Makthi i Berishës nga Uashingtoni

0
52

Nga Mero Baze

Kryeministri Sali Berisha po i bën një karshillëk të qartë qëndrimit të qeverisë amerikane rreth mënyrës se si duhet të reflektohet rreth kabllogrameve të dërguara nga diplomatët amerikanë në Tiranë. Edhe pse ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu, bëri thirrje publike të mos etiketohen dhe vihen nën presion personat e cituar nga diplomatët, Berisha po ndjek një linjë të qartë të frikësimit të tyre dhe denigrimit publik, duke përgënjeshtruar në emër të tyre.

Në fillim ish- Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë u citua nga media pa zë dhe pa figurë, se ai nuk kishte thënë që Shkëlzen Berisha e kishte marrë në telefon dhe i kishte kërkuar të mos pengohej ndërtimi i fabrikës së Gërdecit. Si për t’i vënë vulën dje, Ministri Nishani po ashtu citoi pa zë dhe figurë Hysen Burgajn të ketë thënë se nuk i ka thënë ato gjëra për të cilat citohet për Agron Kuliçin. Ky zinxhir banaliteti zgjatet pa fund po të citojmë dhe drejtues të PD për opinionet e tyre rreth kabllogrameve apo komente rreth vërtetësisë së tyre.

Debati për vërtetësinë e kabllogrameve është i mbyllur nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ato janë të rrezikshme për diplomacinë amerikane se janë të vërteta, ndaj kanë kërkuar të shmangen komentet. Debati i vetëm që mbetet të bëhet, dhe që në Shqipëri po bëhet i prekshëm, është kërcënimi i partnerëve të SHBA në Shqipëri. Ata që kanë qenë mysafirë të diplomatëve të SHBA dhe kanë folur me ta, janë miq të SHBA. Ata po ashtu i kanë besuar SHBA dhe vlerave të saj ndaj janë detyruar të dëshmojnë gjëra që nuk i thoshin dot në publik në Shqipëri. Fakti që Berisha ka nisur një fushatë të përgënjeshtrimit një për një të këtyre kabllogrameve “pa emër, pa zë dhe pa figurë”, por me citime nga një i tretë, vizaton qartë profilin e njeriut që po i kundërvihet me çdo mjet asaj çfarë diplomacia amerikane mendon për të dhe familjen e tij.

Në mënyrë sistematike ditë pas dite ai përdor persona të tretë për të dokumentuar të kundërtën e asaj çfarë është raportuar për të. Ky është hapi i parë. Pas kësaj mos u çudisni që të njëjtët persona t’i shikoni të trembur në ndonjë cep ekrani në TV Klan apo medie të tjera të Familjes që t’i thonë dhe me zë dhe figurë këto gjëra. Sa më shumë Berisha e demonstron karshillëkun ndaj kabllogrameve të SHBA, aq më shumë rritet shansi që partnerët e SHBA në Tiranë, që janë cituar nga kabllogramet, të ndjehen të trembur dhe të terrorizuar prej tij.

Por ajo që nuk fshin dot Berisha nga kjo histori, është fakti se Berisha është një udhëheqës në karantinë prej diplomacisë së SHBA. Nuk ka shumë rëndësi çfarë kanë thënë shqiptarët, njerëzit e Berishës apo njerëzit e Uashingtonit për Berishën në kabllograme. E vërteta e hidhur për Berishën është se nga leximi tërësor i tyre, ai është një udhëheqës politik, të cilin SHBA nuk e beson dhe i shikon me dyshim gjithçka. Këtë nuk ka kush ta përgënjeshtrojë, pasi kjo nuk është ndonjë deklaratë e ndonjë personi konkret, por është e gdhendur në çdo rresht, çdo paragraf dhe çdo kabllogram të diplomatëve amerikanë në Tiranë për të.

Qysh kur ka ardhur në pushtet dhe deri më sot, ai është një “objektiv nën kontroll” prej SHBA dhe kjo e vret atë më shumë se deklarata e gjeneralit për të birin, e Burgajt për ish- badigardin apo konsideratat e këqija të amerikanëve për Bashën, Mediun apo Ilir Metën. Dhe nëse doni ta lexoni sa shumë i ka dhembur mosbesimi amerikan për të Sali Berishës, lexoni fjalimin e tij para deputetëve ditën e hënë, i sapokthyer nga New York-u. Ai ka përdorur aty një frazë të hidhur dikur për të, një frazë që e ka pasë përdorur për të Presidenti Klinton në një bisedë të cituar nga media mes Klintonit dhe Ibrahim Rugovës. Klintoni u citua atëherë t’i kishte thënë Ibrahim Rugovës se “Uji nuk kalon dy herë në të njëjtin vend”.

E vërtetë apo jo, kjo fjali rrodhi atëherë pas një vizite të Ollbrajtit në Tiranë dhe zbardhjes së bisedës së saj nga një ish- zëvendësministër i jashtëm socialist, që më pas u detyrua të japë dorëheqjen për këtë shkak. E vërtetë apo jo, Sali Berishës nuk i kishte ikur e keqja me këtë shprehje. Dhe sapo deshi tu thoshte deputetëve se takoi dhe ish- presidentin Klinton, citoi nga koshienca e tij ekzaktësisht fjalinë që Klinton ka thënë për pamundësinë e rikthimit të Berishës në pushtet. Duket se në atë fjali kishte një lloj hakmarrje dhe karshillëk të vërtetë provinciali ndaj atij që ai mendon se dikur e ka rrëzuar nga pushteti.

Është pikërisht ky makth, ky mosbesim që ai ndjen në Uashington ndaj mënyrës si ka ikur dhe si po qeveris tani që është rikthyer, ajo që e bën të jetë përditë aktiv për të përgënjeshtruar çdo gjë që ata thonë e shkruajnë për të. Makthi i tij i vërtetë nuk është çfarë kanë thënë për të, kush e ka thënë dhe pse e ka thënë, por pse ata në Uashington s’e besuan kurrë prej vitit 1996. Dhe sa herë shkon në SHBA, por sidomos sa herë kthehet prej SHBA, e kupton dhe më shumë se e vetmja gjë e bardhë në këtë histori, është ngrica që nuk shkrin mes tij dhe Uashingtonit.