POLITIZIMI I REGJISTRIMIT TË POPULLSISË NË SHQIPËRI

0
51

Diskursi sociopolitik

Përfundimisht edhe Shqipëria do të realizojë regjistrimin e popullsisë, në mënyrë që të dihet realisht numri i popullsisë, por edhe i përkatësisë së tyre nacionale e fetare, por pa imponime dhe manipulime nga qarqe të caktuara të cilat vazhdimisht kanë dëshiruar që Shqipërinë ta trajtojnë si vend multietnik, qasje këto anakronike dhe pa mbeshtetje faktografike.

Dr. Nail Draga

Nga fundi i vitit 2010, e më pas temë e diskutimeve të shumta në Shqipëri është bërë regjistrimi i paralajmëruar i popullsisë në Shqipëri, me vetëdeklarim sipas përkatësisë kombëtare, gjuhësore dhe fetare. Ndonse u vendos që regjistrimi të mbahet në pranverë të vitit 2011, për shkak të zgjedhjeve lokale ai u shty për në vjeshtë të këtij viti. Në lidhje me ketë çështje në korrik të këtij viti Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin për regjistrimin e popullsisë i quajtur nga qeveria “Cenzus”(mbledhje e informacionit me anë të pyetësorëve) në kundërshtim me ligjin, pasi mungonte numri i duhur i votave. Për, votuan vetëm 69 deputetë, por në mungesë të opozitës dhe të një faktori kontrollues, deputetët e mazhorancës kanë votuar për dy kolegët e PD që mungonin.
Regjistrimi nis me 1 tetor
Ndonse ka pasur kontestime nga qarqe të ndryshme intelektuale dhe shoqëria civile, përfundimisht është vendosur që Regjistrimi i popullsisë dhe banesave që ndryshe quhet census, starton në datën 1 tetor. Qytetarëve do t’ju duhen më shumë se 20 minuta për të plotësuar formularin voluminoz prej 32 faqesh. Pyetjet janë të ndara në dy grupe, ato që janë me detyrim përgjigjeje dhe që kanë të bëjnë me llojin e ndërtesës dhe banesës, si dhe pyetje individuale.

