BERISHA, GJAHU I LOBISTËVE

0
34

Nga Mero Baze

Në pamundësi për të sjellë SHBA në Shqipëri dhe për të përmirësuar raportet me qeverinë amerikane, kryeministri Berisha ka bërë një akt të paprecedent në historinë e lobimit politik, ka ngritur klientët e tij nga Shqipëria dhe i ka çuar në SHBA për të vrarë vetminë në Neë York. Së paku dhjetë kompani të mëdha amerikane dhe vendeve të tjera perëndimore, që operojnë në Shqipëri përmes kontratave koncesionare, kanë shoqëruar kryeministrin Berisha në një forum që mbahet në Neë York, në përpjekje për të krijuar idenë se kryeministri po respektohet edhe në SHBA. Mes kompanive ka nga ato që janë pjesë e bizneseve të familjes së tij dhe të tjera që janë serioze, por që operojnë falë raporteve të mira me studiot ligjore të Familjes së tij.

Gjithkush mund të thotë se nuk ka asgjë të keqe që këto kompani kanë sponsorizuar një aktivitet të kryeministrit tonë në SHBA. Realisht nuk ka. Bile ato mund të bënin dhe më shumë se kaq. Problemi nuk qëndron tek ajo çfarë ato kanë bërë për kryeministrin, por tek ajo çfarë kryeministri bën përmes tyre për të gënjyer opinionin publik dhe për të shmangur izolimin ndërkombëtar që ai ka realisht.

Nëse Sali Berisha do të ishte një kryeministër normal i një vendi normal, ai nuk do të kishte kohë të bënte teatro të tillë në Neë York, me biznesmenë të sjellë nga Shqipëria dhe njerëz të super-paguar prej tij. Mjafton të lexosh njoftimin zyrtar të Berishës dhe e kupton se njeriu që ka përshëndetur hapjen e Forumit është Tony Podesta, President i Podesta Group, kompanisë së lobimit që paguhet me taksat e shtetasve shqiptarë për të lobuar për Sali Berishën në Uashington. Është një kompani e njohur, që merr si klientë udhëheqës që u rrezikohen kredencialet në Uashington, gjysmë diktatorë apo personalitete me karrierë në krizë dhe u premton rregullimin e raporteve me Shtëpinë e Bardhë. Pra, forumi i Berishës u hap nga një njeri i super-paguar prej tij. Më tej akoma të bie në sy se mes kompanive që “dëgjojnë” kryeministrin është dhe Patton Gas, një kompani e njohur në SHBA po ashtu për lobim politik, dhe që ka bërë fushatën elektorale të Berishës në vitin 2009, e paguar në mënyrë jotransparente.

Pra, edhe folësi, edhe dëgjuesi të paguar me lekët e shqiptarëve, pa llogaritur kompanitë e tjera që janë pjesë e sponsorizimit të këtij aktiviteti. Nëse Berisha do të ishte një kryeministër normal me kredenciale të rregullta demokratike, nuk do të kish nevojë as për Podestën dhe as për Patton Gas, por do të takohej me personalitete të politikës amerikane, kryesisht të linjës ekzekutive. Por, dhe në mos i takonte dot gjithë nivelet, askujt nuk do t’i binte në sy pasi nuk do të ishte problem.

Ai ka një problem real me izolimin që i ka bërë SHBA dhe po përpiqet ta kapërcejë këtë duke shkuar në Uashington me “bukë me vete”, duke çuar atje klientët e tij që paguan në Tiranë, për të mos u dukur se askush nuk e pranon atje si mysafir. Po të ishte njeri i lirë Sali Berisha, dhe po të mos kish atë imazh që ka në qeverinë amerikane, nuk do t’i dilte koha të takonte zyrtarë të SHBA apo kryeministra dhe presidentë që marrin pjesë në takimin vjetor në OKB. Por atë nuk e pret dhe nuk e takon askush, përveç presidentes Jahjaga, e cila nga ana e vet ka një axhendë më të rëndësishme se Berisha në Neë York.

Nga ana tjetër Berisha ka një krizë komunikimi me publikun shqiptar pas publikimit të kabllogrameve të Ëikileaks për raportet e tij me SHBA. Përfundimi i parë dhe i padiskutueshëm nga gjithë kabllogramet është se Sali Berisha nuk është pranuar në asnjë moment si një aleat normal i SHBA. Në çdo rresht, në çdo fjali, në çdo faqe, në çdo dosje, ai shihet si njeri nën kontroll dhe analizohen hilet dhe ligësitë e tij. Nga ato dosje shqiptarët kanë parë se SHBA dhe Sali Berisha janë në një konflikt natyral, të pashmangshëm dhe historik. Kjo e ka dërrmuar Sali Berishën më shume se detajet për përfshirjen e djalit të tij në krye të biznesit në Gërdec, apo frika e Familjes së tij nga ndëshkimi i drejtësisë.

Sali Berishës i ka ndodhur pak a shumë skena tragjikomike e Doktor Adhamudhit, i cili pa vdekjen me sy. Sali Berisha pati fatkeqësinë të lexojë për së gjalli se ç’mendonte për të shteti më i madh demokratik i botës dhe është dërrmuar nga armiqësia që mbart kjo histori. Pikërisht për ta zbutur këtë shije të hidhur që ka lënë në memorien e shqiptarëve ky konflikt, ai ka marrë një tabor klientësh dhe të paguarish të tij për të krijuar një oaz në mes të Neë York-ut, ku ai pranohet.

E gjithë kjo më kujton pak a shumë udhëtimet e Gadafit në Perëndim me çadrën e tij të famshme, rrethuar nga police striptiste, që e ngrinte në OKB ose në mes të Parisit për tu ndjerë si në shtëpi të vet. Edhe Sali Berisha ka bërë ekzaktësisht të njëjtën gjë, por thjesht ka shmangur çadrën. Ka marrë me vete dy- tri njerëz teatralë të tij, siç është Aldo Bumçi, “zagari sulmues i PD” siç e quante ambasadori Ëithers, apo Guvernatorin Fullani, që në përpjekje për të shtuar vaj në kandilin e guvernatorit që po soset, ka marrë përsipër të pastrojë një histori kriminele të pushtetit.

Me këtë oborr shëtitës kryeministri i Shqipërisë u shfaq dje nga një sallë hoteli në SHBA, për të na treguar se dhe atje ka njerëz e dëgjojnë, që e presin dhe e respektojnë. E bën këtë i tmerruar nga ideja se e vërteta është krejt e kundërta. Atë s’po e pret askush siç i takon një kryeministri të një vendi që aspiron Perëndimin. Atë po e izolojnë si një njeri që po na largon nga Perëndimi. Dhe në këtë ditë të zezë ku ka përfunduar, ai është bërë gjahu i lobistëve të SHBA, të cilët nuk kanë rast më të mirë për të bërë para se sa t’i shesin Berishës frikën që ka injorimi i Uashingtonit. Dhe problemi është se ai po paguan sërish me paret tona.