ALFRED ÇAKO, 21.09.2011
Ka disa ditë që në fund të emisionit “Opinion”, z. Berisha iu rikthye tezës së tij të drejtë për nevojën e rishkrimit të të vërtetave historike, sidomos gjatë periudhës së historisë njëshekullore të shtetit shqiptar. Është e vërtetë se historinë e derisotme zyrtare dhe tekstet mësimore i kanë hartuar në mënyrë sunduese autorë të indroktrinuar nga komunizmi. Edhe pse historia nuk është një shkencë ekzakte por interpretative, ai me të drejtë theksoi se “historia ka ngelur në bunker”. Kryeministri gjithashtu theksoi me të drejtë se E. Hoxha, një pjesë të intelektualëve i vrau, kurse një pjesë i ktheu në “lajkatarë” të partisë terroriste të PPSH. Te këta lajkatarë, natyrisht që bëjnë pjesë historianët e djeshëm dhe shumica e atyre të sotëm. Ajo që ra në sy në këtë pjesë të intervistës dhe që është thembra e Akilit të historisë, është gjykimi i z.Berisha ndaj forcave nacionaliste të organizuara te Balli Kombëtar (BK) dhe Legaliteti. Z.Berisha tha se “nacionalistë të vërtetë ishin zogistët”, ndërsa “një pjesë e Ballit bashkëpunoi” me pushtuesit. Pra nga konteksti dhe gjesti mospërfillës që Kryeministri manifestoi kur përmendi BK, del se ballistët nuk ishin nacionalistë të vërtetë!!! Ai theksoi se “mbi Legalitetin u hodh një mal me shpifje për ta denigruar”. Ndërsa mbi BK e familjet e ballistëve, sipas tij, del se janë shprehur vetëm brohorima e fjalë të mira dhe jo plumba, pranga e vite internimesh nga E.Hoxha. Kryeministri evokoi në fjalën e tij gjithë zinxhirin e aktivitetit të gjatë politik të Ahmet Zogut. Por ka edhe një çështje tjetër të rëndësishme historike që për 20 vjet ka refuzim për t’u shqyrtuar. Nuk mbahet mend që të jetë folur ndonjëherë për dëshmorët që ranë heroikisht me armë në dorë në kohën e komunizmit apo për ata që janë etiketuar nga komunistët si “diversantë”. Çfarë mendon sot Kryeministri për ta? A kanë qenë ata heronj dhe Prometenj që donin të sillnin dritën por që ja u “hëngri mëlçinë” për gati 30 vjet PPSH? Apo ata janë ende armiq që janë mbështetur nga miqtë tanë të sotëm ndërkombëtarë? Po për komunistët që luftuan me yllin e Stalinit dhe që komandoheshin nga komunistët jugosllavë, përse nuk tha asnjë fjalë Kryeministri ynë? Apo dhe për ta vazhdon të jetë ende i indoktrinuar sipas historianëve “lajkatarë” dhe rruan mendimin se ata ishin me “Aleatët”? Në fakt, historia moderne e Shqipërisë ka tre momente kyçe ekzistenciale që ia vlen të rishikohen: Dy Konferencat e Londrës më 1913-n dhe 1915-n dhe Marrëveshjen e Jaltës më 1943-shin. Shqipërinë, pas Luftës së Parë, e shpëtuan nga verdikti i Marrëveshjes së fshehtë të Londrës patriotët shqiptarë të Kongresit të Lushnjës si dhe zbulimi i naftës më 1917, ndërsa pas Luftës së Dytë, grindja e Titos me Stalinin më 1947-’48, ndërsa patriotët gjendeshin në varr, emigracion ose në radhën e pritjes së kasapit të thertores së kuqe. Dy likuidatorët respektivë të Traktatit të Fshehtë të Londrës dhe vendimeve të Jaltës nga pala shqiptare kanë qenë Esat Pasha me halldupët e vet musaqazimistë dhe Enver Hoxha me komunistët. Aleatët e kishin premtuar Shqipërinë njëherë si qofte në barkun e Italisë e Greqisë dhe njëherë si qofte në pjatën e Stalinit e Jugosllavisë.
