Besnik Sinani
Gazeta 55, nga pena e Lavdrim Lita, ka shkruar dy herë për vizitën e reformatorit bashkohor musliman dhe profesor në Universitetin e Oxfordit, Tarik Ramadan, në Tiranë. Herën e parë në Qershor, fill pas vizitës së Ramadan dhe tani së fundmi si përgjigje ndaj shkrimit të gazetares Eni Vasili tek Shqip. Në shkrimin e parë, z. Lita, jo vetëm që bënte të qartë për këdo që ka lexuar librat e Ramadan, se ai po shkruante për një vepër që nuk e njihte, por edhe referencat e tij ishin nga një gazetar italian, Magdi Allam, i dënuar nga drejtësia italiane dhe gjobitur për shpifje ndaj disa figurave muslimane në Evropë dhe islamofobë si Daniel Pipes, reputacioni i të cilit si komprometues i së vëretetës në shërbim të islamofobisë është i mirë-dokumentuar. Herën e dytë, mëkati gazetaresk dhe moral i Litës është më i madh.
Z. Lita duket të jetë provokuar nga shkrimi i gazetares që intervistoi Tarik Ramadan, Eni Vasili, e cila mer shkak nga biseda me Ramadan për të reflektuar mbi “shpirtin publik” në shoqërinë shqiptare, i kuptuar si një intelektual që nuk kufizohet në aktivitetin e tij akademik, por i cili tregon “interes aktiv në çështjet me interes publik në të mirë të komunitetit.” Vasili shkruan:
“Ai [Ramadan] thotë për shembull se të gjitha filozofitë, të gjitha fetë, të gjitha shoqëritë po ballafaqohen me një krizë morale. Se në shkollat tona, u mësojmë fëmijëve që të jenë produktivë, të jenë të parët, të fitojnë para, por ndërkohë duhet të pyesim veten çfarë duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë që të jenë qytetarë të përgjegjshëm dhe kjo nuk është thjesht çështje fetare apo edukate, por çështje dinjiteti… se bota është në një situatë të tillë, pasi ne jemi të obsesionuar me fitimin e më shumë parave, e të pasurit më shumë pushtet dhe ngatërrojmë mirëqenien me pasurinë dhe paratë. Ajo çfarë duhet të bëjmë në këtë botë është të mos jemi spektatorë dhe të mos luajmë rolin e viktimës.”
Pse provokohet z. Lita nga këto fjalë? Sipas tij, “është veçse një provokim intelektual të shkruash shqip për Tariq Ramadan si promotor vlerash, një ditë pas 10 vjetorit të sulmit fundamentalist islamik ndaj dy kullave binjake, më 11 shtator 2001,” sepse, sipas tij, teksa Ramadan promovohet si “intelektual i ndritur,” ai “është veçse një dijetar fundamentalist i islamizmit Europian.” Vetë ideja e Islamit evropian është për Litën një kundërthënie kuptimore për shkak të Evropës laike të sotme dhe “asaj tjetër, katolike,” e cila ”i ka rrënjët e përcaktuar nga historia e jetuar për 3 mijë vjet.” Prej këtij etosi civilizues, Lita zbret për të na sjellë të vërtetën që shumë në Perëndim e kishin injoruar (por jo Lita!) se “ajo që ndodhi 10 vjet më parë ishte një cangë alarmi, që rikthente vëmendjen ndaj realitetit xhihadist në Perëndim dhe mbi faktin që bota e lirë kishte shumë armiq që përbuznin demokracinë dhe urrejtja i kishte rrënjët në një libër të shkruar përpara 1300 vjetësh” (nënvizimi im).
Veprimtaria e Ramadan përshkruhet nga Lita si xhihadizëm kulturor, përpjekje për të spostuar Shqipërinë në anën orientale të “vijës së Teodosit” (referencë kjo e teorisë së diskretituar të S. Huntigntonit). Për këtë arsye, në një akuzë të drejtëpërdrejtë ndaj gazetares Eni Vasili, Lita shkruan se artikulli i saj, ““Zgjimi i shpirtit publik” pasojë e predikimit të hapur dhe të drejtpërdrejtë të Tariq Ramadan janë gjetje intelektuale për të anuluar arritjet e qytetërimit Oksidental…”
Lita shkon përtej sulmit ndaj ideve të profesorit të Oxfordit, Tarik Ramadan, të cilat qartazi nuk i njeh, duke shpallur fajësi asocimi, për të lidhur Tarik Ramadan dhe fenë Islame me sulmet e 11 Shtatorit! Meqënëse Ramadan është një aktivist dhe mendimtar musliman, sipas Litës është provokuese të shkruash për të në përvjetorin e 11 Shtatorit. Sigurisht, kjo ka kuptim vetëm nëse konsideron çdo musliman fajtor për sulmet e 11 Shtatotirt. Sulmet e 11 Shtatorit për Litën nuk janë akti i një bande kriminelësh, nga ata që fatkeqsisht gjinden në çdo vend, fe, e ideologji, siç na kujtoi dhimbshëm një bjond norvegjez e i krishterë kohët e fundit, por rrënjët “e urrejtjes” ai i shpall tek Kurani, libri i shenjtë i mbi një bilion muslimanëve në botë, përfshi qytetarët shqiptarë të besimit Islam.
