Spartak Ngjela, 27.09.2011
Sot pasdite del në shitje libri i Spartak Ngjelës, “Përkulja dhe rëndia e Tiranisë shqiptare”-1957-2010. Autori analizon ngjarjet e diktaturës komuniste si marrëdhënie shoqërore që dominohen nga terrori shtetëror. Në një optikë të re ai analizon përplasjen midis Enver Hoxhës dhe Nikita Hrushovit, kurse përplasjen e Enver Hoxhës me Mao Ce Dunin e trajton si përplasje të dy vullneteve dhe aspak si një përplasje ideologjike Terrorin e brendshëm shtetëror Ngjela sheh si një fenomen të sundimit të komunizmit në rrafsh botëror. Më poshtë po botojmë hyrjen (introduktën) e librit,e cila mendojmë se paraqet një trajtim të përmbledhur ideor të të gjithë librit.
I mjerë është ai njeri që s’ka kujtime nga kjo jetë dhe fatkeq do të mbetet gjithmonë ai tjetri, i cili, edhe pse ka shumë të tilla, nuk di t’i tregojë ato. Kjo është arsyeja e gjërave kur flitet për kujtimet e tua. Ti duhet të tregosh ato që ke parë dhe ke përjetuar, si ngjarje apo si fakt historik, duke i rreshtuar në një rend të saktësuar gjërash, në një libër sidomos, ku jeta e kryer rrëfehet e sistemuar. Çdo jetë individuale, patjetër që krijon raporte të caktuara me fenomene të ndryshme shoqërore dhe kujtimet nuk mund t’i shmangen analizës së tyre.
Nëse nuk analizohen shkaqet e një fenomeni dhe, pastaj, edhe vetë fenomeni, ato mund të jenë kujtime, por jo histori. Që të jenë edhe histori, kujtimet duhet t’i tregojnë realisht ngjarjet, duke i analizuar faktet historike të periudhës dhe shkaqet e ardhjes së tyre brenda një fenomeni shoqëror, i cili mund të ketë sjellë ose zhvillim, ose regres. Jo çdo ngjarje është fakt historik, kurse vetë fakti historik ka nevojë për interpretim.
Duhet ta kuptojmë botën – ka thënë Albert Ajnshtajni – jo mbi bazën e gjërave që ndodhin, por mbi bazën e marrëdhënieve. Ky është relativizmi dhe sigurisht që ne jemi postrelativistë e prandaj na shqetësojnë marrëdhëniet. Por, duke u qëndruar këtyre marrëdhënieve, “A ka një logjikë të historisë?” pyet Osvald Shpengleri, e mandej shton: “Përtej gjithë elementeve shkakësore dhe të pakalkulueshme, a ka një diçka të cilën ne mund ta quajmë strukturë metafizike të humanitetit historik?… shkurt, e gjithë historia, a është e bazuar mbi arketipat e përgjithshëm biografikë?” Po, ka një logjikë të historisë, ka një metafizikë të humanitetit historik dhe, po ashtu,e gjithë historia është e bazuar mbi arketipat e përgjithshëm biografikë.
…Por, cilat kanë qenë shkaqet e kësaj tiranie që solli pasoja kaq të rënda për shoqërinë shqiptare? Analiza e gjendjes është rrekur të konkludojë duke renditur shkaqet historike që kanë sjellë faktin historik. Ajo i paraqet arsyet e kësaj ekzistence tiranike, duke e përcaktuar faktin historik si prodhim të një fenomeni shoqëror, por, brenda këtij fenomeni, gjithçka kushtëzohet nga vendosja e dëshmisë time përpara ngjarjeve që kanë karakterizuar tragjedinë shqiptare të pasluftës së Dytë Botërore.
