TemA Online, 7 Janar 2012
Në Forumin e gazetes “Shekulli” mbi hartën e re elektorale sot kemi ftuar botuesin e “Tema”-s, gazetarin e njohur Mero Baze.
– 2012 do të jetë viti i zgjedhjes së presidentit të ri, por edhe pragu i nisjes së vitit të rëndësishëm elektoral 2013. Të dyja ngjarjet nuk janë pa lidhje njëra me tjetrën, sepse presidenti aktual ka deklaruar tashmë projektin e tij politik dhe paralelisht kemi edhe një lëvizje që duket në ekspansion të gjerë si aleanca kuqezi, e cila gjithashtu mund të shndërrohet në parti politike. Duke pasur parasysh këto dy zhvillime, por edhe të tjera që mund të kondicionohen nga një reformë e pritshme zgjedhore, por edhe nga rrethanat politike shumë specifike të këtij mandati të dytë qeverisës të Partisë Demokratike dhe aleatëve, mendoni se harta elektorale e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë e njëjta?
Mero Baze: Presidenti do të jetë një zhvillim serioz. Berisha ka kohë që flet për një president sipas Kushtetutës, për të deinkurjuar kundërshtarët me idenë që Presidenti do të jetë i tij dhe jo konsensual. Në fakt, Berisha nuk e ka hallin tek Presidenti, por tek Kushtetuta që mund t’i hapë një problem serioz në zgjedhje, pasi Kosova, e ka marrë pjesën e zgjedhjes së Presidentit nga Kushtetua jonë dhe është qartazi e sigurt se për t’u çelur votimi duhen 84 vota në sallë.
Votimi nuk mund të çelet në raundin e katërt, por në raund të parë, dhe, nëse opozita nuk është dakord dhe bojkoton seancën, Kushtetuta jonë nuk të lejon të zgjedhësh president. Berisha mund ta zgjedhë në rrugë antikushtetuese dhe po ulëret qysh tani se do ta zgjedhë sipas Kushtetutës. Pra, në vend të një presidenti të ri mund të kemi një krizë të re kushtetuese.
Sa për lëvizjet e reja politike, është interesant fakti që gjithë lëvizjet e reja politike, ose lëvizjet e pavarura politike vijnë nga e djathta, pra janë rrjedhje të Berishës, Topi, Spahiu, Ngjela, Ndoka, Shehi, që janë pesë aktorë që mund të përbëjnë koalicion e tretë janë të gjithë vota-ngrënës të së djathtës. Kjo e bën Berishën të pashpresë për zgjedhjet e reja.
Pra, të tretët që do konkurojnë në politikë, ndryshe nga 2009 vijnë të gjithë nga e djathta, ndërsa e majta s’ka alternativë tjetër veç koalicionit që ekziston. Kjo do të rrëzojë Berishën nga pushteti, edhe sikur ai të vjedhë aq sa ka vjedhur deri më sot. Vetëm nëse vjedh gjithçka mund të shpëtojë, ndërsa po i la të lirë kundërshtarët e tij mund të shkojnë tek një mazhorancë 62 për qind.
Bamir Topi dhe Aleanca Kuqezi, mendoni se do të jenë një parti apo dy parti të reja?
Mero Baze: Do të jenë dy parti të ndryshme në çdo gjë.
– Një parti e mundshme e Bamir Topit, do të merrte vota të majta apo të djathta?
Mero Baze: Bamir Topi është njeriu që mbledh votat antiBerishë në të djathtën. Ai ka një shtrirje kapilare në gjithë strukturat e PD-së në vend, struktura që janë injoruar dhe fyer në emër të klientelizmit me LSI dhe elementë të tjerë të së majtës, me të cilët baza e PD është ndëshkuar gjithë jetën e saj. Topi është një simbol i tyre, është një ofertë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.
– Ka një përshtypje të përhapur në publik se militantët e dy partive kryesore nuk ndikohen nga mirëqeverisja apo nga keqqeverisja dhe as nga fushatat elektorale respektive, por votojnë verbërisht liderin ose kundërvotojnë liderin e palës tjetër… Ndërkohë që pjesa tjetër e elektoratit, ajo që quhet gri, po bëhet përherë e më mosbesuese te dy forcat kryesore politike… E ndani dhe ju këtë perceptim?
Mero Baze: Po. Kjo është tradicionale. Ka vetëm një ndryshim këtë radhë, që një pjesë e militantëve të PD-së mund të shkojnë pas Topit dhe po ashtu një pjesë e elektoratit gri mund të shkojë pas tij ose pas Aleancës Kuq e Zi. Pra, situata është shumë dinamike, pasi janë shtuar alternativat për të mos të lënë brenda në shtëpi ditën e zgjedhjeve. Berisha nuk është më destinacion shprese për shqiptarët.
– PD-së i duhet më LSI-ja?
Mero Baze: Aleanca PD-LSI është jetike për të dyja. Pa LSI-në, PD është parti e dytë me 14 për qind pas Partisë Socialiste, pra është një parti e pashpresë për të ardhur në pushtet dhe për 30 vjet. Pa PD, LSI është një parti e vdekur, pasi e vetme s’fiton dot asgjë.
– PS duhet të bashkëpunojë me LSI-në?
Mero Baze: Kurrë në këto rrethana dhe me këtë objektiv që ka LSI. LSI është pjesë e qeverisë, bile pjesa më e korruptuar e saj. Aleanca me pjesën më të korruptuar të pushtetit përbalt opozitën dhe vret shpresën. Nëse vret shpresën, Partia Socialiste vjen kot në pushtet, pasi vjen si një parti me objektiv për të ndërruar hajdutët dhe jo për të ndryshuar Shqipërinë. Nëse bën këtë, ajo ka bërë më të keqen e mundshme në historinë e saj.