Arbën Xhaferi rrëfen vetveten

0
113

ResPublica, 24 shtator 2011

Ka dalë në treg një libër i publicistit kosovar Enver Robelli me titull “Arben Xhaferi Rrëfen, në Tetovë në Kërkim të Kuptimit”. Libri është ndërtuar në formën e një interviste me pyetje të Robellit (janë 40 pyetje), nëpërmjet së cilës ne marrim vesh ca më mirë, se kush është Arbën Xhaferi dhe çfarë mendon ai për botën. Pas një përvoje thadruese në Beograd në të ritë e vet, që ato mote ishte qendra e një federate shumëngjyrëshe (e tillë ishte Jugosllavia e Titos) dhe një përvoje vibrante në Prishtinë, në mënyrën më të çuditshme ai shkon e burgoset më tej në periferi, në Tetovë, ku, në kundërshtim me thirrjet e urdhërat që i vinin nga brenda qenies, vendos të merret me politikë aktive, derisa ca prej sëmundjes e ca prej vetëdijës se nuk kish kurrfarë dobie të humbiste kohë me do kokëçarje që të tjerëve u kishin më shumë hije, e braktis atë. Sigurisht, vijon të shkruajë për politikën, por tanimë nga pozicioni i intelektualit publik.

Ka shumë gjasa që në Tiranë Arbën Xhaferi të vlerësohet më shumë se sa në qytete të tjera të botës shqiptare (pse-ja është për t’u shpjeguar). Të gjitha gazetat e sotme e kishin dhënë lajmin mbi publikimin e këtij libri. Ja një fragment i shkurtër nga libri:

Pyetje: Duket se mosdurimi mes intelektualëve shqiptarë është legjendar. Shembuj aktualë janë Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja, dy personalitete që në të kaluarën jo rrallë e kanë himnizuar njëri-tjetrin dhe tash secili dëshiron ta shohë tjetrin në ferr?

Përgjigje: …. Tema e debatit që i nxehu gjakrat, jo vetëm të tyre, por edhe në shoqëri, kishte të bënte me çështje thelbësore për ardhmërinë e shqiptarëve; përkufizimi i identitetit të tyre. Kjo temë hapet herë pas here, dhe përkundër rrezikut që përmbajnë në vete këto debate polarizuese, megjithatë, janë të nevojshme për të gjetur sintezën kombëtare të një niveli më të lartë…. Ismail Kadareja, si zakonisht, e zgjodhi pozicionin e projektuesit, të vizionarit, që anticipon proceset që do të zhvillohen në të ardhmen. Ai, duke marrë parasysh të kaluarën e shqiptarëve si dhe sfidat që do të shfaqen në të ardhmen, ndërtoi qëndrimin se identiteti shqiptar ka qenë oksidental dhe duhet të zhvillohet si i tillë edhe në të ardhmen.

Nga ana tjetër, Rexhep Qosja zgjodhi pozicionin e realistit, duke theksuar se gjatë historisë është ndryshuar identiteti i shqiptarëve dhe se në të ka elemente orientale, të proveniencës islame. Kjo polemikë nuk do të ishte aq e zjarrtë sikur të mos kishte ndodhur akti terrorist i 11 shtatorit, që krijoi situatë krejtësisht të re në raport me terrorizmin që e nxisnin disa grupime radikale islamiste. Të gjithë shqiptarët shikojnë një rrezik politik nga mundësia që të kategorizohen si popull me kulturë lindore ose të paktën të frikësohen nga propaganda intensive e armiqve të popullit shqiptar, që e ndërtojnë vazhdimisht këtë perceptim për ta. Siç dihet, ndodhën disa implikime të shqiptarëve në këto rrymime të reja, që krijojnë brenga të reja për të gjithë ata që mendojnë për ardhmërinë.

… Problemi që ngjall shqetësime ka të bëjë me dilemën e kotë se cilit identitet duhet t’i jepet përparësia. Deri më tani, te shqiptarët, të paktën pas Rilindjes Kombëtare e këndej, përparësia i është dhënë identitetit kombëtar dhe deri diku janë ndrydhur identitetet e tjera. Në hapësirat ku jetojnë shqiptarët, pra në Europë, vetëm identiteti kombëtar ka qenë dhe është faktori që bën të mundshëm krijimin e shtetit shqiptar. Variantet e tjera do dështonin. Nga ana tjetër, indi ndërlidhës, ai që krijon kohezion brenda shoqërisë shqiptare, është gjuha.