* * *
Mund të themi se deklaratat e Kryeministrit mbi nacionalistët e vetëm legalistë dhe ajo që “një pjesë e Ballit ka bashkëpunuar”, ishin totalisht të indoktrinuara nga e shkuara, të manifestuar hera-herës. Nisur edhe nga e vërteta por edhe nga pragmatizmi i tij, nuk e dimë se përse ai doli kaq hapur kundër lëvizjes me kuintesencën më nacionaliste në historinë e kombit shqiptar duke e varur në litar një organizatë të cilës ja kishte dhënë një plumb historia e gënjeshtër e komunizmit për 50 vjet. Z.Berisha e kishte humbur njëherë shansin e kuptimit të misionit dhe madhështisë së Ballit, kur ai pati refuzuar si President i Republikës më 1996, për ti dhënë emrin Lumo Skëndo Bibliotekës Kombëtare. Nuk e dimë në se ky përkufizim aksiomatik për Legalitetin e A.Kupit ka lidhje me faktin e pamohueshëm se Legalistët (“nacionalistët e vetëm”) kanë qenë deri mbas Konferencës së Mukjes së bashku me komunistët në FNÇL në shërbim të E. Hoxhës. Dihet se Kupi ka milituar (sipas udhëzimeve të Mbretit) qysh para Konferencës së Pezës së bashku me Miladinin, Dushanin, Enverin dhe me kriminelë të tjerë në Shtabin e terroristëve të Pezës. Apo ky adhurim i Kryeministrit për nacionalistët e Legalitetit buron në mënyrë të pafalshme nga shkaqe krahinariste me Legalitetin? Nëse do të ishte fjala për një nacionalist pa damkë në Veri, si Muharrem Bajraktari, Kryeministri do të kishte më shumë të drejtë të shprehej ashtu. Sipas kësaj hullie po ecin disa analistë servilë të pushtetit, të cilët po u mëshojnë me shumë guxim disa tezave sipas të cilave nacionalistë paska pasur vetëm në gegëni (sidomos në pjesën katolike të popullsisë). Këta po shkëputin raste episodike nga libra të dyshimtë me kujtime, e po i fryjnë, ndoshta pa dashje, zjarrit të përçarjes krahinariste, kinse në Jug ka pasur vetëm komunistë dhe progrekë. Por dihet se E. Hoxha u mbështet, si çdo diktator, te pakicat etnike për të shtypur pjesën më të madhe të popullsisë. Na duhet t’i pyesim këta analistë nëse Ali Kelmendi e Zef Mala me Grupin e Shkodrës që u dënuan nga gjykatat e Zogut si komunistë të rrezikshëm, mos ishin toskë? Në të vërtetë faktet tregojnë se, në përgjithësi, gegët (me përjashtim të luftëtarëve të Ballit në zonën e Shkodrës, Lezhës dhe Ballistët e Maqedonisë, të cilët si pjesëmarrës në batalionin “Besnik Çano” shkuan luftuan edhe kundër çetnikëve serbë në Kosovë) nuk kanë qenë të përfshirë në asnjë krah të luftës civile (që nisi në toskëri), në mënyrë aktive, deri në momentin e mësymjes së bandave terroriste komuniste në veri, në vjeshtë të ’44. Prishja e strukturave shoqërore shekullore gege nga komunistët dhe mungesa e alternativave të ofruara ndaj tyre – veç bindjes ndaj komunistëve ose shfarosjes – e nisi konfliktin e përgjakur midis nacionalistëve të Veriut dhe komunistëve. Ka gjasa që “respekti” i Kryeministrit për legalistët të jetë imponuar nga “miqtë” anglezë të Mbretit. E pafalshme, në këtë mes, është baltosja e Ballit. Mbreti dhe Kupi nuk e kuptonin se Konferenca e Pezës dhe FNÇL u organizua sipas porosive programatike të Gj. Dimitrovit në Komintern, qysh më 1936-n. Madje edhe në Mukje, A.Kupi përfaqësonte palën e FNÇL dhe jo atë të nacionalistëve. A e di Kryeministri ynë se qëllimi i anglezëve që bashkonin