Me abuzim-vjedhjet META-NANO-BERISHA-RULI në krom ndërtoheshin 28 shkolla dhe 9 spitale

0
52

Nga Kledian Lula
kledianlula@ymail.com

Minatorët, PS, opozita, media dhe opinioni shqiptar, të bashkuar në denoncimin e provuar kundër krimit ekonomik qeveritar me koncesionin e kromit në minierën e Bulqizës, po përleshen me prepotencën e firmës koncesionare “ACR” dhe me aleancën e plotë mbrojtëse të abuzimeve të “ACR”, prej politikë-pushtet-policisë qeveritare dhe personalisht, prej pushtet-familjes kryeministrore “SALI”. Fakti që “ACR”, prej 100 ditësh po vazhdon të shpërfill ligjet shqiptare për plotësimin e kontratës koncensionare në minierën e Bulqizës, duke i çuar minatorët drejt grevës së pafund dhe minierën drejt mbylljes përfundimtare, konfirmon faktin që veprimtaria e saj është biznes total i kupolës qeveritare.

“DARFO” u soll në Shqipëri nga Genc Ruli, miratuar nga Ilir Meta, mbrojtur nga Nano-Berisha

Firma “ACR” që po shkatërron jetën e minatorëve dhe pasurinë e kromit në Bulqizë, ekziston si sigël vetëm në QKL dhe në ligjin e parlamentit “SALI”, si blerëse fiktive e aksionit koncensionar prej firmës mafioze italiane “DARFO”, sjellë në Shqipëri në vitin 2001 prej “ekspertit koncensionar” Genc Ruli, me “bekimin” e të plotfuqishmit Ilir Meta dhe miratuar në parlament brenda 24 orëve, me një dosje false. Sipas dosjes koncesionare, rezulton se bosët e firmës “DARFO” janë personazhet e dosjes hetimore italo-shqiptare të trafikut të “drurit të arrës”, ku krye-personazh-krim i drejtësisë ishte Genc Ruli.

Krimi dhe shkatërrimi në Bulqizë, ka nisur prej “kockës së fortë” të korrupsionit Genc Ruli, nëpërmjet licencimit dhe menaxhimit qeveritar të firmës mafioze “DARFO” e cila gjatë 6 viteve 2005-2011, po nëpërmjet vulës e firmës së ministrit Genc Ruli, vazhdon krimin në Bulqizë, duke lënë si dekor e “bedel” të licencuar firmën hije “ACR”. Në një raport përzgjedhës e vlerësues të përgatitur e të paraqitur në 14 nëntor 2000, tek kryeministri Ilir Meta, “eksperti koncensionar” Genc Ruli prezanton dhe ofron për kromin e Bulqizës, firmën italiane “DARFO”.

Ja se çfarë thotë raporti “RULI” për firmën “DARFO”: “Pas investigimesh ndërkombëtare të bërë në tregun e koncesioneve të mineraleve, grupi ynë i ekspertëve, i drejtuar nga mua (Genc Ruli), me detyre krye-këshilltar ekonomik special i kryeministrit shqiptar, konkludon sa më poshtë: Firma italiane “DARFO” është e vetmja alternativë serioze, për t’iu besuar koncesioni i kromit dhe i çdo minerali tjetër në Shqipëri. Ka aktivitet ekuivalent të fuqishëm në disa vende të Ballkanit, Europës e Botës. Me licencimin e kësaj firme, jemi të bindur dhe garantojmë se kromi shqiptar futet nën veprimtarinë e fuqishme aktuale e perspektive të zhvillimit në nxjerrje, përpunim, tregtim dhe investime kapitale minerare. Miniera e Bulqizës dhe komuniteti i saj, duhet të ndihen të privilegjuar, që do të kenë një zhvillues dhe investitor të tillë strategjik”.

Ja ciklimi i ish-kryeministrit Ilir Meta, për raportin “RULI”: Akt-përzgjedhja dhe akt-vlerësimi, mendoj dhe vlerësoj, se janë sipas standardit të kërkuar për shfrytëzimin e kromit. Nga informacionet që kam edhe vet në rrugë operative, rezulton se firma e përzgjedhur “DARFO” është firmë e fuqishme, me aktivitet ndërkombëtar në industrinë e minierave në disa shtete të rajonit e të botës. Urdhëroj, të miratohet përfshirja dhe përcaktimi i saj si përfituese koncesionit të kromit në Bulqizë dhe qendrat e tjera të kromit dhe, të paraqitet si material në mbledhjen e parë të qeverisë dhe në komisionin e ekonomisë e më pas në parlament për licencim”.

