Nga Eduard Zaloshnja
Shkak për të shkruajtur këto rreshta u bë një vërdallisje që më shkaktoi “CEZ Shpërndarje”, kompania që ka monopolin e furnizimit me energji elektrike të familjeve shqiptare. Në faturat që më dërgon CEZ-i, ka disa muaj që më figuron si e papaguar një shumë prej 26 mijë lekë të reja, ndërkohë që në librezën e pagesave vërtetohet me firmë e me vulë që e kam paguar rregullisht energjinë e konsumuar.
Kur u ankova për këtë gjë në një nga qendrat e kujdesit për klientin të CEZ-it, më thanë se pagesat nuk ishin pasqyruar ende në sistemin e tyre kompjuterik, por do të pasqyroheshin më vonë. Dhe kur u ankova për të dytën herë, më thanë se duhej ta zgjidhja problemin në Postën Shqiptare, ku dhe i kisha bërë pagesat. Por punonjësit e kësaj të fundit më thanë se duhej ta zgjidhja te CEZ-i, sepse ata i kishin transferuar atje pagesat. Si përfundim, shkova për një ballafaqim tjetër te CEZ-i, ku, më së fundi, përgjegjësi i zyrës së kujdesit ndaj klientit ma zgjidhi problemin.
Gjatë vizitave te CEZ-i, pashë dhjetra e dhjetra qytetarë që ankoheshin ose për të njëjtin problem me timin, ose për probleme të tjera me faturimin e energjisë. Njëri ndër ta, personi që ishte në rradhë pas meje në vizitën time të fundit, më tha: “Z. Zaloshnja, duhet të shkruash një artikull për vuajtjet që po na shkakton ky dreq CEZ-i!” Meqë nga e folura m’u duk me origjinë nga Skrapari, e pyeta: “Mos je gjë patriot i Ilir Metës?” Dhe pasi më dha një përgjigje pohuese me kokë, vazhdova: “Në qoftë se ke votuar për partinë e tij, e ke edhe ti një farë përgjegjësie për mënyrën sesi na trajton CEZ-i”. Gjysëm i turpëruar, skraparlliu më dha të drejtë me një të tundur të kokës.
Sipas të dhënave të KQZ-së, bashkëbiseduesi im te zyra e CEZ-it i bie të jetë një nga 118 mijë shqiptarët që votuan për LSI-në në zgjedhjet e 8 majit. Por le të supozojmë, siç supozojnë shumë opozitarë, se kjo shifër është e fryrë artificialisht. Le të themi pra, se në kutitë e votimit duhet të ishin realisht jo 118 por 100 mijë vota për LSI-në. Edhe kaq, janë shumë për një parti që, përveçse i tradhtoi politikisht përkrahësit e saj pas 2009-ës, ka keqdrejtuar ministrinë më të rëndësishme që iu besua të drejtonte – Ministrinë e Energjisë, Tregtisë dhe Ekonomisë (METE).
Ilir Meta ishte anti-berishiani më i fortë në katër vjetët e para të qeverisjes së Berishës. Ai kërkoi me ngulm rrëzimin me revolta të qeverisë së këtij të fundit dhe premtoi para zgjedhjeve të 2009-ës se do ta nxirrte në pension “autokratin Berisha”.
Kjo linjë e fortë e Metës u vinte për shtat përkrahësve të tij, të cilët ishin kryesisht me origjinë nga krahina të njohura anti-berishiane si Skrapari, Berati e Fieri. Por pas zgjedhjeve të 2009-ës, përkundër ç’mund të prisnin votuesit e LSI-së, Meta, jo vetëm që nuk e nxori në pension “autokratin Berisha”, por i dha atij dhe votat e domosdoshme për një mandat tjetër kryeministror. Një në dorë për votuesit e LSI-së!
