Amerika dhe kryetarja e Parlamentit

0
48

Nga: BESNIK GJONGECAJ

Pak ditë më parë, znj. Topalli, e entuziazmuar nga mënyra se si funksionon sistemi parlamentar amerikan, në një intervistë te “Zëri i Amerikës” tha që, edhe në Shqipëri, ashtu si në Amerikë, deputetët duhet të votojnë hapur dhe votimi i fshehtë duhet të eliminohet nga praktika parlamentare. Thelbi është fare i qartë: votuesit duhet të dinë se si voton përfaqësuesi i tyre në parlament, sepse vetëm kështu do të mund të vlerësojnë qëndrimet e tij, sepse vetëm kështu do të mund të përgatisin me realizëm, varësisht nga qëndrimet e tij në parlament, një votë pro apo kundër deputetit të tyre në zgjedhjet e ardhshme.

Ideja është perfekte, pa asnjë të metë, e shkëlqyer në thelbin dhe në formën e saj. Nëse ka një gjë që Parlamenti shqiptar duhet ta adoptojë, është ky parim. Është nga ato parime me vlerë universale për demokracinë, dhe si i tillë, pra, për shkak të universalitetit, adoptimi i tij është i thjeshtë dhe nuk varet nga rrethanat apo specifikat e vendit, qoftë ky vend edhe Shqipëria. Është ky perfeksion, megjithatë, që bëhet shkak për identifikimin e një problemi të madh për shqiptarët dhe politikën e këtij vendi. Parimi i votës së hapur dhe të adresuar në parlament, kur tentohet të adoptohet në realitetin e parlamentarizmit shqiptar, krijon një reliev tragjik me këtë të fundit, nxjerr në pah natyrën e pistë dhe kënetore ku është zhytur parlamenti dhe politika e këtij vendi.

E artikuluar si një mesazh publik që i dërgohet opozitës për të diskretituar qëndrimin e saj kundër, qëndrimin e saj pro votës së fshehtë dhe jo të hapur në parlament, për rrjedhojë, për të diskretituar kulturën gjasme antidemokratike dhe antiamerikane të opozitës shqiptare, kryetarja e Kuvendit, pa dashur, pra thellësisht kundër dëshirës së saj, iu ka dhënë shqiptarëve një mesazh tjetër, iu ka kujtuar edhe njëherë atyre se sa larg është politika e këtij vendi nga standardet, nga politika amerikane, nga demokracia në përgjithësi.

Sepse, përpara se t’u thotë shqiptarëve që politika shqiptare duhet të adoptojë votën e hapur dhe të mirëadresuar në Parlamentin shqiptar, pra, para se të thotë që ky element në Parlamentin shqiptar duhet të bëhet po aq standard sa ç’është në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senatin amerikan, kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë duhet t’u thotë shqiptarëve se, a është vetë ajo, sjellja e saj, po aq brenda standardeve sa ç’është, p.sh., sjellja e z. John Boehner, speaker i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës; duhet t’u thotë shqiptarëve, p.sh., se sa i ngjashëm është Parlamenti shqiptar me Dhomën e Përfaqësuesve apo Senatin amerikan për sa i përket standardeve dhe qëndrimeve ndaj demokracisë; duhet t’u thotë shqiptarëve nëse mund të ndodhë në Dhomën e Përfaqësuesve apo në Senatin amerikan që për një projektligj të votojnë anëtarë që nuk janë prezent, siç ndodhi në votimin për projektligjin e regjistrimit të popullsisë në Parlamentin shqiptar; dhe së fundi, duhet t’i hapë “barkun” popullit shqiptar dhe t’i tregojë se sa e ngjashme është Shqipëria me Amerikën: a ngjan arsimi shqiptar me atë amerikan, shëndetësia shqiptare me atë amerikane, drejtësia shqiptare me atë amerikane, administrata shqiptare me atë amerikane.

Pra, në fund të fundit, para se të kërkojë adoptimin e votës së hapur dhe të adresuar në Parlamentin shqiptar, pra, para se t’u thotë shqiptarëve që duhet ta bëjmë votimin parlamentar si në Amerikë, kryetarja e Parlamentit shqiptar duhet t’u thotë shqiptarëve pse jemi kaq larg Amerikës, pse në Shqipëri sundon një regjim autokratik, pse demokracia shqiptare rrëshqet mbrapsht, ndërsa koha tragjikisht rrjedh pa të përpara.