Firma “ACR” është vetë firma “DARFO, Ruli-Berisha firmosën falsitetin

Gjithë të dhënat e që gjenden në dosje dhe të paraqitura në tavolinën e Ilir Metës, prej Genc Rulit për firmën “DARFO” janë false, mbasi firma “DARFO” nuk ka patur asnjë lloj aktiviteti në industrinë nxjerrëse, përpunuese e investuese në miniera e minerale. Por edhe ‘trimi” e i “pastri” Ilir Meta, i cili sot qëndron gojë-kyçur përballë minatorëve të Bulqizës dhe firmës mafioze “ACR”, ka firmosur në vitin 2000 koncesionin për “DARFO” edhe pse e dinte mirë, që dosja e saj ishte me të dhëna false. Sipas fakteve, firma “DARFO” nuk ka patur asnjë lloj informacioni minimal për minierat, por ka qenë vetëm një firmë import-eksporti lëndësh drusore, tregtimi mobiliesh, bojërash makine, tapetesh, grumbullim kërmijsh, bretkosash e breshkash dhe shitëse-furnitore nënkontraktore qymyresh e mazuti për entet publikë dhe privat.

Në kohën kur u bë pazari “RULI” për koncesionin e Bulqizës, firma “DARFO u porosit që të siguronte disa liçensa dhe dosje fiktive aktiviteti false në Itali, Serbi, Rusi, Kinë dhe 2-3 vende të Afrikës, për gjoja aktivitet mineral, me qëllim që t’i kishte si prova aktiviteti në nxjerrje, përpunim e investim mineralesh, për t’i paraqitur në tender-liçensimin e saj për kromin në Shqipëri. Këtë falsitet, krye-qeveritari ILIR META e dinte, mbasi e kishte porositur vetë, ndaj dhe lejoji që firma e breshkave “DARFO”, të paraqitej e të liçensohej me këtë “CV”, si koncensionare e kromit shqiptar, me qendër Bulqizën.

Kanë qënë dhe janë Meta-Nano-Berisha-Ruli, eksponentët fuqiplotë, që kanë nisur, kanë strukturuar dhe kanë mbrojtur e vazhdojnë të mbrojnë krimin me pasurinë e kromit në Bulqizë, duke u bërë palë me firmën “DARFO” dhe me “bijën” e saj “ACR”. Bulqiza gjendet në kthetrat e mafies qeveritare përgjatë viteve 2000-2011, kur kjo firmë abuzive ka nisur të licensohet, kontrollohet, përkëdhelet, “milet” dhe tolerohet prej kupolës qeverisëse shqiptare. Nëse shfleton “letrat” e aktivitetit të viteve 2000-2007 në koncensionin e kromit, konstaton se firma “DARFO” jo vetëm nuk është ndëshkuar, por dhe është shpërblyer në miliona dollarë, megjithëse nuk ka respektuar asnjë pikë të kontratës koncensionare.

Madje shteti Shqiptar, pra ministria e Ekonomisë “RULI”, si ministri përgjegjëse, nënshkruese dhe kontrolluese direkt e kontratës koncensionare, lejoji dhe miratoi privatisht e piratisht, që “DARFO” në vitin 2007, përpara se të largohej, të shiste koncesionin, duke marrë edhe 10 milion Euro nga firma blerëse “Ruso-Austriake”, që në fakt është vetë “DARFO”, por e regjistruar fiktivisht me siglën “ACR”. Në dosjen e “ACR” figuron dhe firma e kryeministrit Sali Berisha që miraton këtë transaksion blerje fiktive, por që na fakt “ACR” është vetë firma “DARFO”, me emër dhe administrator të ndryshuar formalisht.

META-NANO-BERISHA-RULI, firmosën 113 milion dollarë abuzim-vjedhje me firmën “DARFO”

Firma “DARFO”, si “shefa” qeverie ka patur tre kryeministrat shqiptarë META, NANO, BERISHA, ndërsa si “menaxher” aktiviteti e pazaresh te pista ka patur vetëm 1 person të përhershëm, të quajtur Genc Ruli. Të gjithë së bashku, kanë shërbyer me bindje dhe me forcën e pushtetit, për të krijuar mundësi të shumta abuzimi e përfitimesh kolosale financiare për këtë firmë mafioze. Firma “DARFO”, mori dy koncesione në industrinë e nxjerrjes së kromit, përcaktuar në dy kontrata të veçanta, të miratuara nga Qeveria dhe Parlamenti Shqiptar. Koncesionin e parë, firma “DARFO” e mori në vitin 2000, me aktivitet investues, nxjerrës e përpunues në minierat e kromit të Përrenjasit, Katjelit, Pogradecit dhe në Uzinën e Ferro-Kromit në Elbasan.

