Pse dështoi takimi i 5 presidentëve?

0
63

Presidenti maqedon Gjorgje Ivanov

Nga: PETRIT HALITI

Presidentet e Kosoves, Shqiperise, Kroacise, Malit te Zi, e Maqedonise kishin rene dakord te takoheshin me 7 janar ne Kosove ne një tavolinë të përbashkët për të promovuar bashkëpunimin rajonal. Në kohën që data po afrohet, nga Prishtina lëshohet njoftimi zyrtar se është rënë dakord nga gjithë pjesëmarrësit që ky takim të shtyhet për një kohë tjetër. Ndërsa ky njoftim, për arsye të kuptueshme, nuk mund të sqarojë shkaqet e mosmbajtjes së takimit presidencial të Prizrenit, burime diplomatike bëjnë të ditur se shkaku është tërheqja nga kjo pjesëmarrje e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në një kohë që ai vetë kishte rënë më parë dakord, si dhe gjithë presidentët e shteteve të mësipërme.

Në kohën që kortezia diplomatike e Prishtinës u përpoq të mos e komprometonte në opinionin publik mungesën e seriozitetit të presidentit të Maqedonisë, kabineti i këtij të fundit, një ditë më parë, më 22 dhjetor, kishte lëshuar një komunikatë sa të habitshme, aq edhe arrogante: “Presidenti nuk ka marrë ftesë, por edhe po të kishte marrë nuk do të shkonte, sepse e ka axhendën shumë të ngjeshur në muajin janar”.

Kabinetet presidenciale dhe ministritë e jashtme të të pesë shteteve, përfshirë edhe Maqedoninë, e dinë se edhe ftesa ishte drejtuar për të gjithë presidentët, edhe se ishte rënë dakord nga të gjithë që të takoheshin më 7 janar në Prizren. Madje, ishte vlerësuar edhe simbolika e paqes e datës 7 janar të takimit, sepse është dita e Krishtlindjeve ortodokse të shteteve sllave të Ballkanit Perëndimor. Por, presidenti i Maqedonisë jo vetëm lëshon një të pavërtetë, por me këtë të pavërtetë përpiqet të mbulojë një qëndrim dhe një portret politik inkoherent të tij.

Ndryshimi i qëndrimit të presidentit të Maqedonisë dhe përpjekja për të sabotuar takimin presidencial të
Kosovës, vjen nga presioni i fortë i Serbisë dhe nga nënshtrimi i Maqedonisë ndaj këtij presioni.
Në qarqet diplomatike është e njohur se Serbia, me të marrë vesh se presidentët e pesë shteteve ballkanike kishin rënë dakord të takoheshin në Kosovë, ndërmori një fushatë presioni të drejtpërdrejtë nëpërmjet kanalesh shtetërore e diplomatike ndaj presidentëve dhe shteteve pjesëmarrës të këtij takimi. Presion i fortë u organizua sidomos në drejtim të Kroacisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Kaq i madh ishte angazhimi zyrtar i Beogradit në këtë operacion, sa që vetë presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ndërmori një gjest jo korrekt, atë të ndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti tjetër, kur deklaroi publikisht më 18 dhjetor në Kopenhagë se, ai kundërshton vizitën e presidentit të Kroacisë, Stipe Mesiç, në Kosovë më 7 janar.

Veprimtaria ndërkombëtare e çdo presidenti është e drejtë sovrane e atij shteti, ndaj dhe presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, rikonfirmoi edhe ai publikisht, pas presioneve publike të Tadiçit, se do të shkonte në takimin presidencial të Kosovës. Madje, pjesëmarrja e presidentit kroat në takimin presidencial të Kosovës u konsiderua në mediat kroate si me përmbajtje simbolike, sepse Mesiçi po mbyllte mandatin e tij presidencial me një vizitë në shtetin më të ri, që kishte dalë nga ish-Jugosllavia, dhe për të cilin ai kishte qenë ndër të parët dhe ndër të paktit udhëheqës ish-jugosllavë që kishte deklaruar shumë herët se Kosovës i takonte pavarësia.

Por, as Gjorgje Ivanovi nuk është Stipe Mesiç, dhe as Maqedonia nuk është Kroaci. Presioni i Serbisë pati efektin e vet në dobësinë shtetërore dhe personale të udhëheqësve të Maqedonisë, dhe rezultati është se Shkupi sabotoi takimin e pesë presidentëve të Ballkanit.