Titon me Zogun në FNÇL të Pezës ishte vetëm luftimi i fashizmit dhe nazizmit dhe jo e ardhmja e shqiptarëve të bashkuar në një shtet të vetëm në kufijtë e 1913? Kështu, Kryeministri nuk po e ngre rrogozin e historisë që të shikojë mirë se çfarë ka poshtë saj. Me këto bindje të indoktrinuara ai po e le përsëri historinë “në bunker”. Gjithsesi – ndërsa e urojmë që ka ndëruar mendim me të drejtë e me vonesë për rolin e Zogut në periudhën 1913-1939 si dhe për martirët e vonuar legalistë të kombit – le të përpiqemi të japim një panoramë në makro duke e kundërshtuar Kryeministrin dhe miqtë e tij historianë, “lajkatarë” të E.Hoxhës në lidhje me organizatën e BK gjatë Luftës së Dytë. Gjithsesi, fakti tjetër më tragjik i këtyre dy forcave do të shkruhej në periudhën 1949-’53, gjatë veprimeve të përbashkëta nën Komitetin ‘Shqipëria e Lirë’ dhe operacionin “BGFIEND” të organizuar nga shërbimet sekrete të OPC/DDP & MI 6. Operacioni u dekonspirua i gjithi në detaje (vetëm nga Filbi?) dhe dukej se ata luftëtarë nacionalistë të cilët i kishin shpëtuar morsës së kuqe më ’44, u risollën si kërmë për të kënaqur oreksin e Golemit gjigand të kuq mishngrënës.
* * *
Një forcë politike vlerësohet: a)për programin dhe qëllimet që ka; b)për simbolet që përdor; c) për përpjekjet që bën për t’i realizuar ato dhe d) për udhëheqësit e saj. T’i shohim me radhë. Së pari, programi i Ballit ka thelbin e vet përmbajtësor te “Dekalogu”, i cili tregon përmbledhjen substanciale të ideve dhe shpresave të të gjitha shtresave politike e patriotike të shoqërisë shqiptare. Gjatë Luftës së II, BK ishte një organizatë gjithëpërfshirëse e patriotëve dhe, siç theksonte M. Frashëri më 1 qershor 1939, “nacionalizma jonë nuk është ideollogjike, por patriotike”, “është lidhka e tërë racës shqiptare”. Në thelbin e vet, BK ka qenë një vazhdues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ai e vinte theksin te flamuri kuq e zi, Shqipëria etnike, demokratike e moderne, ku pas lufte do të mbretërojë liria e fjalës dhe mendimit, ku të mos ketë shfrytëzues e të shfrytëzuar, ku të mos ketë njerëz që jetojnë në shpinë të të tjerëve, ku do të luftohej për tu dënuar antipatriotët, të shiturit e spiunët, ku do të luftohej për harmonizimin e energjive të kombit dhe për bashkimin mendor të gjithë shqiptarëve etj. Pra BK ka luftuar me objektivat e shtetit të sotëm: pluralizëm politik, demokraci tregu, orientim perëndimor. Së dyti, Balli përdorte si simbol qeleshen e bardhë të shqiptarëve dhe shqiponjën kuq e zi të shoqëruar me parullën “Ja vdekje, ja liri”. Por nuk quhet ballist çdo antikomunist e bashkëpunëtor me gjermanët, si Isa Toska, veçse pse mbanin në kokë qeleshen si simbol tradicional shqiptar (këtë s’kuptonte as gjenerali Dejvis kur shihte në spital fshatarë me qeleshe që i pandehte për “ballistë”). Këta bashkëpunëtorë s’kishin lidhje me strukturat politike të Ballit dhe madje shpesh herë e kanë pësuar prej tij. A. Ermenji, çlirimtari i Beratit, më ka treguar verbalisht disa raste të tilla të dhimbshme ekzekutimesh të disa bashkëpuntorëve vendas me pushtuesit. Dy parulla të tjera të Ballit kanë qenë: “Partia jonë është Shqipëria” dhe “Në robëri puna jonë është lufta, në liri lufta jonë është puna”. Nacionalistët