Të paprekshmit e pushtetit

0
77

Nga Mero Baze

Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar dy ditë më parë për arrestimin e disa drejtuesve të një kompanie fantazmë në Fier, e cila shërbente për të shkarkuar financiarisht një sasi të madhe nafte bruto, të saponxjerrë nga nëntoka, që shitet në tregun e naftës shqiptare pa u përpunuar dhe duke shmangur gjithë piramidën e taksave shqiptare. Një qytetar defiçent, i papunë dhe i pashpresë, ka pranuar të nënshkruajë se është pronar i kësaj kompanie kundrejt një shpërblimi prej 200 mijë lekësh, dhe pas kësaj kompania ka filluar të pastrojë faturat financiare të një sasie nafte, që sipas deklarimit të faturës i është marrë kompanisë ‘Stream Oil and Gaz’ që operon në Shqipëri, për nxjerrjen e naftës dhe gazit nga nëntoka.

Për të gjithë ata që nuk e dinë, kjo kompani është nga tre kompanitë që nxjerrin naftën nga puset ekzistuese të Shqipërisë, së bashku me Albpetrolin dhe Bankers. Kompania është biznes i disa biznesmenëve grekë nga Selaniku dhe burrit të Albana Vokshit, deputetes së Partisë Demokratike dhe njeriut të afërt të Sali Berishës. Kjo kompani përveçse ka marrë vendburimet më të mira të naftës në vend, përfshi ato të Delvinës dhe Finiqit ku nxirret naftë dhe gaz natyror, po fut në tregun shqiptar naftën e nxjerrë direkt nga nëntoka për shkak të specifikave pozitive që kanë vendburimet që ajo ka marrë për shfrytëzim.

Por ajo që bie në sy në veprimet e prokurorisë është se kanë arrestuar një njeri që thuajse është vetëdorëzuar, dhe po heshtin dhe nuk po operojnë më tej me drejtuesit e kompanisë Stream Oil, të cilët minimalisht duhet të hetohen, jo vetëm për evazionin fiskal, por dhe për dëmin e pallogaritshëm që i bëjnë konsumatorit shqiptar duke futur në treg naftë bruto të papërpunuar. Bllokimi është tërësisht politik, nën shembullin e agresionit që Berisha aplikon ndaj prokurorisë kur dikush i prek të vetët.

E njëjtë është historia e tenderit të skrapit në Fier. Nën emrin e kompanisë turke Kurum, është fituar një tender që blen për skrap Uzinën e Azotikut në Fier më një çmim rreth 40 herë më të lirë se sa oferta e tregut, në një tender plot skandale dhe parregullsi, dhe nën dirigjimin direkt të këtij biznesi prej miliona eurosh të Ilir Metës. Nëse një prokuror shkon sot në ish Uzinën e Azotikut, do të shikojë që po çmontohen jo vetëm hekurat, për të cilën gjoja është bërë tender, por gjithë linjat e prodhimit të fabrikave të tjera aty, deri dhe tek pajisjet e TEC-it të Fierit që gjoja do jepej me koncesion.

Policia private që ka rrethuar vendin, ku unë tentova të hyj, drejtohej nga vëllai i Ministrit të Ekonomisë, ndërsa ata që bënin ligjin nuk ishin turqit e Kurumit, por ushtarët e Ilir Metës, që po merrnin plaçkën e tregut për besnikëri politike. Edhe pse skandali është i përmasave të frikshme për nga fatura financiare dhe dëmi që i shkakton ekonomisë së vendit, asgjë nuk ndodh.

Arsyeja e përbashkët është se pushteti po forcon idenë se kush është i veti dhe kush ka në dorë mbijetesën e tij politike, është i lirë të vjedhë. Dy votat e deputetëve të LSI, Naço dhe Koka, që po administrojnë çështjen e skrapit në Fier, janë vendimtare për Ilir Metën, dhe Ilir Meta vendimtar për Sali Berishën, ndaj plaçkitja e vendit vazhdon me leje. Meqë Albana Vokshi është figurë kryesore në gratë e PD-së, dhe meqë Berisha nuk ka ndërmend të pranojë t’i prekin njerëzit e afërt pa leje të tij, kompania e burrit të saj as guxon të hetohet nga prokuroria për shkak të këtij presioni.

Si për ta kompletuar dhe në nivel lokal këtë klientelizëm mes pushtetit dhe njerëzve të vet, Lulëzim Basha dje dërgoi një nga jeniçerët e tij për të prishur një gardh rrethues të kompanisë Top Channel në Kinostudio, e cila ka një leje ndërtimi dhe një kontratë koncensionare me emfiteozë si gjithë të tjerët. Pak më tutje Aleksandër Frangaj ka zaptuar gjithë Kinostudion dhe e ka bërë pronë të vetën pa i hyrë gjemb në këmbë, kurse ndaj Top Channel-it përdoren fadroma vetëm pse fqinji i tyre ishte pjesë e Forumit të Tiranës në fushatën elektorale të Lulëzim Bashës.

Bëhet fjalë për Kujtim Çashkun. Unë e kam mbështetur betejën e Çashkut për të mbijetuar në biznesin e tij në arsim dhe kam përkrahur fort përpjekjen e tij për t’i rezistuar vendimeve arbitrare të Berishës për të respektuar kontratat e vjetra të tij dhe zanafillën e projektit. Por me sa duket Çashku u lodh dhe i ra shkurt si gjithë të tjerët në Kinostudio, u pajtua me pushtetin që e quajti diktaturë, dhe po e përdor atë pushtet tani për të shfuqizuar një kontratë legale, edhe pse vetë për shkak të Berishës nuk ka akoma asnjë letër.

Kjo ndodh pasi logjika e këtij pushteti nuk është ligji, por raporti politik me të. Meqë LSI ka në dorë fatin e qeverisë Berisha, ka licencë të vjedhë, të plaçkitë, bile të shesë dhe hekurat e fundit që kanë ngelur në këtë vend për të bërë para, meqë Albana Vokshi quhet figurë e afërt me Berishën dhe pushtetin e Familjes, kompania e burrit të saj ka imunitet të mos hetohet se i bie autoriteti Familjes, meqë Kujtim Çashku u përdor si fasadë në fushatën e Lulëzim Bashës, ai tashmë ka të drejtë t’i bëjë një kompanie mediatike një padrejtësi më të rëndë se ajo që Berisha i bënte atij vite më parë kur nuk e kishte futur në vathën e vet.

Mentaliteti i të drejtës për të grabitur, kontrabanduar dhe zaptuar në emër të pushtetit, dhe pandëshkueshmëria e këtyre fenomeneve, fatkeqësisht na forcojnë të gjithëve bindjen se jemi në një shoqëri tribale, ku nuk ka rëndësi ligji, por raporti me pushtetin dhe afërsia me të. Këtij mentaliteti pak nga pak po i dorëzohen jo vetëm përfituesit, por dhe viktimat, duke e pranuar këtë gjë si fatalitet. Dhe në një shoqëri ku e keqja pranohet me kaq lehtësi si e drejtë e pushtetit, ka shumë pak shanse që drejtësia të mbijetojë si nevojë për shoqërinë. Ne jetojmë sot në një shoqëri ku pushteti prish gardhe kundërshtarësh politik dhe hesht para plaçkitjeve të nëntokës, uzinave, fabrikave dhe hapësirave publike nga të vetët. Kaq diferencë mes dy klasave ka pasur vetëm në komunizëm.