Ndërsa koncensionin e dytë, e mori në vitin 2001, me aktivitet për minierën e Bulqizës dhe Uzinën e Ferro-Kromit në Burrel. Ende pa nisur punën në këto miniera, firmës “DARFO” iu bë privilegj-afera e parë nga kupola e pushtetit, kohë kur kryeministër ishte Ilir Meta dhe “ekspert koncensioni e mbikëqyrës” ishte Genc Ruli. Në kontratën e parë për aktivitetin në minierat e kromit të Përrenjasit, Katjelit, Pogradecit dhe në Uzinën e Ferro-Kromit në Elbasan, qeveria shqiptare i dha të drejtë firmës “DARFO”, që për 5 vitet e para të aktivitetit të paguante energjinë elektrike me çmim 3.6 leke/kilovati, si familjarët e jo si biznesi. Ndërsa në kontratën e dytë, në aktivitetin minerar në Bulqizë, në Uzinën e Ferro-Kromit në Burrel, i dha të drejtën të paguante energjinë elektrike me 80% të çmimit 3.6 lekë, ose me 2.8 lekë/kilovati. Ndërkohë, po me vendim qeverie “META”, firma “DARFO” do të përjashtohej nga taksat dhe detyrimet e fitimit ndaj shtetit për 2 vjet, me motivin “Investime paraprake shtesë, jashtë kontratës koncesionare”.

Por edhe pse iu falën (u vodhën) miliona dollarë në mënyrë kriminale nga llogaria e shtetit shqiptar, sipas dosjes së aktivitetit të shpenzimeve të firmës DARFO”, zëri “pagesa energjie” figuron sikur ajo e ka paguar energjinë elektrike me çmim biznesi, ndërkohë që në KESH-in e drejtor Andis Harasanit, rezulton pagesa me çmim familjar dhe me 80% çmim familjar, ekzekutuar sipas udhrit të kupolës qeverisëse META-RULI e më pas NANO-RULI, deri në vitin 2005. Kjo “lojë” me firmën “DARFO”, me çmimin e energjisë elektrike, heqjen e taksave dhe faljen e normës së fitimit të ortakut shtetëror nga kromi (edhe taksën TVSH), vazhdoi edhe pas vitit 2005, kur kryeministër u bë Sali Berisha dhe Ministër Ekonomie u bë Genc Ruli. Sipas llogarive të KESH, rezulton se gjatë viteve 2000-2007, nga ky abuzim me energjinë elektrike, firma “DARFO” ka përfituar plot 23 milion dollarë.

Ndërsa sipas llogarive të tatim-taksave dhe bilanceve të Ministrisë së Financave, falja e taksave dhe e normës së fitimit për 2 vjet në favor të firmës “DARFO”, rezulton me 89 milion dollarë humbje. E gjithë kjo vjedhje gjigande në energjinë elektrike, sipas llogarive është e barabartë me ndërtimin dhe kompletimin e 28 shkollave 9-vjeçare e të mesme me nga 500-800 nxënës. Ndërsa vjedhja me taksat dhe normën e fitimit është e barabartë me ndërtimin e 9 spitaleve të kompletuar me të gjithë pajisjet dhe shërbimet parësore mjekësore për qytete me kapacitete banorësh si Rrësheni, Lezha, Përmeti, Pogradeci, Tepelena, Ballshi, Bulqiza, Puka, Çorovoda etj. Kujtojmë, që abuzim-vjedhjet me energjinë, miratuar me urdhër të krye-qeveritarëve META, NANIO-BERISHA, janë skeduar si “humbje në rrjet” në llogaritë e KESH-it.

Ndërsa në llogaritë e tatim-taksave dhe në Ministrinë e Financave, janë skeduar si “Shuma konvertuara si investime suplementare prej firmës “DARFO”. Ortakëria abuzive e hajdutërore qeveritare me firmën “DARFO”, menaxhuar prej Genc Rulit, u mbyll edhe me këtë me këtë bilanc tjetër humbjesh për shtetin shqiptar: Për vitet 2000-2007, nga veprimtaria koncensionare, firma “DARFO” përvehtësoi 100% të fitimit, pa i dhënë asnjë qindarkë pjesë fitimi palës ortake, që është Shteti Shqiptar dhe që për 3 vitet 2005, 2006, 2007, përfaqësohej direkt nga Genc Ruli si ministër Ekonomie. Firma “DARFO” zhvati nga ekonomia shqiptare 18 milion dollarë prodhim kromi të nxjerr në sipërfaqe, i gatshëm për treg-eksporti dhe 800 mijë ton mineral kromi stok, depozitë e nxjerr në natyrë.

Në vitin 2009, në krye të koncensioneve erdhi “ujku” i viteve 2000-2001, “trusti Ilir Meta”, i cili me “bekimin’ e Sali Berishës, rifreskoi lidhjet dhe intensifikoi veprimtarinë përfituese prej kromit, bakrit, naftës, koncensioneve të hidrocentraleve, shëndetësisë, energjisë elektrike, guroreve dhe emërimeve në diplomaci, duke urdhëruar ministrat e drejtorët “me bllok në dorë”. Pas firmës “DARFO”, masakrën me kromin shqiptar në Bulqizë e vazhdoi dhe po e vazhdon firma fantazmë “ACR” ndërkohë që në Kalimash, Katjel, Burrel, Elbasan, Përrenjas dhe Pogradec po e vazhdojnë “fahrinjtë” e Gërdecit dhe “kuliçët” e naftës Virginë, të gjithë të liçensuar, të lejuar dhe të mbrojtur në vjedhje e abuzime, prej krye-koncensionarëve BERISHA-META-RULI.