëri, e po priste ta merrte të gjithin. Por ai gjithsesi nuk po më linte fare radhë të flisja: “Ne kemi bërë një përmbysje shekullore në Shqipëri” – tha me njëfarë krenarie, e unë sërish nuk fola, – “por, ju rinia, nuk e njihni historinë tonë të paraluftës”. Unë nuk fola sërish dhe ai vijoi: “Barazia që kemi vendosur është vetë drejtësia shoqërore, sepse është heqja e shfrytëzimit të njeriut nga njeriu”.

Ndenja capak çaste pa folur dhe tek u ndeshëm me vështrimin e njëri-tjetrit, i thashë ngadalë dhe qetë-qetë: “Po vlerësimin e vlerave individuale të të barabartëve, si e keni?” Në fakt, e kisha pyetur jo pa sarkazëm dhe gjithë brenda kontekstit të kungullit, me të cilin sapo kishim qeshur. “Jo mirë”, tha disi mendueshëm, duke më parë sërish në sy dhe u largua menjëherë nga ne të dy. Në fakt, ky qëndrimi i fundit i tij na kishte habitur të dyve; sidomos Ladin, i cili më tha pak më vonë: “Kurrë nuk mund ta mendoja që ai mund të bënte edhe një pohim të atillë”.

Megjithatë, vetëm pasi dëgjova këtë përgjigje arrita të kuptoja pse kishte qeshur aq shumë me poezinë e kungullit dhe gjithashtu, u binda më në fund për atë që thoshin, se ai nuk e pranonte diskriminimin e intelektualëve të nivelit të lartë, pavarësisht se kuptohej që ishte një fanatik i regjimit komunist. Ktheva kokën dhe e pashë se u kërkonte alegri njerëzve, por dikur, ai e kthehu edhe njëherë kokën nga unë e Ladi. Unë u largova dhe u ula pak me tej në poltronin e një tryeze të vogël, që ishte vendosur në një si kthinë apo si në njëfarë llozhe të vogël.

U ula se desha të mendoja, kur në krahun tim të majtë, barabar me supin tim, pashë befas një fotografi të Enver Hoxhës. Ishte bardhë e zi dhe e madhe. Një portret disi i frikshëm i Hoxhës, i ulur në një tryezë pune, ndonësë ai ishte duke qeshur. E pashë edhe njëherë dhe mendja më shkoi te kryeministri i asaj darke. Kishte krijuar një ambient të vetin, intim, me foton e Hoxhës.

Pse e mban kaq afër”, mendova dhe, menjëherë sesi më erdhi ndër mend mendimi që ky kryeministër ishte në lojë. “Teatër i madh”, thashë nëpër dhëmbë dhe kujtova edhe njëherë atë që më tha: “Ne kemi berë një përmbysje të madhe”. Dhe në fakt e kishin bërë dhe këtë gjë thoshte rëndom edhe ai që kisha në krahun tim të majtë dhe që ishte zoti i vendit. Në fakt, e gjithë plejada e tyre kishte bërë një përmbysje, por ende nuk kuptohej se çfarë do të sillte ajo përmbysje në historinë tonë.

Nuk kanë sistem eficient”, thashë pas pak dhe e mendova saktë se, ndryshimi që kishin sjellë këta komunistë që drejtonin me dorë të hekurt ishte i madh, por ata vetë e kishin ndërprerë sepse i trembeshin rrotacionit. “Urrejnë elitat”, thashë një gjykim që e kisha ndeshur kudo për komunizmin, “dhe prandaj sillen kështu edhe me popullin”. Ja, kjo ishte e gjitha: kishin marrë një pushtet në funksion të ndryshimeve drastike të zhvillimit, flisnin për industrializmin, për teatrin dhe letërsinë, kishin krijuar teatrin kombëtar dhe operën kombëtare, universitetin kombëtar, kishin masivizuar arsimin dhe, në të njëjtën kohë, nuk mund ta pranonin konceptin se dija kërkon progres permanent.