Lita nuk nguron të deklarojë inkriminime kolektive ad hoc, dhe kjo është në thelb të islamofobisë, të pretendimit se të gjithë musliamët janë terroristë – një bilionë e më tepër copë, se terrorizmi frymëzohet nga libri i tyre i shenjtë. Vetë Islamofobia, ndjellja e frikës ndaj islamit, konsiderohet në një sërë dokumentash të Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, ashtu si në ndërgjegjen e shëndoshë të çdo qytetari të botës, një mëkat moral po aq sa ç’është mëkat moral racizmi dhe nxitja e urrejtjes etnike.
Por z. Lita, ashtu si dhe më parë, i futet ujrave intelektuale që nuk u del dot matan. Në vend që të frymëzohemi nga fjalët e muslimanit Tarik Ramadan, kërkon Lita t’i tërheqë veshin Eni Vasilit, duhet që “për t’u futur në kontakt me “shpirtin e kohës” është rikthimi i leximit të teksteve klasike, të Aristotelit.” Dyshoj që z. Lita të dijë që veprat e Aristotelit, ashtu si shumë nga klasikët helenë, Evropës katolike dhe asaj laike i erdhën në arabisht, nën përkthimin, ruajtjen dhe komentimin e dijetarëve muslimanë që jetonin në Spanjë dhe Siçili; se Ghazali, të cilit Lita në mënyrë qësharake i referohet, është, së bashku me Ibn Sinën dhe Ibn Rushd ndër personalitetet më me influencë të mendimit mesjetar evropian, ndikimet e të cilëve gjinden edhe tek etër të kishës si Shën Tomas Akuinas; se edhe në kohën e paragjykimeve të mesjetës evropiane, Ibn Rushd dhe Ibn Sina u vendosën edhe në afreske përkrah mendimtarëve të mendimit që kish përqafuar Rilindja Evropiane; se edhe institucionet e dijes, universitetet, ishin produkt i këtyre kontakteve. Kjo është pjesë e pakontestueshme e atyre tre mijë vjet histori që zë në gojë z. Lita. Miliona muslimanë, përfshi ata shqiptarë, e njohin Evropën si shtëpi të vetën dhe janë trashigimtarë të asaj historie 3 mijë vjeçare ashtu siç, në fakt, idetë dhe vlerat e mirëfillta nuk njohin sinore të supozuara identitare, por janë pjesë e trashigimisë së gjithë njerëzimit.
Lita nuk ka nga t’i dijë këto, e prandaj i duket pohim kundërthënës ideja e “Islamit evropian” të Ramadan. Atij i duket kundërthënëse ideja e Ramadan se muslimanët në Evropë mund të jenë muslimanë pa mbartur bagazhet kulturore të vendeve nga kanë origjinën, por që duhet të ndërtojnë një identitet prej muslimanësh që në impenjimin e tyre social dhe identitetin kulturor janë evropianë. Këto ide e bëjnë atë relevant dhe atraktiv dhe për shumë besimtarë shqiptarë që e ftuan dhe e ndoqën në Qeroshor.
Lexuesi me të drejtë mund të pyesë se me gjithë kredencialet e Tarik Ramadan, ç’rëndësi ka se çfarë shkruan një farë Lavdrim Lita. Siç na ka mësuar teoricieni i komunikimit, Marshal McLuhan, mediumi është mesazhi. Në ktë rast, mediumi – gazeta 55 – bëhet pjesë e mesazhit islamofob të Lavdrim Lita. Burimi i këtyre shkrimeve islamofobe është gazeta 55, që kërkon të normalizojë islamofobinë në emër të së djathtës shqiptare dhe anti-komunizmit, në emër të vlerave evropiane dhe demokracisë. Ndërlidhja e një gazete të poziciunuar me partinë në pushtet me ligjërimin e islamofobisë dhe nxitjes së urrejtjes fetare injekton në mënyrë artificiale dhe të dëmshme në skenën politike shqiptare tensione fetare.
Kam shkruar më parë në Peizazhe të Fjalës, se gazeta 55 përdor bujarisht termin “xhihadist,” duke e përdorur si etiketim edhe për kreun e opozitës Edi Rama, dhe vetë z. Lita ndërmer shpesh të pretendojë specialistin në terma të terminologjisë islame për të cilat qartazi nuk e ka idenë se për çfarë po flet. Por në internet ka kohë që vihet re se vëmendjes së muslimanëve shqiptarë nuk i ka shpëtuar fakti se këto sulme ndaj një figure veprat e të cilit studiohen nga shumë besimtarë shqiptarë, vinë nga një gazetë si 55, e cila, përveç statusit si gazetë gjysëm-zyrtare e partisë në pushtet, është edhe ndër prurëset kryesore për lexuesin shqiptar të lajmeve të Radio Vatikanit dhe se është pjesë e një projekti politik të vetëshpallur “demokristian.” Është e kollajtë të shihet se si mund të kuptohet ky sulm si provokim ndër fetar.
Në debat, gjithashtu, është formulimi dhe kuptimi ynë për qënësinë evropiane. Mediume si 55 prej kohësh artikulojnë kuptimin e një Evrope të mbyllur e të ndrydhur mbrapa llogoresh identitetesh të ngurta, mesjetare dhe ksenofobe. Ky imazh duhet të kontestohet nga një kuptim i qënësisë evropiane që sheh diversitetin si pasuri, që është e hapur dhe koshiente për kompleksitetin e traditës dhe të tashmes së saj. “Parametri i tolerancës së diversitetit,” shkruan Umberto Eko, “është sigurisht një prej më të fuqishmëve dhe më pak i hapur për debat. Ne e konsiderojmë kulturën tonë të maturuar sepse ajo mund të tolerojë diversitetin dhe konsiderojmë ata që i përkasin kulturës tonë, teksa refuzojnë diversitetin si të pacivilizuar.”