Unë kam dashur që me këtë libër të dëshmoj për kohën time, e cila, si gjithmonë, nuk i shpëtoi dot përplasjes së kulturave dhe të qytetërimeve. Qytetërimi është difuzion kulture dhe ajo kohë kishte sjellë dy qendra të mëdha thuajse imperiale, të cilat reflektonin në të gjithë botën dy kultura të ndryshme dhe dy rende të ndryshme të sistemimit të jetës shoqërore: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Sovjetik. Në fakt, këto ishin dy sisteme politike, të cilat kishin ardhur në kohët moderne për të konkuruar drejt lirisë së individit: kapitalizmi dhe socializmi. Njëri ishte, ashtu sikurse ende është, një sistem individualist vlerash,kurse tjetri ishte një sistem kolektivist vlerash. Të dyja sistemet kishin hyrë në luftën e madhe për të mbijetuar mëvetësisht: ose njëri, ose tjetri.
Unë kam qenë bashkëkohës i kësaj lufte, e cila zhvillohej për të krijuar një dominancë të vetme dhe e pashë, e studiova dhe e jetova atë, natyrisht, në një mënyrë krejt timen. Ishin dy të kundërta që u përplasën, por prej të cilave vetëm njëra do të qëndronte. Nëse thelbi i kësaj lufte do të ishin racionalizmi dhe zgjedhja e lirë për të realizuar përhapjen apo difuzionin e kulturës, ky do të kishte qenë një proces evolutiv, por nëse thelbi i saj janë forca, dhuna dhe imponimi i një kulture mbi një tjetër, atëherë kjo është skllavëri.
Socializmi rus në stilin sovjetik, i strukturuar me dhunë dhe terror kërkonte që nëpërmjet skllavërimit ideologjik, barazimit të vlerave individuale dhe rritjes së frymës kolektive të krijonte një shoqëri me barazi absolute.
Tirania shqiptare ka nisur më parë sesa Lufta e Dytë Botërore sepse ajo zë fill në vitin 1924, atëherë kur u asgjësua përfundimisht procesi i votimit të lirë në Shqipëri,por, gjithsesi, kjo tirani, pas Luftë së Dytë Botërore erdhi e u shndërrua në një fenomen tragjik. Këtë herë, shqiptarët u ndeshën me një diktaturë të egër komuniste, e cila u shoqërua gjatë gjithë kohës me terror shtetëror. Ana më e prekshme e kësaj tiranie ishte momenti kur kjo u njësua me pushtetin personal absolut të Enver Hoxhës. Tirania e pasluftës së Dytë Botërore në Shqipëri, me anë të persekucionit, e ktheu gjendjen në një frikë tërësore për të gjithë shoqërinë shqiptare.
Ky ishte një moment tragjik, në një sens jetësor, por, në të njëjtën kohë, edhe një fenomen patriarkal dhe totalitar në pushtet, i cili, në ushtrimin e terrorit, nuk ngurroi përpara asnjë mase. Tragjedia gjithmonë vjen si vrasje apo si një shfarosje jetësore dhe kjo kohë prandaj ishte e tillë, sepse u karakterizua nga vrasje permanente dhe masive. Ajo ishte e tillë sepse dhuna u ushtrua kundrejt gjithkujt; kundrejt kundërshtarëve të regjimit e të Enver Hoxhës, por edhe kundër bashkëpunëtorëve të tij. Kjo, në fakt, ishte vetë enigma që ajo kohë mbante brenda saj, sepse këtu zë fillin e vet analiza për ta parë çështjen jo si ushtrimin e një dhune kolektive të një klase apo të një grupi shoqëror mbi të gjithë shoqërinë, por si ushtrimin e kësaj dhune nga një njeri i vetëm.
Ky individ, në frymën e një sistemi politik, pasi konsolidoi një pushtet personal absolut veproi pa asnjë normë ligjore dhe morale për arritjen e një qëllimi të vetëm: mbajtjen me çdo kusht të këtij pushteti, që merrte shpesh trajta të vërteta sadizmi. Nëse dikush, brenda tendencës së psikikës së tij kërkon t’u bëjë keq të tjerëve apo gjithë një shoqërie, ose kërkon t’i dëmtojë këta dhe të gjithë shoqërinë dhe kjo gjë, këtij individi, i duket si një e mirë natyrore që ia blaton shoqërisë, ky në fakt përbën sadizëm. Nëse me anë të dëmtimit të të tjerëve realizohet pushteti, që Hobsi e quante “prirje të përgjithshme tek të gjithë njerëzit”, atëherë kuptohet se sadistët kanë qenë pushtetarët absolutë dhe tiranët me të egër të të gjitha kohërave sepse kënaqësia e tyre ka qenë dyfishe.
