Dua të bëhem vrasës!

0
40

Nga Bledi Mane

Zyrtarisht kjo republika jonë ka 53 universitete publike dhe private e asnjë prej tyre nuk ofron momentalisht studime bachelor, master apo doktorature në shkencat e kriminalitetit.
Ka kohë që është profesioni më i lakmuar dhe më i paguar në vend, dhe trendi po shkon drejt rritjes. Pa dallim feje, krahine, gjinie dhe moshe, të vrarit e njeriut nga njeriu po konvertohet në industri serioze me profite dhe të ardhme të sigurt.

Pavarësisht se Policia e Shtetit Shqiptar si dhe INSTAT-i nuk publikojnë asnjë shifër zyrtare mbi kriminalitetin e rëndë, disa organizata të shoqërisë civile japin rekorde alarmante.

Çdo 41 orë në Shqipëri vritet një njeri dhe çdo 78 orë plagoset një tjetër. Kriminelët pavarësisht se nuk janë laureuar si të tillë, kanë njohuri dhe përvojëra ekselente në finalizimin me sukses dhe vdekjen e prejës së tyre. Në tregun informal të Tiranës, Durrësit, Vlorës a Shkodrës ankandet për vrasjen e një individi me mënyrën klasike fillojnë me 20 mijë euro/frymë, ndërsa format më të moderuara dhe aspak gjurmëlënëse si ajo e gushtit në Vlorë me telekomandë mund të shkojë deri në 200-300 mijë euro në varësi të situatës. Mund të studiosh a rropatesh duke punuar ndershmërisht gjithë jetën tënde, por gdhihesh dhe plakesh i varfër. Shuma të tilla parash as me telebingot e Klanit nuk i fiton dot.

Por si mund të konvertohesh në një vrasës?
Nga përvoja ime me krimin dhe burgjet kam nxjerrë konkluzion se duhet filluar me një lloj terapie mjaft të thjeshtë. Para se të shohësh filmat aksion në Digitalb fillo lavazho trurin dhe shpirtin me një lloj urrejtjeje patetike si kjo që karakterizon racën tonë. Shikoni çdo ditë lajme politike, parlament ose talkshow ku miqtë e ftuar zihen dhëmbë për dhëmbë. Tre herë në ditë u sugjerohet të shikoni monologjet e kryeministrit në youtube tek mallkon dhe kërcënon opozitën & kundërshtarët. Më pas informohuni (para buke) me vendimet e gjykatave të apelit dhe të kasacionit në lirime me kusht që u bëjnë kriminelëve sepse ua shton dozën e optimizmit nëse ju do të përfundonit në burg. Nuk ka arsye të trembeni nëse shikoni në ndonjë konferencë urgjente shtypi drejtorin e përgjithshëm të policisë Hysniun e Burg(ut)ajve apo Ina Ramën e pasnëntëkatësheve se askush nga këta të dy nuk ka këllqe të luftojë krimin.

Edhe Withers ish ambasadori amerikan ku shkonin për tu rrëfyer nuk punon më në Tiranë, ndërsa ministrin e rendit Bujar Nishanin e mbajnë sa për fasadë porsi Ken-i, shoku i kukullës Barbie, që as të pallon as të lëshon. Edhe nëse shikoni Bamirin (që ka edhe 10 muaj të mandatosura si president) tek shkon për ngushëllim diku, mos u idhnoni. As Bamiri, as Kreshniku i drejtësisë nuk e kanë mendjen tek haraçi që po paguan vendi nga korrja e fryteve të krimit. Si largpamësa që janë, të dy e kanë hedhur vështrimin mbi të majtë e mbi të djathtë drejt qershorit 2013 dhe me padurim presin formatimin e Kodit të ri Zgjedhor për të dizajnuar karrigen e tyre në parlamentin e ardhshëm.

Brukseli?
Po kush e rruan në Bruksel sesa nga ne vriten dhe vrasin. Duhet të tregoheni të kujdesshëm që biletën e aeroplanit ta blini 2-3 javë para vrasjes dhe të largoheni nga vendi 3-4 ditë pas vrasjes. Nëse gjërat marrin për keq këtu dhe avokati juaj nuk bën dot gjë as me 12 mijë euro për t’ju zhdukur provat me miqtë e Agronit në polici, vendosni të kërkoni azil politik ose në Belgjikë ose në Suedi derisa kolegët e Shpresa Beçajt ta kenë taposur përfundimisht çështjen në ngarkimin tuaj.

Opinioni?
Do të çlironi një impakt të paparë plot respekt e përulje. Jo vetëm në lagje apo minibashki, por edhe në Tiranë dhe anembanë vendit. Hajdut, i korruptuar, vrasës janë etalonet sesi një individ anonim konvertohet menjëherë në hero domestik. Gazetarët do tu mitizojnë aq shumë sa edhe Artur Zheji do tu qëndisë ndonjë opinion erotiko-antropologjik duke ua anal-izuar me kujdes këmbët, shpatullat dhe gjoksin tuaj të kërcyer. Bëni kujdes që fotot e profilit tuaj në Facebook të jenë të frikshme. Fytyrë e ngrysur, të parruajtur, bluzë zhapone, krah palestre me tatuazhe me krokodila, pak lesh te sqetullat dhe postoni në rubrikën info emra heronjsh si Tony Montana, Don Vito Corleone, adhurues të tallavasë, Sinanit, Florit, Piros (jo të Epirit) Piro Çakos, telenovelave venezueliane dhe Ronaldos së Realit.

Prishja e parasë?
Aty ku vendosët të jetoni, eurot do t’i harxhoni me kurva. Mësoni kokainën dhe shkoni për kafe nëpër lokalet e kosovarëve, turqve dhe kurdëve. Kur të vinë këngëtarë të ftuar shqiptarë si Shpati, Rovena S. a Bleona do t’ua hidhni paratë me bujë që tu shohin të gjithë. Mirë është që një pjesë të fitimit t’ua dërgoni familjarëve tuaj të papunë në Shqipëri që edhe ata të verbohen dhe joshen nga puna juaj fisnike. Morali shkrin vetvetiu dhe pushka top do tu bëhet nga urimet që do të merrni.

Këshilla e fundit
Filloni ushtrojeni menjëherë profesionin e vrasësit. Mos humbisni kohë. Viktima e parë dhe gjaku që do t’i buçasë nga goja dhe hundët do t’ju turbullojë disi. I dyti, i treti e me radhë do u duken si karamele që përtypen lehtë. U këshilloj të vrisni edhe para, edhe pas 12 tetorit 2011. Mos e vrisni shumë mendjen se edhe kësaj here Shqipërisë do t’i refuzohet statusi i vendit kandidat nga Bashkimi Evropian dhe Berisha nuk do merret me ju, me krimin që çel si gonxhe çdo ditë qosheve të Shqipërisë. Si gjithmonë do të bërtasë me të madhe i skuqur nga foltorja e parlamentit: Fajin e ka opozita!!!

*facebook.com/bledi.mane