shqiptarë si A.Ermenji, S.Butka e dhjetëra të tjerë u internuan dhe burgosën nga italianët qysh më 1939. Vetëm Petro Marko ka qenë në Ventotene si komunist-nacionalist. Së treti, le të shohim më të rëndësishmen, sa përpjekje bëri Balli për ti realizuar objektivat e veta dhe në ç’mënyrë? Kjo është edhe thembra e Akilit të debatit. Deri në 2 gusht ’43 në Mukje, të dyja organizatat e fuqishme, Balli dhe FNÇL nuk kanë pasur cilësime fyese ndaj njëra-tjetrës. Kyçi i ngjarjeve pas së cilës filloi golgotha e Luftës Civile të shqiptarëve, është Mukja. Balli (shpesh herë në bashkëpunim edhe me çetat partizane) kishte zhvilluar dhjetëra beteja të rëndësishme me italianët; mjafton të përmendim ato të Gjormit, të Greshicës, Ruzhdies, Selenicës, Luarit, Kicokut, Dukatit, Pocestës, Barmashit e dhjetëra të tjerave. Shumica e dëshmorëve ballistë të rënë në luftë me fashistët vazhdojnë edhe sot të konsiderohen si viktima apo armiq nga shteti demokratik. Takimi për bashkëpunim midis dy palëve u propozua nga M.Frashëri dhe u pranua në FNCl me kërkesë të A.Kupit në Konferencën e parë të Labinotit. Gjithçka e arritur në Mukje u prish me radiogramin e 9 shtatorit ’43 kur “Shpati” shkruante që Ballit “t’i shkaktoheshin divergjenca dhe situata të papërshtatshme para popullit e me i ra kresë”, t’i ‘hedhim atij përgjegjësitë e mosbashkimit” dhe të hedhim popullin “në përpjekje me Ballin” etj. Si u bë Balli për 6-7 ditë “armik” dhe “kolaboracionist”? Po pse u prish Mukja (1-2 gusht ’43) me këtë radiogramë, e cila ishte firmosur me dijeninë e Enverit dhe Popoviçit (sipas kujtimeve të Y.Dishnicës)? Madje me dijeninë e tyre ka qenë pranuar edhe pika 2 e programit të Mukjes që fliste për “Kartën Atlantike të vetëvendosjes së popujve, për një Shqipëri Etnike”. Sipas meje, ja se përse: më 10 korrik ‘43 në Sicili kishin zbarkuar aleatët dhe titistët e PKSH dyshonin për hapjen e Frontit të Dytë në Shqipëri. Nëse do të ndodhte kjo, komunistët donin të rrinin të fshehur mbrapa “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë” të Mukjes dhe BK ndaj dhe u zgjodh në krye të tij H.Dosti i BK. Por, meqenëse Titoja, nëpërmjet Stalinit dhe Randolf Çurçillit, e mori vesh shpejt që anglezët nuk do të hidheshin në Adriatik, dërgoi V.Tempon disa ditë mbas Mukjes, me urdhrin për të shpartalluar forcën nacionaliste të Ballit, sepse ajo mund të prishte ujditë e mëdha ballkanike të Aleatëve. Në pranverë të ’43sh-it, kishte hyrë në Shqipëri misioni i parë anglez nën udhëheqjen e McLean. Këto kulmuan me ardhjen e Gjeneral Dejvisit (të cilin e dorëzoi te forcat qeveritare të kryeministrit I.Biçaku, demoni E.Hoxha dhe kushuriri i kryeministrit, E.Dishnica). Balli i kërkoi Gjeneralit Dejvis, në një takim në Shëngjergj, që Aleatët të shpreheshin publikisht se ata (a) do e njihnin shtetin demokratik e pluralist shqiptar në kufijtë e 1913 dhe se (b) ata do të ishin dakord me një referendum të kosovarëve. Por meqenëse, për Anglinë, Stalini dhe Titoja ishin më të rëndësishëm se sa shqiptarët, këta nuk pranonin ta bënin këtë deklaratë. Kështu, u dha vendimi i dënimit me vdekje të Ballit (nënkupto të shqiptarëve dhe Shqipërisë). M.Frashëri nuk pranoi – si kishte bërë Esat Pasha dhe si po vepronte E.Hoxha – që të bëhej përmbaruesi