… Çështja është gjithmonë kjo: përse duhej shkaktuar një vuajtje kaq e madhe njerëzore, kur nuk ka qenë fare fjala për një luftë të përgjithshme të shoqërisë për mbijetesë? Përse duhej kthyer persekucioni në një normë morale dhe, madje, në një kulturë shoqërore?
Ne e dimë, gjithashtu, se këto ngjarje, personale dhe kolektive, duke qenë pjesë e rëndësishme e jetës së shoqërisë, natyrshëm kanë të bëjnë direkt me historinë e një periudhe dyzetë vjeçare, kaq shumë të rrahur dhe po aq shumë të përfolur, e cila, pasi ka kaluar një herë rëmbimthi si tragjedi, ka sheshuar më pas shumë gjëra dhe ka fshirë pa lënë gjurmë shumë jetë individësh të veçantë, të cilët, padrejtësisht, i ka nxjerrë nga kujtesa historike e shoqërisë shqiptare. Kanë qenë të shumtë individët, të cilët, megjithse nuk ishin aspak njerëz të zakonshëm, janë shuar pa u ndierë në Shqipërinë komuniste, sikurse çdo njeri tjetër në këtë jetë.
Pushtetet shqiptare, edhe pas këtij viti, kanë qenë tiranike, si një refleks i dobësuar i vetë tiranisë shqiptare, e cila në thelbin e vet, duke qenë totalitare, pa dyshim që ka qenë edhe antihistorike.
…Gjithmonë kam menduar se kujtimet duhet të mpleksen me njëri- tjetrin në një unitet faktik dhe prandaj duhet të jenë një rrjedhojë e qartë faktesh të lidhura bashkë, por edhe të ndërtuara me ngjarjet e përbashkëta të shoqërisë. Dihet që, gjithmonë ka një përjetim ngjarjesh, por ka edhe një vështrim individual të tyre, i cili është i ndryshëm përherë, në raport me nivelin e kulturës. Analiza individuale e përjetimeve nuk mund t’i shmanget dot tendencës që, si rregull, del nga konfliktet e tua të brendshme. Në fund të fundit, kështu ka qenë gjithmonë sepse ne pasqyrojmë ngaherë botën tonë të brendshme, kurse të tjerët, le të na gjykojnë. Kujtimet që përbëjnë vijën lineare të këtij jetëshkrimi të gjatë janë sistemuar në katër libra, të përmbledhur në dy volume.
Historia jonë e pasluftës së Dytë Botërore u lidh shumë me historinë globale, por, ndërkaq, jam i bindur se përshkrimi i ngjarjeve të pasluftës së Dytë Botërore do të mbetet përherë një pjesë e vështirë e historisë tonë kombëtare. Le të themi diçka, ashtu siç e kemi parë dhe siç e kemi përjetuar, duke përshkruar imtësisht edhe elementet më pak të rëndësishme, qoftë edhe nëpërmjet syrit të një fëmije, por, t’i nxjerrim, ama, ashtu siç kanë qenë, të zhveshura si ngjarje, si qëllime dhe si pasione, për të kuptuar më në fund edhe përgjigjen e pyetjes që bëjmë shpesh: a kemi shpëtuar nga tragjedia që kaluam apo do të jemi viktimë e saj dhe për shumë e shumë kohë akoma? A ka dalë nga gjiri ynë ajo fatkeqësi kombëtare si një rrjedhë që e pat nisur udhën me kohë apo ka qenë krejt një rast që na doli befas në rrugë për të na shkaktuar vuajtjen më të madhe të historisë tonë? Pse u bashkua me këtë dhunë dhe abuzim të madh, një pjesë shumë e madhe e shoqërisë?