Ajo, në fakt, para se të adoptojë një parim të parlamentarizmit amerikan dhe ta përdorë atë si armë kundër pjesës opozitare të politikës së këtij vendi të varfër, duhet të fillojë të shpjegojë se ç’po ndodh me parlamentarizmin shqiptar, me sundimin e tij nga partia në pushtet. Akoma më konkretisht, kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë duhet ta fillojë analizën nga vetja dhe t’u tregojë shqiptarëve se ç’ndodh me të, t’u tregojë atyre qartësisht nëse mënyra se si po e drejton ajo Parlamentin, e ndihmon apo i bën varrin parlamentarizmit simbolik shqiptar.

* * *

Speaker John Boehner, në Kongresin amerikan flet anglishten zyrtare, pa dialekt, të thjeshtë, të drejtpërdrejtë, pa zbukurime, aq më shumë, sa as nuk mundesh madje ta imagjinosh, në anglishten e tij nuk ka fjalë të ndyra, nuk ka fjalë ofenduese, përfundimisht, asgjë personale. Speaker John Boehner flet anglishten zyrtare dhe pa dialekt, sepse ai i drejtohet të gjithë popullit amerikan dhe jo vetëm një pjese të tij. Ai nuk i drejtohet vetëm jugut, nuk i drejtohet vetëm veriut, nuk u drejtohet vetëm amerikanëve të Teksasit apo të ndonjë shteti tjetër. Ai flet gjuhën zyrtare sepse e di shumë mirë që ajo është kusht për t’i mbajtur qytetarët të lidhur me njëri tjetrin dhe me shtetin e tyre, për t’i konsideruar ata të barabartë, larg çdo diskriminimi, larg çdo preference, përfundimisht, për ta konsideruar krejt popullin e vendit të tij si një të vetëm, të unifikuar, brenda të njëjtave standarde.

Ai flet një gjuhë pa ngarkesa ofenduese, pa fjalë të ndyra, pa nëntekste personale, sepse është etika parlamentare që nuk e lejon ndryshe, sepse atje, jashtë sallës së Kongresit, janë qytetarët amerikanë që nuk e lejojnë, që e detyrojnë atë të “shtypë” brenda tij çdo gjë personale, çdo alarm apo shpërthim të nënndërgjegjes së tij. Ai, në thelb, nuk ka të drejtë të jetë individi John Boehner kur është në krye të detyrës, por speaker-i John Boehner.
Kryetarja e Parlamentit shqiptar është shumë larg speaker-it John Boehner, është e pangjashme me të kur është në krye të detyrës. Gjuha e saj është me një dialekt që edhe unë, si verior që jam, shpesh nuk arrij ta kuptoj.

Ajo është një gjuhë ndarëse, preferenciale, e adresuar thellësisht vetëm te një grup i caktuar njerëzish dhe jo te populli shqiptar, i cili, do apo nuk do kryetarja e Parlamentit të këtij vendi, është një entitet etnik, i njësuar, i pandashëm. Gjuha e kryetares së Parlamentit është një gjuhë që kur bashkohet edhe me fjalë joetike, ofenduese, shndërrohet në një përrua të dalë jashtë kontrollit, në një përrua gërryes, të shëmtuar, brutal, të urrejtshëm për shkak se nuk mund të imagjinohet ndryshe veçse si një sjellës fatkeqësish. Madje, edhe kur thotë fjalë patriotike dhe të buta, e tillë mbetet, sepse dialekti në gojën e kryetares së Parlamentit ndjell fatkeqësinë dhe trishtimin e ndarjes së shqiptarëve më dysh.

Në këtë kontekst, sa herë që e dëgjoj kryetaren e Parlamentit të flasë, si një përpjekje për të shpëtuar nga mizerja ku më zhyt mënyra e saj e komunikimit, më kujtohet im atë, ndjesë pastë, gjuha e tij dhe kujdesi që ai tregonte për të. Jepte mësim në universitet dhe kam pasur rastin, megjithëse fëmijë, ta ndjek në ndonjë leksion, ashtu sikundër kam pasur rastin ta ndjek vazhdimisht kur fliste me mysafirët në dhomën e ngushtë të miqve. Në dhomën e miqve, që aq shpesh mbushej me njerëz të ardhur nga Tropoja, babai im fliste një gjuhë të pastër dialektore, melodioze, të mbushur me shprehje plot pushtet, gjë që e ndihmonte të mbante lidhje të forta me miqtë e tij tropojanë.