Ndërsa pyetjet që lidhen me përkatësinë fetare dhe etnike, që muajt e fundit kanë shkaktuar jo pak debate, janë specifikuar si deklarim i lirë dhe jo i detyrueshëm. Për të realizuar censusin bëhet më dije se INSTAT-i ka punësuar rreth 12 mijë anketues dhe pasi të mblidhen të dhënat, nga muaji nëntor do të kemi rezultatet paraprake mbi censusin.
Bëhet më dije po ashtu se INSTAT-i vetëm për këtë periudhë, për periudhën e censusit në terren do të angazhojë afërsisht rreth 15 mijë njerëz, 12 mijë do të jenë anketues, rreth 2400 do jenë kontrollorë, ndërsa pjesa tjetër do jenë mbikëqyrës. Do ketë grupe kontrolli dhe gjithë puna do zgjasë rreth 3 javë, Nga ky pyetësor për herë të parë do të ketë edhe statistika te sakta për emigrantët. Kjo është hera e dytë pas vitit 1989 që në Shqipëri bëhet regjistrimi i popullsisë dhe banesave.
Regjistrimi i popullsisë dukuri normale në çdo shtet
Në çdo vend të Evropës dhe më gjerë regjistrimi i popullsisë është proces normal i cili realizohet nga institucionet shtetërore brenda një periudhe të caktuar kohore. Kryesisht ajo periudhë është çdo dhjetë viteve, ndërsa të dhënat e publikuara për numrin e përgjithshëm të popullsisë, sipas strukturave të ndryshme si nacionale, gjuhësore, fetare, profesionale, gjinore, moshës etj., ofrojnë të dhëna për plane të ndryshme shoqërore në zhvillimin e përgjithshëm të vendit pëtkatës.
Në vendet me traditë demokratike regjistrimi i popullsisë dhe i ekonomive shtëpiake është dukuri normale ku mbeshtetet nga të gjitha strukturat qeveritare dhe subjektet e tjera relevante, ndërsa përjashtim bëjnë shtetet jodemokratike. Ne këtë aspekt, vendet nga ish kampi socialist në Evropën Juglindore dhe më gjërë janë model i veçantë, sepse në sajë të pushteteve totalitare në të kaluarën, tash në periudhën e tranzicionit ende kemi të bëjmë me shtete të pakonsoloduara. Në ketë kategori pa dyshim bënë pjesë Shqipëria, e cila ne prag të regjistrimit të popullsisë gjindet para sfidave të mëdha.
E dhëna, se Shqipëria vazhdon të ketë numër të madh të popullsisë në emigracion e ate kryesisht në Greqi, që ndaj shqiptarëve kanë qasje raciste, dëshmon se kemi të bëjmë me një situatë aspak normale për kohën e pluralizmit politik. Madje ekzistojnë të dhëna se qarqe të caktuara greke, presin publikimin e të dhënave sipas strukturës nacionale të popullsisë, për të shprehur haptazi aspiratat ndaj shtetit shqiptarë përmes fantazmës së Vorio-Epirit.
Askush nuk është kundër regjistrimit objektiv të popullsisë
Duhet thënë qartë se askush nuk mund të jetë regjistrimit të popullsisë, sepse një veprim i tillë është obligim shtetëror ndaj qytetarëve të vet, por edhe ndaj strukturave të BE. Por, në rastin e Shqipërisë çështja qendron në një aspekt tjetër, e ajo ka të bëjë pikërisht të dilemat e manipulimit të popullsisë në rastin e vetëdeklarimit të saj sidomos kur të kemi të bëjmë me strukturën nacionale, gjuhësore dhe fetare. E dhëna se një numër i konsideruar i qytetarëve dhe shtetasve shqiptarë kanë ndryshuar kombësinë nga shqiptare duke kaluar në ate greke, dëshmon se nuk kemi kemi të bëjmë me një dukuri të rastit, por veprim strategjik të qarqeve antishqiptare nga Greqia, sepse ata dëshirojnë që të rrisin në mënyrë artificiale numrin e minoritarëve grekë në Shqipëri. Andaj, është pikërisht ky problemi kyç i këtij regjistrimi sepse nuk kemi të bëjmë me vetdeklarim të popullsisë ne baza reale, por me imponime dhe manipulime, duke rritur në mënyrë artificiale numrin e minoritetit grek. Pikërisht, ky veprim perfid i qarqeve greke ka bërë që një numër i konsideruar i qytetarëve shqiptarë, por edhe intelektualëve të ndryshëm të deklarohen kundër regjistrimit të popullsisë në bazë të etnisë dhe të fesë.
Grekët kërkojnë nga të tjerët ate që së bëjnë dot vet
Absurdi i qasjeve greke ndaj regjistrimit të popullsisë në Shqipëri nuk ka të ndalur. Madje ata kërkojnë nga shqiptarët që të realizojnë ate që vetë nuk e bëjnë dot. Ndonse janë pjesëtarë të BE ata vazhdojnë me politikën e vjetër duke mohuar ekzistimin e pakicave nacionale në Greqi, duke mos realizuar në praktikë standardët demokratike ndërkombëtare. Madje për grekët vlën thënia ”mos bëj çka bëj unë por bëj ate çka them unë”. Deri sa grekët sillën në ketë mënyrë me qytetarët e tyre të cilëve nuk iu pranojnë përkatësinë e tyre nacionale, por iu mohojnë identitetin e tyre atëherë ata duhet injoruar në maksimum, sepse ata nuk janë model të qasjeve demokratike dhe të drejtave të njeriut. Madje, ne rastin konkret politika e Shqipërisë, duhet të jetë aktive e jo pasive e madje edhe servile, duke ndigjuar broçkullat greke, sepse çështjet nga fusha e të drejtave dhe lirive të njeriut janë obligim për çdo shoqëri demokratike.
Vetëdeklarimi e drejtë e çdo qytetari