Me t’u futur në koalicionin e Berishës, LSI-ja mori drejtimin e METE-s dhe e ka ruajtur atë deri më sot. Dhe si ka punuar këto dy vjet METE? KESH-i, i cili është në vartësi të drejtpërdrejtë të METE-s, e ka përmbytur disa herë me ujrat e Drinit zonën veriperëndimore, sepse ka dashur të mbajë rezerva sa më të mëdha uji në hidrocentrale, duke u detyruar kështu t’i hapë portat e tyre kur lumi ka patur prurje të mëdha. Po përse KESH-i, i mbikqyrur drejtpërdrejt nga METE, është i interesuar të mbajë rezerva ujore tej kapacitetit normal të hidrocentraleve? Ndoshta për të shitur sa më shumë energji me tenderat e famshëm të KESH-it…
METE, përveç administrimit të hidrocentraleve ekzistues, kryen dhe procesin e licensimit për ndërtimin e hidrocentraleve të rinj. Ky proces, siç na lë të kuptojë videoja e famshme Prifti-Meta, duket se shërben për të mbushur xhepat e këtij të fundit me qindra mijra euro, në dëm të taksapaguesve shqiptarë (kuptohet, edhe të votuesve të LSI-së). Gjithashtu, në kontratën që i jep CEZ-it monopolin e furnizimit të shqiptarëve me energji elektrike, METE është përfaqësuesja e shtetit (nënkupto edhe e votuesve të LSI-së, të cilët i paguajnë taksa këtij shteti). Dhe kur CEZ-i tallet me shqiptarët (siç u tall me mua, me atë skraparlliun LSI-st, e me mijra të tjerë), METE-ja nuk bëhet e gjallë. Përkundrazi, Meta, kur ishte në krye të METE-s bënte vizita luksoze në Pragë, të sponsorizuara nga CEZ (shih http://www.gazetatema.net/web/?p=348). Dy në dorë për votuesit e LSI-së!
Mund të vazhdohet edhe me tre e katër në dorë për votuesit e LSI-së, por besoj se kaq mjafton për të bërë pyetjen e habitur se si ka mundësi që të paktën 100 mijë shqiptarë (për të mos thënë 118 mijë) ia dhanë votën LSI-së në zgjedhjet e fundit. Në vitin 2009, LSI-ja mori rreth 74 mijë vota, ose rreth 40 mijë më pak se në 2007-ën, kur kishte qenë në koalicion me PS-në. Dhe kjo tkurrje mund të shpiegohet me faktin se, pavarësisht nga anti-berishizmi i deklaruar i Metës, një pjesë e përkrahësve iu larguan pas ndarjes së tij me Edi Ramën (LSI-ja pretendon se iu vodhën vota në 2009-ën, por gjithsesi, nuk mund t’i jenë vjedhur 40 mijë vota!). Dhe logjika, bazuar në argumentet e mësipërm e të tjerë argumente, të thotë se tkurrja e LSI-së do të vazhdonte edhe në 2011. Por ç’ndodhi? LSI-ja, në vend që të pësonte tkurrje elektorale, arriti të bymehet me 30-45 mijë vota!
Mund t’i kuptoj, por jo t’i justifikoj, një pjesë të atyre 100-118 mijë shqiptarëve që votuan për LSI-në në 8 maj. E kam fjalën për ata që, falë LSI-së, zunë vende pune në administratën shtetërore. Dhe unë njoh personalisht disa prej tyre. Ata e justifikojnë votën me thënien “Çilimijtë me bukë m’i mban vendi i punës që më siguroi LSI-ja, jo llafet e opozitës”.
Disa të tjerë mund t’ia kenë dhënë votën LSI-së për arsye materiale afatshkurtra – kam dëgjuar se zyrat lokale të LSI-së, në shkëmbim të votës, kanë “ndihmuar” votues të tillë me para në dorë… Këta votues as nuk i kuptoj e as i justifikoj dot! Dreqi e mori, çfarë i pengoi që t’i merrnin paratë që vërtet u nevojiteshin dhe pastaj mos t’ia jepnin votën të korruptuarës LSI? Ata mund ta bënin votën të pavlefshme ose t’ia jepnin atë një partie tjetër, pa u marrë vesh nga njeri…
Dhe është një grup i tretë LSI-stësh, të cilët fare, ama fare, nuk i kuptoj e nuk i justifikoj dot – vazhdojnë të votojnë për LSI-në thjesht sepse janë me origjinë nga Skrapari! Disa të tillë që njoh nuk kanë asnjeri të punësuar nga LSI-ja, nuk kanë përfituar asnjëherë ndonjë nga kjo parti, janë anti-berishianë të flaktë, e megjithatë, votuan përsëri në 8 maj për LSI-në. “Pse?”, i kam pyetur. “S’e tradhtojmë dot patriotin tonë Meta”, më janë përgjigjur… Dreqi e mori, unë jam me origjinë nga Skrapari e simpatizant i Ballit Kombëtar, por kurrë nuk do të kisha votuar për skraparlliun Abaz Ermenji (sado idhull që e kam patur si ballist), në qoftë se ai do të ishte shfaqur në televizion duke diskutuar për afera korruptive qindra mijëra dollarëshe, pavarësisht se ç’do të vendoste Gjykata e Lartë për të!!!
*respublica.al
http://respublica.al/opinion/2011/9/26/meta-mete-dhe-skraparllinjte