Siç dihet gjuha shqipe i takon grupit të gjuhëve indoeuropiane, kështu që krahas pozicionit gjeografik, luan rol përcaktues të identitetit perëndimor të shqiptarëve. Kur përmendet faktori gjeografik, duhen marrë parasysh standardet politike që vlejnë në këto hapësira. E kam fjalën për parimin e laicizmit (shekullarizmit) të shtetit. Pa respektimin e këtij parimi, nuk mund të funksionojë asnjë shtet në Europë. Polemika që u hap në mes të Kadaresë dhe Qoses mori përmasa të zjarrta për shkak të kontekstit kohor. Përndryshe, polemika do të ishte krejtësisht normale dhe e dobishme.

Pyetje: Rreth Ismail Kadaresë mbizotëron mendimi se padyshim është shkrimtar i rëndësishëm. Por, jo pak zëra, jo vetëm shqiptarë, e kritikojnë për rolin e tij në kohën e komunizmit. Natyrisht nga pozita e sotme është e lehtë të demonstrosh trimëri dhe disidentizëm. Megjithatë, a mbetet ndonjë njollë në biografinë e Kadaresë nga koha e diktaturës së Enver Hoxhës?

Përgjigje: Të gjithë ata që përpiqen të gjejnë njolla në biografinë e Ismail Kadaresë janë njerëz që, në rend të parë, nuk e vlerësojnë krijimtarinë artistike si diçka sublime. Ata, duke moralizuar me çdo gjë, e vënë në plan të parë disidencën. Çdo populli i duhen veprat e autorëve që në vete ngërthejnë mesazhe universale ose vlera që e lartësojnë nivelin kulturor të një populli. Në fushën e estetikës, kur ka antagonizëm ndërmjet krijimtarisë dhe biografisë, sugjerohet që të lexohen veprat e autorit. Vetëm ato janë indikatorë të vlerës. Martin Hajdegeri (Martin Heidegger), njëri nga filozofët më të mëdhenj bashkëkohorë, në vitin 1933 zgjidhet rektor i Universitetit të Frajburgut.

Me këtë rast ai mban një fjalim për rolin historik të Gjermanisë, që ngërthente në vete nuanca të politikës ditore. Mirëpo sot askush s’e njeh Hejdegerin përmes këtij fjalimi, por përmes veprave të tij filozofike. Po kështu, një filozof tjetër kulmor, hungarezi Gjergj Llukaçi (Gyorgy Lukacs), pat shkruar një recension shumë pozitiv për librin e Stalinit për gramatikën dhe në këtë mënyrë e fitoi qetësinë që të merret me krijimtarinë e tij filozofike duke begatuar thesarin e dijes njerëzore. Askush nuk e sheh atë, nuk e vlerëson, përmes këtij recensioni, por përmes veprave të tij autentike filozofike.

Pyetje: A ka Enver Hoxha ndonjë meritë për Kosovën?

Përgjigje: Enver Hoxha ka më shumë merita për Kosovën sesa për Shqipërinë. Në Kosovë atë e perceptonin si engjëll mbrojtës, si frymëzim, si person që është duke formuar shqiptarin e ri. Personalisht njoh shumë pak njerëz që kanë qenë antienveristë. Në Shqipëri, mbase me të drejtë, e konsiderojnë si satrap, i cili ka shkaktuar fatkeqësi një brezi të tërë njerëzish të pafajshëm. Kësaj i thonë ironi e fatit. Ne që e kishim atë larg e idealizonim, ndërkaq ata që e kishin afër e nëmnin orë e çast.

Pyetje: A ka Josip Broz Titoja ndonjë meritë për zhvillimin politik, arsimor, ekonomik dhe kulturor të Kosovës?

Përgjigje: Gjithsesi ka. Ai, prej të ligjve, ishte më pak i tillë. Mirëpo nuk duhet të idealizohet. Ai nuk e përmbushi premtimin kryesor ndaj Kosovës: të lejojë të drejtën e vetëvendosjes; pas kësaj, as të drejtën e barazimit të statusit të saj me entitetet e tjera konstituive të Jugosllavisë. Po ashtu, ai nuk e shfuqizoi marrëveshjen me Turqinë për shpërngulje të shqiptarëve, si dhe nuk ndaloi fushatën e kërkimit të armëve, që ishte pretekst për reprezalje të cilat nxitnin popullatën shqiptare të shpërngulet. Nga ana tjetër, atij nuk mund t’i mohohet merita e decentralizimit të Jugosllavisë, koncepti i Kushtetutës së vitit 1974, që ishte, në fakt, prelud për shpërbërje të saj. Me këtë Kushtetutë Kosova fitoi statusin që deri diku e barazonte atë me republikat e tjera.