Nga frika, nga bindja apo nga forca mistike e pushtetit përballë një shoqërie të pazhvilluar? Nga çfarë lindi gjithë ai entuziazëm agresiv që shfryhej nëpër festa? Nga dobësia e natyrës njërëzore apo nga gënjeshtra që imponohej me propagandë nga regjimi? Përse çirreshin aq ligsht njerëzit përballë tribunave? Nga dashuria për udhëheqësin apo nga frika e tabusë? Kur dhe si u krijua Tabuja Shqiptare e shekullit të XX? Dhe, më në fund, pse nuk dolëm nga tirania edhe pas rënies së Ramiz Alisë,por vijojmë dhe për gati njëzet vjetë të tjerë, deri në vitin 2010, të qerthullojmë në një tirani që vijon të bjerë tëposhtë, por nuk rrëzohet përfundimisht?
Askush nuk ka të drejtë të shtrembërojë faktet historike, por kushdo, ama, ka të drejtën e vet të shkruajë kujtimet e tij dhe të bëjë analizën e ngjarjeve. Në këtë jetë nuk paska gjë tjetër më të rëndësishme sesa kujtimet e tua. Njeriu që ka shumë kujtime, kuptohet se ka jetuar me një intensitet të lartë, ka takuar shumë njerëz, ka bërë pjesë ose ka parë shumë ngjarje nga ato që ngjizin historinë dhe që përcaktojnë kohën si diçka konkrete. Por, brenda të gjithë kësaj vjen pastaj dhe,patjetër që duhet të dalë, mendimi yt për kohën tënde, për atë kohë që ke jetuar,e sidomos nëse e ke jetuar aktivisht.
Triumfi i tiranisë shqiptare të pasluftës së Dytë Botërore ndodhi në dy faza. Kur triumfoi komunizmi, kjo ngjarje ishte vetëm preludi dhe ne ende nuk mund ta dimë nëse do të kishim rënë apo jo në një tragjedi kombëtare si ajo që përjetuam, nëse do ta kishim instaluar socializmin si sistem pa Enver Hoxhën. Kurse faza e dytë është triumfi i vullnetit të Enver Hoxhës si pushtet, triumf ky, i cili e plotëson tiraninë si një pushtet absolut individual, të egër dhe terrorist, gjithë duke e sjellë Enver Hoxhën në gjyqin më të rëndë që do t’i bëjë historia e Shqipërisë ndonjë shqiptari. Nuk mund të ketë pasur dhe nuk e dimë nëse do të ketë në të ardhmen një njeri që t’i këtë sjellë kaq vuajtje dhe një dëm kaq të madh shoqërisë së vet sa Enver Hoxha.
Dhe për këtë nuk jam asfare subjektiv sepse ajo tani kapet dhe kuptohet çdo ditë, mjafton të bësh një krahasim të thjeshtë me atë që ka qenë, me propagandën shthurëse për t’u imponuar njerëzve mendimin se janë të lumtur, se janë të pasur, se janë të lirë dhe se jetojnë në vendin më të lulëzuar të botës, se udhëhiqen nga njeriu më i ditur i njerëzimit, në një kohë që ishin shumë të varfër, të fyer, të poshtëruar,të persekutuar dhe kurrë të drejtuar nga një i ditur, por nga një sundues mediokër dhe i sëmurë për sundim. Të gjitha këto do të mjaftonin për të shpjeguar gjithçka të rëndë, makabre dhe të trishtë që kemi kaluar të gjithë nën sundimin e Enver Hoxhës. Por në fund të fundit, historia është shkenca e së kaluarës dhe ne jemi patjetër të mbërthyer vetëm atje.
