Nga Armela Imeraj
Thonë se në prag të Revolucionit francez kur i thanë mbretëreshës Maria Antuanetës: “Populli është i pakënaqur dhe i revoltuar” Ajo i pyeti oborrtarët e saj: “ Pse?” Ata iu përgjigjen: “ Ankohen se nuk kanë bukë”. Përgjigjja e mbretëreshës ishte: “ Po mirë të hanë biskota!”
Kjo është edhe përgjigjja me pak fjalë që vjen nga mazhoranca për nismën më të re të opozitës për heqjen e TVSH mbi bukën, vezën, qumështin dhe ilaçet.
Jo pa keqardhje dëgjova në edicionet informative një prej ekspertëve të mazhorancës, sot deputet të shprehej kundër kësaj nisme. Ajo që më angështoi më shumë ishte jo vetëm përgjigjja jashtë realitetit dhe fiks me mentalitetin e mbretëreshës së 1700-tës, por edhe fakti sepse zotëria në fjalë nuk është sulmues i tipit Bumçi, Vokshi, Bulku etj, por është një prej eksponentëve që ka folur vetëm dhe vetëm për fushën të cilën ai e zotëron dhe konsiderohet si një ndër ekspertët e mazhorancës, në fushën e administrimit fiskal. Mirëpo, shprehja e tij, dhe po e citoj: “Ata që fitojnë më së shumti nga përshkallëzimi i TVSH-së janë shtresat e pasura, pasi janë ato që konsumojnë më shumë produktet ushqimore për të cilat flasim” më la krejt pa mend.
Z. Mima, më vjen keq që më duhet t’ju sqaroj: Po si ka mundësi që të pasurit hanë më shumë BUKË???? Të varfrit në konceptin tuaj hanë më shumë mish apo fruta?? Është qesharake të mendosh një gjë të tillë. Është qesharake të mendosh po ashtu se të pasurit konsumokan më tepër vezë apo ilaçe. Jo, zotëri! Edhe në vendin tonë, ju duhet ta dini më mirë, kanë nisur të funksionojnë për mrekulli qendrat e fitnesit dhe ushqimit dietik. Asnjë prej të varfërve, apo shumë pak nga shtresa e cila konsiderohet e mesme, arrin të përballojë çmimin e ushqimit dietik, apo qendrat e shtrenjta të fitnesit ku heqin dhjamin qeveritarët dhe familjarët e tyre.
Jo, zotëri! Qendrat e fitnesit janë plot me të pasur të cilët duan të dobësohen, ky është një argument tepër naiv, por pse është i tillë po ua sjell ju që ndoshta nuk keni patur nevojë për të hequr dhjamin e korrupsionit që heqin çdo ditë kolegët tuaj. Dhe të siguroj se ata këtë dhjam nuk e kanë vënë duke ngrënë vetëm bukë siç detyrohen të ushqehen kryefamiljarët dhe fëmijët e tyre në familjet e varfra.
Jo, zotëri! Ilaçet sejmenët e pushtetit i blejnë jashtë vendit, ata janë shtresa që preferojnë të udhëtojnë jashtë vendit për t’u kuruar në spitalet më të mira të Europës, për sëmundje krejt të thjeshta. Ndërsa të varfrit zotëri, nëse nuk e dini bëni mirë të zbrisni tek farmacia e lagjes suaj, e të pyesni. Do mësoni ashtu si unë, se sot shtresa e varfër edhe ilaçet i merr me listë. Ky fakt, për fat të keq ka nisur të mbipopullojë farmacitë e kryeqytetit tre vitet e fundit, pikërisht sepse ju mbretëroni duke shtuar hallet e qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi.
Jo, zotëri! Ju e dini mjaft mirë se duke hequr 20% TVSH mbi bukën, qumështin vezët dhe 10% TVSH mbi ilaçet, do gjeneroni automatikisht gati 20% më shumë të ardhura për një familje të varfër e cila blen vetëm këto gjëra, të sigurojë që s’ka mundësi të blejë më tepër. Ndërsa te familjet e pasura pesha specifike e kësaj uljeje (pa bërë llogari mirëfilli) do jetë 0,002%.
Një tjetër të vërtetë, që ndoshta zoti Mima, e tha padashje, ishte dhe korrupsioni i administratës fiskale dhe paaftësia e saj. Duke folur për një prej televizioneve, zoti Mima, përveç mentalitetit të mbretëreshës që ka kjo mazhorancë në tërësi, na pohoi se administrata tatimore është e korruptuar. Nëse TVSH do të përshkallëzohej tha ai, do të ishte e pamundur të kontrollohej dhe do kishte vend për abuzime.
Korrupsionin e administratës nuk duhet ta pohoni zotëri si një gjë normale, dhe që nuk ka kush t’i bëjë dot gjë. Këtë askush nga qeveritarët në çdo vend të kësaj Europe nuk mund ta thotë të paktën publikisht, ndërsa ju na e pohoni si normë të mirëvendosur.
Unë vazhdoj të çuditem me këtë mentalitet, ku barknginjuri nuk pyet për barkthatin!