i “kolateralit” Shqipëri për Stalinin. Këtë vendim me vdekje të Ballit, komunistët e ligjëruan nga ana e tyre në Konferencën e Dytë të Labinotit më 4-8 shtator 43. Por është fakt që komunistët furnizoheshin nga të gjitha anët me armë, nozullime dhe flori, ndërsa Balli mbeti i rrethuar në mes të gjitha zjarreve. “Sokratët”, “brutët” dhe “markantonët” nacionalistë shqiptarë si Safet Butka u vetëflijuan pasi nuk donin të binin robër të fatit dhe të vrisnin për vetëmbrojtje vëllezërit e tyre të një gjaku, me shpresën e kotë se xhesti i tyre do të ndalte vëllavrasjen. Kështu, Lufta Civile filloi me rrapëllimë në Ziçisht të Devollit ku u vranë 5 nacionalistë pa paralajmërim, me në krye Dr.H.Kasimati; u vazhdua me vrasjen e dy të rinjve B.Çano e Q.Sulo nga Dushani në Pezë (vrasje për të cilën mburrej më pas komisar Masar Shehu, djali i të cilit ka pasur detyra të larta dhe ende është deputet i PD). Dhe kështu, Shqipëria e jugut u shkrumbua nga zjarret që po ndizte Miladini, Enveri dhe Dushani e gjysma e saj u kthye në muhaxhire, më keq se në kohën kur na digjte greku në Luftrat Ballkanike dhe në Luftën e ’39 me Italinë. Çdo laro në krye të 5 vetave quhej komisar dhe kishte të drejtat e terrorit mbi këdo. U prenë lidhjet dhe komunikimi vertikal i fshatrave dhe zonave të tëra. Mehmet Shehu vrau me dorën e vet me 21 tetor ‘43 në fshatin Matjan të Lushnjës mbi 68 bujq nacionalistë, pasi i detyroi ta hapnin varrin vetë. Në Shipskë të Korçës u masakruan në një varr të përbashkët 165 kufoma ku kishte edhe disa ballistë starovarë. Ndoshta Kryeministri ynë mund t’i ketë dëgjuar emra të tillë “kolaboracionistësh” si H.Lepenica, i cili u vra në Grehot në shtator ‘43 së bashku me 33 nacionalistë të tjerë në përpjekje me italianët, apo emra të tillë si avokat Skënder Muço, i cili u masakrua dhe u vra me dy shokët e vet ballistë nga “shokët” e tyre gjermanë! Së katërti, të shohim kush e drejtoi BK. Ishin figura të tilla madhështore si M.Frashëri, S.Butka A.Ermenji, J.Kazazi, V.Andoni, L.Kurti, Th.Orollogai, S.Skëndi, I.Luzaj, H.Maçi, H.Meniku, J.Dilo, M.Çoku, K.Cakrani, Xh.Herri, R.Picari F.Quku, R.Fratari etj. Ajka e kombit. A mund të krahasohen këta me aventurierë si E.Hoxha? Po themi vetëm dy fjalë se kush është kryetari i saj, Mit’hat Frashëri, djali i Abdylit, themeluesit të Lidhjes së Prizrenit dhe nipi i hartuesit të platformës sonë nacionaliste te “Shqipëria, çka qenë e çdo të bëhetë”, Samiut dhe pinjoll i madh i frashërllinjve. Mjafton të theksojmë faktin se ka qenë Kryetari i Kongresit të Manastirit dhe së bashku me at Gjergj Fishtën janë Cirili dhe Metodi i shqiptarëve; të dy e meritojnë nga një bust në qendër të Tiranës së bashku me të madhin Ahmet Zog; po kështu një bust ja do vendi edhe Xhem Gostivarit (kryeballistit të Maqedonisë i cili i ruajti me gjak trojet shqiptare të lira nga titistët edhe për një vit mbas instalimit të komunizmit) apo të madhit Hamit Matjani. Para se të ndërtohet infrastruktura e lavdërrueshme rrugore e Shqipërisë, lipset të ndërtohet infrastruktura shpirtërore e kombit! Do të ishte më e lehtë nëse ne, me Kryeministrin përpara, do ta kalonim Rubikonin e kuq të kufizimeve prej Historisë së PPSH! Bustet dhe simbolika e tyre do të na bashkonin si komb.