Me këtë akt, Maqedonia ndërmori një veprim jo miqësor ndaj Kosovës dhe dëshmoi përsëri se lobi serb ka një peshë dhe një ndikim shumë të madh në isteblishmentin maqedonas. Nuk është hera e parë që presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ndërmerr veprime të tilla nën presionin e Serbisë dhe në favor të Serbisë. Edhe kur organizoi ceremoninë e zgjedhjes së tij si president, ai ndërmori aktin e mosthirrjes së presidentit të Kosovës në ceremoni, ndryshe nga ç’kishte kishte bërë për presidentët e tjerë të Ballkanit. Presidenti i Maqedonisë demonstroi një mungesë të madhe përgjegjësie shtetërore e personale, kur në mënyrën më të habitshme injoroi aktin e nënshkrimit të marrëveshjes shtetërore mes Maqedonisë dhe Kosovës për demarkimin e kufirit, të cilën e ka ratifikuar edhe vetë parlamenti i Maqedonisë.

Ai shkon dhe i deklaron presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, në një takim dypalësh, se marrëveshja e mëparshme, e nënshkruar mes Maqedonisë dhe Serbisë për kufirin në vitin 2001, pra para pavarësisë së Kosovës, është ende e vlefshme. Dhe, presidenti i Serbisë ia nxori këtë deklaratë “konfidenciale” në publik. Në këtë mënyrë, presidenti i Maqedonisë e përvijon portretin e vet politik me dy pamje, nga një anë i mbahet vijës së miqësisë dhe bashkëpunimit me shtetin fqinj të Kosovës, të cilin qeveria e Maqedonisë e ka njohur si shtet të pavarur, dhe nga ana tjetër mbështet vijën proserbe të sabotimit të reputacionit rajonal dhe ndërkombëtar të Kosovës. Në këtë kuadër duhet parë edhe sabotimi i takimit të pesë presidentëve.

Çështja nuk është vetëm te qëndrimi ndaj Kosovës. Ai duhet parë si qëndrim ndaj kombit shqiptar në përgjithësi. Sepse, nëse presidenti i Maqedonisë ndjek një vijë obstruksioniste ndaj Kosovës, ai shpreh një qëndrim jomiqësor ndaj shqiptarëve si komb, duke përfshire edhe vetë popullin shqiptar në Maqedoni.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni, sidomos forca që aktualisht merr pjesë në koalicionin qeveritar të partisë VMRO-DPMNE të kryeministrit Nikolla Gruevski, së cilës i përket edhe presidenti Gjorgje Ivanov, nuk mundet t’i kalojnë kaq qetësisht performancat jomiqësore ndaj Kosovës dhe ndaj kombit shqiptar që po manifeston presidenti i Maqedonisë.

Një sinjal i këtyre qëndrimeve jo miqësore është sabotimi i takimit të pesë presidentëve të Ballkanit në Kosovë, por një sinjal i fortë negativ është fakti që presidenti i Maqedonisë, në fjalimin e tij në parlamentin e Maqedonisë më 21 dhjetor, nuk e përmendi fare Marrëveshjen e Ohrit. Kjo tregon se presidenti maqedonas nuk ka mësuar gjë nga historia e brishtë 18- vjeçare e shtetit të ri të Maqedonisë, ekuilibri dhe perspektiva e të cilit qëndron në marrëdhëniet dhe në marrëveshjen historike mes popullit shqiptar dhe popullit maqedonas në atë shtet.

Takimi i pesë presidentëve të Ballkanit thuhet se do të mbahet më vonë në Kosovë. Por, gjërat që shtyhen, si rregull sjellin edhe komplikime te reja. Mandati i presidentit të Kroacisë, Stipe Mesiç, skadon në muajin shkurt dhe ai nuk do të rikandidojë më. Nuk dihet se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Kroacisë dhe nuk është e sigurt nëse ai do të ketë ndaj Kosovës të njëjtën ndjeshmëri siç kishte presidenti Mesiç. Natyrisht, edhe prioritetet e tij si një president i sapozgjedhur pritet të jenë të tjera. Kjo është për të përmendur vetëm një aspekt.

Ajo që bëri presidenti i Maqedonisë, që nën presionin e Serbisë sabotoi takimin e pesë presidentëve të Ballkanit në Kosovë, nuk mund të mos jetë rast për të nxjerrë disa mësime të gjitha shtetet që do të merrnin pjesë. Sepse, ka ende shumë punë për të ndërgjegjësuar gjithë Ballkanin se Kosova është shteti i ri i rajonit pa të cilin nuk mund të shkojë përpara asnjë formë e bashkëpunimit apo e organizimit ballkanik. Ballkani nuk është Këshilli i Sigurimit i OKB-së, dhe as Serbia nuk është Rusia, që mund të vërë veton e që t’i pranohet veto në organizimet ballkanike. Ballkani ka të mirën dhe të keqen njëkohësisht, që veton mund ta vënë të gjitha vendet e tjera për organizimet rajonale që ndërmarrin shtetet, të cilat synojnë të pengojnë Kosovën.

Reflektimi ndaj këtij realiteti është një trend modern në diplomacinë e sotme, të cilin nuk e shohin apo nuk duan ta shohin, vetëm të dobëtit apo të kompleksuarit.

(GSH/BalkanWeb)