Nga Preç Zogaj
Kabllogramet e kapura nga Wikileaks janë njëlloj kurthi për politikanët që përmenden në to. Si do të reagojnë, kur të njihen me gjëra që nuk u janë thënë ndonjëherë në sy? Si do ta përjetojnë momentin e përballjes me psikoprofilin e tyre të skicuar nga dora e diplomatëve amerikanë? Nuk ka qenë parashikuar tani kjo përballje. Ndoshta as në të ardhmen. Kabllogramet kanë një afat dhjetëvjecar për t’u deklasifikuar si materiale të brendshme.
Por edhe pas dhjetë vjetësh nuk do të nxirreshin në pazar. Buja dhe interesi i kabllogrameve lidhet me faktin se nga një anë ato janë produkt i një sulmi elektronik të pashembullt në kështjellën me të madhe të diplomacisë botërore aktive. Nga ana tjetër dhe kjo është më sharmante për publikun e gjerë këto kabllograme janë si një nxjerrje e parakohshme sekreti. Ndoshta edhe zyrtarët amerikanë po i shohim më me vemendje tani se në kohën kur janë shkruar. Është efekti i dekonspirimit. Këto raporte duken më konfidecialë kur dalin se sa kur hartohen. Rrjedhimisht, për politikanët që permenden në to flet me shumë mënyra se si reagojnë sot se sa ajo që është shkruar për ta dje.
Ky është kurthi, ku bien ata që anatemojmë bashkë me piraterinë e themeluesit të Wikiliksit, Asange, edhe lëndën dhe nënshkruesit e kabllogrameve . Duke përzier një gjë të drejtë me një ngutje, një veprim të arsyeshëm me me një budallallëk. Lënda e kabllogrameve, edhe pse e publikuar në mënyrë pirate të dënueshme, është amerikane. Është diplomacia jopublike për Shqipërinë në ato kabllograme. Publikimi i saj na jep mundësinë ta njohim para kohe dhe të refektojmë në kohë për mënyrën si na shohin diplomatët amerikanë. Në parim, njohja dhe portretizimi i politikanëve shqiptarë nga diplomatët e vendeve mike ka gjasa të jetë më objektive, pavarësisht se subjektivizmi është i pranishëm në çdo lloj portretizimi njerëzor.
Diplomatët e vendeve mike kanë disa avantazhe në krahasim me gazetarët, shkrimtarët apo studiuesit vendas të psikoprofileve politike. Së pari, janë të ftohtë dhe të distancuar nga jeta e politikanëve vendas. Së dyti, nuk kanë e nuk mund të kenë probleme personale me ta. Së treti, nuk kanë interesa vetjake për prona, poste, tendera, fonde publike, vende pune, e tjerë pasi janë të huaj. Prirja e natyrshme e diplomatëve për të shkuar mirë me Kryeministrin apo Presidentin e Shqipërisë nuk mund të konsiderohet interes vetjak. Së katërti, puna e tyre, përfshirë informacionet që dërgojnë në qendër, gjykohen nga një sistem që përfaqëson një shkollë të konsoliduar të profesionalizmit dhe mendësisë demokratike.
Ambasadori amerikan në Tiranë, përshembull, nuk mund të bëj të zezën të bardhë apo të bardhën të zezë sepse ashtu e sheh, apo sepse ashtu i pëlqen. Ai mund të jetë subjektiv por jo deri në atë shkallë sa ta paraqesë realitetin tjetër për tjetër. Nuk e lë profesioni dhe formimi të jetë teprueshëm subjektiv. Por edhe po ta teprojë apo të lajthisë, është sistemi amerikan, është Ambasada, Departamenti i Shtetit, Kongresi dhe Presidenti që nuk e lënë të vazhdojë, që e korigjojnë , madje edhe e rrëzojnë.
Edhe pse manifeston individualitetin dhe temperamentin e tij në punë – dhe kjo është njerëzore – ambasadori i SHBA-së është pjesë e sistemit të vendit të tij, është Amerika në Shqipëri, është Presidenti amerikan në Shqipëri. Këtë e themi edhe kur qëllon që amabsadori, për një çast, nuk mban qëndrimin që na pëlqen. Vetëm të vdekurit nuk gabojnë. Gabojnë njerëzit. Gabojnë edhe shtetet. Por SHBA ka meritën se korigjohet shpejt falë principeve dhe vlerave mbi të cilat funksionon.
Nga moria e politikanëve dhe deputetevë shqiptarë të përmendur në kabllogramet e ish ambasadorit Ëidhers, ai që ka reaguar në mënyrën më korrekte, sipas meje, është deputeti Paulin Sterkaj. Përtej shpjegimeve për çfarë është shkruar për të , zoti Sterkaj bëri dy pohime politike dhe intelektuale me vlerë. E para, tha se ndihej mirë që ambasada e një e vendi mik si SHBA e ndiqte aktivitetin e tij politik.