Gjuha me dialekt shërbente për të forcuar miqësinë, për t’i afruar njerëzit me njëri tjetrin dhe jo për t’i ndarë, absolutisht jo, në atë hapësirë të ngushtë të asaj dhome. Me studentët, në leksion, gjuha e tij ishte një tjetër gjuhë. Ishte një gjuhë, një e folur, që përputhej plotësisht me standardet zyrtare, pa dialekt, e drejtpërdrejtë, pa nëntekste, normale. Qëllimi ishte i njëjtë me atë të dhomës së miqve: ashtu si gjuha me dialekt e afronte me miqtë e tij nga Tropoja, gjuha pa dialekt, ajo e mbështetur në standardin zyrtar, e afronte me auditorin heterogjen, i shërbente të afrohej njësoj me të gjithë studentët, si me studentin e Tropojës ashtu edhe me atë të Skraparit, të Tiranës, të Korçës, të Shkodrës.

Në sallën e leksionit kishte përfaqësues nga e gjithë Shqipëria dhe që t’i trajtonte të gjithë njësoj, që t’u shërbente të gjithëve njësoj, që të mos ishte ndarës, preferencial, që të ishte një profesor për të gjithë, që të përmbushte misionin e tij mbi të gjitha, im atë nuk zgjidhte si gjuhë komunikimi dialektin e veriut, por gjuhën që mbështetej në standardet zyrtare. Pavarësisht faktit që nuk i kishte pëlqyer kurrë se si një kongres në kohën e komunizmit e kishte zgjedhur dialektin që ishte shndërruar në gjuhë zyrtare.

* * *

Të flasësh me dialekt, të stërmundohesh që ta vësh sa më shumë në pah këtë gjë, kur je në krye të një institucioni që i takon të gjithë shqiptarëve, madje më shumë, në krye të Parlamentit, është një gjest që kurrë nuk mund të konsiderohet naiv, spontan, i natyrshëm, përkundrazi, për shkak të mesazhit të ndarjes që mbart, është një gjest provokativ, kundër interesave të demokracisë, kundër interesave të vendit. Shpesh kam menduar, dhe për këtë kam kohë që jam i bindur, se gjuha me dialekt që flet kryetarja e Parlamentit nuk është spontane, përkundrazi, e sforcuar, e qëllimtë. Gjuha me dialekt, ashtu si e përdor kryetarja e Parlamentit, është produkt i një mllefi, i një inati, i një urrejtje të dikurshme e rritur nga dita në ditë, që vjen nga errësira, nga thellësitë e nënndërgjegjes, nga konsiderimi i jugut të Shqipërisë si komunist dhe i veriut si antikomunist.

Dialekti i theksuar në të folurën e saj është një hakmarrje, një sfidë, një shpërthim i nënndërgjegjes. Ajo, me dialektin e saj, hakmerret ndaj njerëzve që në kohën e komunizmit dominuan drejtimin e shtetit, veçanërisht ndaj organeve famëkeqe të sigurimit të shtetit dhe ato të mbrojtjes, drejtues të të cilëve, për hir të së vërtetës, kanë qenë në përgjithësi njerëz të ardhur nga zona konservatore të jugut të Shqipërisë. Ajo është ndoshta e vetmja kryetare Parlamenti në botë që ka rreshtuar gjuhën dialektore në një llogore me politikën. Urrejtja e saj personale e shpërndarë nëpërmjet gjuhës së qëllimtë dialektore, po shtrihet në të gjithë Shqipërinë, duke bërë të kundërtën: në vend që ta varrosë, po e ringjall komunizmin nëpërmjet një ndarje të re midis qytetarëve të këtij vendit.

* * *

Jo shumë kohë më parë, në një fjalim të mbajtur në Parlamentin anglez, (përpara të zgjedhurve dhe lordëve), Presidenti Obama shpjegoi pse Kina, apo ndonjë vend tjetër me zhvillim të shpejtë kohët e fundit, nuk mund ta zëvendësojë SHBA-në dhe Anglinë në rolin e tyre lidership në botë. Ajo që do të na mbajë gjithmonë të parët nuk është vetëm ekonomia, ushtria, por vlerat tona të përbashkëta, veçanërisht, tha z. Obama. Shikoni tek unë për të kuptuar Amerikën, vlerat tona të përbashkëta. Unë jam djali i një kuzhinieri në ushtrinë britanike, por asgjë nuk më pengoi që sot të jem President i SHBA-së. Kjo është një vlerë që nuk e kanë të tjerët, dhe është kjo arsyeja bazë pse ne do të mbetemi liderët e këtij planeti.

Ky është një mësim i madh për znj. kryetare dhe për politikën në Shqipëri. Modeli amerikan nuk është një mjet për të luftuar kundërshtarin, por një vlerë. Dhe kur flitet për Amerikën, duhet filluar nga vetja. Kështu i jep vlerës ndriçimin që ka në të vërtetë.