Volumi i parë, që mban brenda vetes dy libra, përshkruan ngjarjet e ndodhura në periudhën 1953 – 1975. Është koha që në shoqërinë shqiptare ndodh një përmbysje e madhe dhe diktatura e re që kishte ardhur në pushtet, nuk ishte model shqiptar, por një model rus, që, ndërkohë, kishte marrë karakter botëror. Ky sistem diktatorial i shpallur si i tillë u implementua, normalisht, brenda rrjedhës sistematike që drejtohej nga Moska. Çështja kyçe e një shoqërie është, pa dyshim, prodhimi i mallrave. Adam Smithi ka thënë se nuk ka rëndësi prodhimi i mallrave, më shumë sesa mënyra si janë prodhuar ato. Sistemi komunist i vendosur në Shqipëri, që në fillim, ndërmori procesin e industrializimit të prodhimit shqiptar. Këtu, në fakt, nis edhe procesi i urbanizimit në Shqipëri dhe, njëherësh, edhe procesi i modernizimit të vendit. Por, pikërisht këtu ndodhi edhe ndeshja e madhe e konfliktit midis modernizmit si nevojë e zhvillimit shoqëror shqiptar dhe vullnetit të Enver Hoxhës, i cili nuk e dëshironte këtë.
Enver Hoxha është paraqitur në këto kujtime, jo përmes një njohjeje personale me të, por mbi bazën e një përjetimi të përsëritur që vetë kam pasur duke ndjekur ngjarjet edhe nga afër, edhe nga larg, por gjithmonë brenda lidershipit të lartë të Partisë së tij. Kjo ka qenë jeta ime dhe do të ishte mëkat po të mos i shkruaja të gjitha ato që kam përjetuar e sidomos opinionin tim për ngjarjet e një tragjedie të shkaktuar kryefund, edhe nga sëmundja e pashoqe që kishte mbërthyer botën si epidemi e jetës kolektive, por edhe nga sëmundja e individëve që e përfaqësuan këtë epidemi në Shqipëri, si një grup njerëzish të mësuar me terrorin për të sunduar, në majë të të cilëve qëndronte despoti Enver Hoxha.
Tragjedi dhe komedi bashkë! Injoranca që tregonin këta njerëz në raport me qytetërimin, mediokriteti i Enver Hoxhës i ngritur në kult dhe jeta që vijonte me tamtame në njërin krah dhe me varfëri, me frikë dhe e dhunuar, e parë keq, e ndërtuar keq, në krahun tjetër, në krahun e vuajtjes njerëzore që shkaktonte dhuna e sundimit të një njeriu të vetëm por edhe e një partie, e cila, gradualisht dhe ca nga ca, mori e gjitha trajtën e shëmtuar të këtij njeriu dhe i dha trajtën e vet të gjithë shoqërisë. Si rezultat i këtij zinxhiri fatkeqësish, do të kemi ende vështirësi për ta larguar këtë model të keq dhe tiranik të sunduari, pasi ne kurrë nuk u qeverisëm vetëm nga një regjim komunist që kërkonte të ndërtonte sistemin e kontrollit absolut të shtetit për të sjellë barazinë. Ne u sunduam ligsht dhe në mënyrë sadiste prej një njeriu. Shfaqja e atij sistemi politik në Shqipëri mund të ketë qenë pashmangshmëri historike, por triumfi absolut i një vullneti të vetëm e deformoi edhe vetë sistemin.
Në volumin e dytë, që nis më 1976 e mbaron në vitin 2010, gjendet përmbledhja e dy librave. Njëri libër është burgu politik shqiptar nga viti 1976 e deri në vitin 1991, kur sistemi rrëzohet. Kurse libri tjetër është trajtimi i periudhës së mëpasme deri në vitin 2010 si një zigzage, e cila sërish shihet si vijim i të tatëpjetës së tiranisë shqiptare të pasluftës së Dytë Botërore.
Libri tjetër i këtij volumi është periudha postkomuniste në Shqipëri, 1991-2010, ku tirania vijon të bjerë por nuk zhduket, sepse gjithçka u drejtua nga persona, të cilët ishin formuar sipas arketipit të Enver Hoxhës. Një periudhë e gjatë terrori dhe kulture e imponuar sundimi, ku dëgjohet vetëm një zë dhe imponohet vetëm figura e një njeriu dhe krijohet arketipi i vet i drejtimit dhe i ushtrimit të pushtetit sipas kësaj figure. Ai imitohet dhe mbetet model, sidomos nga ata që e kanë adhuruar, prandaj dhe nuk largohet aq lehtë. Kjo është arsyeja që ai arketip nuk u largua nga drejtimi politik shoqëror në ecurinë e sistemit të ri që u mendua se do të implementohej pas vitit 1991.