Nuk ka dilemë se e drejtë elementare e çdo qytetari kudo qoftë ai është të deklraohet në pyetësorin përkatës në të gjitha pyetjet ku në mes tjerash janë edhe ne lidhje me strukturën nacionale, gjuhësore dhe fetare. I cekëm këto kategori se janë pikërisht ata të cilat kanë hapur debate më së shumti dhe dilema në lidhje me këtë regjistrim. Në vendet demokratike, një çështje e tillë as që diskutohet, por problemi ndodh në vendet jodemokratike. Në këtë grup bëjnë pjesë vendet ish pjesëtare të kampit socialist në tërë Evropën, sepse vazhdimisht ka ekzistuar qasja e pushtetit për të asimiluar pakicat nacionale, apo duke minimizuar numrin e tyre. Në ketë aspekt përjashtim nuk bënë as Shqipëria, duke e ditur situatën në sistemin diktatorial për rreth gati pesë dekada. Por, në periudhën e pluralizmit me ndryshimin e rrethanave, janë kriuar kushte për deklarim të lirë të qytetarëve edhe në aspektin nacional, gjuhësor dhe fetar si kudo në botën e qytetëruar.
Ndryshimi i kombësisë për përfitime materiale
Por, ne ketë aspekt, në shqipëri është duke ndodhur një dukuri e përçudtshme, sepse në sajë të kushteve të pavolitshme sociale, një numër i konsideruar i qytetarëve me kombësi shqiptare janë duke ndryshuar kombësinë shqiptare duke e pranuar ate greke. Dhe dukuri të tilla ka plot në jug të Shqipërisë, ku është dëshmuar madje edhe me vendime të gjykatave. Pikërisht, një veprim i tillë ndokoj që të reagojnë subjekte, intelektual dhe qarqe të ndryshme, duke kërkuar madje që në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë të mos deklarohen qytetarët sipas përkatësisë etnike e fetare.
Veprim përfid i shtetit grek
Sipas disa të dhënave aproksimative janë rreth 30000 shtetas të Shqipërisë që marrin pensione nga shteti grek, e ate madje nga 300 euro në muaj. Por, nuk janë vetëm këto benificione nga ana e shtetit grek, por edhe të tjera si sigurimi i bursave për shkollim, hapja e shkollave greke në Shqipëri etj., që dëshmojnë se qarqet greke janë mobilizuar në maksimum që numri i të deklaruarve si grek në aspektin kombëtar të jetë më i lartë se asnjëher deri tash, e kjo ka të bëj enkas me jugun e Shqipërisë.
Aleanca Kuq e Zi
Pikërisht, duke parë se çështja e regjistrimit të popullsisë ka marrë përmasa politike, madje të imponimit dhe manipulimit nga qarqe të caktuara, u paraqit në skenë ALEANCA KUQ E ZI, e cila në fokus ka pikërisht çështjen e regjistrimit të popullsisë. Dhe ky grupim i qytetarëve, ka mbajtur takime me qytetarë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ksovë e Maqedoni, duke shpjeguar rrezikun që i kanosët Shqipërisë pikërisht nga regjistrimi jo real i popullsisë.
Prania e minoritetëve në Shqipëri
Ndonse si në të kaluarën edhe tash në Shqipëri dominon në mënyrë apsolute popullsia shqiptare, askush nuk e mohon praninë e minoriteteve. Edhe pse numri i tyre nga statsitika zyrtare ka qenë minimal, kjo kategori qytetarësh është sinonim për për minoritarët grekë, maqedonas në jug dhe ato malazez në veri. Askush i cili i trajton çështjet demografike në mënyrë profesionale, asnjëherë nuk ka mohuar praninë e minoritetëve në Shqipëri. Tjetër është qasja dhe trajtimi i kësaj çështjeje, nga qarqe të caktuara politike si në Shqipëri dhe jashtë saj. Nuk ka dilemë se si në të kaluarën por edhe tash sa i përket minoriteteve më të zëshëm ishin pjestarët e minoritetit grek e sidomos sponsorët e tyre në shtetin grek. Madje ata këtë çështje e kanë politizuar në përmasa të mëdha, duke rikujtuar ideologjinë e shek.XIX e cila përfaqësohej me “Megali-idenë”, ndërsa këtu theksohej përmes “Vorio-Epirit”.Përveç minoritetit grek i cili është i vendosur kryesisht në jug të Shqipërisë, si minoritete etnike, apo pakica nacionale janë edhe maqedonasit dhe malazezët. Ndërsa si minoritet gjuhësor-kulturor llogaritën vllehët(arumunët) dhe romët. Madje këto të fundit kanë një shpërndarje territoriale në tërë Shqipërinë, ku nuk janë të pakët ata të cilët cekin se ky është minoriteti më në numër në vend.
Në lidhje me këtë çështje vitëve të fundit, janë paraqitur pikëpamje se në Shqipëri nuk ekziston minoriteti maqedonas, sepse ata janë bullgar dhe si të tillë duhet të trajtohen nga qeveria e Shqipërisë. Nga qarqe të caktuara bullgare cekët se në Shqipëri numri i tyre arrin rreth 100.000 banorë.
Pra nuk mund të mohohet prania e minoritetëve në Shqipëri, por ata janë me pjesëmarrje të vogël, në kuadër të popullsisë së përgjithshme, andaj nuk ekzistojnë gjasat praktike që Shqipëria të quhet vend multietnik, ashtu siç dëshirojnë disa qarqe të caktuara antishqiptare.
Por, sidoqoftë duhet të presim të dhënat e para zyrtare në lidhje me numrin e përgjithshëm të popullsisë, por edhe të strukturës nacionale dhe fetare në veçanti, që parashihen ti prezantohen opinionit gjatë muajit nëntor të këtij viti.