Në fakt, ishin nisur për të sjellë zhvillimin me anë të industrializimit të vendit, por, bashkë me të, kishin krijuar inkuzicionin. Ishin izoluar nga Përëndimi sepse nuk mund të pranonin njeriun e lirë, i cili mund t’i konkuronte në pushtet. Kjo ishte arsyeja, që sigurisht se, si burim, vinte nga kreu i shtetit: Sekretari i Parë i Partisë së Punës, të cilin unë e kisha në krah, aty pranë.

Po tani, çfarë do të bëjnë?”, thashë dikur, para se të ngrihesha nga ai vend dhe u kujtova se kisha mendimin që do të dorëzoheshin, do të bënin një reformë kulturore në fillim, e cila patjetër që do të vijonte me një reformë ekonomike. “Duhet çliruar njeriu njëherë”, thashë duke u ngritur nga vendi, “e pastaj të çlirohet edhe ekonomia”, por kjo ishte e pamundur që të ndodhte sepse për treg të lirë nuk mund të flitej në pushtetin e tyre – kështu mendova, dhe sërish më erdhi për të qeshur me dollinë për ekonominë e planifikuar. Pastaj edhe për drejtësinë shoqërore që i kisha thënë kryeministrit dhe u drejtova nga tryeza. Ndërkohë, të gjithë ishin ulur sërish nëpër vendet e tyre dhe kështu bëra edhe unë.

Kur u ula, e pashë se Ladi ishte në formë. Kishte njëfarë gëzimi, që nuk i vinte vetëm nga dasma. Megjithatë, filluam të flisnim për atë që kishim parë, por ndiehej se edhe Shehu po na ndiqte sërish me sy. “Është në formë” tha Bardha, që e kuptoi se ne po flisnim për kryeministrin, qeshi pak e, duke më parë në sy tha: “Nuk ka problem”. Por, tamam në këto çaste, Bashkim Shehu, djali i vogël i Mehmetit, më erdhi nga prapa dhe, në vesh, më tha: “Do të të arrestojnë!” dhe unë qesha, sepse ai ishte ende i vogël, ndonëse, që atëherë ishte i dhënë pas letërsisë dhe ishte kritik kundrejt regjimit.

Megjithatë, sikur e ndieja që nuk do të përfundonte tamam mirë kjo festë, kur Shehu u ngrit sërish në këmbë, ngriti një dolli dhe pastaj më thirri sërish mua që të shkoja në tryezën e tij. Dhe unë shkova me një gotë verë, kurse ai rrinte ulur. Filloi të bisedonte për dasmën. Më tregoi një ndodhi të Hrushovit me Adenauerin, që e rrëfente me zë të lartë për ta dëgjuar e gjithë tryeza. Ndonëse nuk po fliste mirë për ata e ndieva se ai vuante që nuk kishte mundësi të takonte kryeministrat e tjerë të Perëndimit. Pastaj u ngrit në këmbë dhe me një gotë të mbushur gjysmë me raki i foli gjithë tryezës: “Kështu flet Spartaku, po, edhe ky, stafetën tonë do të marrë… Hajde Spartak, ta pimë këtë për stafetën tonë.” tha dhe priti nga unë.

Ndërkaq unë u ngrita, por për disa sekonda sikur m’u përqendrua e gjithë mendja në një pikë, më dukej sikur kishte ardhur një çast kur duhej t’i flisja inkuzicionit mendimin tim dhe vendosa t’i përgjigjesha duke i thënë më zë të lartë: “Jo, jo atë stafetë. Unë, kurrë!”. Në të gjithë sallën sikur ra bomba. U bë heshtje, por ai sërsih ndërhyri me një takt, që dukej se kërkonte të më mbronte: “Ky është i dehur”, tha, dhe bëri me gjest nga ata të shërbimit që të më afroheshin. Unë shkova sërish e u ula në karrigen time, por pas një minute, një shoqërues i Shehut, djali i dytë i tij, Skënderi dhe një shok tjetër, më morën për të ikur. Kështu më tha edhe Ladi me gjest dhe unë u largova për në shtëpi.