E gjithë kjo histori, që nis në vitin 1953 dhe mbaron në vitin 2010 është parë si tirani, si kohë tiranike, por që ka një pikë ku ka nisur e tatëpjeta e saj. Ajo kishte një periudhë ngjitjeje, që, sipas mendimit tim të shprehur në këtë libër, është koha nga viti 1948 e deri në vitin 1960, kohë në të cilën nis e tatëpjeta e tiranisë…
Në vitin 1967 Enver Hoxha i hyri rrugës së krijimit të dinastisë së tij dhe, në të njëjtën kohë, nisi përpjekjet që të gjente edhe një burim financiar për këtë dinasti. Hoxha e perceptonte intelektualizmin si të keqen e madhe të dinastisë së tij dhe, duke shfrytëzuar Revolucionin Kulturor kinez iu drejtua antikulturës shqiptare duke e implementuar në pushtet… Ky është viti kur Enver Hoxha e futi Shqipërinë në neo-otomanizmin e tij, i cili, për fat të keq, është ende i pranishëm në shoqërinë shqiptare. …Sundimi tiranik dinastik, e detyroi atë të ndërmerrte aventurën makabre të autarkisë ekonomike dhe të izolimit tërësor të Shqipërisë, e cila, pasi terrorizoi të gjithë shoqërinë, shkatërroi edhe dinastinë Hoxha, edhe vetë sistemin. Enver Hoxha e gjeti edhe regjentin që do t’ia mbante në pushtet familjen, Ramiz Alinë.
Ky, dalëngadalë, duhej t’ia transferonte pushtetin familjes, por kurrë nuk u gjet dot më një burimin financiar dhe prandaj kurrë nuk u vendos dot dinastia e Hoxhës në Shqipëri, sepse në fakt tirania ishte duke rënë në rrafsh botëror. Si rezultat nuk kishte më gjasë që vetë Hoxha e sidomos regjenca e tij, të mund të gjente vend për të ekzistuar midis konflikteve të Luftës së Ftohtë. Kjo është arsyeja që tirania e Enver Hoxhës nuk pati më ngjitje, por vetëm një të tatëpjetë të vazhdueshme që eci pandalshëm drejt fundit. Veçse duhet thënë se, ndonëse në vitin 1991-1992, regjenti Ramiz Alia, nuk pati forcë as të rigjallëronte tiraninë dhe as që ta ndërtonte dinastinë Hoxha, sepse ai u rrëzua për vete, regjimet politike që erdhën pas vitit 1992, edhe pa dinastinë Hoxha nuk e likuiduan dot politikisht gjendjen tiranike.
Ky regjim i ri duke qenë brenda natyrës së pushtetit që Hoxha plazmoi nga viti 1967, e sidomos përgjatë viteve ‘80 vijoi të ecë bashkë me të tatëpjetën e tiranisë shqiptare, e cila, gjithmonë në zbutje, vijon deri në vitin 2010, në atë moment kur, mëse një milion shqiptarë u ngritën për t’i dhënë fund tiranisë, duke kërkuar institucionalizimin e votës së lirë. Koha tregoi se vetëm vota e lirë mund ta mbyllte përfundimisht kohën tiranike në historinë e Shqipërisë dhe shenjat u dukën. Unë mendoj se më në fund nga vetë shqiptarët sikur erdhi e u vendos një raport i ri me lirinë e votës tek ne. Ndihet se, tashmë, pothuaj tetëdhjetë e gjashtë vjetë pas vitit 1924, kur në vendin tonë ranë demokracia dhe pluralizmi, vota e lirë mund të institucionalizohet në Shqipëri. Por kjo mbetet ende për t’u provuar.