E dyta, tha se ambasadori Widhers kishte bërë detyrën e tij pasi nuk mund të mbahen informacionet për deputetët, por ndërkaq besonte se është vetë sistemi amerikan i verifikimit dhe analizës së informacionit që ndan të vërtetën nga gënjeshtra. “Nuk të djeg kabllogrami, por verifikimi, analiza”, tha si me shaka Stërkaj. Ai ishte i bindur se në këtë sistem akzua e implikimit të tij në një vrasje gjatë fushatës elektorale të vitit 2009 kishte rënë tashmë. Ai parashikonte ta lexonte këtë gjë në një kabllogram tjetër që mund të publikohet pas disa vjetësh.
Se kush mund të ketë një mendim të vetin në lidhje me çfarë shkruhet në kabllograme. Por ia vlen të përqafojmë të gjithë pikëpamjen për sistemin që vendos në vendin e duhur çdo lloj informacioni dhe ndan gjatë verifikimit të vërtetën nga gënjeshtra. Kjo mund të ishte pikpamja e kryeministrit Berisha gjithashtu. Madje për shkak të përvojës dhe staturës, ai mund të shkonte më tej. Këtu nuk është fjala për të glorifikuar symbyllur apo me servilizëm sistemin amerikan. Por realisht ky sistem është dëshmuar më i përparuari, më demokratiku. Vetë servilizmi është i huaj për këtë lloj sistemi. Berisha u shballancua si akush tjetër dhe dha përgjigje sa të pabesueshme aq edhe problamatike kur u pyet për kabllogramet në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut.
E para, ai nënvlersoj në një mënyrë të palejueshme për një kryeministër rolin e Ambasadës amerikane në formulimin e politikës amerikane për Shqipërinë.Është e vërtetë se qëndrimet vinë nga Uashingtoni në Tiranë, por Uashigtoni nuk i merr nga qielli informacionet për Shqipërinë. Ambasada merr pjesë në formimin e politikës së Departmentit të Shtetit me informacionet që dërgon. Ambasada, ndërkaq e ekzekuton këtë politikë.
Mendoj gjithashtu se Departamenti i Shtetit merr pjesë në “përzgjedhjen” e informacioneve nga Ambasada. Nëse SHBA ka problem Gërdecin, do të kenë përparësi informacionet për Gërdecin. Nëse ka tërhequr vëmendjen dukuria e hyrjes së një fluksi biznesmenësh të pashkolluar në politikë, informimi do të fokusohet te ky problem. Nga kjo pikëpamje Departmenti është edhe Ambasadë dhe Ambasada është edhe Department.
E dyta dhe kjo është më e rënda, zoti Berisha i konsideroj “tërësisht personale” kabllogaramet e ambasadorit Ëidhers për të. Ai nuk u shpjegua dhe nuk mund të shpjegohej për ketë. Ç’probleme personale mund të ketë midis ambsadorit amerikan dhe kryeministrit të një vendi si Shqipëria? Ç’probleme personale mund të ketë pasur midis ambasadorit të Presidentëve Bush dhe Obama , siç ishte Ëidhers dhe kryeministrit Sali Berisha? Të gjithë e dimë se çfarë mund të jenë problemet personale midis dy njerëzve. Problemet personale lindin nga marrëdhëniet e punës, fqinjësia deri edhe nga rivalitetet e vjetra apo të reja për një femër.
Është kaq e madhe distanca midis një afroamerikani me detyrën Amabsador dhe një shqiptari me detyrën Kryeminsitër sa është qesharake të mendosh se ambasadori ka arsye tërësisht personale kur shkuan ato që ka shkruar për kryeministrin. Është qesharake qoftë kur e mendon si shprehje deliri, qoftë kur e mendon si tentativë diversioni nga zoti Berisha. Natyrisht, vetë zoti Berisha ka aq përvoja dhe është aq inteligjenc sa ta dijë mirë këtë. Por ai kërkon tu flasë ndjekësve të tij, kërkon të luajë me mendësinë vendase, më saktë me kufizimet e mendësisë vendase. “E shikoni! Ambasadori ka pasur probleme personale me mua, prandaj ka shkruar ashtu”! Kush ta besojë, lë ta besojë.
Nuk ka qenë asnjeherë herët, por tani është plotësisht vonë të ndiqet politika populiste e veçimit të ambasadorit të SHBA-së nga vendi i tij. Kjo është një mënyrë e vjetëruar dhe pa perpsektivë për të mos njohur gabimet. Çdo ambasador që vjen nga Uashingtoni në Tiranë vjen me dëshirën e mirë për të mbështetur me zemër të pastër Shqipërinë dhe drejtuesit e saj politikë. Disensi apo përplasja e tyre me Berishën vjen si një përplasje kulturash politike.
Berisha nuk e ka kulturën e ndarjes së pushteteve, nuk e ka kulturën e sundimit të ligjit, nuk e ka kulturën e pavarësisë së gjyqësorit, nuk e ka kulturën e zgjedhjeve të lira. Për këtë shkak ai do të krijojë marredënie të ndara dhe do të konfrontohet në mënyrë të pashmangshme me përfaqësuesit e diplomacisë amerikane. Nga kjo pikpamje, të ashtuquajturat problemet personale me amabsadorin nuk mund të mos jenë probleme personale me SHBA-në.







